Politika e re industriale dhe industria e luftës

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Jo shumë kohë më parë, parashikimet për rritjen ekonomike globale ishin shumë optimiste, duke përfshirë këtu edhe rritjen e vendeve në zhvillim. Kjo, sepse rritja ekonomike ishte në kahun e rritjes, varfëria ekstreme ishte ulur në mënyrë drastike dhe dukej se kishte dalë në pah një konsensus i qartë për krijimin e një strategjie rritjeje bazuar në integrimin në ekonominë botërore.

    Por, ky konsensus duket se tashmë “është shkatërruar” nga disa zhvillime. Disa prej tyre ishin në kryerje e sipër për një kohë të gjatë. Ndryshimet teknologjike kanë sjellë veçanërisht ndryshime në sektorin e prodhimit, duke kërkuar nivele të larta aftësie dhe kapitali dhe duke u larguar gjithnjë e më shumë nga fuqia punëtore. Një gjë e tillë zbeh efikasitetin e industrializimit si strategji e rritjes. Aftësia e strategjisë së rritjes për të thithur fuqinë punëtore u reduktua në të njëjtën kohë kur avantazhi krahasues i vendeve në zhvillim u dobësua.

    Vetë pandemia shpejtoi dhe bëri të dukshme trende të tjera, më të hollësishme. Me rritje që ishte në rënie, problemet e borxhit të vendeve në zhvillim u bënë shkatërrimtare dhe vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare të ulëta humbën qasjen në tregjet financiare. Konkurrenca gjeopolitike mes SHBA-ve dhe Kinës dhe kundërpërgjigja e ngadalshme kundër hiper-globalizimit transformoi peizazhin ekonomik global dhe bëri ekonominë botërore më pak mikpritëse për rritjen përmes tregtisë. Me rritjen e të ardhurave në vendet e zhvilluara, pati një zhvendosje nga produktet e prodhuara drejt shërbimeve, duke bërë që pjesa e prodhimit global në industri të ishte në rënie. Kriza e ardhshme e ndryshimeve klimatike dhe tranzicioni i detyrueshëm i gjelbër preku sektorët bujqësorë në shumë vende në zhvillim në një mënyrë negative. Gjithashtu, po të konsiderojmë edhe problemet dhe krizën e shkaktuar nga shpërthimi i luftës në Ukrainë dhe vazhdimit të konfliktit në Gaza, sidomos në ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit me lëndë të para dhe produkte ushqimore, panorama e zhvillimeve është më e qartë.

    Duket se strategjitë që kanë funksionuar mirë në të kaluarën nuk pritet të kenë sukses në dekadat në vijim. Teknologjitë e reja, sfidat klimatike dhe rikonfigurimi i globalizmit kërkojnë një qasje të re për zhvillimin, duke theksuar dy fusha kritike: tranzicionin e gjelbër dhe shërbimet që thithin fuqinë punëtore. Fatkeqësisht nuk ka receta të gatshme apo modele të suksesshme për të imituar. Përballja e drejtpërdrejtë me këtë sfidë do të kërkojë gjithashtu ndërtimin e kapaciteteve më të mëdha për të mësuar për mundësitë e reja, kufizimet, se çfarë funksionon dhe çfarë jo, dhe se si qeveritë eksperimentojnë me politika të reja në disa fronte.

    QASJE E RE STRATEGJIKE NDAJ ZHVILLIMIT EKONOMIK.

    Në këtë situatë politika e re industriale, tranzicioni i gjelbër, (energji, bujqësi) shërbime (turizëm, shërbime financiare që sjellin punësim), ekonomia blu dhe ajo cirkulare u shndërruan në çështje debati e diskutimi si mundësi zhvillimi të qëndrueshëm. Por, këtu do të fokusohem vetëm te politika e re industriale si domosdoshmëri e zhvillimit të qëndrueshëm.

    Zhvillimi ekonomik i shpejtë dhe i qëndrueshëm kërkon, kështu, një strategji eksplicite. Elementi i përbashkët që kalon nëpër të gjitha rastet e rritjes së shpejtë dhe të qëndrueshme të kohës sonë ishte strategjia e industrializimit. Gjatë periudhës së hershme pas Luftës së Dytë Botërore, kjo strategji ishte industrializimi zëvendësues i importit (IZI, i njohur si ISI). Duke kombinuar ndërhyrjen e fortë shtetërore me pengesat ndaj importeve, ISI u përqendrua në ndërtimin e kapacitetit të prodhimit vendës – fillimisht mallra konsumatore, më pas industrisë së produkteve të mesme dhe kapitalit. Ky model i industrializimit të orientuar në eksport (IOE njohur ndryshe si EOI) në Azinë Lindore u vërtetua më i qëndrueshëm dhe në fund u shndërrua në modelin që duhej imituar për vendet që pranonin qasje më të orientuara nga tregu nën ndikimin e Konsensusit të Uashingtonit. Ndonëse besnik ndaj përqendrimit të tregjeve dhe kundër ndaj “ndërhyrjes” së qeverisë, Konsensusi i Uashingtonit u përqendrua kryesisht në “themeloret” – investimet në arsim, qeverisje dhe stabilitetin makroekonomik – dhe minimizoi strategjitë e transformimit strukturor, që ishin thelbësore për suksesin e vendeve të Azisë Lindore, duke përfshirë rolin e politikave të qarta tregtare dhe industriale (të përdorura në Azinë Lindore) për të nxitur të mësuarit dhe industritë e reja. Kryesisht për shkak të këtyre faktorëve, përfitimet e rritjes së pritur nga Konsensusi i Uashingtonit nuk rezultuan siç pritej.

    Kina ishte historia më e rëndësishme e suksesit të modelit të Azisë Lindore. Pas vitit 1978, qeveria kineze i dha përparësi rritjes ekonomike, strategjia e saj kombinoi stimujt tregtarë me organizime institucionale shumë të jashtëzakonshme – sistemi i përgjegjësisë familjare dhe çmimet e dyfishta në bujqësi, ndërmarrjet e komunave dhe fshatrave dhe zonat ekonomike të veçanta – për të nxitur ndryshimin strukturor, diversifikimin produktiv dhe aftësitë e reja. Politikat industriale që promovonin veprimtaritë e reja të prodhimit ishin një pjesë kritike e suksesit kinez. Kina ishte përfituese e globalizimit të rritur, por e luajti lojën kryesisht sipas rregullave të saj.

    Në vitet 1990, globalizimi kishte arritur maja të reja. Nën modelin e ri të hiper-globalizimit, heqja ose të paktën reduktimi i kostove të transaksioneve në tregtinë ndërkombëtare, financat dhe investimet (“integrimi i thellë”) u bënë objektivat kryesore të politikës ekonomike. Zvogëlimi i këtyre kostove së bashku me përparimet teknologjike bënë që zinxhirët globalë të vlerave (ZGV-t njohur ndryshe si GVC-s) të bëhen forca kryesore që i jep formë prodhimit global. Megjithatë, ashtu si integrimi ekonomik global, EOI dhe GVC-të u bënë pjesët kryesore të strategjisë së zhvillimit ekonomik dhe përfitimet e tyre po kërcënoheshin nga një proces i “deindustrializimit të parakohshëm” në vendet në zhvillim. Shkaku kryesor ishin ndryshimet teknologjike në prodhim, që favorizojnë fuqinë punëtore të kualifikuar dhe investimet kapitale. Këto ndryshime rritën ndjeshëm produktivitetin e punës në ekonomitë e avancuara prej ku burojnë risitë. Por ato gjithashtu zvogëluam avantazhin krahasues të ekonomive me të ardhura të ulëta në prodhimtarinë tradicionalisht intensive të punës. Standardet e cilësisë dhe teknologjisë të vendosura nga firmat kryesore në GVC-të e bënë prodhimin intensiv të punës në sektorët e orientuar nga eksporti edhe më pak të zbatueshëm.

    Rezultati ishte se sektorët e prodhimit formal konkurrues global në vendet në zhvillim pushuan së qeni sektorë që thithin fuqinë punëtore. Ata u kthyen në sektorë “enklava”, ku mund të punësoheshin shumë pak nga ata që ishin me kualifikim të ulët. Në vendet ku prodhimi në sektorin e prodhimit mbeti i qëndrueshëm, punësimi në prodhim u tkurr (si pjesë e punësimit total).

    Transformimi strukturor është dinamika kyçe që shtyn rritjen ekonomike të shpejtë. Ndërsa punëtorët kalojnë nga sektorët me produktivitet të ulët në ato me produktivitet më të lartë, ata rrisin fitimet e tyre, produktiviteti i përgjithshëm rritet dhe zhvillohet rritja ekonomike. Pyetja kryesore strategjike që duhet të marrë përgjigje për të nisur këtë proces është: nga do të burojnë punët më të mira dhe më produktive? Ndërsa prodhimi do të mbetet një sektor i rëndësishëm për shumicën e vendeve, nuk besojmë se mund të jetë protagonist i rritjes ekonomike, ashtu siç ishte në Azinë Lindore dhe ekonomi të tjera të suksesshme të së kaluarës. Industritë (Politika e re industriale) dhe tranzicioni i gjelbër – shërbimet e gjelbra (turizmi, bujqësia, energjia e gjelbër dhe shërbimet e financiare për rastin e vendit tonë) duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në plotësimin e zbrazëtirës, veçanërisht në dekadat e ardhshme. Prandaj, në funksion të politikave buxhetore dhe mbështetjes nga programi i zhvillimit dhe lehtësimit të BE-së vazhdimi i ristrukturimit të ekonomisë sipas kushteve dhe faktorëve të rinj të shfaqur në ekonomi dhe zhvillimi i projekteve në funksion të këtij qëllimi do të ishte domosdoshmëri, do të nxiste më shumë zhvillimin ekonomik dhe integrimin në tregun rajonal dhe europian.

    Ekonomia e luftës-industria ushtarake

    Ndërsa debatet (jo vetëm në vendet në zhvillim, përfshi dhe vendet e rajonit tonë, por më gjerë) për fillimin e politikave të reja industriale po zinin gjithnjë e më shumë vend, filluan të argumentohen teorikisht dhe jo vetëm, por të zbatohen dhe praktikisht, zhvillimi i dhe përmes “Ekonomisë së luftës” dhe zhvillimit të “industrisë ushtarake”, skenar ky që po përflitet edhe në vendet e rajonit tonë. Ajo po merr më shumë kuptimin e vet, pasi një luftë ka shpërthyer vërtet këtë herë në zemër të Evropës. Një luftë e vërtete, me gjithë pasojat e saj humanitare, ekonomike, sociale, energjetike, të ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit me drithëra e produkte ushqimore, me lëndë të para, me rritje të “çmenduara” të çmimeve dhe rritje të inflacionit, tregje të tronditura dhe në ridimensionime të reja etj.. Dhe kjo është lufta e Rusisë në Ukrainë, që ka hyrë në vitin e tretë dhe që pasoi një lufte globale, e nisur prej gati dy vite e gjysmë, ajo kundër një “armiku të padukshëm” – pandemia e COVID-19. Në këtë klime politiko-ekonomiko globale ka lindur diskutimi i skenarëve të “ekonomisë së luftës”. Dhe kur ky nocion i kalon nivelet e ekspertëve apo institucioneve dhe del nga “goja” e liderëve politikë, nuk mund të mos konsiderohet. Por edhe një herë çfarë kuptojmë me “ekonomi të luftës”?

    KONCEPTI I “EKONOMISË SË LUFTËS”.

    “Ekonomia e luftës” janë veprimet e ndërmarra nga një shtet për të mobilizuar ekonominë e tij në prodhim gjatë periudhës së luftës. Philippe Le Billon e përshkruan “ekonominë e luftës” si më poshtë: “Sistemi i prodhimit, mobilizimit dhe shpërndarjes së burimeve për të mbështetur dhunën (luftën) është një ekonomi lufte”. Për sa i përket kërkesës agregate, ky koncept është lidhur me “kejnsianizmin ushtarak”, ku buxheti i mbrojtjes stabilizon ciklin ekonomik në kushtet kur ekonomia hyn në recesion, duke riorientuar të gjitha politikat ekonomike të zhvillimit. Kjo është vërtetuar edhe gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. (Krijimi i Bordit të Industrive të Luftës (WIB) për të ndihmuar prodhimin ushtarak në SHBA gjatë Luftës së Parë Botërore, gjithashtu në Luftën e Dytë Botërore, SHBA u detyrua të hynte në një ekonomi lufte pas sulmit japonez në Pearl Harbor, apo fakti që Lufta e Dytë Botërore filloi me faktin se nazizmi prezantoi një politikë të re riarmatimi në kundërshtim me Traktatin e Versajës dhe Rajhu i Tretë zbatoi një zgjerim ushtarak duke rritur numrin e fabrikave ose transformimin e atyre ekzistuese në funksion të luftës)

    Në kohën e sotme duket se periudha e çarmatimit po mbaron dhe një garë e re armatimesh po rishfaqet. Kështu, një tipar tjetër i një “ekonomie luftarake” konsiston pikërisht në rritjen e shpenzimeve ushtarake (prodhimit ushtarak). Në këtë mënyrë, rritja e prodhimit ushtarak po bëhet tipar i ekonomisë së sotme – ekonomisë së luftës. Kjo duket në rritjen e shpenzimeve ushtarake jo vetëm në shtetet më të fuqishme SHBA, Kina, Rusia, Gjermania, Franca dhe vendet e NATO-s, por edhe në shumë vende të tjera. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe sa kohë që shkalla e pasigurisë është rritur si shkak i sulmit rus në Ukrainë, konfliktit në Gaza etj.. Rritja e këtyre shpenzimeve ka vënë në lëvizje industrinë e luftës, shtimin e prodhimit dhe tregtimit të armatimeve. Në aspektin afatshkurtër duket se kjo lloj politike mund të japë një shtysë në zhvillimin ekonomik, por në atë afatmesëm e afatgjatë mund të shndërrohet në burim krize ekonomike, financiare e sociale, në disa vende. Riaktivizimi i industrisë ushtarake në vendin tonë (që realisht është thuajse e shkatërruar), në kushtet e reja të krijuara për nevoja të brendshme, të rritjes së sigurisë (por edhe të jashtme në kuadër të NATO-s), kujtojmë këtu Samitin për Ukrainën, duhet të konsideroj mirëkuptimin dhe mbështetjen financiare dhe teknologjike nga aleatët, NATO, kryesisht (siç ishte rasti i Aeroportit të Kuçovës) dhe sipas mundësive dhe nga buxheti ynë. Kjo do të mundësojë vazhdimin të pacenuar të programit tonë të ristrukturimit dhe zhvillimit dhe të zbatimit të politikes së re industriale, të programeve sociale, në funksion të integrimit ekonomik rajonal e europian. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Legjenda e shqiptarit!

    Lajmi i rradhës

    Drunjtë e prerë në lumin Shkumbin rrezikojnë qytetarët në Tetovë nga përmbytjet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë