Regjimi Rama, në thelb asgjë sui generis

    FITIM ZEKTHI

    Përfshirja e njerëzve që vijnë nga bota e trafikut të drogës në vendimmarrjen politike të qeverisjes mbjellja e vendit me hashash, përqendrimi i pushteteve në një dorë, shkatërrimi i Gjykatës së lartë dhe asaj Kushtetuese, mosarrestimi i isha-ministrit të Brendshëm Tahiri, mosnisja e hetimeve për asnjë anëtar të qeverisë, arrestimi i rreth 36 mijë hallexhinjve në tetë vjet për mospagim dritash apo ndërtim pa lejë çatish, korrupsion i lartë, thellimi i mjerimit dhe rritja e borxhit me gati dy herë në tetë vite, kontrolli i mediave dhe i institucioneve, prishja e Teatrit Kombëtar, ndryshimi antikushtetues i Kushtetutës, blerja e votave, marrja e tri mandateve nga nja parti fantazmë, marrja e dy mandatave nga një individ krejtësisht apolitik në emër të PS-së etj. ka kohë që po kthehen në “normale”.

    Si pasojë e një propagande të ethshme që dirigjon gjithë këtë proces “normalizmi”, për shumëkënd qeverisja e Ramës rreket të manifakturohet si një qeverisje e pranueshme, madje e mirë, si një qeverisje që fiton sepse punon, si një qeverisje që ka defekte, por gjithsesi po arrin të çojë përpara gjëra të rëndësishme.

    Si pasojë e kësaj manifakture, siç ndodh në të vërtetë me të gjitha qeverisjet e këqija, tiranike apo autokratike, me të gjitha regjimet që vënë përposh popullin e tyre, e shëmtuara bëhet e bukur, e liga bëhet e mira, e zeza bëhet e bardhë, e padrejta e drejtë, vjedhja bëhet punë e ndershme, shkatërrimi ndërtim…

    Shndërrimi në “normale” i këtyre akteve është diçka që ka kohë që ka nisur. Gjëra edhe më të rënda mund të ndodhin dhe do të ndodhin. Qeveria do të vijë duke e thelluar këtë sjellje, sepse kjo sjellje është bërë natyra e vërtetë e saj. Edhe po të dojë Rama, qeveria e tij dhe ai vetë nuk mund të jenë më ndryshe. Ai dhe qeveria e tij e kanë synuar përftimin e kësaj “natyre” të qeverisë që ditën e parë që erdhën në pushtet dhe tashmë janë të detyruar të ndjekin këtë “natyrë”.

    Kjo natyrë është autoritarizmi, është pushteti i pakufizuar që shtyhet përpara pa ndalur nga mendja totalitare. Historia e njeriut është e lidhur ngushtë me atë të pushtetit dhe arsyet e kërkimit të tij janë diskutuar që prej kohësh të vjetra.

    Mendimtarë të ndryshëm që në Greqinë apo Romën e vjetër, por edhe sociologë, antropologë, psikologë, deri edhe neurobiologë, psikiatër e psikanalistë të kohëve moderne kanë debatuar dhe shkruar vazhdimisht mbi të. Gjithë dallimet e këtij rravgimi të gjatë njerëzor bashkohen pothuajse në një pikë: kërkimi i pushtetit ka si shtysë dëshirën për të qenë i pushtetshëm, pasi ai shërben si mjet për vetëpërmbushje. Kjo bën që dëshira për pushtet të jetë si droga, në kuptimin që ajo iu ndryshon njerëzve edhe neurokiminë (J. Sattinover, A. Galaburda, N. Geschwind prej vitesh kanë provuar se ndryshon niveli dhe burimi i opatëve në tru). Pushteti, ashtu si drogat, prodhon një përzierje komplekse motivuesish që përfshijnë qetësimin e vuajtjes, reduktim të vetëdijes dhe eufori.

    Për këtë shkak, shumë njerëz me pushtet i injorojnë efektet mbi veten dhe të tjerët dhe rrisin dozën e tij për të arritur kënaqësi edhe më të madhe dhe lehtësim më të madh të dhimbjes. Disa nga dramat më të mëdha të njeriut janë shkaktuar nga ky lloj kërkimi i pushtetit, i cili kthehet në një tmerr për individin që e kërkon ose fatkeqësi shoqërore, kur bëhet tipar i qeverisjes.

    George Orwell, në librin “1984”, përshkruan në mënyrë të jashtëzakonshme këtë aspekt të kërkimit të pushtetit. Ai shkruan: “Partia e kërkon pushtetin krejtësisht për hir të vetë atij. Ne nuk jemi të interesuar për të mirën e të tjerëve: ne jemi të interesuar vetëm për pushtetin. Pushteti nuk është mjet, ai është qëllim”. Saktësisht, kjo qasje ka dominuar Kryeministrin Rama dhe qeverisjen e tij në këto shtatë vjet. Kjo qasje i ka dhënë Kryeministrit Rama pushtet të mjaftueshëm jo thjesht për të prishur teatrin, por pushtet për të kthyer në “normale” veprime nga më të pamendueshmet.

    Për ta bërë më të kuptueshme “natyrën” e pushtetit të Ramës dhe natyrën e qeverisë tij, po shohim se si tiparet e qeverisë së tij përputhen (apo jo) me ato të regjimeve perverse autoritariste. Stephen Walt, një profesor në Universitetin e Harvardit, duke parë se ka vende sot në botë që po bien në forma përçudnimi autoritarizmi dhe po u shkaktojnë dhimbje të mëdha popujve të tyre, numëroi në një studim të famshëm të tijin 10 pikat themelore, që i dallojnë këto degradime të qeverisjes.

    Ai e nis nga tiparet më të lehta dhe më pak të rrezikshme, për të mbërritur te tipari më i rëndë që përmbyll në fakt, gjithë ciklin ku zhytet një regjim i tillë. Tipari i parë, thotë Stephen ëalt, është përpjekja e vazhdueshme për të trembur, kërcënuar mediat. Është e qartë se Rama i kërcënon përditë mediat që e kritikojnë.

    Ka sulmuar gazetarë dhe analistë, i ka fyer, i ka sharë, i ka quajtur kadrinj, i ka quajtur kazan. Ka bërë një ligj “antishpifje”, me të cilin kërcënon të gjitha mediat online. Rama madje mbylli një televizion kritik me arsyetimin e rrejshëm se pronari i tij ishte në kërkim ndërkombëtar. Kjo doli që ishte rrenë. Siç dihet më pas kjo mbyllje i kushtoi vendit një gjobë prej 120 milionë euro. Tipari i dytë ka të bëjë me ndërtimin e një trupe medieje zyrtare pro qeveri, pro Kryeministër.

    Rama, jo thjesht ndërtoi dikur “transparenca.al” për të përgënjeshtruar akuzat ndaj qeverisë, jo thjesht ka ngritur “ErTv”, por ai dukshëm drejton redaksi të rëndësishme televizionesh, ai dukshëm ka nën kontroll shumë televizione dhe programe, shumë gazetarë dhe analistë, ai dukshëm dirigjon tituj e lajme dhe përbërjen e stafeve drejtuese, përcakton tema programesh dhe axhenda debatesh. Tipari i tretë është politizimi i shërbimit civil, i Policisë dhe Gardës.

    Nga sekretari i përgjithshëm i çdo ministrie te çdo drejtor në to, nga shefat e sektorëve te specialistët, dominon emërimi partiak. Në lidhje me Policinë, Rama dhe Tahiri që ditën e parë që morën detyrën larguan të gjithë drejtorët e Policisë, të gjithë shefat e komisariateve. Garda u shkri dhe në vend të saj u ngrit një strukturë tjetër, në krye të së cilës u vendos një militant socialist.

    Kjo nuk kishte ndodhur as në vitin 1992 kur erdhi PD dhe as në vitin 1997 kur erdhi PS-ja e Nanos. Më pas, në Polici, muaj pas muaji, u rikthyen enveristë dhe ish-sigurimsa dhe familjarë të tyrit. Kjo është Policia që lejoi kanabizimin, që lejoi trafikun me avionë, që hodhi gaz si e marrë mbi protestuesit dhe në shtëpitë e njerëzve, që arreston aktorë apo gazetarë. Pra, plotësisht në kontroll politik.

    Tipari i katërt ka të bëjë me përgjimin e kundërshtarëve. Kjo është një pikë, për të cilën nuk mund të thuhet ndonjë gjë e madhe, por ka pasur akuza se është përgjuar kryetari i opozitës, Basha, ka pasur akuza se ish-ministri Tahiri përdori Policinë për përgjime të opozitës etj. U provua që pajisje Amsi Captcher përgjimi përdorshin nga policia në mënyrë të paligjshme.

    Tipari i pestë ka të bëjë me përdorimin e pushtetit të shtetit për të mbështetur bizneset që janë afër qeverisë dhe për të ndëshkuar me këtë pushtet “kundërshtarët”. Qeveria e Kryeministrit Rama ka dhënë rreth 2 miliardë euro koncesione për pesë-gjashtë biznese, të cilat dihet botërisht që janë në krah të tij. Qeveria Rama akuzohet prej vitesh se ka krijuar një ambient të poshtër në tregun e konkurrencës, pasi ajo nuk bën fare gara, por ua jep punët publike pak bizneseve me PPP. Shumë biznese, jo vetëm ndëshkohen duke mos fituar dot punë publik, por edhe gjobiten nga Tatimet.

    Që ditët e para të ardhjes në pushtet, Rama me anë të drejtoreshës Brisida Shehaj dhe deputetit Spartak Braho, hyri në serverët e Tatimeve për të marrë kundër ligjit të dhënat e bizneseve. Tipari i gjashtë lidhet me sulmet ndaj Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Në këtë pikë, profesori Stephen Walt flet për përpjekje për të kërcënuar gjyqtarët dhe detyruar ata që të mbrojnë qeverinë, por ai nuk ka menduar se ka qeveri si e jona që e zhdukin fare Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Veç zhdukjes së këtyre gjykatave, që janë gjithë garancia e sistemit, Rama po bën përpjekje titanike që t’i marrë nën kontroll këto gjykata kur ato të ngrihen sërish.

    Rama po mbron përdhunshëm Dvoranin, një shërbesëtar i regjimit komunist, pasi ky i fundit po i jep kontrollin e Gjykatës Kushtetuese. Rama po mbron dhunshëm Arben Krajën, kryetarin e SPAK-ut, një shërbesëtar gjithashtu komunist, pasi ky nuk heton asgjë nga korrupsioni i qeverisë. Tipari i shtatë është zbatimi i ligjit vetëm për një pjesë të njerëzve dhe jo për pjesën tjetër. Pak a shumë, ky tipar ka të bëjë me metaforën Orwelliane, që “disa kafshë (në fermën e regjimit totalitar) janë më të barabarta se disa të tjera”.

    Gjithkush e ka parë se si Tahiri, që akuzohet për trafik droge dhe organizatë kriminale, nuk hyn në burg, ndërsa në burg hyjnë hallexhinj; të gjithë e shohin se si vdiq çështja e korrupsionit tek Unaza e Re, çështja e manipulimit të zgjedhjeve në Durrës apo Dibër, ndikimi i krimit etj. Tipari i tetë është marrja në kontroll e sistemit, blerja e zgjedhjeve.

    Nuk po flasim më për këtë tipar. Mjafton vetëm ajo që ka dalë te gazeta “Bild”, ndonëse ajo është vetëm maja mbi ujë e ajsbergut, absolutisht vetëm maja mbi ujë Tipari i nëntë është nevoja dhe përpjekja e regjimit për të shkaktuar frikë. Regjimi autoritarist përpiqet të ngjallë frikë dhe ia del sepse kërcënon me burg, kërcënon me largim nga puna, kërcënon me gjoba, kërcënon me qëndrim të gjatë në pushtet (a nuk thotë Rama se Basha nuk do të fitojë kurrë, a nuk thotë Rama se ai po kërkon 800 mijë vota për mandatin e tretë, a nuk tha i biri deputetit Rraja se “Basha do ta shohë në zgjedhje”, a nuk ka thënë Dako se në Durrës Basha nuk do të fitojë kurrë etj…

    Tipari i dhjetë është ai që i vë vulën, pa të cilin nuk do të kishte kuptim asnjë arritje tjetër. Ky tipar ka të bëjë me demonizimin e opozitës. Opozita duhet të shfaqet para njerëzve si e dobët, si e keqe, si e korruptuar, si e paaftë, si destruktive. Është jetike, thotë Stephen Walt, që opozita të pikturohet në këtë mënyrë, që opozita të shihet nga njerëzit siç do qeveria.

    Qeveria bën gjithçka me anë të mediave të saj, për ta paraqitur opozitën në këtë mënyrë. Ajo shpif, shan, prodhon gjuhë dhe narrativë të tillë demonizuese, sajon çështje në mënyrë që në kokat e njerëzve të fiksohet ajo që do qeveria. Qeveria nxit konflikt të brendshëm.

    Mediat e qeverisë, thotë Walt, gjejnë njerëz që konsiderohen si të opozitës, të cilët shajnë dhe kritikojnë në terma të qeverisë opozitën. Në Shqipëri është e qartë se Rama vetë personalisht, por edhe gjithë partia e tij, mediat që ai ka nën kontroll vazhdimisht prodhojnë këtë narrativë për Bashën dhe PD-në. Synimi është që PD të mos thotë të vërtetat dhe të mos jetë një alternativë, të mos ekzistojë ideja se Rama mund të zëvendësohet. Në fakt, PD-ja në këto tetë vite ka thënë të vërteta të mëdha që nga trafiku i drogës me avionë, te mbushja e Parlamentit me njerëz të krimit, te korrupsioni me koncesionet, te blerja e zgjedhjeve, te mjerimi dhe shkatërrimi i ligjit, te marrja nën kontroll e gjykatave etj.

    Njerëzit e shohin PD-në si alternativë të vetme dhe askush nuk mendon se PD-ja do të zhduket apo do të kthehet në një parti të vogël apo mesatare të spektrit shqiptar. Rama e di se, sado që të realizojë apo të konsolidojë nëntë tiparet e para, në qoftë se nuk realizon dot dhe nuk ka sukses me tiparin e dhjetë, ai është i rrezikuar, ai mund të humbë, humbja është gjithnjë shumë pranë. Stephen Walt thotë se, në qoftë se populli nuk e “ha” demonizimin e opozitës që bën qeveria me mjetet dhe njerëzit e saj, atëherë qeveria dhe autoritaristi në krye të saj janë gjithnjë shumë pranë humbjes.

    Shqipëria është në këtë pikë, në pikën kur Rama ka pasur sukses të plotë me konsolidimin e nëntë tipareve. Me pushtetin e atyre nëntë tipareve, ai jo vetëm prish teatrin, jo vetëm burgos apo rreh aktorë e gazetarë, por mund të bëjë gjëma shumë më të rënda. “Natyra” e qeverisë së tij është e tillë dhe nuk bën dot më ndryshe. Siç e thamë më lart, pushteti, ashtu si drogat, prodhon një përzierje komplekse motivuesish që përfshijnë qetësimin e vuajtjes, reduktim të vetëdijes dhe eufori.

    Për këtë shkak, shumë njerëz me pushtet i injorojnë efektet mbi veten dhe të tjerët dhe rrisin dozën e tij. Prandaj, nuk ka pse habitet ndokush me blerjet e votave dhe me luftën për ta mpakur ndikimin e manipulimit në zgjedhje, me luftën për të thënë se Rama fitoi normalisht. Tani ka mbetur të mbrohemi vetëm nga mosrealizimi i pikës së dhjetë, që do të ishte fundi i vërtetë.

    Nëse Rama dështon me realizmin e kësaj pike dhe duket se nuk ka asnjë shans ta realizojë, atëherë fundi i tij është i pashmangshëm. Mund të zgjasë, do të zgjasë, do të shkaktojë shumë dhimbje te njerëzit, por nuk shmanget. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Appledore, fshati që fsheh një tjetër fshat brenda tij

    Lajmi i rradhës

    SASHK paralajmëron grevë për shkak të mospagesës shtesë të mësimdhënësve për punën jashtë orarit

    Lajme tjera

    Mos e ndal ëndrrën!

    Gjergj Meta Shqipëria që duam dhe ëndërrojmë, nuk do të jetë ndoshta asnjëherë e përsosur ashtu si në…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë