Si u anatemua profesoresha Maleska për një pëlqim në Fejsbuk?

    Si u bë lajm i një medie me politike editoriale kritike ndaj pushtetit një pëlqim në Fejsbuk i profesoreshës së njohur, Mirjana Maleska? Çfarë dëshmon praktika e anatemimit të njerëzve për një “like” në rrjet social? A është liri e shprehjes apo “liri” për të frikësuar ata që mendojnë ndryshe? A vërehen tendenca të njëmendësisë në sistemin e Maqedonisë së Veriut, i cili mëton të jetë plural dhe demokratik?

    Shkruan: Arta Tahiri

    Është bërë praktikë e përditshme që gazetarët në vend që lajmin ta kërkojnë dhe ta gjejnë në terren, atë e gjurmojnë në rrjetet sociale, duke publikuar statuse të personave të ndryshëm në Fejsbuk, ndonjëherë madje edhe komente në postime!

    Këtyre ditëve pragu i publikimit nga rrjetet sociale u tejkalua, meqë një pëlqim në rrjetin social Fejsbuk u bë lajm për një klik më shumë!

    Ме të vërtetë pëlqimi i profesoreshës së nderuar, Mirjana Maleska u bë lajm në portalin Expres.mk. Lajmi mban titullin “Profesores Maleska i pëlqen kur akademikja Qullavkova duron fyerje jonjerëzore dhe mizogjene“.

    Bëhet fjalë për një pëlqim ndaj postimit të gazetarit Branko Triçkovski, i cili kritikonte qëndrimet e akademikes Katica Qullavkova që shpeshherë shpreh vështrime etnonacionaliste, e cila doli në krah të Kishës Ortodokse Maqedonase në protestën kundër Ligjit për barazi gjinore. Pa mbrojtur aspak qëndrimet që janë diskriminuese apo stereotipizuese mbi baza të ndryshme, dhe me gjithë faktin që media, cilado qoftë ajo, ka lirinë e saj të raportojë si të dojë, kjo mënyrë e raportimit kujton periudhat e errëta të censurës komuniste, kur “komisarët” politik (disa të instaluar edhe në media) ndiqnin kush me kë bisedon!

    Vetë profesoresha Mirjana Maleska në Fejsbuk ka reaguar ndaj shkrimit portalesk:

    Çfarë derti keni ku kam vënë pëlqim? Dëshironi që t’i frikësoni njerëzit, kjo është e qartë. Nuk jam e detyruar, por, për shkak të lexuesve, do tu them pse:

    Nuk më pëlqen shoqëria juaj. Veçanërisht, qëndrimet tuaja ekskluziviste politike, të cilat i konsideroj vdekjeprurëse- edhe atë me vendosmëri për vendin.

    Edhe oportunizmi juaj, i cili u solli komoditet që të kërcënoni, të zhbironi gjithandej, ndërsa disa prej jush morrët funksione, privilegje, vend në akademi, në organizatën rinore dhe partiake etj. Nuk u bie ndërmend se dikush ka paguar çmim për lirinë tuaj të shprehjes, se ka pasur guxim të shikojë më larg se sa ju?

    Katica, sa e kuptova unë Triçkovskin, simbolizon një politikë e cila luan me zjarr.

    Një shkurtpamje izoluese, e shprehur përmes krahut – nuk na duhet Evropa me çdo çmim!!!

    Nëse mua më pyesni, na duhet edhe atë me çdo çmim, edhe që nesër nëse mundemi!

    Në epokën, kur teknologjia mundëson liri më të madhe të shprehjes, meqë hapësira komunikuese për mendime dhe ide është tepër e madhe, ka njerëz, madje edhe gazetarë, që gjykojnë mendimet dhe integritetin e tjetrit, bazuar në një status në rrjetet sociale, në një koment në ndonjë status ose edhe nga një “like” apo reagim me emotikon!

    Liria e shprehjes është vlerë themelore e demokracisë dhe secili zgjedh se si e shfaq qëndrimin apo këndvështrimin e tij mbi çështjet shoqërore, andaj tentimet për të ngulfatur lirinë janë strategji e atyre që mendojnë se të gjithë duhet të mendojnë njësoj. Një lloj “komunizmi në pluralizëm demokratik”, edhe pse njëmendësia duhet të jetë e kaluar e historisë.

    Media, nëse vlerëson editorialisht se qëndrimi i dikujt është fyes apo shpifës për ndonjë person tjetër, atij duhet t’i mundësojë hapësirë për të shprehur mendimin, por edhe autorit të shkrimit për t’u shpjeguar, kuptohet – nëse pranon. Ky portal nuk ka pyetur as autorin, as autorin e pëlqimit e as personin e apostrofuar në statusin e Fejsbukut.

    Të raportosh se kush bën like, është “risi” e  epokës digjitale dhe praktikë e mediave, që nuk zgjedhin mjete në vrap pas klikimeve. Por anatemimi dhe denigrimi i një personaliteti për shkak të vendosjes së pëlqimit në një postim tejkalon gazetarinë profesionale dhe etike! Kjo pasi pëlqimi mund të bëhet duke respektuar autorin dhe shpesh, nga pakujdesia, mund të bëhet edhe pa lexuar përmbajtjen.

    Shembulli i apostrofuar dhe shembujt tjerë të panumërt në media të ndryshme ngrenë alarmin që mediat duhet të jenë më të kujdesshme në përzgjedhjen e lajmeve që ua ofrojnë publikut dhe nuk duhet të nisen gjithmonë nga interesi komercial që ua sjellin klikimet, pasi duhet të bëjnë balancim me interesin publik.

    Publiku, në anën tjetër, duhet të jetë i vëmendshëm që të mos besojë gjithçka çfarë i servohet nga mediat dhe nuk duhet të shpërndajë në rrjetet sociale çdo përmbajtje informative që i del para. Është shumë me rëndësi që së pari ta analizojë dhe të mendojë dy herë se vallë e njëjta është informatë me vlerë ose interes publik ose mund të jetë dezinformatë manipuluese me qëllime të ndryshme: politike – propaganduese, partiake – ideologjike, ekonomike, komerciale – reklamuese, religjioze ose personale. /IMA/

    (Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

    Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi Paraprak

    “Çmimi i grurit do rritet”, FMN: Lufta në Ukrainë do të ndikojë në gjithë botën

    Lajmi i rradhës

    Si të hidratohesh shpejt e në mënyrën e duhur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë