Fitim Zekthi
Në Partinë Demokratike ka shpërthyer, ose dalë në sipërfaqe, një luftë e ashpër, irracionale dhe shumë e ngarkuar, aq sa është e pamundur të thuash diçka për atë që po ndodh në PD dhe të mos shihesh si domosdoshmërisht në shërbim të një “pale”. Subjektivizmi, në fakt, është tipar dominues i epokës së sotme.
Mendimtarë të ndryshëm thonë se subjektivizmi kthehet në një shqetësim aq të madh dhe të çon aq larg së vërtetës sa mund të ndodhë që njeriu që kundron një trëndafil të mendojë se trëndafili nuk ekziston, por është pasojë e nervit optik që e bën të duket.
Si pasojë, për shembull, e këtij lloj subjektivizmi që ofron epoka e sotme, njerëzit prej shumë kohësh kanë nisur të shpjegojnë shumëçka nëpërmjet së paku dy pikëpamjeve të mëdha bazë: marksizmit dhe frojdizmit. Marksizmi thotë se njerëzit ekzistojnë si anëtarë të një klase ekonomike, ndërsa frojdizmi thotë se njerëzit ekzistojnë si “tufë kompleksesh”.
Sipas frojdistëve, në qoftë se dikush mendon se ta zëmë mbretëresha Geraldinë ishte një mbretëreshë e mrekullueshme, atëherë ai vuan nga kompleksi i nënës, ndërsa për marksistët në qoftë se dikush mendon se ekonomia ka nevojë për ulje taksash apo diçka tjetër, ai e bën këtë sepse i përket borgjezisë apo një klase tjetër ekonomike.
C. S. Lewis, një filozof i njohur, ka përdorur i pari fjalën bulverizëm për të shpjeguar këtë mënyrë të shëmtuar të shkatërrimit të njohjes. Personazhi i tij, Bulver, i thotë së shoqes se dy brinjë të një trekëndëshi janë më të mëdha se brinja e tretë. Ajo i përgjigjet se “ti mendon kështu ngaqë je burrë”.
Pra, kjo mënyrë kaq subjektive e të shikuarit të gjërave njihet si bulverizëm dhe në Shqipëri, në debatin tonë politik, kjo është e pranishme në mënyrë masive. Kësisoj, edhe të flasësh për debatin në PD do të thonë se e bën se je këtu apo aty apo se ke këtë apo interes.
Problem i madh. Pavarësisht kësaj, debati në PD është një çështje e rëndësishme publike dhe kësisoj çdo bulverizëm do të ishte i vogël para nevojës për të folur për këtë debat. Debati i porsanisur, megjithatë, nuk po rrok thelbin, nuk po merret me thelbin. Debati po shtyhet te kërkesa për largim të kryetarit Basha, duke e quajtur përgjegjës për humbjen. Në të vërtetë, debati duhet të jetë çfarë është sot qeverisja, çfarë përfaqëson ajo, në ç’kushte u mbajtën këto zgjedhje, çfarë ndodhi, çfarë rrezikon dhe çfarë mund të bëjë opozita.
Debati nuk mund të jetë dhe as që duhet të jetë të ikë Basha apo të ikë një kryetar i caktuar i saj. Vendi ndodhet në kushte tmerrësisht të veçanta dhe zgjedhjet u zhvilluan në kushte edhe më të veçanta.
Sot, Shqipëria është një vend nën një regjim neopatrimonialist, ku qeverisja ka ndërtuar një marrëdhënie vertikale varësie padron- klient, që nis nga Kryeministri dhe mbaron te fshatari më i humbur në fshatin më të humbur të vendit.
Christofer Clapfam i Universitetit të Cambridge thotë se në këtë regjim çdo anëtar i shoqërisë është nën një zinxhir kontrolli dhe kërcënimi për bukën e përditshme, paratë për të jetuar, vendin e punës, nevojën për një leje apo një dokument etj. dhe nuk ka asnjë mundësi tjetër veç asaj që ofron ky zinxhir.
Ky regjim neopatrimonialist që gjendet vetëm në pak vende të Afrikës Subharariane, Amerikës së Jugut dhe Azisë ndërton në terma të tjerë një autoritarizëm elektoral, ku qeveria fiton si pasojë e përdorimit të këtij regjimi. Këto regjime drejtohen nga një forcë politike që ka tre komponentë. Një është politik dhe mbart një lloj ideologjie të partisë ose autokratit.
Dy të tjerët janë një pjesë e bizneseve të mëdha të vendit që bëhen klineteliste të qeverisë dhe pjesë e vendimmarrjes së pushtetit. I treti është një pjesë po ashtu e fuqishme e krimit dhe trafikut të drogës, që bëhet edhe ajo pjesë e vendimmarrjes së pushtetit.
Andreas Schedler, i Universitetit të Vjenës, i quan këto “autoritarizma elektorale”, ku zgjedhjet kanë për funksion riprodhimin dhe mbajtjen e pushtetit nga regjimi. Votat blihen me para të krimit dhe korrupsionit në mënyrë kirurgjikale, institucionet e pavarura vihen në shërbim të regjimit dhe opozita sulmohet dhe delegjitimohet përditë nga regjimi, nga njerëzit e tij në media dhe nga nxitja e vazhdueshme e luftës së brendshme që bën regjimi.
Pa u zgjatur, Shqipëria e Kryeministrit Rama është një rast shembullor i këtyre regjimeve dhe i këtyre autoritarizmave elektorale. Zgjedhjet e fundit u blenë me kirurgji dhe sofistikim nga regjimi neopatrimoial, nga mekanizmi i tij i kontrollit vertikal padron-klient.
Për këtë nuk besoj se ka njerëz të pavarur në Shqipëri që nuk bien dakord.
Demokratë jo e jo. Në këto kushte, debati brenda PD-së do të duhet të kishte vetëm për synim analizën e regjimit dhe gjetjen e mënyrave për të rezistuar gjetjen e mënyrave për të qenë bashkë, për të thënë të vërtetën e madhe dhe për të qëndruar si digë edhe me sakrifica, edhe me durim përballë.
Në fund të fundit, çdo pushtet i takon vetëm Zotit dhe Ai ia jep atij që do pushtetin si sprovë dhe e lë jashtë pushtetit atë që do gjithashtu si sprovë. Pra, është një sprovë për opozitën kjo humbje, është një sprovë për Shqipërinë edhe ardhmja e një qeverie kaq të keqe për njerëzit dhe vendin.
Shqiptarët dhe opozita duhet të dinë ta kalojnë këtë sprovë me durim, dinjitet dhe sakrificë. Nuk ka pse shokohen apo shkatërrohen njerëzit e opozitës dhe sidomos politikanët e PD-së pse u humb përballë një regjimi, por të durojnë sprovën.
Paraardhësit tanë kanë duruar Koçi Xoxen apo Enver Hoxhën dhe kanë ditur të qëndrojnë me sakrificë dhe dinjitet. Zoti do ta poshtërojë qeveritarin zullumqar, por ne duhet të jemi në rregull dhe duhet të bëjmë gjënë e duhur. Sigurisht që pasi të kemi bërë këtë, është legjitime të ketë njerëz që do të duan që Basha të largohet siç është legjitime që ai të shihet si mundësia më e mirë për të drejtuar opozitën në këtë betejë vërtet madhore për vendin.
Po ta shohësh nga jashtë dhe po të mos e dish që PD është një parti e vendosur në të djathtë të spektrit, do të mendoje se grupi i kritikëve të Bashës, sigurisht jo të gjithë (ka mes kritikëve njerëz dinjitozë që janë në kryesi apo në këshillin kombëtar të sotëm, të cilët kanë luftuar me forcë në opozitën e këtyre viteve), i përket një segmenti thellësisht të majtë, komunist ose të majtë liberal që nuk kanë asnjë lidhje me vlerat e së djathtës, durimit, sakrificës, vetëpërmbajtjes.
Socialistët e të gjitha llojeve, që nga liberalët deri te komunistët, janë të motivuar nga nevoja të fuqishme të egove të tyre, nevojë për pushtet, nevojë për vëmendje, për famë, për vlerësim etj.
John Ray, ndoshta një nga studiuesit më të mëdhenj të psikologjisë së të majtës, thotë se kjo nevojë dramatike i ka shtyrë ata tek ideja e “barazisë”, tek ideja e një shteti të madh, tek ideja e rishpërndarjes së pasurisë, e taksave të larta, e të drejtave të homoseksualëve, e kundërshtimit të fesë, e mbrojtjes së abortit etj., etj. Luftërat e brendshme brenda së majtës janë ekstreme. E djathta ka një qasje tjetër, për të djathtën nuk është gjithçka pushtet, nuk është gjithçka politikë.
Irving Babbit thotë se karakteristika më fisnike e njeriut është “vullneti për vetëpërmbajtje” dhe nga kjo karakteristikë nis e ndërtohet gjithë teoria politike mbi të djathtën. Ai, si Edmund Burke më herët, e pranon se ekzistenca shoqërore kërkon kontroll mbi dëshirat dhe mbi impulset e se liria e vërtetë gjendet pikërisht te ky vetëkontroll.
Për fat të keq, një mendim tjetër u përhap fuqimisht në Europë dhe botë që në atë kohë, ai me në qendër idetë e Rusoit, duke ushqyer kënaqjen e dëshirave dhe nevojave. Nga kjo ide lindi e majta, lindi egoja si shtysë e vetme e përvijimit të veprimit politik.
Sipas Irving Babbit, kemi dy kategori që përcaktojnë një sjellje apo qëndrim të majtë dhe të djathtë: imagjinatën idilike dhe atë morale. Imagjinata morale që udhëheq qasjen e djathtë, ka të bëjë me përpjekjen njerëzore për të bërë ligje dhe për t’u sjellë sa më afër asaj që kërkon Zoti. Imagjinata idilike flet për një si vend realizimi të dëshirave dhe nevojave, si vend i kënaqjes së egos.
Një i djathtë kësisoj sillet më me përunjësi, është pro përkufizimit tradicional të familjes, rreket ta bëjë sa më të pamundur alkoolin, kumarin, është kundër prostitucionit, tradhtisë bashkëshortore, përdorimit të të gjitha llojeve të drogërave, mbështet nënat e reja dhe familjet me shumë fëmijë, është pro arsimimit cilësor përballë arsimimit masiv.
Te të gjithë njerëzit e PDsë, te të gjithë njerëzit e kryesisë apo departamenteve që janë kritikë me Bashën, duhet në radhë të parë të sundojë kjo qasje e djathtë, këto shenja të tipareve të së djathtës. Te një pjesë e tyre, sidomos atyre që nuk kanë qenë asnjë sekondë në fushatën e opozitës kundër qeverisë, u pa vetëm ngarkesë u pa inat dhe zemërim që duket i shtyrë nga interesa shumë më të vogla se vendi dhe opozita.
Kemi nevojë për një mbrojtje të asaj çfarë duhet të jetë e djathta, të asaj çfarë duhet të regëtijë në gjakun apo dejtë e një të djathti sepse vetëm kjo gjë mund të ketë vlerë për një opozitë të fortë përballë kësaj mynxyre që rri si re e zezë mbi kokënë e vendit. Basha është shumë më pak sesa PD dhe sesa e djathta, ai është një kryetar kalimtar. Kalimtarë kanë qenë Thatcher apo Reagan, Kohl apo De Gol, Berisha apo Selami dhe kështu do të jetë edhe Basha.
Grupi i kritikëve të Bashës duhet ta përkufizojë veten dhe veprimin e tij nga imagjinata morale. Le të kritikojnë pa fund, debati është shumë i mirë, por ta bëjnë nga dashuria për të djathtën, për vendin. Jo nga inati, jo nga zemërimi apo jo nga interesi imediat personal. Jemi vërtet përballë një gjëje shumë të rrezikshme.
Që ta bëjmë këtë, duhet të kemi bindje të tilla dhe të jetojmë si të tillë. Ish-Kryeministrja Thatcher thoshte se bindja jote është mendimi yt, mendimi yt veprimi yt, veprimi yt është fati yt. Vendi ka më shumë nevojë për një parti të djathtë prej qendrës deri te konservatorët socialë.
Një parti e madhe, të majtësh, liberalësh të majtë, njerëz që duan vetëm interesin e tyre, njerëzish që nuk kanë ndonjë afeksion për atdheun, nuk i duhet vendit edhe sikur të vijë që nesër në pushtet. Në vitin 1913, ish-Presidenti Tedy Roosvelt kërkoi të emërohej nga Partia Republikane si kandidat për President, megjithëse kishte qenë për dy mandate President. Veç kësaj, në detyrë ishte William Taft.
Elihu Root dhe Henry Cabot Lodge, dy nga njerëzit më të fuqishëm në Partinë Republikane dhe dy nga miqtë më të mëdhenj të Roosveltit, që u bashkuan me Presidentin Taft.
Ata i thanë Presidentit Roosvelt që ndonëse “kopsën e tij të xhaketës e donin më shumë se Taftin”, ishin me të. Roosvelt ishte zhvendosur me bindjet e tij majtas në atë kohë dhe kështu do të dëmtonte Partinë Republikane dhe vetë SHBA-në.
Në konventë u bë një luftë e vërtetë dhe nominimin e fitoi Taft, i cili u mund në zgjedhje nga Presidenti Willson, pasi edhe Roosvelt kandidoi si i pavarur nga inati. Studiuesit thonë se kjo ngjarje vërtet e çoi në opozitë Partinë Republikane. Le të shpresojmë që PD do të jetë një parti e mirë, e djathtë, jo thjesht për të ardhur në pushtet, por sepse i duhet vendit, i duhet përballjes me regjimin. /Panorama/