Pse po trembemi nga BigBrother!

    Malvina Tare

    BigBrother fenomeni më i diskutuar i muajve të fundit ka trazuar e turbulluar mendjen e shumë njerëzve. Të atyre që e ndjekin dhe atyre që nuk e ndjekin. Ka tmerruar mësues, sociologë e psikologë. Ka argëtuar të rinjë, të reja, pleqtë e fëmijët.

    Të shtunat në darkë rrugët boshatisen përpara orarit të nisjes së spektaklit dhe për një vend të vogël si Shqipëria fenomeni del në pah dukshëm.

    Dikur prindërit na tregonin se mbërthyer i mbante Sanremo, festivali i famshëm Italian që dëgjohej fshehurazi, me radio. Të rinjtë mundoheshin si e si të kapnin valët e radios, të muzikës italiane. Ata e njihnin repertorin e muzikës së huaj edhe pse e ndaluar në atë kohë.

    Të njëjtën gjë bëjnë edhe sot, sapo nis Sanremo. Por, këtë vit ata u shtangën nga puthja famëkeqe e Fedez, që tronditi audiencën e gjerë që ndjek Sanremon për vite me radhë. Në vetvete kjo “puthje pasioni” ishte një BigBrother, një goditje, shok televiziv për të prodhuar skandal në festivalin më të madh të këngës italiane ndër breza. Sepse televizioni është në krizën e shekullit për vëmendje, e gjitha kjo falë rrjeteve sociale dhe teknologjisë celulare të avancuar.

    Askush nuk e hap më televizorin nëse ka një smartphone me aplikacionin e YouTube.

    Media dhe përpjekja e saj për të kapur audiencën me ekran televizioni është duke shfrytëzuar çdo fenomen për të mos humbur prezencën e saj. Kjo nuk duhet të na dëshpërojë.

    Se të rinjtë shohin BigBrother nuk duhet të na tmerrojë. Se të moshuarit gjejnë një moment harrese nga hallet e tyre të pleqërisë dhe shohin BigBrother nuk duhet të na çudisë. Këto janë fenomene globale. BigBrother ka goditur globin para shumë vitesh. Madje ardhja e tij në Shqipëri është e vonuar.

    BigBrother do të jetë, droga do të jetë, krimi dhe mendjet e errëta. Do të jenë! Ajo që ne duhet të bëjmë është të edukojmë njeriun e së ardhmes. Të edukojmë leximin, artin, shkrimin, pikturën, muzikën. Edhe në format e tyre më ekspresive.

    Të pranojmë art, të pranojmë kulturë që të shpëtojmë mendjen nga BigBrother. Të pranojmë sport, të pranojmë sfida, të mos shesim e të mos shitemi. T’i gjejmë “telat” rinisë, t’i gjejmë pasionet. T’i nxisim me medalje.

    Sepse nëse ne do të mendojmë vetëm sot për nesër, ose maksimumi për deri të marten, atëherë apatia e BigBrother ka për të vazhduar gjatë. /Dritare/

    Lajmi Paraprak

    Masakra në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël

    Lajmi i rradhës

    Ambulanca në fshatin Grupçin të Komunës së Zhelinës tanimë gjashtë muaj pa mjek

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë