Politika dikton agjendën: integrimi europian “tretet” në media

    Sefer Tahiri, profesor universitar / Fotografia: Nistori

    Në historinë bashkëkohore politike të Maqedonisë së Veriut, pas pavarësisë së vendit, tema e integrimit në Bashkimin Evropian ka qenë në krye të agjendës politike, edhe atë qoftë në prizmin institucional, qoftë në diskursin partiak. Kjo temë ka qenë parësore, duke u trajtuar nga aspekte të ndryshme, por shpesh e dominuar nga relacionet dypalëshe të Shkupit me Athinën dhe Sofjen, për shkak të impaktit të saj ndaj emrit dhe korpusit identitar të popullit maqedonas.

    Por, të shohim se si u raportua në mediat mbi procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian në periudhën e fundit? A ka ndryshuar diskursi politik dhe partiak, krahasuar me periudhën pas miratimit të “Propozimit francez”, si kornizë për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE? Sa blloku politik shqiptar në qeveri – koalicioni VLEN dhe Fronti Evropian (Kombëtar) në opozitë bën presion që të miratohen ndryshimet kushtetuese? Pse pala qeveritare maqedonase hedh akuza të rënda ndaj Bujar Osmanit për “shitjen e identitetit maqedonas” në negociatat me Bullgarinë? Cili është narrativi qeveritar, në veçanti i kryeministrit Mickoski që përdoret në raport me palën bullgare? A është ashpërsuar fjalori mes Shkupit dhe Sofjes dhe si reflektohet në marrëdhëniet dypalëshe?

    Rënie e interesimit mediatik mbi procesin e integrimit

    Kohëve të fundit, pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së në vitin 2024, intensiteti i interesimit mediatik ka rënë dukshëm, pasi procesi i integrimit ka ngelur status-quo. Kjo për faktin që pala qeveritare maqedonase nuk pranon të votojë ndryshimet kushtetuese, me arsyetimin se ato nuk do të jenë kërkesa e fundit e palës bullgare dhe se kushtëzimet do të vazhdojnë, duke goditur rëndë identitetin etnik, kulturor dhe sidomos atë gjuhësor të popullit maqedonas.

    Ky qëndrim i prerë dhe i qartë artikulohet përmes kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili deklaroi hapur se “Bullgaria dëshiron të zhduk kombin dhe identitetin maqedonas” dhe prandaj në të ardhmen nuk dëshiron të dëgjojë për kërkesën që bullgarët të bëhen pjesë e Kushtetutës së vendit, ashtu siç parashikohet me Kornizën negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, e njohur si “Propozimi francez”. Në dokument thuhet “Këshilli mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut për t’i filluar me prioritet ndryshimeve në amendamentet përkatëse kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e kombeve të tjera, si p.sh bullgarët”. Deklaratat e kryeministrit, ndonëse të bëra për nevoja të brendshme politike, përkatësisht në funksion të komunikimit dhe PR–it strategjik partiak dhe qeveritar, janë në linjën e mosnjohjes së “Propozimit francez”, që praktikisht do të thotë hedhje poshtë e Kornizës negociuese me BE–në.

    Kryeministri me rol dominues në modelimin e agjendës politike dhe mediatike

    Mediat në gjuhën maqedonase u japin hapësirë të konsiderueshme deklaratave të kryeministrit, shpesh duke mos i kontekstualizuar apo duke mos pasur qasje kritike dhe analitike. Ka kohë që mediat, qoftë tradicionale e sidomos ato onlajn, mjaftohen me funksionin e tyre transmetues, përkatësisht përcjelljen e deklaratave, ndonjëherë duke u dhënë edhe ngjyra sensacionaliste, gjë që bëhet për efekte të “klikbejtit” apo tërheqjes së publikut përmes klikimeve.

    Në një analizë paraprake kemi konkluduar se “Kryeministri i vendit dikton në masë të madhe agjendën politike“, ndërsa kjo dukuri ndodh në vazhdimësi. Nuk ka asnjë ndryshim nga periudha e mëhershme, madje në disa periudha figura e tij bëhet qendrore dhe intensiteti i prezantimit edhe ndaj formësimit të opinionit publik është më i lartë.

    Dominimi i kryeministrit Mickoski në diskursin mediatik nuk është i pranishëm vetëm në mediat maqedonase, por edhe në mediat shqipe, që vjen si rezultat i deklarimeve të tij të përditshme rreth eurointegrimeve. Në komunikim politik të qeverisë vërehet monopol nga kryeministri, që vetvetiu flet për tendenca të kontrollit ndaj “pushtetit të komunikimit” nga ana e tij, pasi shumë më pak rreth integrimeve deklarohen ministri i Jashtëm, Timço Mucunski dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani.

    Në këtë drejtim, media ka ndikuar shumë në përforcimin e narrativit politik të kryeministrit, i cili nuk pranon “diktat nga pala bullgare” për ndryshimet kushtetuese.

    Ndryshimet kushtetuese bien nga “top-lista” mediatike

    Në raportimet mediatike në dy gjuhët vërehet zvetënim i temës së ndryshimeve kushtetuese, si kusht për procesin e integrimit. Sikur ekziston një pakt i heshtur mes politikës (pushtetit) dhe medias që kjo temë të mos trajtohet, dhe pjesë e këtij pakti duket se janë edhe mediat që shquheshin në të kaluarën si kritike ndaj pushtetit. Numri i përmbajtjeve informative dhe në veçanti i debateve apo intervistave në platforma të ndryshme mediatike është tepër i vogël, ndoshta edhe më i vogël se para periudhës së marrjes së statusit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2005. Duhet theksuar se në mediat shqipe temat e politikës së jashtme, përkatësisht të integrimit trajtohen në mënyrë objektive dhe korrekte. Kemi fjalën për transmetimin e deklaratave të zyrtarëve maqedonas, por edhe shqiptarë.

    Mediat në gjuhën shqipe gjithnjë kanë pasur qasje më proaktive ndaj procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, krahasuar me ato maqedonase. Kjo ndërlidhet me faktin se diskursi politik dhe ai i cili ka dominuar hapësirën publike, ka qenë më i distancuar, më neutral dhe më i “ftohtë” në kontekstin e simbiozës mes integrimit dhe negociatave dypalëshe me Sofjen dhe Athinën, e që prekin segmente identitare të popullit maqedonas.

    Kjo temë aktualizohet në mënyrë episodike, si rrjedhojë e ndonjë deklarate, siç ishte ajo e kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, para daljes nga qeveria se “Isha optimist kur e formuam Qeverinë, por sot më duket e vështirë!”

    Deklaratat e Taravarit patën jehonë të madhe si në mediat shqipe, po ashtu edhe në ato maqedonase, pasi u dhanë në kontekst të funksionimit të qeverisë dhe pas spekulimeve se Taravari do të dalë nga qeveria.

    Mediat me akuza ndaj politikës evropiane

    Në tentim për të bindur publikun, kryeministri nuk fsheh edhe zhgënjimin me faktorin evropian.

    Narrativi politik, i cili përmban nota etnocentrike, i shprehur edhe me tonalitet zhgënjyes dhe dëshpërues ndaj elitës evropiane, është transmetuar gjatë raportimit mbi raportin e Parlamentit Evropian në Strasburg, i cili nuk e përmend fare identitetin dhe gjuhën maqedonase, që ka ndodhur me ndërhyrjen e eurodeputetëve bullgarë. Mediat si në kor raportuan deklarimet e kryeministrit Mickoski se “Në shekullin 21, në mënyrë talebane fshihet gjuha dhe identiteti maqedonas”.

    Për dallim nga mediat maqedonase, të cilat ishin strikte në transmetimin e deklaratës së kryeministrit, në mediat në gjuhën shqipe pati raportim, i cili relativizonte faktin që në raport nuk përmendet fare identiteti dhe gjuha maqedonase, duke e portretizuar si konsensus apo marrëveshje mes eurodeputetëve për të fshirë elementet e qenësisë etnike maqedonase.

    Dallime diskursive rreth deklaratës së Marta Kosit mbi identitetin

    Linja e “diskursit të dallimeve” në kontekst të integrimit u evidentua edhe gjatë raportimit të deklaratës së komisioneres evropiane, Marta Kos të dhënë gjatë vizitës së saj në Shkup, e cila mes tjerash u shpreh se “Identiteti juaj janë manastiret, pogaça, pinxhuri dhe specat e mbushur“.  Kjo deklaratë u prit me tone kundërshtuese, me nëntekstin se tema e identitetit nuk guxon të reduktohet tek pinxhuri (ushqim tradicional veror i kuzhinës maqedonase). Në mënyrë sublimuese deklarata e Kosit në mediat maqedonase u interpretua si përqeshje e vlerave të popullit maqedonas, edhe atë në shekullin 21, që është në kundërshtim me standardet evropiane.

    Por, për dallim nga mediat maqedonase, në të cilat qëndrimi i Kosit u prit si përbuzës dhe nënçmues, në mediat shqipe u ndoq linja editoriale e transmetimit objektiv dhe korrekt të deklaratës së saj, duke e vënë theksin tek mesazhi i saj mbi veçoritë gastronomike të identitetit etnokulturor maqedonas.

    Narrative të ngjashme, që dallojnë varësisht nga gjuha e publikimit dhe publikut që i drejtohen u vërejtën edhe lidhur me deklaratën e kryeministrit Mickoski, i cili e quajti mi ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Georg Georgiev, pasi ky i fundit e quajti kryeministrin e vendit “maqedonasoverior”.

    “Bota serbe”, pjesë e raportit të Parlamentit Evropian heshtet nga mediat

    Raportimi mbi raportin e eurodeputetit Thomas Waitz në Parlamentin Evropian, në të cilin përmendet ndikimi i të ashtuquajturës “Botë serbe” ka qenë i ndarë dhe ka shfaqur në skenën publike polarizimet etnike. Në mediat shqipe i është dhënë hapësirë e konsiderueshme, ndërsa theksi është vënë tek “ndikimi rus dhe kinez përmes Serbisë dhe Hungarisë”. Përderisa në mediat shqipe është ngritur alarmi mbi ndikimin e fqiut verior ndaj politikës dhe institucioneve të vendit, në mediat maqedonase kjo temë është heshtur. Në dy ditët e para kur u bë i ditur informacioni se raporti i ri përmban të dhënat mbi ndikimin e “Botës serbe”, mediat nuk raportuan fare, ndërsa në ditën e tretë pati vetëm disa raportime. Kjo flet për tendencën e pushtetit që përmes ndikimit ndaj agjendës mediatike të mos bëhen publike kritikat ndaj tij për një çështje kaq të ndjeshme politike, e cila ka ndikim ndaj procesit të eurointegrimeve.

    Gjithashtu, mediat kanë raportuar në mënyrë jokritike edhe kur bëhet fjalë për tendencën e kryeministrit për transferimin e përgjegjësisë apo kërkimin e saj tek opozita shqiptare, në veçanti tek ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani dhe tek Lidhja Socialdemokrate. Osmani akuzohet se drejtpërdrejt ka vënë thikë në mushkëritë e identitetit maqedonas, ndërsa socialdemokratët se janë vënë në shërbim të plotë të interesave bullgare.

    Përfundime

    Në mediat në Maqedoninë e Veriut kohëve të fundit është evidentuar ulje e intensitetit të raportimit mbi procesin e integrimit në BE, që buron nga fakti se politika nuk i kushton rëndësi parësore këtij procesi dhe është “betonuar” në qëndrimet e saj, gjë që e bën procesin më pak dinamik e fleksibël.

    Hapësira mediatike, edhe pse e reduktuar mbi integrimin, edhe në periudhën e fundit, si edhe më herët është mbizotëruar nga gazetaria, e cila depërton vetëm në shtresën e parë të gjurmimit të fakteve, që do të thotë se shpesh është sipërfaqësore. Siç theksuam, kur bëhet fjalë për integrimin, ka pasur qasje mediatike transmetuese të deklaratave, pa bërë kontekstualizime dhe interpretime kritike dhe analitike. Kjo flet për të satën herë se mediat janë zgjatim i politikës, pasi kanë ndjekur narrativin politik. Ky narrativ është dominuar nga kryeministri Mickoski, i cili arrin të diktojë agjendën mediatike.

    Ndryshimet kushtetuese, si kusht për integrimin e vendit në BE apo vazhdimin e negociatave për anëtarësim në këtë organizatë evropiane, pjesa më e madhe e mediave si temë e kanë heshtur thuajse në mënyrë të orkestruar.

    Ka pasur tendenca politike që të ketë “terr informativ”, sa i përket raportit të Parlamentit Evropian, i cili evidenton ndikimin e fuqishëm të “Botës serbe” ndaj politikës në Maqedoninë e Veriut dhe përmes saj fuqizohet edhe ndikimi i Rusisë.

    Vërehen dallime në raportim në mediat në gjuhën maqedonase dhe shqipe, por shpesh hasim në pikëtakime sa i përket qasjes ndaj integrimit.

    Shumë pak i kushtohet hapësirë faktit që Shqipëria, edhe pse ka qenë në paket me Maqedoninë e Veriut, po i përmbyll negociatat për anëtarësim në BE dhe në vitin 2030 ka gjasa reale që të bëhet anëtare e BE-së.

    Rekomandime

    Mediat duhet të tentojnë që të imponojnë agjendën e tyre, e bazuar tek hulumtimet e thelluara profesionale dhe tek qasja analitike, e cila shkon përtej deklaratave zyrtare ose komunikatave politike dhe institucionale për mediat. Në këtë drejtim duhet të rriten dhe avancohen kapacitetet e redaksive me gazetarë të specializuar për çështje të integrimit evropian.

    Është detyrë e mediave që të bëjnë përpjekje profesionale, që të sigurojnë pluralizëm mendimesh lidhur me eurointegrimet, përkatësisht të mos bazohen vetëm tek zërat qeveritarë, ndër të cilët mbizotëron ai i kreut të qeverisë.

    Nevojiten përmbajtje mediatike, por edhe debate televizive dhe podkaste lidhur me status quonë, si rezultat i faktit që qeverisja nuk pranon të miratohen ndryshimet kushtetuese, që do të përfshinin bashkësinë etnike bullgare në aktin më të lartë juridik të vendit.

    Temat që ndërlidhen me integrimin nuk duhet ngritur duke u nisur nga interesat politike, të cilat i promovojnë dhe afirmojnë mediat.

    Nuk duhet pranuar tendencat e pushtetit për vënie të kontrollit mbi çështje apo segmente të caktuara të ndërlidhura me integrimin, siç është ndikimi i “Botës serbe” ndaj politikës zyrtare të Shkupit. /IMA/

    Lajmi Paraprak

    A mund t’i detyrojë Kremlini rusët që të mos e përdorin YouTube-in?

    Lajmi i rradhës

    Sa fiton një ushtar rus që shkon në frontin e luftës?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë