Përse duartrokasim?!

    SHEFQET MEKO 

    Duartrokitjet entuziaste të njeriut dhe veçmas të turmës, më kanë ngacmuar fantazinë. Shpesh, kur kujtoj “kohën e duartrokitjeve”, sjell në mendje kotnajat e shkuara. Me naivitet mendoja se “duartrokitjet socialiste” ishin të sinqerta, vullnet i njeriut, mirënjohje e kolektivit dhe popullit për “Njishin” e tribunës. Kam provuar të duartrokas, brohoras dhe disi të duartrokas. Nuk kam një “inventar” të duartrokitjeve të mia, as të popullit tim, as të historisë shqiptare. Në fakt, në Amerikë, kam mësuar se duartrokitjet numërohen, madje kronometrohen si vrapi sprint i rinisë sonë. Për shembull më 2018, Presidenti Tramp, në fjalimin kombëtar para Kongresit, mori më shumë se 110 herë duartrokitje dhe ovacione nga “kolegët e republikanë”, duke shënuar gati 30 minuta duartrokitje e ovacione, ose saktësisht 1,785 sekonda. Ato kohë fjalimi i Presidentit Tramp u shënua i treti, më i gjati pas dy rekordeve nga Presidenti Klinton. Po ne shqiptarët sa orë e sa ditë kemi duartrokitur? Pse ende duartrokasim? Kë duartrokasim tani? Kush dreqin e shpiku duartrokitjen? Sipas studimeve, thuhet se duartrokitja e parë është realizuar nga grekët e lashtë, (mbase në Butrint do kisha dëshirë), në shekullin e 4 BC, por që në vitet e Bizantit u bë modë edhe në politikë. Thuhet se perandori romak Nero hapi edhe “shkollën e duartrokitjeve”.

    Më vonë, Parisi u bë “kryeqytet i duarpërplasjeve” sidomos në koncertet e shfaqjet artistike. Pra, njeriu e ka përdorur duartrokitjen si një nevojë për të shprehur diçka “në kor” si miratim, pohim dhe admirim të gëzueshëm. Ata që kanë vëzhguar këtë fenomen, thonë se njeriu duartroket 2.5-5 herë në një sekond. Sipas ekspertëve të kësaj fushe, bebet që në vitin e parë të jetës përplasin duart, jo për “duartrokitje”, por për të bërë zhurmë dhe tërhequr vëmendje. Janë prindërit që i gëzohen këtij gjesti, duke e nxitur që ta përsërisin si refleks në progres dhe kështu ne “rritemi duke duartrokitur”. Kujtoj duartrokitjet e mia dhe qesh me vete. Kujtoj brohoritjet e mia dhe “ul kokën”. Sjell në mendje “fishkëllimat” e shumta që më timbrojnë edhe në këtë moshë. Fishkëllima ka qenë gëzimi im kur këndohet një këngë e luhet një valle, kur shoh çifte që puthen në dasma, kur shoh të hidhet devolliçja, vallja gorare apo pogonishtja… Unë fishkëllej “pa gishta”, por me shpirt. Ne jemi “majmunë” të edukuar. Duartrokitjet vijojnë kudo edhe sot nëpër glob dhe në Shqipëri, dhe natyrisht, edhe në Amerikë ku “inventarizohen”. Në Shtëpinë e Bardhë kemi parë se si “burrat me kollare”, duartrokasin “firmën e Presidentit” vetëm për të shprehur “dashuri politike”. Sipas mendimit, tim duartrokitjet zyrtare amerikane më hipokrite kanë qenë ato për tarifat në “Ditën e Çlirimit”(!). Më 2 prill 2025. Njeriu nga larg duke parë qelqet me ngjyra pyeti: “Ç’ishin ato duartrokitje”?….

    Në Shqipërinë tonë duartrokitet qeveria, kryeministri, presidenti, kryetari i opozitës, natyrisht edhe Ilir Vrenozi “pa dhëmbë”, simbol tipik i djathtizmit aktual shqiptar… E kush nuk duartrokitet sot? Kush!?… A pyesim veten përse duartrokasim? Sikur të kisha një telekomandë si ato që shpërthenin dinamitin në guroret e minierat e socializmit, do isha i lumtur të “kontrolloja” duartrokitjet idiote me atë “butonin e kuq”. Fjalime të mbushura me “vjellje”, me narkoshtet, diktaturë, varrosje të pluralizmit, akuza, me fjalë katrama, me bufa kënetash, me llucë e baltë, me tallje dhe sharamanie, këto të gjitha pasohen me “duartrokitjet për udhëheqësin” edhe kur nuk thuhet asgjë. Një “faraon” i opozitës shqiptare çirret nëpër ekrane “jam misionar”, dhe gjynahqarët duartrokasin e brohorasin “E tha Ai. E tha Njishi. Do ta thotë Amerika”. Fjala shqip bën skëterrë Atdheun, dërgohen “pusulla të zeza” nëpër botë dhe një ndërtesë buzë Lanës buçet në duartrokitje. Kryeministri flet, por nuk shpjegohet për mosrealizimet apo premtimet e përsëritura, por “turma duartroket”. Duartrokitje për çdo gjë, për humbje madhështore e “fitore pas fitoreje”…

    Përse duartrokasim? Në të shumtën e rasteve ne thjesht “bashkohemi me fshatin”, pra me turmën. A e dini se ç’ndodh herë pas here me mua? Kur zgjidh një problem në biznesin e përditshëm, kur mësoj dikça të re, që nuk e kam ditur kurrë dhe e aplikoj me sukses them “Bravo Meko” e qesh me vete. Unë “duartrokas” vetëm kur zgjidh një shqetësim apo gjej fabulën për të shkruar. Në fund të fundit, kjo është “duartrokitja” më e sinqertë, sepse vetë duartrokitja ime përshëndet një zgjidhje, një shans edhe për tjetrin dhe duke qenë se biznesi është edhe një “çështje pa zhurmë”, unë “përkëdhel” egon personale për të mësuar e zgjidhur probleme që sjellin fitim. “Paske rrjedhur” po thotë dikush. Dhe unë vijoj të qesh, sepse askush më mirë se unë nuk di të vërtetën e “duartrokitjes për vete”. Përse duartrokasim, sidomos në politikë? Që të miklojmë mashtruesit të vijojnë “mashtrimin e radhës”?… Nuk duartrokas më. Të mos duartrokasim! Të rrimë “duarkryq” si revoltë popullore ndaj mashtruesve që fitojnë vota “me duartrokitje” dhe duan edhe më shumë kur janë në pushtet apo opozitë. Një udhëheqës opozitar këtë e quajti “mosbindje civile”, por ajo punë “iku për lesh”. Ah sikur të kishim inventarizuar “duartrokitjet shqiptare”. Librat e shënimeve do ishin “Dajti” i duartrokitjeve shqiptare. Si thotë ajo shprehja “U mbars mali e polli një mi…”. Së fundi, duke qeshur, një “duartrokitje për shkrimin e duartrokitjeve”! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ministria palestineze e Shëndetësisë: më shumë se 70 të vdekur dhe 270 të plagosur në 24 orë

    Lajmi i rradhës

    Vetëm gjashtë nga 33 masat kundër ajrit të ndotur u zbatuan – shëndeti publik në rrezik!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë