Rinia nuk e do rikthimin e telave me gjemba, e do lirinë që nuk ia kemi dhënë dot!

    Artan Fuga

    Sa keq dhe sa trishtim ndjeva kur pashë të dielën z. Lulzim Basha që firmoste në shesh një ide që e konsideroj si inerci e luftës së ftohtë dhe e mendësive të vitit 1990: Midis të tjerave firmoste që për të kaluarën totalitare duhet me ligj të ndalohet çdo debat i lirë, çdo shprehje e lirë mendimesh, përvojash, përjetimesh!

    Ajo firmë nuk ka asgjë të bëjë me lirinë e fjalës, me dialogun e lirë mes qytetarëve. Nuk mund të vendosësh me ligj se çfarë idesh dhe kujtimesh qarkullojnë mbi të kaluarën komuniste, naziste, fashiste, monarkiste, demokratike të historisë të Shqipërisë.

    Unë e kam ditur se në ish partinë demokratike ka një tharm lirie dhe liberal! Por, isha në zhgënjim atë mëngjes të diele!

    Padyshim që shoqëria jonë duhet të ndahet vendosmërisht nga përvojat e trishta të stalinizmit që e rrënoi Shqipërinë, nga dhuna, shkelja e lirive njerëzore, dënimet politike, persekutimet, e gjithçka që bëri tragjike jetën e një populli.

    Por, idetë, mendimet, kujtimet, përvojat, bindjet nuk ndalohen me ligj. Aq më shumë të bëjmë histori dhe tekste historie mbështetur nën dhunën e ligjit!

    As edukimit demokratik nuk do t’i shërbente kjo gjë. Botëkuptimi demokratik është superior ndaj atij totalitar dhe në gjendje debati lirie fiton dhe ka fituar sigurisht mbi të.

    Kush e dyshon këtë? Unë kurrë!

    Censura e ligjit mbi debatin e lirë firmosur atë mëngjes më kujton nenin 55 të agjitacion dhe propagandës!

    Na japin shembullin e denazifikimit gjerman! Paralelizëm historik krejt i pagjetur. Asnjë përvojë historike nuk i ngjan tjetrës!

    Nëse elitat intelektuale dhe artistike nuk janë në gjendje të edukojnë masat dhe rininë me kulturën demokratike, nëse dështojnë në këtë mision, më mirë të largohen dhe t’ia lënë vendin një brezi të ri intelektualësh!

    Unë si profesor komunikimi nuk mundem të pranoj që në vend të dialogut të lirë të kemi një censurë mbështetur në ligj, qofshin edhe mendimet më absurde të kujtdo nuk do të pranoja kurrë të censuroheshin.

    Ndjesë është konflikt interesi, mund të jetë e vlefshme në politikë por jo në deontologjinë e komunikimit!

    Sa trishtim ndjeva kur z. Lulzim Basha nënshkroi një propozim për një ligj censurues ndaj debatit të lirë të ideve!

    Çfarë mosbesimi ndaj njerëzve që nënkuptohet sikur duan të kthejnë kampet e përqendrimit dhe telat me gjemba, ndërkohë që rinia përtej paragjykimeve për të aspiron një liri dhe drejtësi sociale që tragjikisht nuk e ka ende!

    Ndjesë!

    Lajmi Paraprak

    Pagat e 20 trajnerëve të Ligës Premier

    Lajmi i rradhës

    Bashkësitë fetare në Kosovë kundër martesave të gjinisë së njëjtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë