Një President sedativ

    Foto: A2 CNN

    REDI SHEHU

    Më në fund edhe Presi denti u zgjodh. Ashtu siç edhe thamë më parë, ai u nxor nga kategoria e “njerëzve të humbur” për t’i dhënë legjitimitet pushtetit me konsensus politik të humbur prej kohësh. Nuk kishte asnjë dyshim që maxhoranca do të zgjidhte një President të tipit “sedativ” pa çarje koke politike, duke pasur parasysh eksperiencën e Presidentit të mëparshëm z. Meta. Meqë zgjedhjet e 25 prillit i dhanë Partisë Socialiste të gjithë fuqinë politike për ta zgjedhur Presidentin me një maxhorancë të thjeshtë, ishte afërmendsh që Partia Socialiste nuk do të lejonte këtë shans politik të shpërdorohej. Shtuar këtu edhe faktin se dhuratën më të madhe Edi Rama e ka marrë prej Sali Berishës në vitin 2008, asokohe Kryeministër, me ndryshimet kushtetuese. të cilat hoqën klauzolën që Presidenti do të duhej të zgjidhej vetëm me një maxhorancë të cilësuar, pra, me 84 vota. Këtë favor, në fakt, Berisha ia bëri vetes pas eksperiencës së vështirë me zgjedhjen e Bamir Topit si President, ku iu desh të “blinte” 6 mandate socialiste për të kapur kuorumin, ndryshe rrezikonte të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Pra, për të evituar zgjedhjet e parakohshme, ndryshimet kushtetuese u bënë për t’u garantuar çdo here maxhorancave mundësinë për të zgjedhur Presidentin me një maxhorancë të thjeshtë në raundin e katërt dhe të pestë në Parlament.

    Këtu edhe fillon procedura e vënies në skenë të një akti politik, i cili gjoja merakoset shumë për të arritur konsensusin mes palëve politike. E gjithë procedura e tri raundeve të para të djegura tërësisht, ishte produkt pikërisht i kësaj fuqie politike që buron nga ndryshimet kushtetuese të 2008, të maxhorancave, të cilat kanë mbi 71 deputetë. Por, gjithashtu në djegien e këtyre procedurave ndihmoi edhe fakti i përçarjes së Partisë Demokratike minimalisht në tri fraksione, të cilat nuk arritën të unifikoheshin në një qëndrim politik përballë një maxhorance, e cila tashmë gëzon të gjitha atributet politike të arrogancës. Ishte larg çdo pritshmërie që një maxhorancë e tillë, me së paku 77 deputetë, të mund të pranonte opsionet e opozitës për kandidaturën e Presidentit të Republikës.

    I gjithë debati publik i bërë gjatë gjithë kësaj kohe kishte të bënte me faktin se sa kandidatura e re e Presidentit do të duhej të ishte një zgjatim estetik i politikës së maxhorancës. Sa kjo kandidaturë do të mundej mjeshtërisht të kishte ambalazh opozitar, por thelb maxhoritar. Në fakt, diskutime të tilla nuk u përqendruan në faktin se Kryeministri Rama e kishte bërë të qartë se kandidatura e ardhshme e Presidentit të Republikës do të ishte krejt e kundërta me staturën e Presidentit Meta. Të kesh staturën e kundërt me atë të Presidentit të mëparshëm, do të thotë të bësh krejt të kundërtën me atë që ka bërë Presidenti Meta gjatë mandatit të tij presidencial. Jo se unë kam ndonjë simpati me atë që ka bërë z. Meta me postin e Presidentit, jo aspak, përkundrazi, por ama, për të krijuar atë identikitin e kandidaturës së re, në analizat politike të bëra në sallonet mediatike të Tiranës, do të duhej të kishim parasysh se e kundërta e Metës do të ishte kandidatura e ardhshme.

    Për hir të së vërtetës, në fakt ndodhi ekzaktësisht pikërisht kjo gjë. Një njeri i nderuar si zoti Bajram Begaj, por që gëzon aftësi “sedative” në raport me maxhorancën, duke i premtuar zero probleme asaj, ishte edhe zgjidhja e Kryeministrit Rama, i cili i habiti të gjithë me emrin surprizë, të nxjerrë nga bota e “njerëzve të humbur” Aq thellë qe ruajtur kjo kandidaturë në subkoshiencën e kreut të maxhorancës, sa edhe figurat e Partisë Socialiste u dukën të çuditura me “faktin e kryer”. Në fakt, zoti Rama ka pas deklaruar para disa kohësh se ai ndihej i vetmuar aty lart në majën e piramidës dhe se pjesa tjetër e strukturës së pushtetit socialist, e cila varej poshtë tij, kishte krijuar një distancë të madhe ndijore me të. Kështu, në vetminë e madhe të tij, Kryeministri Rama vendosi që askush të mund të kishte mundësinë dhe njohurinë për përzgjedhjen e tij, sepse përndryshe një lajm i tillë do të kishte rrjedhur deri te megafonët e mediave.

    Gjithsesi, ne kemi një President të votuar tashmë, i cili vjen nga karriera ushtarake. Pra, po ashtu siç e kemi thënë, përveç se do të duhej të dinte t’i jepte mirë timonit, po ashtu do të duhej të kishte edhe “patentë” ndërkombëtare. Në fakt, ish-gjeneral major Begaj ishte kandidatura, e cila gjeti menjëherë mbështetjen ndërkombëtare edhe për shkak të eksperiencës së tij në kuadrin e bashkëpunimit të NATO-s, por edhe me shërbimet partnere. Në këtë formë, Kryeministri Rama plotësoi kushtet partiake dhe ato ndërkombëtare, duke gjetur njeriun e duhur sipas vizionit që socialistët kanë për Presidentin.

    Në gjithë këtë proces, ajo që habiti ishte zelli i madh i Presidentit në detyrë, Ilir Meta, për të përshpejtuar procedurat e lirimit të gjeneral Begajt nga funksionet ushtarake, duke i hapur rrugë kështu statusit të tij kushtetues për t’u zgjedhur President. Ato ditë, z. Meta ndodhej në një vizitë zyrtare në Stamboll i angazhuar për të takuar krerët e opozitës turke. Kjo vizitë vinte në rrezik djegien e raundit të katërt të zgjedhjes së Presidentit, sepse firmosja e lirimit për z. Begaj bëhet nga Presidenti i Republikës në territor shqiptar, siç edhe Kushtetuta e parashikon. Z. Meta kishte të gjithë mundësinë për të penguar raundin e katërt me pretekstin se ai ndodhej jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për pasojë funksionet e tij ishin nul. Por jo, nuk ndodhi aspak ashtu, ai zgjodhi ambientet e konsullatës shqiptare në Stamboll, e cila konsiderohet territor shqiptar, për të kryer aktin dhe për t’i hapur rrugë zgjedhjes se Presidentit të ri. E gjithë kjo në një atmosferë acide ku kryetari i PDsë, Berisha, gjëmonte nëpër media duke thënë se akti ishte antikushtetues dhe se për pasojë zgjedhja do të ishte e pavlefshme.

    Në horizont u duk njëfarë kontestimi mes deklaratave të z. Berisha dhe veprimeve të z.Meta. Shumë menduan se një krisje mes tyre sapo ka filluar, disa të tjerë thonë se kjo nuk e prish aktin e aleancës me tyre. Çështja bëhet krejt interesante kur mendon se ambasadorja amerikane në Tiranë, Kim, është shfaqur disa herë kohët e fundit në publik me z. Meta, një kundërshtar publik i fortë i saj. A mos ndoshta amerikanët duan të vendosin pyka mes dyshes Berisha-Meta, me qëllim dobësimin dhe izolimin e mëtejshëm të z. Berisha? Kjo ngelet për t’u parë. Ajo që ka rëndësi është se politikisht ne ndodhemi tashmë ne një situatë politike, ku maxhoranca ka zhbërë literalisht fuqinë politike të opozitës duke e lënë atë vetëm si narrative. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Rezultate apo thjesht ecejake

    Lajmi i rradhës

    Të mbrohet universiteti nga tirania e tregut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë