Rama sipas formulës “ç’don populli, bën partia”

    AGIM BAÇI 

    Prej vitesh, Kryeministri Rama ka shpallur “Bashkëqeverisjen” si prioritet të kabinetit të tij, duke e prezantuar si një platformë ku ftohen qytetarët të jenë pjesë e propozimeve për ndryshime ligjore apo për denoncime ndaj keqqeverisjes. Sipas politologëve, ky hap i z. Rama njihet si “politika e përfaqësimit të drejtpërdrejtë” e popullit, pra një politikë ku popullit i kërkohet të jetë “bashkëvendimmarrës”.

    Kushdo që ka ndjekur me vëmendje këtë lloj “përfaqësimi të drejtpërdrejtë” të Kryeministrit Rama, mund të konstatojë lehtësisht se ky model komunikimi ka zëvendësuar prej kohësh debatin real brenda socialistëve, e bashkë me këtë debat ka sfumuar edhe çështjen e legjitimitetit qeverisës. Madje, as kur shkarkohet sekretariati i partisë, siç ndodhi tani që PS fitoi në shumicë dërrmuese zgjedhjet lokale të 14 majit, sërish në parti ka vetëm bindje, madje edhe “falënderime për besimin e shkarkimit”.

    Ndërkaq, pasi ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në “bashkëqeverisje”, Rama shprehet publikisht se mund të shkojë në Kuvend kur vendos ai, dhe jo kur e thërret Kuvendi, apo se vendos ai që të kundërshtohet apo jo një komision hetimor parlamentar edhe pse Kushtetuta nuk e parashikon askund dëshirimin apo jo të kryeministrit apo mazhorancës lidhur me ngritjen e komisioneve hetimore.

    Dhe natyrshëm, kjo shpërfillje ndaj Kuvendit, edhe pse jemi republikë parlamentare, vjen pikërisht nga fakti se, Rama prej kohësh po ndërton portretin e përfaqësuesit të popullit, i cili, në thelb, është më i madh se të gjitha institucionet. Ndaj dhe z. Rama, duke e quajtur veten përfaqësues të “zërit të popullit”, shpërfill ligjet që i ka miratuar vetë, ndryshon rregullat e lojës për zgjedhjet, siç ndodhi me marrëveshjen e 5 Qershorit 2020 kur hoqi koalicionet, apo përdor pikërisht “pyetësorin e popullit” për të miratuar kanabisin mjekësor, bastet, amnistinë fiskale që po projekton, edhe pse FMN e BE kundërshtojnë.

    Për të shpjeguar se për të është e rëndësishme të duket sa më afër qytetarëve, Rama merr kabinetin qeveritar dhe e shëtit nëpër provincat shqiptare, siç ndodhi fundjavën e shkuar me mbledhjen në Tepelenë, ndërkohë që është po z. Rama, që gati 90 për qind të vendimeve të qeverisë nuk i ka firmosur, apo nuk ka marrë pjesë në mbledhje, duke ua deleguar zëvendësve të tij. Në një rrethanë të tillë, është qesharake të besosh se në qendër të këtyre takimeve është llogaridhënia apo çështja e shtetit ligjor.

    Po kështu, kur vjen puna për përgjegjësitë për ekipin e tij politik, edhe pse kryeministri Rama vijon të thotë se ai është “zëri i qytetarëve”, ai i shmanget rregullisht llogaridhënies përpara opinionit publik, duke deklaruar se “përgjegjësia është personale”, edhe pse është ai që e ka prezantuar ekipin qeveritar, ekipin parlamentar, përfaqësuesit lokalë. Është ai që na ka prezantuar këto vite Ahmetajn, Tahirin, Kokën, Gjicin, Rrajën, Bllakon, Tushen, Kajmakun, Tucin, Rroshin, e shumë të tjerë që kanë qenë apo janë pjesë e hetimeve apo e të dënuar për veprën penale të vjedhjes, shkeljes së ligjit.

    Arroganca e kryeministrit, në emër të qytetarëve, nuk ka kursyer këto vite as marrëdhënien e tij me median, ku në vend të përgjigjeve për pyetjet që i bëhen, gjen situata gjer në hakërrime nga gazetarëve apo moderatorëve, apo kërcënon pronarët që kanë televizionet, pasi ai e sheh veten si zëri dhe opinioni i qytetarëve, dhe se media nuk është më një ndërmjetës i këtij opinioni, pasi qytetarët preferojnë të flasin vetë me qeverinë dhe se kanë mundësinë që t’i hedhin mendimet në faqet që ka qeveria.

    Në fakt, studiuesit e politikës së sotme populiste të llojit Rama thonë se, qeveritë që mbështeten në sloganin “vendimin për qytetarët dhe me qytetarët”, janë në rrugën e krijimit të një shoqërie thellësisht politike, një shoqëri që varet vetëm nga ajo çfarë qeveria u krijon si “lehtësi” komunikimi.

    Idetë që Rama kërkon të përhapë me “bashkëqeverisjen”, janë thjesht një model i rafinuar i talljes si në kohën e diktaturës, kur shkruhej kudo nëpër rrugë: “çfarë thotë partia bën populli e ç’do populli bën partia”. Garancia e tij se, duke lënë hetimet të prekin edhe ish miqtë e tij të afërt, si në rastin e Dakos dhe Ahmetajt, janë një rikthim i shfaqjes së videove të dala për mbledhjet e ish Byrosë nga diktatori Hoxha, ku të akuzuarit deklaroheshin se pranonin: “Partia ime më dënon”!

    Analizuar në të gjitha veprimet që z. Rama ka bërë në kuadër të bashkëqeverisjes, duket qartësisht se është një qëllimi i pastër politik, z. Rama kërkon të projektohet si përfaqësuesi i vetëm i qytetarëve. Duke u dhënë atyre idenë se ata do të kenë akses në qeverisjen e tij, se do të kenë të drejtë të denoncojnë e të bëhen shkak që zyrtarët e korruptuar të ndëshkohen, ai ligjëron sistemin e justifikimit përpara qytetarëve për çdo shkelje. Madje, nuk do jetë e largët që qytetarët të fajësojnë veten e tyre se përse nuk ishin aq të vëmendshëm që të lajmëronin Kryeministrin për shkeljet e zyrtarëve të tij, pasi ai me kohë do e i kish rregulluar këtë padrejtësi. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Darka, sekreti i rënies nga pesha

    Lajmi i rradhës

    Në Kopshtin Zoologjik të Shkupit ka murtajë dhe epidemi të kafshëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë