Drunjtë e prerë në lumin Shkumbin rrezikojnë qytetarët në Tetovë nga përmbytjet

    Lumi Shkumbin / Fotografia: Nistori

    Edhe përkundër faktit se reshjet e shiut në Tetovë filluan, drutë e prerë një ditë më parë nga NPK Tetova përgjatë shtratit të lumit Shkumbin, vazhdojnë të qëndrojnë në lumë dhe të rrezikojnë qytetarët nga përmbytjet. Nga Komuna e Tetovës akuzojnë Ndërmarrjen “Pyjet e Maqedonisë” se ua kanë ndaluar punimet ditën e djeshme me pretekstin se prerja dhe bartja do të bëhet nga ata, por edhe përkundër kësaj, drutë edhe gjatë ditës së sotme vazhdojnë të qëndrojnë në lumë e të mos barten nga asnjëra palë. Samet Bislimi nga Ndërmarrja Publike Komunale thotë se kjo më tepër është presion i pushtetit qendror ndaj komunës së Tetovës se sa mungesë dokumentacioni për pastrimin e shtratit të lumit Shkumbin që është obligim i komunës.

    “Pasi na penguan që të mos punojmë, policia e pyjeve nuk ka ndërmarr asgjë deri tani. Nga policia e pyjeve dje thane se ato do i largojnë drunjtë, ku sipas tyre ne nuk kemi drejt të bëjmë transportimin e tyre. Se qëllimi i tyre është vetëm të pengojnë punën tonë kjo shihet qartë, gjë që mund të vërtetohet edhe në terren. Cila është zgjidhja që ofruan ata? Asgjë, sot drunjtë janë në vendin që i vendosëm dje dhe nuk i kanë larguar, kush do mbajë përgjegjësi tani pasi dje na penguan, kush mbanë përgjegjësi në rast vërshimesh? BDI rrezikon jetën e qytetarëve vetëm e vetëm për të penguar të tjerët, atyre nuk ju intereson asgjë por vetëm politika ditore e tyre”, tha Samet Bislimi, Drejtor i NPK Tetova.

    Kanë reaguar edhe nga Pyjet e Maqedonisë së Veriut.

    “Komuna nuk ka bërë asnjë kërkesë, andaj erdha nga Shkupi ta sqaroj me njësinë Rajonale dhe nuk duhet bërë politikë. Meqë është pronë e shtetit, me të menaxhon Ndërmarrja dhe jo njësia e Tetovës, Tetova ka të drejtë vetëm të bëj kërkesë tek ne për prerje dhe ngarkim, andaj kjo është shkelje, dhe ata që dje kishin ngarkuar kamionin duhet të jenë falënderues që nuk ua morëm kamionin sepse s`kishte leje dhe dru me vulë. Ne kemi ekip dhe sektor të veçantë që me kërkesë të tyre, ne dalim por edhe ne si ndërmarrje duhet të konsultohemi me QMK nëse bëjmë dëm apo bëjmë mirë me punën që bëjmë”, deklaroi Safet Miftari, Zëvendës drejtor i Pyjeve të Maqedonisë së Veriut.

    Përndryshe, vonesat në pastrimin e shtratit të lumit Shkumbin, sidomos në këto pjesë që sjellin rrezik nga vërshimet e shirave të pranverës, rrezikojnë çdo ditë e më shumë qytetarët që banojnë në këtë pjesë të qytetit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Politika e re industriale dhe industria e luftës

    Lajmi i rradhës

    Prej sot letërnjoftimet mund të merren në stacionet policore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë