Serbia e sotme nuk do distancim, por arsyetim të politikës së Millosheviqit

    AUGUSTIN PALOKAJ 

    Pritjet nga viti 2000 se Serbia do të largohet nga e kaluara e errët e periudhës së Millosheviqit jo vetëm se nuk janë realizuar, por Serbia e sotme është kthyer prapa. Dhe për këtë Beogradi po orkestron një unitet të serbëve në rajon në tentim për relativizimin e krimeve, revizionizëm historik dhe krijim të përshtypjes se vetëm serbët ishin viktima e Serbia nuk i kishte bërë askujt asgjë. Kjo “luftë për të kaluar më të mirë” e Serbisë po e shfrytëzon edhe indiferencën e bashkësisë ndërkombëtare.

    Kroacia këto ditë shënoi përvjetorin e ngjarjes më të rëndësishme në historinë e saj, atë të operacionit “Oluja” (Stuhia), me të cilin në vitin 1995 çliroi një pjesë të madhe të territorit të saj, të cilin e kishin okupuar forcat serbe. Ndonëse edhe atëherë edhe sot, Beogradi pretendon se konflikti në Kroaci ishte ose “luftë qytetare” ose “represion i Kroacisë kundër qytetarëve duarthatë të pafajshëm serbë”, fakt është se strukturat ushtarake dhe policore të serbëve në Krajinë ishin krijuar, financuar dhe udhëhequr nga Beogradi. Për këtë së fundi është shpallur edhe një dënim fuqiplotë për krime lufte ndaj Jovica Stanishiqit, ish-shefit të sigurimit të Serbisë. Në këtë verdikt u konfirmua se Serbia ka pasur rol në krimet që i kanë kryer forcat serbe edhe në Kroaci.

    Kroacia me krenari shënon këtë datë, kujton heronjtë dhe ata që dhanë jetën për çlirimit e atdheut. Por gjithnjë e më shumë analizon edhe rrethanat që çuan deri te ky operacion e edhe pasojat. Një operacion të suksesshëm ushtarak në Kroaci e njollosën ata që bënë krime kundër serbëve pas këtij operacioni, duke ua djegur shtëpitë disave, duke vrarë dhe përndjekur disa serbë që kishin vendosur të rrinin në shtëpitë e tyre. Për këtë, Kroacia pati pasoja të mëdha, përfshirë edhe sanksione të gjata politike, gjatë të cilave në Perëndim refuzonin të takonin udhëheqës politikë të Kroacisë, ndërsa rrugëtimi Evropian i Kroacisë ishte i bllokuar. Më të avancuara në proceset e integrimit evropian ishin Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

    Serbia dhe serbët në rajon e shënojnë ndryshe këtë datë. Duan ta paraqesin si periudhën më të errët për historinë e serbëve. Nuk përmendin fare se çfarë u kishte ndodhur të tjerëve në luftërat që i nisi vetë Serbia, sa viktima pati të krimeve që bënë forcat serbe, përfshirë shkatërrimin e Vukovarit dhe Dubrovnikut, gjenocidin në Srebrenicë e deri te masakrat e shqiptarëve në Drenicë. Këto sikur të mos kishin ndodhur fare. Madje shkojnë aq larg saqë të pohojnë se janë të trilluara. Një sjellje e tillë e Serbisë së sotme dëshmon se nuk ka gatishmëri e as vullnet për t’u përballur me të kaluarën në dobi të së ardhmes në paqe dhe fqinjësi të mirë me fqinjët.

    Pritjet nga viti 2000 se Serbia do të largohet nga e kaluara e errët e periudhës së Millosheviqit jo vetëm se nuk janë realizuar, por Serbia e sotme është kthyer prapa. Dhe për këtë, Beogradi po orkestron një unitet të serbëve në rajon në tentim për relativizimin e krimeve, revizionizëm historik dhe krijim të përshtypjes se vetëm serbët ishin viktima e Serbia nuk i kishte bërë askujt asgjë. Kjo “luftë për të kaluar më të mirë” e Serbisë po e shfrytëzon edhe indiferencën e bashkësisë ndërkombëtare.

    Në vjeshtën e vitit 2000, kur në Zagreb ishte zhvilluar samiti i parë i përbashkët i vendeve të rajonit dhe atyre të BEsë, e ku ishte premtuar perspektiva evropiane për këto vende të rajonit, u tha se me disfatën e politikës së Sllobodan Millosheviqit u hap rruga për të ardhme të ndritshme evropiane dhe u la prapa e kaluara e errët e rajonit.

    Por situata në Serbi ndryshoi aq shumë saqë sot si “forca pro evropiane” konsiderohet qeveria, e cila ka në krye ish-bashkëpunëtorë të Sllobodan Millosheviqit, duke filluar nga presidenti i tashëm, Aleksandar Vuçiq, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, e deri te shefi i shërbimit të zbulimit, Aleksandar Vullin. Atyre u bashkohen politikanë që përfaqësojnë serbët nga shtetet e tjera si Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi. Në të gjitha këto vende, Serbia pretendon se “po vazhdon dhuna dhe represioni ndaj serbëve”. Ekzagjerohet secili sulm ndaj ndonjë qytetari me përkatësi etnike serbe, edhe kur ato sulme ndodhin thjesht si incidente që nuk kanë prapavijë ndëretnike. E kur ngrihet pyetja e krimeve serbe atëherë nis fushata e mohimit të tyre apo relativizimit.

    Të prirë të besojnë se e ardhmja evropiane e rajonit duhet të ndërtohet përmes pajtimit, i cili duhet të ketë një dozë të harresës së krimeve, edhe disa politikanë perëndimorë preferojnë që të mos flitet shumë për të kaluarën. Jo vetëm se nuk përmendin krimet e regjimit të Millosheviqit dhe nevojën që liderët e sotëm të Serbisë të distancohen nga to, por irritohen kur të tjerët, sidomos nga Kroacia dhe Kosova, përmendin një gjë të tillë. Posaçërisht u pengon disa zyrtarëve të BE-së kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani përmendin krimet e Serbisë. Ndonëse nuk e thonë publikisht mendojnë se një qasje e tillë “nuk i kontribuon krijimit të atmosferës së pajtimit”.

    Qasja ndaj udhëheqësisë së sotme të Serbisë është aq më tepër e pakuptueshme kur vetë strukturat e BE-së kanë përpiluar raporte me të cilat dëshmojnë se regjimi i sotëm në Serbi relativizon krimet e luftës, mohon gjenocidin në Srebrenicë, glorifikon kriminelët e dënuar të luftës. U jep hapësirë kriminelëve të dënuar të media, në skenën politike dhe në strukturat shtetërore. Se është ashtu dëshmon edhe miqësia që presidenti i Serbisë, Vuçiq, vazhdon ta ketë me ish-mentorin e tij politik, Vojisllav Sheshel. Partia në pushtet, ajo e Vuçiqit, thërret si mysafir nderi të dënuar për krime lufte.

    Kur BE-ja e di për përpjekjet e Serbisë për të shtrembëruar faktet historike, duke i mohuar apo relativizuar krimet serbe, duket si hipokrizi kur bën thirrje që një gjë e tillë të mos ndodhë. Nuk ka pasur asnjë pasojë për ata që mohojnë krimet dhe gjenocidin. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara po ashtu vazhdojnë t’i trajtojnë si partnerë të rëndësishëm, bile si politikanë të përgjegjshëm dhe konstruktivë. Injorojnë faktin se politikanët e tillë në Serbi e kanë krijuar atmosferën në të cilën opinioni është shumë pro Rusisë dhe kundër Perëndimit.

    Do të ishte mirë për tërë rajonin, edhe për BE-në sikur vërtet Serbia të ishte e orientuar nga BE-ja, e cila do të dënonte politikën e Sllobodan Millosheviqit dhe të punonte për pajtim me fqinjët, duke respektuar viktimat e krimeve. Por një Serbi ku vazhdon të arsyetohet politika e Millosheviqit, nuk mund të jetë katalizatore e krijimit të paqes, stabilitetit, tolerancës dhe fqinjësisë së mirë në rajon. Marrë nga Koha Ditore. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Pensionistët në protestë, kërkojnë rritje

    Lajmi i rradhës

    Kuçuk kërkon konsensus për ndryshimet kushtetuese

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë