GËZIM TUSHI
Si të gjithë revolucionet, në kuptimin e ndryshimeve të thella politike, sociale e kulturore, edhe “revolucioni unit” dhe ridimensionimi human i personalitetit të njeriut, tek ne erdhi shumë më vonë se sa kishte ndodhur ky proces në shoqëritë europiane dhe euroatlantike. Ata zhvilluan dhe përjetuan pasojat kontroversale, pozitive dhe negative njëkohësisht në mesin e shekullit të kaluar. Kohë shumë e errët për shoqërinë tonë, e ndërtuar dhe bazuar tek “njeriu i ri”, si qenie ideologjikisht e indoktrinuar, thjesht si “qenie sociale” dhe forcë prodhuese, sipas formatit dhe kornizës marksiste.
Ne jetuam për një kohë të gjatë epokën e errët, nën efektet anestezuese e degraduese të ideologjisë komuniste, kur “vendosnin strukturat politike e sociale dhe jo njeriu”. Njeriu i kësaj periudhe përballë tyre, ishte thjesht “asgjë”. Për fat të keq, ne nuk jemi marrë sa duhet me këtë problem ose i kemi qëndruar anash, duke e konsideruar atë një “patate të nxehtë” të modernitetit. Në mënyrë periferike kësaj teme i ka qëndruar edhe mendimi sociologjik dhe politologjik. Kjo anomali teorike, me ndikime praktike nuk është normale. Përballë këtij problemi nuk mund të qëndrojmë indiferentë as teorikisht as në jetën praktike e marrëdhëniet sociale empirike.
Por edhe pse me “vonesë faze” në raport me të tjerët, zhvillimet në këto tri dekada e gjysmë kanë qenë shumë të shpejta, të vrullshme, dinamike, duke përmbushur parametrat e “revolucionit të unit” që solli njëkohësisht strukturën e shoqërisë postmoderne dhe në të njëjtën kohë edhe fundin e kohës së paternalizmizmit social si shprehje e njohur e “tiranisë sociale”, apo e strukturës sociale, në të cilën pasionet kolektive ishin mbivendosur në mënyrë agresive mbi pasionet e “unit” individual, duke kapërcyer nga shoqëria me dimension total, në atë postmoderne dhe me dimension të qartë individual. Ishte padyshim “revolucion social”, madje Vaclav Havel, e konsideron “revolucion të gjerë ekzistencial”, që solli “shndërrim moral”, kthim politik te “njeriu konkret”, kalim nga shoqëria totale dhe hierarkike, në shoqërinë moderne pa dimensione deterministe, me tipare individualiste, qytetare, pa strukturime klasore, duke u kthyer në faktor me rëndësi për “rindërtimin moral të lidhjeve personale dhe marrëdhënieve të brendshme me njeriun e vërtetë dhe shoqërinë.
Ne duhet të merremi me këtë çështje, qoftë me anën e ndritur e problemit, në mënyrë që shoqërisë t’i injektojmë kulturën e perceptimit të saktë të këtij “revolucioni”, i cili në esencë ka të bëjë me atë që Anthony Giddens e quan “zbulim apo njohje e vetes”, të cilin ai e konsideron “projekt që përfshihet drejtpërdrejt me refleksivitetin e modernitetit”. A. Giddens “Pasojat e modernitetit” f .123. Pyetja që mund të bëhet është: A ka kufi për “revolucionin e ‘unit”? Deri ku është kufiri human i “unit dhe a ka mundësi që në shoqërinë shqiptare, tani në epokën postmoderne, të ekzistojë një “normë sociale” e dimensioneve të individualizmit? Apo përmasat e “unit do vazhdojnë të zgjerohen në mënyrë eruptive, jashtë çdo norme humane e kufiri social, duke favorizuar shkallën sipërore të patologjisë së ultra individualizmit, i cili sikurse duket në shoqërinë tonë, është bërë njëri nga faktorët socialë, ndoshta më determinanti që rrezikon të na sjellë “shoqërisë së segmentuar”?
Sa e mundur është sot në kushtet kur jetojmë në situata të integruara të postmodernitetit, të një shoqërie, e cila sikurse thekson filozofi Cesllav Millosh (“Mendja e robëruar”, f. 24-25) “nuk ka më sistem të njëtrajtshëm mendimi”, aftësia e njeriut që të njohë vetveten, “unin” e tij, si kusht për të ndërtuar raporte humane midis kufirit të lirisë individuale dhe synimeve të përbashkëta me natyrë sociale? A nuk ju duket sikur ky “revolucion” i “unit” po shndërrohet në një “kundërevolucion”, që po sjell dobësimin e pandërprerë të lidhjeve njerëzore, copëtimin e mekanizmave dhe amortizatorëve të jetës dhe strukturave sociale? Padyshim ka një marramendje metafizike për të kuptuar realitetet e reja të njeriut tonë, i cili në mënyrë të pashmangshme ndodhet përballë me dilemat apo paqartësitë e kuptimit të raporteve midis revolucionit të “unit”, nga njëra anë dhe kuptimit të domethënies sociale të jetës. Në trajtimin teorik, ky problem i raporteve të individit me veten, “unin” dhe institucionet e jetës sociale është trajtuar historikisht, duke filluar nga koncepti i “njeriut ideal” të Kantit, deri te njeriu postmodern, egoist dhe i mbyllur në guaskën e vetes. Sado moderne dhe narciziste të duken rezultatet e revolucionit të “unit”, efektet sociologjikisht progresive, të kompaktësuara si shoqëri, duket se kapërcimi i “kufirit” të “unit”, po e bën jetën e individit lineare, me kuptim personal të kufizuar, të deformuar dhe përgjithësisht monotone.
Padyshim, ka tregues sasiorë dhe cilësorë, sintetikë e sinkretikë në shoqërinë e sotme shqiptare, që tregojnë se “revolucioni i ‘unit’” nuk është me ndikim social periferik, por një fenomen social universal, i transplantuar plotësisht në “trupin social” të shoqërisë sonë. Në mënyrë të sigurt, si asnjëherë më parë në historinë e shoqërisë shqiptare, nuk ka ekzistuar situata, në të cilin individi, “uni” i tij është bërë pjesa më thelbësore e strukturës së jetës shoqërore. Kjo tendencë është faktori pse shoqërisë shqiptare kanë filluar t’i prishen ekuilibrat, “amortizatorët” socialë, që rregullojnë raportet e “unit” individual me nevojat e përbashkëta të shoqërisë si kusht për sigurimin e të mirës sociale. Sado individualist të bëhet njeriu, sado të zmadhohen përmasat e “unit”, e ardhmja e shoqërisë sonë pa diskutim do të ketë një përmasë sociale, që nuk varet vetëm nga individi dhe “uni” i tij, por edhe nga njerëz të “tjerë”, që janë gjithnjë “përtej vetes”. Kjo e vërtetë duhet njohur, sepse sikurse ndihet, kjo tendencë e ekzagjerimit të “unit”, individualizmit ekstrem ka sjellë në të njëjtën kohë kënaqësi e shpresa, por edhe frikëra e pasiguri.
Kjo pikëpamje e njëanshme me natyrë “atomistike” nuk është deri në fund realiste, sepse në jetën shoqërore ka të mira që janë personale, në shërbim të kënaqësive të personalizuara të “unit”, por ka edhe të mira sociale që janë të përbashkëta. Është e vërtetë që teza bazë e konceptit të jetës liberale, e formuluar bukur nga etërit e saj (Adam Smith) se, “çdo individ teksa ndjek qëllimet e veta personale, e ndihmon shoqërinë në tërësi në mënyrë efikase”. Tashmë jemi plotësisht të integruar në një shoqëri në të cilën filozofia sunduese është jo vetëm “rivlerësimi”, por në shumë aspekte edhe “mbivlerësimi” i “unit” të njeriut, sepse “…kënaqësia individuale është njësia me të cilin duhet të maten kostot dhe përfitimet” (Daniel Bell). Filozofikisht është e dukshme tendenca e së ardhmes dhe prirja e theksuar që ajo të “jetohet në mënyrë individuale”. Kjo epokë ka “markën” e saj në raportet individ-shoqëri, të cilën fare bukur e ka sintetizuar filozofja Hanah Arendt, si shfaqje e bujshme e “mentalitetit social i të përveçmes”. Por nga ana tjetër, duket qartë se mbivlerësimi i autonomisë së vetes në raport me të tjerët dhe shoqërinë ka dëmtuar themelet e “solidaritetit të dikurshëm” dhe ka marrë këtë drejtim për shumë arsye materiale, sociale, e psikologjike.
Padyshim është zgjerimi i ndjenjës së pasigurisë shoqërore, mungesa e besimit social, zbehja e strukturave komunitare, hollimi i instrumenteve të miqësisë, fqinjësisë dhe solidaritetit human, që janë faktor me peshë determinante për nxitjen dhe hipertrofizimin e “unit” në përmasa anormale, patologjike. Kjo pasiguri sikurse thotë sociologu z. Bauman, “…frymëzon një perceptim të botës përqark si një agregat produktesh për konsum të menjëhershëm”. Sipas tij, nëse njeriu mbyllet brenda kornizave të ngushta të “unit” personal dhe e percepton jetën shoqërore të reduktuar në një “pishinë konsumi, kjo e bën jashtëzakonisht të vështirë negocimin e lidhjeve jetëgjata njerëzore”. Zygmunt Bauman “Moderniteti i lëngët”, f. 227. Po si do mund të zgjidhet ky ekuacion, të cilin sociologët për shkak të natyrës sinkretike e konsiderojnë si problem me karakter bipolar” (Marc Ague), cili është kuptimi i raporteve midis individit dhe shoqërisë apo “unit” dhe tjetrit në shoqërinë e sotme.
E pamundur të imagjinohet që me gjithë prirjen dominante e të pakthyeshme të individualizmit, të mos ekzistojë një lloj solidariteti midis tyre. E kanë gabim ata që mendojnë se kjo është koha e “njeriut vetmitar” dhe se një e ardhme pa solidaritet social, pa lidhjet me “tjetrin” është individualisht destruktive dhe shoqërisht e papërballueshme. Është shqetësim social fakti që po shtohen njerëzit me un të ekzagjeruar që kanë prirje subjektive të “burgosen” në subjektivitetin e tyre. Sepse tashmë shoqëria është në një situatë ekzistenciale, kur “…është e kotë të fshehim që gjendemi në një periudhë të një shpërbërjeje pak a shumë të theksuar të strukturave sociale, struktura që ndër të tjera, që prej kohësh kanë paraqitur një karakter jo dhe aq tradicional në kuptimin më të rreptë të fjalës. Madje, “…midis proceseve që kanë çuar ose po çojnë në këtë shpërbërje, disa duhen çmuar të pakthyeshëm”. Julius Evola Metafizika e seksit f 557. Nga ana tjetër, duhet frenuar edhe shpresa supersociale e kolektiviste e disa njerëzve konservatorë, të cilët duhet ta vlerësojnë “revolucionin e “unit”, sepse nëse zmadhojmë tendencën e nënshtrimit të këtij “uni” plotësisht në emër të kolektivit apo shoqërisë, ky sikurse thonë sociologët është rikthim në totalitarizëm. Këto janë “mitet” e shoqërisë sonë të së kaluarës, e cila për fat të mirë është përmbysur përfundimisht.
Tani jemi duke ecur në shinat e një shoqërie të re, liberale e postmoderne, në të cilën kanë ndryshuar raportet e njeriut me shoqërinë, ekuacioni i njohur i orientimit dhe drejtimit të njeriut më së shumti nga vetja dhe nga “brenda” tij se sa nga të “tjerët”. Që në kohën e tij, Hegeli i madh ka dhënë një zgjidhje inteligjente, që më duket se është aktuale edhe për kohën e sotme. Sipas tij, “asnjë qenie njerëzore nuk mund të jetë me të vërtetë i “drejtuar nga brenda”, madje njeriu as që mund të jetë qenie njerëzore, pa ndërvepruar me qeniet e tjera njerëzore dhe pa u pranuar nga ata”. Francis Fukuyama, “Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit”, f 384. Besoj se është e kuptueshme, e ndjeshme dhe aktuale nevoja që “revolucioni” unit në shoqërinë tonë duhet të progresojë, duke mbajtur nën kontroll anominë dhe çrregullimet sociale, që janë bërë patologji, prirje endemike.
Natyrisht ka një arsye ontologjike që e shpjegon këtë tendencë, e cila nxit përpjekjen e individit për vetëzhvillim, për shkak të prishjes së strukturave tradicionale që krijonin kohezion mekanik, duke krijuar njeriun e strukturuar brenda vetes, me tipare narcistike, hedonistike dhe tejet egoiste. Unë mendoj se ka edhe një arsye politike që nxit eksentrizmin e njeriut egoist, përtej parametrave të “revolucionit” të unit. Kjo sikurse arsyeton sociologu Anthony Giddens, lidhet me faktin e “përjashtimit të shumicës nga hapësira në të cilën merren vendimet dhe përmirësohen politikat, çon në përqendrim mbi veten…” A. Giddens, “Pasojat e modernitetit”, f 123. Si konkluzion për rregullimin i raporteve midis shoqërisë dhe individit, për të shmangur anominë dhe ekstentrizmin individual, është e nevojshme një disiplinë morale e sociale. “Në të kundërt nuk mbetet asgjë përveç orekseve individuale dhe meqenëse këto nga natyra janë të pakufishme dhe të pangopura, nuk do të jenë në gjendje të vetëkontrollohen, nëse nuk ka asgjë për t’i mbajtur nën kontroll”. Daniel Bell, “Ardhja e shoqërisë postindustriale”, f. 516. /Panorama/