Pse po dëmtohet “mekanizmi” i jetës sociale?

    GËZIM TUSHI

    Besoj se jo vetëm teorikisht dhe sociologjikisht, por edhe në perceptimin… empirik të realiteteve sociale që zhvillohen pandërprerë dhe në mënyrë eruptive në shoqërinë tonë, nuk na lejohet të jemi indiferentë, egoistë, egocentrikë apo me sjellje publike aq naive, sa të mos shikojmë tronditjen e strukturave themelore sociale.

    Një dukuri dhe realitet i padyshimtë, i shfaqur fare qartë në dikotominë e thelluar në mënyrë natyrale dhe artificial, duke sjellë dobësimin e lidhjes sociale dhe funksionimin anomik të marrëdhënieve të ndryshuara e në transformim intensive, midis individit dhe shoqërisë.

    Ky binom individ-shoqëri, dikur i determinuar nga një mekanizëm i ngurtë social, i lidhur me faktorë social ekonomikë dhe politiko-kulturor, ka qenë një unitet i mekanikisht i qëndrueshëm dhe totalisht funksionues. Kuptohet një “mekanizëm social” që ishte “vital” brenda realitetit të shoqërisë hiperkolektiviste, kontureve fikse të familjes tradicionale, shoqërisë së ndërtuar mbi parimin e solidaritetit mekanik.

    Të gjithë të lidhura së bashku si instrumente komplementarë të ndërtimit dhe funksionimit të këtyre lidhjeve, në kushtet specifikisht sunduese të totalitarizmit determinues për përcaktimin e statusit, mënyrave të sjelljes dhe marrëdhënieve individshoqëri. Pa dyshim, kur ndryshojnë rrethanat e jetës, doemos që kjo reflektohet edhe në ndryshimet normale, të natyrshme që do të ndodhnin në këtë ekuacion bilateral marrëdhëniesh, midis individit dhe shoqërisë.

    Praktikisht shoqëria dhe njerëzit tanë duan apo jo, e dëshirojnë apo janë kundra, duhet ta kuptojnë realitetin, të pranojnë se praktikisht ndodhemi në një situatë krejt të re, fare të panjohur në historinë e shoqërisë shqiptare, ku është thelluar në mënyrë kritike progresi, ana e ndritur e zhvillimit autonomisë vetjake, identitetit personal dhe treguesve të tjerë sintetikë të individualizmit, shoqëruar me shfaqjen e qytetarit modern.

    qytetarit si njeri me “dimension të kufizuar” social, nga njëra anë, dhe zbehja e funksionimit të mekanizmave të strukturave të jetës sociale. Madje sikurse duket, kjo tendencë ontologjike do të progresojë apo do të agravohet si patologji, ndoshta deri në nivele kritike të shfaqjeve të bujshme të dekonstruksionit të akseleruar, të zbehjes së lidhjeve të domosdoshme, të dobishme të njeriut me shoqërinë.

    Në këto kushte, nevoja për rindërtimin e “mekanizmit social”, që ai të jetë adekuat me kohën moderne dhe natyrën aktuale të njeriut është imperative. Sepse kemi nevojë urgjente, të kuptojmë, së pari, nevojën e ekzistencës dhe mbajtjes gjallë të ”mekanizmit social”, si tërësi e rregullave që duhet të përpunojmë, t’i bëjmë mënyrë jetese për shoqërinë dhe njerëzit tanë. Unë mendoj se është koha për të reflektuar, duke e ndalur vrapin dekonstruksionist të lidhjeve dhe marrëdhënieve të qytetarit me shoqërinë, rrugën e gabuar të ndarjes mekanike e metafizike të këtyre dy “aktorëve” dhe faktorëve, që mund të garantojnë ekzistencën, dobinë, funksionimin e duhur dhe me “xhiro të rregullta” të mekanizmit social, që i garanton ato.

    Sepse sado liberale, individualiste, josolidariste e jo-komunitariste të bëhet shoqëria, ajo nuk do të jetë funksionuese, pa pasur të “qepur” fort “tegelat socialë” nga njëra anë, dhe praninë e “njeriut të arsyeshëm” në anën tjetër. Një binom i domosdoshëm, pa të cilin është e pamundur të ekzistojë, e të jetë rregullator social për të garantuar nivelin e duhur të funksionimit të “mekanizmit social”, që është “gjeneratori” i nevojshëm, për të pasur ato lidhje që janë ekzistenciale.

    Natyrisht jo të mbivlerësuara mekanikisht, të hipertrofizuara artificialisht, por në ato përmasa që duhen, që janë të nevojshme dhe të domosdoshme për shëndetin e shoqërisë. Ekzistenca e mekanizmit social normal, është kusht ekzistencialisht i sigurt dhe antidot real, për të shmangur efektet e vrazhda sociale të cinizmit, reagimet johumanitare, shfaqjet e desolidaritetit, zilisë, urrejtjes, armiqësisë, etj.

    Të cilat janë tregues, shkaktarë të dobësimit të akseleruar të “mekanizmit social”, ftohjes së “tutkallit” që nevojitet si “ngjitës” i lidhjeve të pashmangshme e të domosdoshme në marrëdhëniet njerëzore, në raportet qytetëruese midis njerëzve, të cilët nuk janë vetëm subjekte të pavarur, qenie krejt autonome, “trupa” biologjikisht dhe humanisht të mbyllur në guaskën e subjektivitetit, por së pari, ata janë qytetarë që nuk mund të jetojnë, as jashtë shoqërisë, as pavarësisht prej saj, pa pasur lidhje sociale të qëndrueshme duke respektuar normat morale të saj.

    Analiza e situatës së marrëdhënieve në shoqërinë tonë, tregon ekzistencën komplementare, të njëkohshme të pranisë të disa të vërtetave tradicionalisht universal, por që janë në koherencë dhe bashkekzistencë me disa toksikacione të “reja” me natyrë dhe fenomenologji kontekstuale. Ka një aliazh arsyesh sinkretike, pse nuk funksionon si duhet “mekanizmi social” në jetën e njerëzve tanë, pse po zgjerohet anomia dhe desocializimi mekanik në familje e shoqëri, në jetën private dhe publike.

    Padyshim, shoqëria shqiptare është duke u bërë tërësisht moderne, dhe sikurse dihet universalisht, marrëdhëniet dhe lidhjet individ-shoqëri janë të vështira për t’u “qeverisur” me “mekanizmat e vjetër” të shoqërisë tradicionale , pasi duhet njohur dhe pranuar e vërteta që njerëzit duke qenë të lirë, nuk janë dhe nuk mund të jenë “qenie të thjeshta” me strukturë lineare , që ” administrohen nga mekanizmat që “prodhon” politika apo ligjet dhe aktet administrative të qeverisë. Na duhet të ndryshojmë konceptet, praktikat, mënyrën e sjelljes si parakusht ekzistencial, për rindërtimin në kushtet e jetës moderne të marrëdhënieve dhe “mekanizmit social”.

    Kjo është a rsyeja pse kërkohet angazhim teorik dhe edukativ, konceptual dhe empirik, në mënyrë që të vëmë në funksion një “mekanizëm social” të ri, që rregullon prirjen e njeriut që kërkon të “administrohet” nga vetvetja, nga arsyeja personale, por duke menduar se jeta publike dhe marrëdhëniet sociale, janë pjesë e nevojshme e funksionimit të këtij mekanizmi.

    Natyrisht “mekanizmi social”, sado liberal që të jetë, ka dhe duhet të ketë një “fuqi detyruese” të natyrës morale dhe ligjore, kur është fjala për pjesën detyruese të këtij mekanizmi. Pikërisht, liria e njeriut kalon përmes hapësirave toleruese të këtij mekanizmi, si shfaqje e drejtpërdrejtë e individualitetit të tij. Vetëm në këtë mënyrë shoqëria jonë do të mundësojë shfaqjen e “individualitetit të çdo individi”, brenda një shoqërie që ka në themel të saj një “mekanizëm social” funksionues.

    Ky është kusht i domosdoshëm, që të sigurohet “përputhja” e dëshirave recproke të individit me ato të shoqërisë. Pikërisht kjo duket se mungon, ose nuk funksionon si duhet në shoqërinë tonë, për të cilën duhet të përpiqemi të gjithë. Nga ana tjetër, ky është një proces që nuk bëhet lehtë, me një të “rënë të lapsit”. Ai është një “proces social” i komplikuar, Jeta moderne është e ngatërruar, dhe gjërat nuk kanë efekt, ndikim social automatik. Ama një gjë është e sigurt.

    Pa funksionimin normal të “mekanizmit social”, si instrument themelor i ndërtimit dhe aplikimit të formave të reja të lidhjeve dhe marrëdhënieve individshoqëri, pa kultivuar “virtyte qytetare” të përbashkëta, pa vendosur veprimin e pavarur të ligjit, nuk mund të ketë “mekanizëm social” që rregullon gjërat, vendos drejtësinë dhe garanton njerëzit nga arbitraritetet e njeriut të “fortë” apo të “pushtetshëm”. Nëse nuk kuptojmë, se momentalisht shoqërisë sonë nuk i funksionon si duhet “mekanizmi social”, që ndërton marrëdhëniet e njeriut me shoqërinë, do të thotë se nuk kemi kuptuar asgjë, nga prerogativat sociale dhe detyrat qytetare që kemi përpara./ Gazeta Panorama

    Lajmi Paraprak

    Joschka Fischer për një shërbim të detyrueshëm ushtarak

    Lajmi i rradhës

    Ndryshimi i modelit zgjedhor: premtime të përhershme, pa asnjë rezultat konkret

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë