Rendja për pushtet, rendja për drejtësi apo paanësi!

    Mislim Zendeli

    Mislim Zendeli

    Bazuar në kushtetutën e SHBA e cila fillon me fjalët: “Njerëzit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të formuar Bashkim sa më të shkëlqyer deklarojmë dhe zbatojmë këtë Kushtetutë”. Kjo kushtetutë ka funksionuar si një orkestër pa pretendime të përfaqësojë asgjë dhe ka bërë që shumë njerëz të veprojnë të bashkërenduar. Pra kushtetuta në SHBA dhe gjetiu përfshirë edhe këtë “tonën” është një sajesë ligjore që siguron mekanizma për të arritur  marrëveshje për të përmirësuar dhe rregulluar padrejtësitë. Ndërkaq të gjitha sistemet politike e partiake bazohen në trillime dhe shtirje.

    E mora si shembull Kushtetutën e SHBA-së si më e përsosura në zgjidhjen e çështjeve etnike dhe demokratike në mbarë rruzullin tokësor e dua të dal te realiteti jonë politik i ditëve të sotshme. Lexojmë dhe dëgjojmë për deklarata dhe letra që dërgohen gjithandej nga eksponentët politik nga tabori i BDI-së për prishjen e gjoja kohezionit ndëretnik, bashkëjetesa e dy popujve më të mëdhenj për nga numri të cilët kanë bashkëjetuar denbabaden, në shtetin e quajtur tani RMV nuk ka të bëjë me atë se cila parti shqiptare është në pushtet, por me keq institucionalizimin e bashkëjetesës në aspekt kushtetues dhe ligjor, që sipas meje në disa raste janë shumë të disfavorshëm për ne shqiptarët që jetojmë dhe veprojmë në këtë vend respektivisht që nuk vlejnë njësoj për të gjithë.

    Dua të them se padrejtësitë, që tani i kërkojnë eksponentët e një partie që ka qenë ne pushtet 20 e sa vjet (!) janë vetëm shfryrje të pakënaqësisë që del nga mosqenia në pushtet. Sipas Weberit, “kush merret me politikë aspiron pushtetin,…politikani kërkon gjithnjë e vazhdimisht ngjitjen drejt pushtetit. Politika, pushteti i saj, konsiston në dominimin e një grupi të vogël njerëzish mbi masën e gjerë të njerëzve të tjerë që janë subjekte indirekte të pushtetit,. Politika, pushteti i saj, konsiston në dominimin e një grupi të vogël njerëzish mbi masën e gjerë të njerëzve të tjerë që janë subjekte indirekte të pushtetit,. Ne terma juridik pushteti mund të përkufizohet si aftësia, dëshira ose autoriteti për të vepruar, që ushtrohet për qëllime personale ose kolektive. Xhorxh Orvel mes tjerash thotë: Pushteti nuk është mjet, pushteti është një fund, ndërkaq objekti i pushtetit është pushteti! Në politikë pushteti publik është përcaktuar nga Raymond Aron: “Dhënia e aftësisë (të njohur legjitime) të një ose disa personave për të vendosur rregulla për të gjithë, për të imponuar të gjithë të respektojnë këto rregulla ose në përfundim të marrin vendime të detyrueshme për të gjithë, në fakt ose në drejtësi”.

    Andaj vajtimi i përfaqësuesve të BDI-së nuk ka të bëjë me brengën për prishjen e kohezionit ndëretnik, siç pretendojnë ata ta paraqesin, por për daljen nga pushteti, pasi të njëjtët  përdorën luftën mjetin e fundit, për të ndryshuar padrejtësitë ndaj shqiptarëve. Në ndërkohë po këta vajtues të tanishëm, lanë shumë probleme të pazgjidhura ndëretnike! Ndryshimet kushtetuese të vitit 2001 u bënë hëpërhë dhe pa strategji të mirëfillta, më pastaj duke u kënaqur me pozitat pushtetare u vazhdua me sjelljen e ligjeve gjysmake apo të disfavorshëm për palën shqiptare dhe….. Tani po çuditemi? Kërkojmë nga opozita e djeshme të shërojë sëmundjet të politikës disadekadëshe?  Andaj e konsideroj si sjellje qyqare politikën e BDI sot, pas dy e më tepër dekadash në pushtet së cilës tani iu ka kujtuar se u prishkan marrëdhëniet ndëretnike dhe këtë për shkak se kjo parti nuk është pushtet. Planet për shfuqizimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ndalimi i identifikimit të përkatësisë etnike në institucionet shtetërore dhe formimi i një shumice qeverisëse pa përfaqësim të drejtë të komuniteteve etnike– sipas udhëheqësve të BDI, se përbëjnë kërcënime serioze për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe të rajonit në tërësi është edhe një trillim i radhës. Mbase shtrohet pyetja pse të njëjtët nuk gjetën modus që çështjet të cilat tani i shtrojnë ata t i fusin nën ombrellën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Kush i emëroi shqiptarët me përqindje? Kush votoi ligjet gjysmake për shumë çështje lidhur me gjuhën, flamurin, shkollimi, përfaqësimi, investimin,……,me një fjalë barazinë etnike? Akëcili nga ne, shqiptarët e Maqedonisë mund të numërojë shumë veprime dekadente në politikën e BDI, por kjo nuk do të thotë se, të qënurit në pushtet i kësaj partie nuk solli dhe punë dhe gjëra të mira. Kuptohet se medalja ka dy anë, por për këto çështje që i shtrohen tani publikut, shtrohet pyetja pse nuk u bënë në kohën kur ata ishin në pushtet! Dhe kjo sipas mendimit tim irriton masën e gjerë e cila megjithatë rezonoi esëll dhe solli ndryshimin e partive në pushtet.

    Për mendimin tim tani faktori politik shqiptar është para një momenti të ri politik, me parlament pothuajse një etnik, për nga numri, që krijon mundësi të veprojë siç ia ka qejfi. Prandaj është më se e nevojshme unitarizmi i faktorit politik shqiptar dhe lënia e zënkave se kusht do ketë pushtet, në i thënkëshin pushtet, dhe marrja me të ardhmen e vendit deri sa kemi dhe pak njerëz këtu. Egzodi dhe ikja jo vetëm e trurit por dhe e fuqisë së re punëtore duhet të jetë brengë më e madhja e jona si shoqëri. Konsideroj se faktori politik shqiptar duhet të ulet bashkë dhe, pa hedhje të fajit sa andej e këndej, të parashtron kërkesa imanente për ndryshimin e ligjeve, e pse jo edhe të Kushtetutës, në drejtim të përmirësimit të gjendjes dhe pozitës së shqiptarëve në trojet e veta aq sa u takojnë dhe popujve të tjerë me të cilët detyrimisht duhet bashkëjetuar. Kur jemi te ndryshimi i mundshëm i kushtetutës, mendoj se duhet si shembull të merret kushtetuta e Belgjikës. Në Belgjikë kushtetuta shtetin e përcakton federal të përbërë nga komunitete dhe rajone. Kjo kushtetutë shquhet për nga zbatimi i sistemit proporcional të ndarjes së vendeve në organin përfaqësues si dhe përfaqësimin e barabartë të bashkësive gjuhësore, frëng, gjerman dhe flaman në Këshillin e Ministrave. Pushteti legjislativ ushtrohet nga përfaqësues dy dhomëshe. Belgjika është një vend demokratik, që do të thotë se qeveria duhet të jetë neutrale. Qeveria e Belgjikës i trajton të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë dhe me të njëjtin respekt, pavarësisht: gjinisë, fesë, ideologjisë, partive politike, orientimit seksual.  

    Këndvështrimi im do të ishte i njëanshëm po qesë nuk apostrofohet edhe qëndrimi i pozitës së tanishme shqiptare në qeverinë e Maqedonisë, e cila nuk duhet të numërojë apo vend e pa vend të merret me lëshimet dhe gabimet e pushteteve të kaluara. Është koha që dhe koalicioni qeveritar shqiptar të merr përgjegjësi në veçanti në përzgjedhjen e kuadrove, dhe të jenë bartës të politikave të gjithmbarshëm në drejtim të realizimit të të drejtave kolektive të etnisë shqiptare. Të ngrejë zërin edhe atëherë kur kjo nuk i shkon për shtati partnerëve të vet qeveritarë dhe mos të lëshojë pe për çështjet esenciale kombëtare. Kjo mbase do të jetë arma më e fortë e tyre në të arrdhmen, në fakt puna dhe veprat flasin e jo gjuha dhe fjalët boshe.

    Për fund duhet shtuar se në këtë mesele pesha kryesore i takon taborrit akademik  i cili duhet të punoj me të gjitha forcat, jo për kapadaisje në sediljet udhëheqëse qeveritare. Ai duhet të jetë promotor në zgjidhjen e problemeve dhe zhvillimit të gjithmbarshëm strategjik të shqiptarëve të RMV-së.

    Lajmi Paraprak

    Lloga: duhet të tregohet pafajësia e Agim Islamit, ai duhet të dëmshpërblehet!

    Lajmi i rradhës

    Qeveria miratoi propozim-buxhetin për vitin 2025

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë