Revolta e mësuesit nuk është rroga, ai është i fyer dhe mos e pështyni më, se po shëmtoheni vetë

    Vjollcë Berisha / Fotografia: Nistori

    Vjollcë Berisha

    Kur Ministria kërcënon se nuk do të ketë rroga për mësimdhënësit në grevë, e shkel me dy këmbë dhe e pështyn dinjitetin e tyre.

    Ministri i “tyre” që do të duhej të ishte mbështetësi kryesor, udhëheqësi, motivuesi, ua përplas në fytyrë mjerimin ku i ka kredhur vetë.

    “Ju s’do të keni rroga, kthehuni në mësim, se do të vdisni urie. Ju kemi në dorë. Ju e dini sa është një shishe vaj, ju e dini si ua kemi shtrenjtuar ekzistencën. Nga e merrni fuqinë?! Revolta nuk hahet. Do të mbeteni pa kafshatën e gojës, pa drita. Do ta humbni edhe krenarinë përpara fëmijëve tuaj kur s’do të keni as bukë të thatë për të mbajtur nën sqetull kur të ktheheni nga greva. Ju jeni rrogëtarë. Ne kemi në dorë jo vetëm ditarin tuaj, por edhe qenien tuaj. Ndërpriteni grevën se s’do të keni gjë prej gjëje. Ju vetëm për rrogë rroni. Ju s’keni nge për gjëra të tjera. As mendjen te mësimi nuk e mbani. Ju jeni frikacakë. Shihni si do të rreshtoheni për një në derë të klasës kur t’ua përmendim paratë. Ju s’meritoni asgjë. Ju duhet të punoni më shumë”. Ky është përkthimi i fjalëpërfjalshëm i kërcënimit me mosdhënie rroge. Në çdo shkronjë të kësaj fjalie kumbon përçmimi. Ai nuk frikëson, as që ka për qëllim të frikësojë, por ai përçmon. Thotë se s’jeni gjë. S’vleni gjë. Rrogëtarë të mjerë!!!

    Është e turpshme se si shteti flet me mësuesit.

    Nuk mjafton vetëm të bësh mesazhe poetike në rrjete sociale për 7 Mars, sikurse nuk mjaftojnë hartimet me shkrim e me një sërë gabimesh gramatikore për të folur se sa i madh na qenka roli i Mësuesit, se si nëse dëshiron ta prishësh një vend, duhet t’i shkatërrosh arsimin. Këto janë përrallisje snobe shumë larg të vërtetës. E vërteta është që kjo qeveri ka qëndrime armiqësore ndaj shkollës. Po të mos ishte e tillë, nuk do ta diskutonte kërkesën e mësuesve për trajtim, për shpërblim, nuk do t’i zhveshte duke ua marrë ditarët nga dora me pretekst digjitalizimi për t’i lënë me fleta evidence të printuara tutje-tëhu nëpër qytet se as printerë nuk kanë nëpër kabinete (po ata as kabinete nuk kanë!), nuk do t’i detyronte të punojnë me programe të vjetruara, nuk do t’i linte larg trajnimeve dhe avancimeve profesionale, larg këshilluesve pedagogjikë; nuk do t’i linte me libra fyes, me plot gabime gjuhësore e shkencore, nuk do t’u linte në dorë libra pa kopertina, pa fleta, që janë shtypur te miqtë e ngushtë të pushtetit e që janë sfilitur nga përdorimi prej gjenerate në gjeneratë, edhe atë në kohën e internetit, në kohën kur leximi është në krizë, në kohën kur duhet mund i veçantë për ta mbajtur dashurinë e të riut ndaj librit, kur libri jo vetëm që s’duhet të jetë si i dalë nga lufta, por duhet të jetë edhe atraktiv dhe në përputhje me kërkesat, shijet dhe dëshirat e nxënësve…

    Shkolla nuk e ka aleate Qeverinë. Prandaj gjithnjë e më shumë po rrallohen fëmijët që duan të bëhen mësues, prandaj gjithnjë e më shumë po tëhuajësohen gjimnazistët ndaj drejtimeve pedagogjike, përditë po reduktohet numri i studentëve në drejtimet e mësuesisë. Askush nuk dëshiron të jetë i fyer, të mos jetë i vlerësuar për punën që bën. Askush s’pranon t’ia rënosh natën atë që e ka bërë tërë ditën.

    Revolta e mësuesit nuk është rroga. Ai është i fyer dhe mos e pështyni më, se po shëmtoheni vetë.

    Lajmi Paraprak

    Pushteti nuk është mënyrë, por fund

    Lajmi i rradhës

    Gjykata e Londrës lëshon urdhrin për ekstradimin e Assange në Shtetet e Bashkuara

    Lajme tjera

    Sytë e lagur

    EDISON YPI M’u lagën sytë. O Zot ç’më gjet’. Pse ndodhi? Nga më erdhi? Çfarë të bëj? Nga…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë