Reformat e dhunshme pjellin dhunën

    SHERIF BUNDO

    Në këto ditë të nxehta kor riku, tema e amnistisë fiskale është bërë një temë edhe më e nxehtë. Qeveria duket përditë e më e vendosur që ta realizojë amnistinë me një kokëfortësi primitive, ndërkohë që nga të gjitha burimet vërshon edhe një opinion tjetër që duket sheshit se është kundër amnistisë fiskale. Opozita, që ka rolin institucional të bëjë oponencën e qeverisjes, është duke e kundërshtuar me të njëjtën forcë që qeveria shfaqet e vendosur. Ndonjë zë tjetër institucional dhe profesional është vënë, si gjithmonë, nën breshërinë e sulmeve mediatike të qeverisë, që më ngjajnë si sulmet ruse kundër Ukrainës, në kohën që gjithë opinioni botëror është kundër kësaj lufte pa precedent. Me bindjen se në një klimë të tillë, mendjet e nxehta të Tiranës kanë nevojë për pak dush profesional, gjykoj që profesionistët e fushës duhet të flasin. Heshtja është vdekje, është servilizëm, është spërkatje me heshtje e një objekti të lyer me benzinë ku ka rënë zjarri, fuqia e të cilit është ende e vogël, por kur shpërthen, flakët përlajnë gjithë vendin dhe shoqërinë dhe pasojat bëhen të pallogaritshme. Atëherë, çdo analizë e vonuar është e pavlerë.

    A U MBËSHTET VËRTET AMNISTIA NGA KËSHILLIMI KOMBËTAR?

    Nuk ka ironi më të madhe, por edhe fyerje më të madhe do të thosha, se sa ajo që bën qeveria me gjoja përfundimet e këshillimit kombëtar të saj mbi disa probleme të rëndësishme, të cilat do të shërbenin si boshti i reformave të qeverisjes në mandatin e tretë qeverisës të Partisë Socialiste. Tërhoqëm opinionin e publikut nëpërmjet këshillimit kombëtar, u tha nga qeveria. Emër i bukur, apo jo! E mbështeti publiku është thënë në disa konferenca për shtyp të kreut të qeverisë, i cili bën kompetentin edhe në përpunimin e të dhënave statistikore, të anketimeve dhe sondazheve, që janë atribut vetëm i statisticienëve dhe instituteve të posaçme. Nuk po futem në përmbajtjen dhe mënyrën se si u realizua i famshmi këshillim kombëtar, se çdo analizë e tij na fyen profesionin. Por, kjo ka pak rëndësi. A e mbështeti vërtet publiku amnistinë? A u prononcua publiku për amnistinë? Çfarë të dhënash kishte publiku në mënyrë që të gjykonte për amnistinë dhe t’i përgjigjej me një pyetje të thjeshtë me pesë fjalë kërkesës së qeverisë për një reformë të tërë? Kuptohet, pyetja fillonte me: Ka njerëz që thonë…. A nuk ju duket qeveria pak qesharake me këtë mënyrë të një anketimi mbarëkombëtar? Vërtet nuk ka aq profesionistë në administratën tonë publike që të bëjnë gjëra serioze?! Këtu ka disa probleme, që nuk mund të anashkalohen. Së pari, a mund të quhet vërtet anketim kombëtar, ky këshillimi kombëtar? Kujt iu drejtua qeveria dhe kush u përgjigj? Qeveria iu drejtua të gjithëve, ç’është e vërteta, por u përgjigj vetëm administrata publike. A kishte nevojë qeveria të tërhiqte mendimin e administratës me një këshillim kombëtar? “Në pallatin tim, poshtë shkallëve, më thotë para disa javësh një miku im në Tiranë, gjenden mbi 40 zarfe nga ato të këshillimit kombëtar. Edhe këtë radhë u morën seriozisht patronazhistët, por nuk ia dolën. Publiku e abandonoi këshillimin”. Qeverisë nuk i duhet dhe nuk i intereson kjo. Për të mjafton: e nisi dhe e çoi deri në fund këshillimin. Po pse nuk e bëri një këshillim të tillë qeveria me një institucion të pavarur? Si mund të besohen anketimet që bën qeveria për interesat e qeverisë? Pse nuk ia besoi një institucioni të pavarur, qoftë edhe INSTATit? Pse nuk ia besoi një universiteti? Pse nuk ia kërkoi këshillimin Akademisë së Shkencave? Pse nuk ia besoi atë një institucioni ndërkombëtar? Qeveria po jep me koncesion gjithçka, gjithë shërbimet publike, ka predispozicionin që të tenderojë gjithçka, pse nuk kërkoi që të koncensionohej edhe këshillimi kombëtar? Sa të dobëta më janë dukur pyetjet e këshillimit? Sa qesharake më tingëllojnë ato pyetje me përmbajtje të njëjtë? Së dyti, sa serioze janë këto pyetje, kështu siç bëhen dhe sa primitive duken kur gjykohen si të sakta dhe të plota? Kur bëhet një anketim, pyetja duhet të jetë e qartë. I anketuari duhet ta ketë të qartë gjithë diapazonin e përgjigjeve. Nëse ai nuk i kupton pyetjet, intervistuesi e asiston. Unë po ju them se teorikisht pro amnistisë, asaj amnistie që ka konsideruar si të tillë qeveria, që… “a të lejohen emigrantët të atdhesojnë te ardhurat…”, duhet të ishin dakord 100% e të intervistuarve. Pse, kush ka drejtë të paragjykojë të ardhurat e ligjshme të një emigranti? Por pyetja ishte tjetër, dhe amnistia është komplet tjetër. Kush është pyetur për të legalizuar pasuri mbi 2 milionë euro, pavarësisht burimit? Së treti, më të fyer me këtë praktikë janë vetë socialistët. Të majtët janë përgjithësisht ato forca politike që tatojnë të pasurit me shkallë tatimore më të larta, për të grumbulluar fonde publike dhe për t’i shpërndarë ato nëpërmjet reformave buxhetore në ndihmë të shtresave në nevojë. Kjo amnisti, siç është projektuar në vendin tonë, ka synimin e qartë që të tolerojë të pasurit. Kjo është pak të quash shpërdorim të pushtetit dhe të votëbesimit, ndërkohë që është poshtëruese kur kupton se një qeveri e majtë favorizon të pasurit. Merr votat e majta dhe bën politika të ekstremit të djathtë. Së fundi, pse qeveria nuk organizon referendum, kundrejt të gjitha kritereve dhe rregullave që organizohen referendumet? Pse nuk miraton në Kuvend një ligj për të organizuar referendum për disa çështje me interes vërtet kombëtar që të administrohet nga KQZja? Pse nuk përdoret kjo metodë origjinale, demokratike dhe gjithëpërfshirëse, për të mbështetur vërtet mbi një opinion të shëndoshë të publikut reforma kaq serioze? Mënyra si është bërë këshillimi, nuk është serioze, edhe rezultatet nuk janë as të besueshme dhe as serioze. Çdo veprim bazuar në të dhëna joserioze është shumë pak ta quash të dëmshme. Nëse këshillimin e konsideron referendum, atëherë unë mund t’ju them se ai është i dështuar, sepse nga 2.1 apo 2.2 milionë votues që duhet të marrin pjesë, kanë dhënë opinione dhe janë përgjigjur vetëm 563 mijë qytetarë, po qe se i besojmë asaj që thotë vetë qeveria, pasi rezulton të kenë marrë pjesë në një proces gati një e katërta e të interesuarve. Po të vazhdojmë më tej, pyetjes 5 të këshillimit kombëtar, për amnistinë, i janë përgjigjur pro vetëm 332 mijë veta. Dhe qeveria, me 332 mijë vota pro amnistisë, kërkon t’u imponohet 2.9 milionë shqiptarëve? (Po e marr të mirëqenë rezultatin e qeverisë.) Kaq sa thamë, më mjafton të konkludoj që: personalisht kam qenë gjithnjë pro një amnistie fiskale, gjithëpërfshirëse, të menduar mirë dhe të bazuar te të ardhurat e asaj periudhe që shteti nuk kishte rregullime fiskale, por jo për të legalizuar të ardhurat që burojnë nga veprimtaritë kriminale, nga korrupsioni dhe nga ekonomia e drogës. Reforma e amnistisë nuk mund të ndërtohet mbi të dhëna të pasakta dhe të kamufluara. Një qeveri që gënjen veten dhe e beson gënjeshtrën për të vërtetë, nuk bën thjesht demagogji, por bën një krim.

    AMNISTIA FISKALE KËRKON KONSENSUS KOMBËTAR

    Le të futemi pak më thellë në përmbajtjen e amnistisë së propozuar nga qeveria. Spektri i burimeve financiare të konsideruara të përshtatshme për t’u amnistuar është i gjerë. Kufiri i të ardhurave dhe pasurisë që propozohet të hapë derën e legalizimit është i lartë dhe kapërcen mundësitë financiare të një njeriu apo të një familjeje mesatare shqiptare. Në këto rrethana, amnistia ngjason me një reformë që provokohet të bëhet për një numër të kufizuar individësh, biznesesh, aktivitetesh dhe të ardhurash. Reforma të tilla ndikojnë fort në thellimin e hendekut të ndarjeve klasore, të grupeve dhe poleve të krijuara tashmë në shoqërinë shqiptare, të cilat për shkak të krizave dhe të vetë reformave të pastudiuara, po largohen përditë e më shumë nga njëra-tjetra. Reforma e amnistisë nuk i shërben kështu vendosjes së paqes sociale, aq të nevojshme dhe të domosdoshme për një klimë të qetë pune dhe biznesi në Shqipëri. Siç është konceptuar, më të pasurit do të tatohen akoma më pak. Nuk është fjala për të trembur kapitalet, por si mund të aplikohet një amnisti e tillë kur shkelen rregullat minimale të barazisë. Nuk ka sisteme tatimore të përkryera dhe kjo dihet, por duhet të ketë sisteme tatimore dhe reforma fiskale të drejta. Ky është rregulli numër një i çdo mënyre të të tatuarit. A mund të konsiderohet e drejtë që bizneset e rregullta, që kanë përmbushur me korrektesë detyrimet tatimore deri sot, të vihen në pozita të pabarabarta me ata që deri sot nuk kanë respektuar shtetin dhe detyrimet e tij fiskale? Kur them, bizneset që kanë përmbushur me korrektesë detyrimet tatimore, nuk kam parasysh atë korrektesën perfekte, sepse kjo përsëri nuk ekziston, por kanë paguar në kushtet e mjedisit shqiptar detyrime tatimore. Ndonjëri prej tyre, ose më saktë shumica, kanë paguar edhe gjoba dhe penalitete zyrtare dhe gjoba jozyrtare. Edhe këto konsiderohen detyrime, për shkak të funksionimit të shtetit, ose për shkak të mosfunksionimit siç duhet të administratës tatimore. Individët dhe bizneset kanë kontribuar që shteti të mbahet në këmbë dhe tani vetë shteti iu fut shqelmin, i nxjerr nga loja konkurrenca e pandershme provokuar prej vetë shtetit. Shteti, që ekziston për të krijuar dhe garantuar barazinë para ligjit, iu fton qytetarëve një ligj që e shkel brutalisht barazinë. Të ardhurat e një punonjësi të thjeshtë janë tatuar me të paktën 13%, të ardhurat nga qiradhënia apo nga puna jashtë vendit e një qytetari të thjeshtë janë tatuar me 15%, ndërkohë që të ardhurat e dyshimta propozohet të vetëdeklarohen për t’u tatuar vetëm 4 apo 7%. Ka individë me sjellje jokorrekte, por nuk duhet të ketë qeveri me sjellje jokorrekte. Qytetarët e paguajnë atë, qeverinë pra, që të krijojë mjedis korrekt, me rregulla korrekte, me ligje të drejta dhe me kërkesën që ato, ligjet, të zbatohen në mënyrë të barabartë nga të gjithë. Qeveritë duhet të jenë arbitrat modelë, jo shkelësit modelë të rregullave të arbitrimit. Ndodh rëndom që iu kërkohet llogari më shumë atyre që janë në rregull, edhe për ata që nuk janë korrektë. Ju flasim shpesh për rëndësinë e vijueshmërisë atyre që kemi nëpër auditorë për të thënë se ata që nuk vijojnë, do të penalizohen. Kjo nuk është e drejtë. Këtë bën edhe qeveria. Penalizon ata që janë korrektë dhe favorizon ata që nuk janë korrektë. Penalizon ata që paguajnë rregullisht, për të favorizuar ata që nuk kanë paguar kurrë. Por, për amnistinë fiskale kërkohet një këndvështrim më objektiv. Nuk ka amnisti pa konsensus. Nuk ka amnisti pa mbështetjen e të gjithë faktorëve që faktorizojnë klimën e biznesit në një vend. Nëse nuk sigurohet maksimumi i mundshëm i mirëkuptimit për një reformë dhe ajo kryhet, atëherë ajo konsiderohet reformë e imponuar, reformë e dhunshme. Reformat e dhunshme prodhojnë dhunë. Sa herë që shteti bën budallain apo kokëfortin, reagimi është edhe më kokëfortë se kokëfortësia e shtetit. Reformat fiskale që shkojnë për të konsoliduar interesat e një grupi të vogël rrethi interesash provokojnë vetëm destabilizim. Sa ironike tingëllon që kur Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron qeverinë për një reformë të pastudiuar, qeveria thotë na pengon FMN-ja, apo FMN-ja nuk na paralajmëroi në kohë, ndërsa kur FMN-ja bën paralajmërim serioz, qeveria deklaron se ne do të vazhdojmë rrugën e nisur. E njëjta kokëfortësi edhe me partnerët tanë më të rëndësishëm europianë. Kjo do të thotë se dara që e shtrëngon kokën e qeverisë qenka më e fortë se ajo e partnerëve tanë strategjikë.

    KOKËFORTËSIA NUK ËSHTË SJELLJE TIPIKE E MAJTË

    Socialistët kanë provuar mjaft raste kur sjelljet e qeverisë së tyre nuk shkojnë me bindjet dhe vizionin e tyre për shoqërinë. Ata kanë më shumë se gjashtë vjet që shohin politika të djathta realizuar prej qeverisë së tyre për tenderët, për partneritetet private dhe publike, për tatimin mbi dividendin, për strukturën tatimore proporcionale mbi të ardhurat nga paga dhe shpërblimet, por të veshur me terminologji false progresive, për shpërndarjen ekstremisht të pabarabartë të shanseve për konkurrim, të mungesës së barazisë në administratën publike, të përdorimit politik, ekstremisht politik, të institucioneve etj. Pasojat i vuan publiku dhe bashkë me publikun edhe vetë socialistët. Vërtet janë dakord socialistët për kanabizimin e vendit? Si për t’i vënë vulën dhe për të treguar edhe një herë falsitetin e justifikimeve të qeverisë se ajo gjoja e ka luftuar drogën, së fundi në këshillimin kombëtar konkludohet se gjoja populli shqiptar është dakord edhe për legalizimin e kanabisit. Kjo tregon hapur se kanabizimi ka qenë sjellje zyrtare, ka qenë politikë zyrtare, por e kamufluar me sjellje propagandistike antikanabis. Tani, me reformën për amnistinë, me kokëfortësinë për këtë reformë, legalizohet edhe pasuria e vënë nëpërmjet drogës. Të majtët shquhen për argumentin, për politika të qarta, për mbrojtjen e interesave të shtresave të marxhinalizuara, për nxitje të biznesit të vogël dhe të mesëm që synon zgjerimin e punësimit dhe uljen e papunësisë dhe të varfërisë. Ndërkohë, po të bësh një skaner të shpejtë politikave fiskale të qeverisë në këto dhjetë vite qeverisje, vihen re tri dukuri, jashBesojini “Luarasit”, besojini një prej universiteteve më të mira të vendit! Në këtë botë të zhurmshme e shumë konkurruese, shpesh nuk arrijmë të dallojmë më të mirën nga më pak e mira. “Luarasi”, i akredituar maksimalisht, e ka arritur këtë status: statusin për të qenë një ndër universitet më të mira të vendit. tëzakonisht të dëmshme. Së pari, ka një përdorim ekstremisht elektoral të sistemeve tatimore. Qeveria ka manifestuar sjellje kontradiktore në qëndrimin ndaj tatimeve dhe taksave. Në fillim zgjeroi bazën tatimore, dhe mirë bëri. Më vonë e ngushtoi përsëri bazën tatimore se u tremb nga deklaratat e opozitës, pastaj për interesa përsëri elektorale përjashtoi ekstremisht nga tatimet bizneset e vogla. Ndryshoi disa herë qëndrimin ndaj pragut të aplikimit të TVSH-së, pa asnjë argument dhe logjikë profesionale, e uli, e rriti dhe e uli përsëri. Po kështu edhe me tatimin ndaj bizneseve të vogla. Bëri që një mësues gjimnazi të paguajë tatime më shumë se një restorant me pesë deri në dhjetë të punësuar. Së fundi kërkon përsëri të kthehet aty ku e ka filluar para dhjetë viteve. Kjo do të thotë qeverisje e verbër. Dhjetë vjet të humbura. Kulturë tatimore e shpërdoruar. Barazi tatimore e munguar. Pse këta janë të majtët? Këta lloj të majtësh nuk i duhen as djallit. E vërteta është që këto politika vetëm të majta nuk janë. Idealet dhe politikat e majta ngelen progresive dhe ia vlen që për to të përkushtohesh, por kur mendon vërtet si i majtë dhe vepron si i tillë. Së dyti, ndryshimet e shpeshta të sistemeve tatimore dhe të mënyrës së të tatuarit, tregojnë për mungesë të profesionalizmit. Nuk ka profesionistë kjo administrata jonë tatimore? Sot më shumë se kurrë më tingëllon aktuale dhe nevojë thënia e famshme e të ndierit Pjetër Arbnori se “këta janë specialistë dhe jo socialistë”. Kjo është historia e PS-së. Nuk ka profesionistë të mirë administrata jonë publike? Pse është varfëruar kaq shumë niveli profesional i saj? Sigurisht, po të vësh në poste drejtuese militantët joprofesionistë, nuk ke si stimulon profesionistët jomilitantë. Ata, profesionistët, janë shtylla kurrizore e administratës. Pse nuk u drejtohet përsëri institucioneve kërkimore dhe shkencore qeveria? Pse nuk ndërton struktura tatimore bosht që të afrohen me një lloj të të tatuari optimal për kushtet e ekonomisë sonë? Të majtët janë të hapur, janë të duruar, janë të urtë, nuk janë arrogantë, nuk janë fodullë, nuk janë të korruptuar, janë solidarë. Së treti, ndryshimet pa kriter të sistemeve tatimore janë shkak për evazionin fiskal. Kjo është një aksiomë e njohur. Një ligj i paqëndrueshëm është një ligj formal, është një lloj me një ligj nul. Në financë, kjo sjellje quhet: rritje e riskut sistematik për shkak të paqëndrueshmërisë legjislative. Në rastin konkret, për shkak të paqëndrueshmërisë fiskale. Kjo paqëndrueshmëri është faktor i mjaftueshëm për të trembur çdo lloj investitori dhe biznesmeni. Kjo paqëndrueshmëri largon investitorët e huaj. Socialistët nuk janë për sjellje të vrazhda, nuk janë të dhunshëm, ata janë paqësorë dhe bashkëpunues.

    AMNISTI FISKALE NË VITIN E DHJETË TË QEVERISJES?

    Nuk ka nevojë për analiza, për filozofi, për t’u thelluar, që të kuptosh përmbajtjen e vërtetë të amnistisë dhe objektivin politik që synohet të arrihet me të. E ashtuquajtura “Rilindje” aplikoi si fillim politikën e favorizimit të oligarkëve, bazuar te mentaliteti “t’i marrim kundërshtarit të fortët dhe me të fortët pranë nesh, të bëhemi edhe më të fortë”. Gjithë politikat kanë qenë të tilla që të konsolidonin forcën e të fortëve, t’i bënin ata edhe më të fortë dhe të shtonin të pasurit rreth politikës nëpërmjet të gjitha formave të mundshme të politikëbërjes. Dhe me sa konkludohet, kjo është arritur deri diku. Tani duhen mbrojtur pasuritë e të fortëve dhe të militantëve të pasuruar. Filozofia bazë e qeverisë dhe kreut të saj është e bazuar te praktika që sa më shumë të pasur, pavarësisht mënyrës, që të jenë bërë militantët e saj, aq më të sigurt ajo vetë do të ketë të ardhmen e saj financiare. Tani, pikërisht tani, mbas dhjetë vitesh qeverisje, duhet amnistia. Dhjetë vitet deri sot ishin për të bërë pasuri me çdo çmim, tani pasuria duhet mbrojtur, duhet zbardhur, duhet pastruar. Lavatriçja më e mirë është amnistia. Amnistia është veprimi politik i nevojshëm. Urdhrat jepen përsëri nga të fortët, veprimin politik e bëjnë ata që janë nën mbrojtjen e të fortëve. Pse nuk u diskutua për amnisti fiskale që në vitet e para të qeverisjeve, për të dhënë mesazhin e një qeverisje të pastër? Pse nuk u kërkua mirëkuptim mbarëkombëtar për amnistinë? Pse nuk ekziston kuraja që t’i kërkohet edhe opozitës bashkëpunimi për tema dhe reforma kaq të rëndësishme? Për çfarë teme është e gatshme të përulet kjo qeveri në qeverisjen e saj? Pse sillen qeveritarët si pronarë të fondeve publike, ndërkohë që janë shërbëtorë të përkohshëm të tyre? Nëse një komunitet biznesi merr kurajën të kundërshtojë amnistinë fiskale, kjo do të thotë se filozofia e saj është tërësisht e dëmshme. Sjelljet e sotme të qeverisë ndaj amnistisë fiskale më ngjasojnë me sjelljet e qeverisë në kohën e firmave piramidale, që shqetësimeve të publikut nëse ishte apo jo e ligjshme veprimtaria e tyre, qeveria iu përgjigjej se nuk ka shkelje dhe se nga to dhe nga spërkalat e pastrimit të tyre, le të kullosnin edhe politikanët e kohës, të majtë dhe të djathtë. Amnistinë pa konsensus e konsideroj një zhvillim të pakontrolluar të tregut, zhvillim i cili duhet të frenohet nga qeveria, e cila në rastin konkret, këtë zhvillim të pakontrolluar të provokuar nga interesa të errëta, në vend që ta frenojë, po e stimulon. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Analiza e AFP-së: Europa në panik, në prag të recesionit ekomomik

    Lajmi i rradhës

    VOA: Fuqia punëtore në Shqipëri në largim, shqetësim për ekonominë vendase

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë