Rezultate apo thjesht ecejake

    LEONIDHA MËRTIRI

    Këto ditë, më 14 dhe 15 qershor, pritet të vijë në Kosovë Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, duke e vazhduar turin e tij në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi. Në muajin e mëparshëm ai ishte i pranishëm në Shqipëri, Serbi dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Burime nga Brukseli bëjnë të njohur se kreu i Këshillit Europian vijon vizitën në këto vende për të biseduar me përfaqësuesit e lartë të tyre rreth marrëdhënieve me Bashkimin Europian. Nisur edhe nga vizita e tij gjatë muajit maj, me sa duket, Michel do të shfrytëzojë rastin, sikurse veproi edhe gjatë atij turi, t’i bëjë më tej reklamë nismës së Presidentit francez, Emmanuel Macron, për të cilën kemi folur në një shkrim të mëparshëm. Fjala është tani për një “transkriptim” të mëtejshëm të kësaj nisme, rreth krijimit të “komunitetit politik europian” apo statusit të “shtetit të asociuar”, që ndalon në fakt zgjerimin e Bashkimit Europian.

    Më 23 qershor do të mblidhet sërish në Bruksel samiti i përbashkët i liderëve të vendeve anëtare të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor. Të gjashta vendet e këtij rajoni janë në faza të ndryshme si kandidatë për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Europian. Mali i Zi dhe Serbia duken më të avancuar, ndërkohë që kjo e fundit është përballë plotësimit të kushtit për njohjen e shtetit të Kosovës. Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që presin prej kohësh fillimin e bisedimeve për anëtarësim, u doli ngërçi i ri: Vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Dhe pas këtyre, krijohet përshtypja, dhe nuk është çudi, që ngërçe të tilla mund të fanepsen dhe më tej. Kosova dhe BosnjëHercegovina janë më mbrapa me këtë proces të rëndësishëm.

    Përkundrejt kësaj, vetëm ecejaket e të dërguarve europianë nuk mbeten në vend. Rezultati…? Përsëri ecejake dhe përsëri kurrfarë progresi. Perspektiva europiane vazhdon të përflitet në këto ecejake. E megjithatë, vonesat e reja rritin zgjatimin e tyre.

    Këto ecejake, dyndur vazhdimisht me inflacion premtimesh, vetëm e kanë zbehur, madje, nënvleftësuar misionin e tyre. Sepse nuk mjafton të pohosh se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE-së dhe prioritet strategjik i tij. As të lësh mënjanë ato probleme që lidhen drejtpërdrejt me të. Në këtë kuadër, nuk mund të ndash nga sa më sipër, për shembull, liberalizimin e vizave për Kosovën, kushtëzuar kjo me dialogun Kosovë-Serbi, arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Duket se bëhet qëllimisht për ta vonuar atë. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që, edhe pse vende me potencial të fuqishëm e kanë mbështetur këtë përballë ndonjë zëri hezitues, nuk kanë shkuar më tutje, veç përsëritjes së pozitivitetit të tyre. Pra, një e drejtë që vazhdon t’u mohohet qytetarëve të Kosovës, edhe pse Komisioni Europian ka konkluduar në plotësimin e kushteve të nevojshme nga Kosova për liberalizimin e vizave.

    Këto dobësi, kjo moskonsekuencë, nuk kanë si të mos u shtrojnë udhën atyre që presin t’i shfrytëzojnë ato për të realizuar qëllimet e tyre të mbrapshta. Nga ana tjetër, ajo çka vihet re është e qartë. Vetë Bashkimi Europian, sikurse është parë, vështirë t’u japë zgjidhje problemeve që preokupojnë rajonin në tërësi. Mjafton ta ndalësh vështrimin në dialogun Kosovë-Serbi. Po në ato parametra nga një periudhë në tjetrën. Po ato ecejake dhe retorika. Pa interesimin amerikan, që kohët e fundit është ndierë më tepër ndaj Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Europian, i lodhur dhe konfuz, pa kohezionin e duhur të anëtarëve të vetë, nuk mund t’i bëjë realitet i vetëm objektivat e ngurosura për vite me radhë e për rrjedhojë, të ketë progres në proceset demokratike të këtyre vendeve dhe gjallërimin e shpresave në zgjerimin e BE-së. Partneriteti mes kësaj të fundit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet më bindësi në normalizimin e marrëdhënieve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, stabilitetin e nevojshëm të rajonit në tërësi. Roli i këtij partneriteti është tepër i njohur tashmë. Ndaj dhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor i besojnë me të drejtë atij. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    ‘Ballkani i Hapur’ | Petrit Vasili: Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në anën e drejtë të historisë, turpi i Ramës

    Lajmi i rradhës

    Një President sedativ

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë