“Washington Post” zbulon pse fshihet Rama

    ANDI BUSHATI

    Ndërkohë që opozita dhe opinioni publik po kërkojnë me ngulm shpjegime shteruese nga Kryeministri për lidhjen e tij me ish-zyrtarin e arrestuar të FBI, “The Washington Post” ka publikuar këtë të hënë shkrimin më të ashpër për marrëdhënien okulte mes tyre.

    Sipas të përditshmes së famshme amerikane, McGonigal ka qenë i zhytur deri në fyt në një pakt sekret me Ramën. Përpos këtij konstatimi, gazeta vazhdon se Charles McGonigal, ka marrë para për të çuar përpara interesat e Kryeministrit shqiptar.

    Pra, sa më shumë ditë kalojnë, aq më i qartë bëhet ky skandal: shefi i qeverisë e ka përdorur agjentin e korruptuar të FBI për luftën e brendshme, që ka pasur si qëllim asgjësimin e rivalëve politikë. Këtu nuk ka më dyshime. Sado që Edi Rama dhe boritë e tij të propagandës të vazhdojnë të thonë se emri i Kryeministrit përmendet pa shkak, plot 14 herë në aktakuzë, nga Tirana deri në New York e Washington, mediat e pavarura dëshmojnë të kundërtën.

    “New York Times” e thoshte fjalë për fjalë se “McGonigal ndërmori hapa në dobi të këtij politikani”. CNN fliste për një “marrëdhënie të fshehtë”, ndërsa, së fundi, “Washington Post” e përshkruan ish-agjentin si të përfshirë deri në fyt në paktin sekret me Ramën.

    Por, përpos këtij konfirmimi, shkrimi i kësaj të hëne ka edhe një detaj interesant, që më shumë sesa për të shkuarën e raportit Rama- McGonigal, hedh dritë për sjelljen aktuale të Kryeministrit dhe për hezitimin e tij për t’u përballur publikisht me akuzat.

    Shumëkujt i ka bërë përshtypje fshehja e Ramës ndaj interpelancës dhe mocionit për duke goditur ministren e Brendshme britanike, Suela Braverman, herë duke e quajtur Donald Trumpin “Turpi i njerëzimit” e herë duke u treguar grekëve se Akropolin e shpëtuan shqiptarët, u është shmangur pyetjeve të “Washington Post”. Madje, është interesante se kur gazeta ka kërkuar të citojë versionin e qeverisë, këtë gjë nuk e ka bërë as i zakonshmi Endri Fuga. Po të lexohet shkrimi, disa sqarime të thjeshta i jep Manjola Hasa. Pra, Edi Rama jo vetëm që i është shmangur implikimit personal, por ai ia ka ndaluar edhe drejtorit të tij të komunikimit, që u përgjigjet përherë mediave të huaja ta bëjë këtë.

    A mos nga frika se edhe Fuga që e shoqëron pothuajse gjithmonë Ramën, mund të përdoret nesër si dëshmitar? A ka të bëjë kjo me një strategji të këshilluar nga avokatët, se Kryeministri duhet të flasë sa më pak për këtë çështje?

    Apo e gjitha përbën një plan të përcaktuar komunikimi, për të thënë sa më pak për sa kohë askush nuk e di se ç’ka në dosjet e prokurorëve amerikanë? Të gjitha këto pyetje janë të ligjshme të shtrohen sot, kur magjistari i marrëdhënieve me gazetarët e huaj, po iu shmanget atyre, madje ashtu sikurse na tregoi “Washington Post”, i ka mbyllur gojën edhe zëdhënësit të vet zyrtar.

    Ky detaj që nxori si pa dashje gazeta amerikane, na dëshmon se sa të kota janë përpjekjet e opozitës për të bërë interpelanca ku del të përgjigjet Elisa, mocione për debat, që anulohen sepse gjoja i kërkon non grata, apo komisione hetimore që hidhen poshtë pa arsye. E vërteta është e thjeshtë: Rama nuk do të flasë për shqiptarët, sepse ende nuk di se ç’mund të kenë kundër tij amerikanët./ Lapsi.al/

    Lajmi Paraprak

    I kaloi gati 28 vjet pas hekurave për një vrasje, më në fund shpallet i pafajshëm

    Lajmi i rradhës

    Pse politikanët kanë nam të keq? Kush e ka fajin?

    Lajme tjera

    Zgjimi europian

    Ditmir Bushati Konferenca për të ardhmen e Europës ishte një mundësi unike për qytetarët europianë për të debatuar…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë