Roli i prodhimit bimor dhe mbrojtjes së bimëve, për një siguri ushqimore dhe mjedis të mbrojtur në Bashkimin Europian

    PROF. DR. ARBEN MYRTA

    Çështjet e bujqësisë të lidhura me sigurinë ushqimore dhe mjedisin janë të një rëndësie të veçantë për opinionin publik, por edhe mjaft të gjera dhe komplekse për t’u trajtuar shkurt dhe çka është më e rëndësishme, duhen trajtuar me të dhëna shkencore dhe ekuilibër profesional, duke shmangur debatet politike apo ideologjike, që shpesh i shoqërojnë ato në diskutimet publike. Ky më poshtë do të ishte një historik i shkurtër i mbrojtjes së bimëve dhe prodhimit bimor në vendet e BE-së, për të parë së bashku evolucionin e tyre në vite dhe ç’është më e rëndësishme, duke hedhur një shikim edhe në të ardhmen, ajo që i intereson më tepër lexuesit, se edhe Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së.

    Rëndësia e mbrojtjes së bimëve në prodhimin bimor

    Prodhimi bimor në shkallë botërore akoma sot, në fillimet e shekullit XXI, pëson humbje nga parazitët e ndryshëm (dëmtues, sëmundje apo barëra të egra) në rreth 40% të potencialit të tij (FAO). Kuptohet që kjo shifër është më e lartë në vendet e varfra apo në zhvillim, duke krijuar një deficit ushqimor të madh për popullsitë lokale. Në raste të veçanta (vite, kultura bujqësore apo parazitë të veçantë) dëmi në prodhim mund të shkojë deri në shkatërrimin total të tij, edhe kjo mund të ndodhë edhe në vende me bujqësi të zhvilluar. Shembulli më i zymtë i një fatkeqësie të shoqërisë njerëzore nga (mos)mbrojtja e bimëve është ‘zia e bukës’ në Irlandën e mes shekullit XIX, ku vdiqën nga uria afro një milion veta, ndërkohë që u detyruan të emigrojnë jashtë vendit afro një milion të tjerë. Kjo ndodhi nga sëmundja e panjohur për kohën, ajo e ‘vrugut të patates’, e cila shkatërroi plotësisht prodhimin e patates që përbënte ‘bukën’ e irlandezëve. Pra, është një rast në historinë e kontinentit tonë në të kaluarën, ku një sëmundje e bimëve i kapërceu kufijtë e bujqësisë, për t’u kthyer në impakt të gjerë social dhe historik, me emigracionin e detyruar të këtij populli për bukën e gojës. Nga ana tjetër, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për një rritje të madhe të numrit të banorëve të globit, sidomos gjatë shekullit të kaluar. Në fillim të viteve 1800 ishim afro 1 miliard, në fillimet e viteve 1900 afro 2.5 miliardë gojë për t’u ushqyer, ndërkohë që tani numërojmë jo më pak se 8 miliardë. Këto numra të lartë, që së bashku edhe me ndryshimet klimatike të dekadave të fundit, kanë sjellë sfida të reja për pavarësinë ushqimore në shkallë botërore. Sipas të dhënave të FAO-s, afro 735 milionë veta kanë provuar urinë në vitin 2022 në shkallë botërore, ndërkohë që afro 2.4 miliardë janë përballur me pasigurinë ushqimore në format e saj të ashpra. Pra, në këto kushte globale të rritjes së nevojave për ushqim, kuptohet qartë se mbrojtjes së bimëve i takon të bëjë më të mirën për të zvogëluar humbjet e prodhimit nga parazitët e bimëve. Edhe për këto arsye, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) vendosi që ta shpallë vitin 2020 si vitin ndërkombëtar të shëndetit të bimëve duke u përpjekur me veprimtari të ndryshme të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e tyre në jetën tonë, të para si pjesë e biodiversitetit më të gjerë, si prodhues të oksigjenit dhe si ushqim për njerëzit dhe kafshët. Së fundi kemi edhe zhvillime më të reja në konceptim, me formulimin më të ri ‘Një shëndet’ (One Health) ku modeli sanitar i së ardhmes shihet si integrim i shëndetit të njerëzve, atij të kafshëve dhe të shëndetit më gjerë të ekosistemit, të lidhura ngushtë njëri me tjetrin. Sigurisht që përvoja e pandemisë COVID-19, veç telasheve dhe kostos së lartë, na la edhe mësime të vyera, siç është edhe ky i mësipërmi. Meqë zhvillimi i bujqësisë në çdo vend fillon nga politikat që formulohen dhe ndiqen për të, po e filloj edhe unë tregimin dhe/ose analizën e mëposhtme në të njëjtën mënyrë edhe për BE-në.

    Shkurtimisht disa fjalë për politikat bujqësore në BE

    BE që në fillimet e saj (1962), në formën e saj organizative të atyre viteve, formuloi dhe filloi zbatimin e Politikës Bujqësore të Përbashkët (Common Agricultural Policy – CAP). Common agricultural policy – European Commission (europa.eu). Kjo ishte një marrëveshje politike midis bujqësisë dhe shoqërisë, midis Europës dhe fermerëve të saj duke synuar të siguronte prodhime agroushqimore me çmime të arsyeshme për konsumatorët e saj, por duke iu krijuar standarde jetese të pranueshme edhe fermerëve. Duke e pasur zanafillën që në vitet e para të pasluftës së II-të Botërore, kur në Europë mbizotëronte shkatërrimi dhe uria, CAP synoi në fillim zhvillimin e prodhimit bujqësor për të luftuar urinë në kontinent. Ndër vite, CAP sigurisht që ka pësuar ndryshime të lidhura këto me periudhën historike, me ndryshimet e tregjeve, të kërkesave të konsumatorëve, ndryshimet klimatike si dhe më vonë me nevojat për një bujqësi të qëndrueshme. Falë kësaj pakete politikash për bujqësinë në 60 vite, në vendet e BE-së nuk ka pasur asnjëherë rrezik mungese ushqimi, duke futur këtu edhe dy periudhat stresuese të viteve të fundit si atë të pandemisë COVID-19 dhe të luftës në Ukrainë, që sollën çrregullime të mëdha në tregun botëror. CAP që është në zbatim aktualisht për periudhën 2023- 2027 synon një model bujqësor më të qëndrueshëm nëpërmjet mbështetjes apo nxitjes financiare të fermerëve për të tejkaluar praktikat bujqësore të detyrueshme që favorizojnë klimën dhe mjedisin.

    Siguria ushqimore dhe monitorimi i mbetjeve në BE

    BE dhe vendet anëtare bëjnë kontrolle të rregullta e të përvitshme për mbetjet kimike në prodhimet bimore apo ushqimet. Këto kontrolle rregullohen me ligj nëpërmjet Rregullores (EC) 396/2005 për më shumë se 1300 lëndë aktive, për 378 kultura bujqësore ose grupe të tyre. Për këtë qëllim janë aprovuar edhe nivelet maksimale të mbetjeve të lejuara (MRL – Maximum Residue Level) për lëndët aktive në prodhimet e ndryshme. Të dhënat e monitorimit më pas publikohen nga EFSA (European Food Safety Agency), apo nga vetë autoritetet e vendeve të ndryshme nga janë marrë mostrat dhe gjenden ‘online’. Analiza për mbetjet në prodhime bimore bëhen edhe nga shumë subjekte private për qëllime të ndryshme (kërkimi shkencor, tregtimi i prodhimeve bujqësore, kontrolle paralele, etj.) të cilat shpesh bëhen edhe objekt botimi. Edhe pse edhe këto të fundit mund të jenë burime të besueshme, për këtë artikull e gjej më të drejtë t’u referohemi të dhënave zyrtare të BE-së, që nga metodologjia e përdorur, janë të konsoliduara në vite. Të dhënat e fundit të mbetjeve, të disponueshme ‘online’ nga EFSA janë ato të vitit 2021 “The 2021 European Union report on pesticide residues in food EFSA (europa.eu”). Të dhënat konfirmojnë tendencën e konsoliduar tashmë të viteve të kaluara. Në mostrat e këtij viti, të marra nga programi komunitar, 96.1% e totalit të testuar që përbëhet nga 87.863 mostra rezultuan pa mbetje mbi nivelet e lejuara me ligj (MRL), ndërkohë vetëm 3.9% e tyre rezultuan me mbetje mbi nivelet e lejuara. Të dhënat e studimit tregojnë, edhe në vite, se tregu i BE është dhe mbetet një nga zonat më të sigurta në nivel botëror për ushqimet e popullsisë. Megjithatë, vitet e fundit po u vihet vëmendje e veçantë prodhimeve bimore të importuara nga vende të treta, ku niveli i mbetjeve të gjetura është disa herë më i lartë se në prodhimet e vendeve të BE-së

    Rezultatet e programi i monitorimit të mbetjeve të pesticideve në BE sipas EFSA (2023)

    Çfarë mendojnë qytetarët për politikat që ndjek BE-ja për bujqësinë?

    Opinioni publik lidhur me rezultatet e politikave CAP tërhiqet nëpërmjet sondazheve “Eurobarometer” të organizuara nga Komisioni Europian. Më poshtë po japim shkurtimisht rezultatet kryesore të sondazhit të fundit, atij të vitit 2022. Eurobarometer – Public opinion in the European Union (europa.eu). Afro gjysma e të intervistuarve preferojnë që pavarësia ushqimore e BE-së të mbetet një përparësi e CAP (6% më e lartë se në 2020). Por që sigurimi i një ushqimi të shëndetshëm, të sigurt dhe të qëndrueshëm duhet të jetë misioni kryesor i politikave CAP mendon 60% e të intervistuarve, shifër pothuaj e njëjtë me vitet e kaluara. Mbështetja financiare e fermerëve shihet si e drejtë nga 76% e të intervistuarve, pasi mendojnë se nëpërmjet CAP përfitojnë më gjerë të gjithë qytetarët kumunitarë dhe jo vetëm fermerët. Qytetarët tregojnë interes dhe njohuri për faktin që tema si bujqësia, klima dhe mjedisi, janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Afro 92% e europianëve janë dakord që moti ekstrem mund të ndikojë negativisht në garantimin e ushqimit në BE, ndërkohë që shumica mendon se bujqësia komunitare ka dhënë një kontribut të madh në drejtim të ndryshimeve klimatike. Megjithatë, dy të tretat mendojnë se ka akoma mundësi që fermerët e BEsë të bëjnë më shumë në këtë drejtim, të modifikojnë akoma mënyrën e tyre të menaxhimit në bujqësi edhe nëse kjo do të rezultonte në një bujqësi më pak kompetitive në nivel global. Të pyetur rreth problemit të gazeve serrë (GHG) apo “gjurmës së karbonit” (carbon footprint) ata tregojnë shumë vëmendje, por gjithashtu janë të kujdesshëm ndaj shkurtimit të distancave të furnizimit të tregut. Afro 60% u shprehën të gatshëm të paguajnë më shumë për produktet bujqësore me një gjurmë karboni më të vogël. Afro 87% e të intervistuarve deklaruan se distanca e transportit të prodhimit nga ferma në treg është një faktor i rëndësishëm në vendimmarrjen e tyre për të blerë dhe 70% beson se BE nëpërmjet CAP garanton prodhime bujqësore të qëndrueshme.

    Evolucioni i masave të mbrojtjes së bimëve dhe legjislacioni përkatës në BE

    Nevoja e mbrojtjes së bimëve në një formë të organizuar lindi me krijimin e fermave të para intensive, të cilat i drejtuan objektivat e tyre në prodhimin për treg dhe jo më në vetëkonsum. Megjithëse nuk ka një datë të saktë, kjo sugjerohet të ketë filluar, të paktën për fermat italiane me drejtim hortikulturën në vitet ‘20-‘30 të shekullit të kaluar. Në këto fillime të para, deri nga fundi i viteve 1940-‘50 mbrojtja e bimëve kishte si objektiv të vetëm mbrojtjen e prodhimit bimor dhe garantimin e cilësisë së tij për tregun. Sukseset e para në përdorimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve (PMB) kimike inorganike sollën edhe një situatë optimizmi dhe shumë menduan në ato vite se kishin gjetur zgjidhjen përfundimtare të problemeve të mbrojtjes së kulturave bujqësore. Kjo situatë, me prodhimin bimor në rritje dhe kimizimin e tij, vazhdoi edhe më tej në vitet që pasuan, por për fat të mirë, studiuesit e viteve të pasluftës filluan menjëherë të informojnë specialistët dhe fermerët se nuk mund të vazhdonin gjatë me trajtime kimike kalendarike, pasi do të ndesheshin shpejt me probleme të tjera. Si rezultat i këtyre kontributeve shkencore me vlerë u kalua gradualisht në konceptin e ‘luftës së drejtuar’ me futjen e kufirit kritik, sipas të cilit duhet ndërhyrë vetëm kur parazitët kalojnë kufirin e përcaktuar nga ekspertët. Më vonë edhe ky do të evoluonte në atë që quhet “mbrojtja e integruar”, ku fermeri përdor së bashku një sërë masash të mundshme agronomike, mekanike, fizike, biologjike dhe kimike me objektiv kontrollin e parazitëve të kulturave bujqësore, por dhe reduktimin gradual të përdorimit të produkteve kimike në interes të shëndetit të njeriut dhe mjedisit. Sigurisht që këto koncepte në fillim ishin objekt i kërkimeve shkencore dhe gradualisht u testuan e pranuan nga fermerët që i futën në prodhimin bujqësor. Megjithatë, për të pasur udhëzime teknike të qarta për të gjithë duheshin edhe normativat ligjore të BE-së të cilat nuk munguan të mbështesin progresin e mbrojtjes së bimëve. Në dekadat e fundit ka pasur një avancim të madh në përdorimin e gjerë të insekteve të dobishëm (më shumë në mjedise të mbrojtura) dhe kryesisht në përdorimin e PMB bio, qoftë këto mikroorganizma, ekstrakte bimorë, produkte me bazë feromonesh apo edhe të tjerë. Vitet ‘90 të shekullit XX janë një kthesë në mbrojtjen e bimëve në BE. Një moment i rëndësishëm për mbrojtjen e bimëve është zbatimi i Rregullores Reg. CEE 2078/92 që motivonte fermerët, kundrejt pagesës, për reduktimin sasior dhe cilësor të PMB dhe plehrave kimike për të mbrojtur mjedisin rrethues dhe mbështet gjithashtu edhe bujqësinë organike. Më pas doli direktiva 2009/128/CE që shënoi kalimin e detyruar të prodhimit bimor konvencional në atë të integruar duke filluar nga 1 janari 2014. http:// data.europa.eu/eli/dir/2009/128/oj. Nga kjo datë në vendet e BE-së fermerët kanë në dispozicion vetëm tre strategji të mundshme për mbrojtjen e bimëve që janë:

    -Mbrojtja e bimëve e integruar, tashmë e detyrueshme për të gjithë fermerët në BE.

    -Mbrojtja e bimëve e integruar vullnetare, që presupozon të tejkalojë standardet e asaj të detyrueshme duke përdorur më shumë PMB biologjikë, në alternativë të atyre kimike.

    -Bujqësia organike, ku përdoren vetëm PMB të miratuara nga normativat BE për bujqësinë organike.

    Historiku i shkurtër i PMB dhe ligjeve për regjistrimin e tyre në BE

    Shekulli XX ishte ai i fillimeve të shërbimit të mbrojtjes së bimëve gjatë së cilit u vërejtën inovacione të shumta, kryesisht në drejtim të zbulimit dhe përdorimit të shumë lëndëve aktive të reja për luftimin e parazitëve të bimëve. Pa hyrë në detajet teknike të produkteve të veçanta të mbrojtjes së bimëve mund të themi se historiku i preparateve të mbrojtjes së bimëve në BE mund të ndahet në këto periudha kryesore:

    -Nga fillimet deri në vitet 1950 kemi mbizotërimin e PMB-ve me origjinë natyrore (inorganike).

    -Periudha e viteve 1950-‘70, ku mbizotëron vëmendja ndaj PMB-ve të para të sintezës kimike organike.

    -Nga fundi i viteve 1970 deri në fundin e shekullit XX kemi futjen e produkteve moderne të sintezës kimike me spektër më të ngushtë veprimi dhe duke synuar profile më të mira toksikologjike dhe ekotoksikologjike. Njëkohësisht kemi edhe hyrjen më shpesh të PMB-ve ‘bio’, edhe pse akoma ndeshin në hezitimet e fermerëve për ti përdorur.

    -Vitet 2000 dhe më pas karakterizohen nga përparësia që marrin produktet ‘bio’, që me formulimet e reja rrisin ndjeshëm efektshmërinë e tyre dhe përdoren më shpesh në programet IPM, por vazhdon edhe aprovimi i produkteve kimikë inovativë, tashmë me profil shumë më të mirë, toksikologjik dhe ekotoksikologjik, se në të kaluarën.

    Në të njëjtën kohë kemi mbështetjen e kuadrit ligjor përkatës të BE-së. Më poshtë, dy dokumente bazë që kanë bërë histori në BE. Direktiva EU 91/414. Kjo përfaqëson një moment historik të rëndësishëm në politikën e BE me PMB, pasi filloi procesi i afrimit të procedurave të regjistrimit të lëndëve aktive, deri në atë kohë në bazë vendi dhe që synonte garantimin e regjistrimit vetëm për ato lëndë aktive që nuk jepnin probleme për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin. Për këtë do të analizoheshin në vitet që vazhduan lëndët aktive dhe PMB, si ato të reja po ashtu edhe ato ekzistuese në treg, këto të fundit kaluan në procesin e riregjistrimit. U themelua për herë të parë ‘Annex1’, një listë zyrtare e BEsë, ku regjistrohen lëndët aktive që kalonin procesin e aprovimit. Direktiva EU 91/414, nga fillimet e saj deri në 2009, (vit në të cilin filloi Rregullorja e re EC 1107/2009 (lexo më poshtë) aprovoi për riregjistrim në Annex1 jo më shumë se 25% të lëndëve aktive ekzistuese në treg për atë kohë, duke ndalur përdorimin e shumë preparateve tradicionalë në bujqësinë e BE-së, por që shfaqnin rrezik për njeriun dhe mjedisin. Rregullorja EC 1107/ 2009. Më pas kjo rregullore e re e BE-së, lidhur përsëri me aprovimin për hedhjen në treg të PMB, abrogon direktivat e mëparshme 79/117/CEE dhe 91/414/CEE dhe i zëvendëson me standarde më kërkuese për ruajtjen e shëndetit të njerëzve dhe mjedisit. Objektivi i kësaj rregulloreje ishte përcaktimi i rregullave të reja në autorizimin për shitjen, përdorimin dhe kontrollin e PMB në BE. Me këtë rregullore regjistrimi i lëndëve aktive për përdorim në mbrojtjen e bimëve u bë akoma më selektiv, sepse veç tyre në të u përfshinë edhe substancat e tjera që gjenden në formulimin përfundimtar të një PMB si koformulantë, sinegjizantë, koadiuvantë, etj.. Falë legjislacionit në fuqi dhe eksperiencës shumëvjeçare në zbatimin e tij mund të deklarojmë, me plot bindje, se procedurat aktuale të vlerësimit dhe aprovimit të lëndëve aktive dhe PMB në BE janë nga më selektivet në rang global dhe garantojnë shëndetin e njerëzve (qytetarëve dhe fermerëve) dhe mjedisin rrethues i parë në kompleksin e tij (si toka, uji, ajri, biodiversiteti, etj.). Duhet përmendur që veç punës për futjen e lëndëve aktive të reja me vëmendje shëndetin e njeriut dhe mjedisin, janë arritur rezultate të mira edhe me teknologjinë tashmë më të sigurt të trajtimeve fitosanitare, kemi tani edhe trajtimet me precizion duke zvogëluar dukshëm sipërfaqen e trajtuar dhe sasitë e preparateve, mjetet mbrojtëse që përdorim sot, por edhe ambalazhe më të sigurt për transportin dhe përdorimin e PMB dhe shumë teknologji të reja në lidhjen e sigurt të ambalazhit me PMB me pompat spërkatëse. Një kritikë në këtë drejtim mund të bëhet vetëm për kohëzgjatjen dhe koston e regjistrimeve të reja në BE, të cilat shpesh bëhen pengesë për inovacionet në këtë fushë, që arrijnë më shpejt në kontinente të tjera që janë kompetitorë për fermerët tanë në tregun botëror. Kosto e regjistrimeve në BE i kalon shumat e disa milionëve (më shpesh me dy shifra) dhe kohëzgjatja edhe deri në 10 vjet në disa raste, gjë që frenon shumë kompanitë e vogla apo produktet bio, në një kohë që ato kërkohen më shumë nga politika, fermerët, tregu dhe konsumatorët. Ndërkohë për PMB bio në kontinente të tjerë ka afate tepër të shkurtra që lehtësojnë futjen e tyre të shpejtë në treg, gjë që nuk ndodh akoma në BE. Sigurisht që ky problem është i njohur dhe shpresojmë që t’i jepet një zgjidhje në vitet në vazhdim për të mbështetur edhe më shumë futjen e PMB bio në strategjitë e mbrojtjes së bimëve në BE. Një falë e fundit përgëzuese duhet thënë për ekspertët e PMB bio (akademikë, shoqata apo kompani private), të cilët kanë bërë në punë kolosale teknike për të favorizuar njohjen nga fermerët dhe përdorimin e tyre më të shpeshtë në praktikë, si në bujqësinë organike, por kryesisht në ‘prodhimin e integruar’ që përbën bazën e prodhimit bimor në vendet komunitare.

    Karantina bimore

    Karantina bimore është një pjesë tjetër mjaft e rëndësishme e mbrojtjes së bimëve, pasi synon pengimin e futjes dhe të përhapjes së parazitëve, që nuk janë të pranishëm në territorin e BE-së dhe përbën një detyrë shumë e vështirë të këtij shërbimi. Karantina bimore rregullohet nga dokumente të ndryshme në BE nga më të fundit Rregullorja (EU) 2016/2031 dhe Rregullorja (EU) 2022/1941. Në rastet kur futet një parazit i ri bimor karantinor në një ose më shumë vende të BE-së, më shpesh dy skenarë të mundshëm:

    -Kur paraziti (më shumë dëmtuesi) nuk gjen armiq natyrorë dhe/ose PMB ekzistuese nuk kanë efektshmërinë e duhur, fillon të rritet shumë numri i trajtimeve kimike të nevojshme dhe kosto e mbrojtjes së bimëve, me pasojë lindjen e rezistencave të mundshme, prishjen e ekuilibrave të vendosur nga programet ekzistues IPM (mbrojta e integruar) dhe mundësinë e mbetjeve më të larta në prodhimet e zonës. Në BE në vitet e fundit kemi pasur introduktimin e disa dëmtuesve të tillë nga kontinente të tjerë me pasojat që përmenda më lart.

    -Kur paraziti i ri bimor gjen kushte ideale në vendin ku introduktohet, në një lidhje optimale parazit/bimë strehuese/vektor natyror përhapës. Ky është rasti i shpërthimit të epidemive me dëme ekonomike kolosale (direkte dhe indirekte). Këtu përmend shkurtimisht introduktimin në vitet e fundit e bakterit Xylella fastidiosa në ullinj në Italinë e Jugut (Pulje). Me gjithë eksperiencën e institucioneve shkencore vendore, nuk u arrit që paraziti të bllokohej në kohë dhe sot numërohen jo më pak se 20 milinë ullinj të infektuar, një sipërfaqe e prekur që shkon deri në 800.000 Ha dhe humbja e afro 33.000 vendeve të punës në ullishtari dhe bizneset e lidhura me të. Një studim i Universitetit Wageningen (Holandë) ka përllogaritur një dëm ekonomik në BE nga bakteri fitopatogjen Xylella, deri tani afro 20 miliardë euro, shifër kjo marramendëse, më e lartë se buxhetet vjetore të shumë vendeve të BEsë. Në këtë aspekt të mbrojtjes së bimëve evidentohet më qartë se kudo, rëndësia e të bërit ‘sistem kombëtar’ në mbrojtjen e bimëve, ku shkenca, organet e kontrollit, vendimmarrja institucionale dhe aktorët politikë duhet të koordinohen midis tyre dhe të marrin vendimet e duhura dhe të shpejta në mbrojtje të bujqësisë kombëtare.

    Programet dhe strategjitë e reja të BE-së në vitet e fundit

    Me fillimin e viteve 2000 krahas punës për vazhdimin e heqjes nga përdorimi në bujqësi të lëndëve aktive më toksike dhe konsolidimit gradualisht të prodhimit të integruar të detyruar, bujqësia fillon të përballet me koncepte të reja, në veçanti me atë të ‘bujqësisë së qëndrueshme’.

    Programi “Marrëveshja e Gjelbër” apo “Green Deal”

    Në vitin 2019, Parlamenti Evropian deklaroi emergjencën klimatike dhe vetëm pak kohë pas saj Komisioni BE propozoi një program të ri, “Marrëveshja e Gjelbër”, i cili u shpall zyrtarisht në vitin 2020 si programi i tranzicionit ekologjik të BE-së. Me anën e tij, BE-ja synon të veprojë për të stimuluar përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, nëpërmjet kalimit në një ekonomi të qarkullueshme (circular economy) dhe të pastër, për të ndalur ndryshimet klimatike dhe humbjet e biodiversitetit, dhe për të bërë të mundur reduktimin e ndotjeve. Objektivi i saj është të reduktojë çlirimet e gazeve me efekt sere (Greenhouse Gas – GHG) deri në vitin 2030 minimalisht 55% nga ato aktuale. Llogaritet që në totalin e GHG nga veprimtaritë e njeriut, bujqësia kontribuon me afro 10%. Në kuotën GHG të bujqësisë, blegtoria llogaritet të ketë kontributin më të lartë krahasuar me prodhimin bimor. Arritja e këtij objektivi tranzitor të BE-së në 10 vjet do të mundësojë arritjen e objektivit afatgjatë për ta bërë Evropën kontinentin e parë me impakt zero mbi klimën brenda vitit 2050. Kjo presupozon që fermerët të shikojnë mënyrën e prodhimit aktual për të parë mundësitë e uljes së “Gjurmës së karbonit” (Carbon Footprint), e gjithë kjo me një kosto suplementare nga ajo e sotmja. Komisioni Europian ka vënë në dispozicion për periudhën e parë 2020-2030 afro 1.000 miliard euro në mbështetje të investimeve të qëndrueshme në BE.

    “Nga fermeri te konsumatori”, apo “Farm to Fork”

    Kjo strategji e re bën pjesë (apo është ‘zemra’) në programin ‘Green Deal’, së bashku me strategjinë tjetër mbi ‘Biodiversitetin’. Në objektivat kryesore të kësaj strategjie të re ‘Nga fermeri tek konsumatori’ është krijimi i një sistemi agroushqimor të qëndrueshëm në BE. Strategjia “Farm to Fork” ka vënë objektiv që brenda vitit 2030 të arrijë objektiva si:

    -Reduktimin me 50% të përdorimit të PMB kimike.

    -Reduktimin me 50% të humbjes së plehrave kimike duke ruajtur pjellorinë e tokës dhe synuar reduktimin e përdorimit të plehrave kimike me 20%.

    -Reduktimin me 50% të shitjeve të antibiotikëve për trajtimin e kafshëve dhe akuakulturës.

    -Transformimin e 25% të tokave bujqësore në bujqësi organike

    Kjo strategji gjithashtu lidhet drejtpërsëdrejti me fermerët dhe punën e tyre, duke i kërkuar të ndjekin objektivat dhe afatet e përcaktuara në fermat e tyre.

    Mosaprovimi i rregullores për “Përdorimin e qëndrueshëm të PMB” në 2023

    Komisioni Europian punoi më pas në përgatitjen e një rregulloreje të re “Përdorimi i qëndrueshëm i produkteve të mbrojtjes së bimëve”, si mbështetje operative për të arritur objektivat e programit “Marrëveshja e Gjelbër” dhe strategjisë “Nga fermeri te konsumatori”. Pas një periudhe të gjatë konsultimi dhe debatesh publike, me kritika në nivele të ndryshme, përfundimisht nuk mori aprovimin e Parlamentit Europian në fund të vitit 2023. Sigurisht që opsioni i mosaprovimit mbetet gjithmonë një opsion i mundshëm, por ky dokument ligjor vinte pas diskutimeve dhe përplasjeve të gjata, ku kundërshtimi më i fortë ndaj saj vinte nga fermerët dhe shoqatat e tyre. Kjo tregoi edhe një herë, se politika e vendeve të BE-së ka në vëmendje fermerët dhe interesat e tyre. Edhe pse një komunitet relativisht i vogël votuesish (afro 9 milion sot në BE, një numër në rënie dhe me rritje të moshës mesatare, krahasuar me disa vite më parë) vëzhguesit politikë i konsiderojnë ata një komunitet i ‘zhurmshëm’ dhe me rëndësi politike, kjo lidhur me impaktin që kanë kur dalin të protestojnë rrugëve të Europës. Të gjithë i kemi të gjalla imazhet e traktorëve të tyre në rrugët e Parisit, Berlinit, Amsterdamit etj.. Ata nuk dorëzohen deri në realizimin e kërkesave të tyre.

    Protesta të fermerëve në rrugët e Europës komunitare

    Por megjithatë, ‘rrëzimi’ nga Parlamenti European i kësaj rregulloreje të rëndësishme për bujqësinë e qëndrueshme dhe tranzicionin ekologjik, nuk duhet parë si ‘fitore’ e fermerëve dhe aleatëve të shumtë të tyre (duke përfshirë edhe një komponent të rëndësishëm i komunitetit shkencor) që ve në diskutim parimet dhe drejtimin strategjik të draftit në mbrojtje të shëndetit të njerëzve dhe mjedisit. Kjo do parë vetëm si një nevojë për një ekuilibër më të mirë (politik, ekonomik, social dhe mjedisor) në vendosjen e objektivave dhe afateve kohore duke u konsultuar paraprakisht me grupet e interesit dhe duke vlerësuar impaktin konkret mbi tregun e BE-së në vitet në vazhdim. Presidentja e Komisionit U. Von der Leyen në një prononcim të saj vite më parë në prezantimin e ‘Marrëveshjes së Gjelbër’ tha se “nuk do të lemë asnjë prapa në këtë program ambicioz…”, porse debatet e gjata dhe mosaprovimi i draftit të rregullores së re nga Parlamenti Europian treguan se fermerët, si aktorë shumë të rëndësishëm, nuk ishin konsideruar seriozisht dhe tërhequr sa duhet si grup interesi në përgatitjen e një angazhimi të ri në BE.

    Roli i kërkimit shkencor dhe transferimit të teknologjive të reja

    Për financimin e kërkimit në bujqësi disa nga programet aktuale më të rëndësishme të BE-së janë “Horizon Europe”, “LIFE”, “Erasmus” etj.. Atyre i shtohen edhe shumë programe dhe financime kombëtare për bujqësinë në vendet e veçanta. Veç tyre, ekzistojnë programet e kërkimit pranë kompanive private që janë në sinergji me ato publike dhe gjithnjë e më shpesh, punojnë në programe kërkimi të përbashkëta ose me bashkëfinancim. Vetëm “CropLife Europe”, shoqata europiane që përfshin 23 kompani private të prodhimit dhe tregtimit të PMB-ve dhe 32 shoqata kombëtare nga vende të ndryshme njofton për investime të rëndësishme të kompanive private në kërkimin për inovacione në këtë fushë, që vetëm për produktet bio parashikohet të arrijnë në 4 miliardë euro deri në vitin 2030. Një notë negative në këtë pikë është pakësimi i vazhdueshëm i financimeve për kërkimin shkencor në sektorin publik që ka çuar 2-3 dekadat e fundit në daljen në pension të shumë ekspertëve apo akademikëve dhe zëvendësimin e tyre vetëm pjesërisht. Kjo ka shkaktuar shpesh shkrirjen e laboratorëve apo instituteve të kërkimit në shumë vende. Edhe pa statistika në dorë, vetëm nga kontaktet e shumta që disponoj me kërkimin shkencor në vende të ndryshme, jam i sigurt që ky problem është më i mprehtë në vendet jugore apo mesdhetare të BE-së, ato që kanë edhe më shumë probleme me bilancet me Komisionin Europian. Kësaj i shtohet edhe një situatë akoma më e rënduar në këshillimin bujqësor apo transferimin e teknologjisë, ku diferencat midis vendeve, por edhe rajoneve të të njëjtit vend janë shpesh të mëdha, dhe luajnë një rol në zbatimin e menjëhershëm ose të vonuar të të rejave të shkencës dhe të teknologjive inovative të mbrojtjes së bimëve në nivel ferme. Në këto ‘hapësira të zbrazura’ në territoret e ndryshme rurale të BE-së sot përpiqen të kontribuojnë privatët e ndryshëm, por që nuk mund të zëvendësojnë plotësisht rolin e paanshëm të këshillimit publik.

    Debatet në mediat europiane: bujqësia përballë konsumatorëve dhe mjedisit

    Transparenca dhe debatet janë pjesë e demokracisë, si të tilla edhe pjesë të BE-së. Në tema kaq të rëndësishme si bujqësia (ushqimi), mjedisi (shëndeti) dhe klima është e natyrshme që grupet e interesit të jenë aktive dhe të mbrojnë pikëpamjet e tyre. Sigurisht që është për t’u vlerësuar kontributi i madh që japin organet e mediave në informimin publik, por jo rrallë ata janë ‘pronë’ ose ‘viktimë’ e politikës. Shembuj të tillë janë tashmë banalë në çdo vend, por që nuk ndihmojnë në të krijuarit e një opinioni publik mbi fakte shkencore. Në debatin publik kontribuojnë pozitivisht edhe shumë organizata jo qeveritare në mbrojtje të mjedisit, me rol të veçantë në ndërgjegjësimin e opinionit publik për problemet mjedisore duke ndihmuar të futen këto në axhendën e politikës vendore ose të BE-së. Por, sipas mendimit tim, gjithnjë e më tepër evidentohen (ndoshta edhe pse janë më aktivë dhe kanë më shumë vizibilitet) pozicione ekstreme ku kërkohet qëllimisht të vihet në një ‘përplasje mediatike’ bujqësia me fermerët përballë shoqërisë civile si konsumatorë dhe të interesuar për mjedisin ku ata jetojnë. Rruga më e drejtë (dhe besoj e vetme) për të ardhmen është një aleancë strategjike e interesave të fermerëve, konsumatorëve dhe të mjedisit. Të gjithë biem dakord se e ardhmja e bujqësisë është drejt përdorimit gjithmonë më të madh të inputeve biologjike në bujqësi në mbrojtje të konsumatorëve dhe të natyrës, por duhet garantuar edhe ‘mbijetesa ekonomike’ e fermerëve që sigurojnë prodhimet tona europiane. Në mënyrë të veçantë, vitet e ardhshme vëmendja do të përqendrohet me përparësi në kujdesin më të madh për tokën bujqësore, për të rivendosur biodiversitetin dhe pjellorinë e humbur të saj në ato pjesë të degraduara nga bujqësia konvencionale. Por programet dhe objektivat e reja në drejtim të qëndrueshmërisë së prodhimit bujqësor në BE duhen diskutuar paraprakisht dhe tërhequr mendimin e palëve të interesuara (duke futur këtu fermerët, bizneset agroushqimore, kërkimin shkencor, shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit) dhe vetëm ndërgjegjësimi i tyre dhe pjesëmarrja e gjerë do të bëjë të mundur arritjen e këtyre objektivave ambiciozë. Nga ana tjetër, duhet të jemi të gjithë më të kujdesshëm në trajtimin e këtyre temave delikate në publik, që shpesh janë të vështira për t’u kuptuar nga të gjithë.

    Në përfundim

    Kur po mbyllja përgatitjen e këtij shkrimi dhe po bëja leximin e fundit, nga Davos (Zvicër), vendi ku zhvillohet në janar të çdo viti takimi vjetor “World Economic Forum”, agjencitë përcollën fjalimin e Presidentes së Komisionit Europian U. von der Leyen, e cila ngriti problemin (duke u bazuar në raportin ‘Global Risks Report 2024’) se shqetësimi më i madh i komunitetit investitor ndërkombëtar në vitet që do të vijnë nuk janë konfliktet dhe klima, por ‘disinformimi apo informacioni i keq’ të pranishëm në shoqërinë e sotme. Sigurisht që një konkluzion i tillë më dha mbështetjen e fundit morale për botimin e këtij artikulli. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Si të forconi kockat natyralisht

    Lajmi i rradhës

    Abuzimi virtual tek fëmijët, çfarë duhet të kenë kujdes prindërit?

    Lajme tjera

    SI I’A DOLËM

    Amet Ameti Si ia dolëm ne si komb shqiptarë mes gjithë atyre luftërave dhe masakrave të jemi sot…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë