Pensionistët në protestë, kërkojnë rritje

    Pensionistët vazhduan me karvanin e protestave edhe në Shkup. Mesditën e sotme qindra pensionistë u mblodhën para Kuvendit për të shprehur revoltën e tyre. Kërkesat e tyre janë të rritet pensioni minimal sa më shpejtë që aktualisht është 12 mijë denarë, dhe të njëjtit të barazohen sa paga minimale. Kërkesa e dytë është që rritja e pensioneve të bëhet në mënyrë lineare prej 3,500 denarë dhe jo me përqindje. Kjo pensioniste tha se për të gjithë pensionistët të ketë rritje pavarësisht sa marrin tani nga që çmimet janë shtrenjtuar për të gjithë dhe nuk arrijnë të mbulojnë muajin.

     “Akoma nuk kam provuar sivjet shalqi se nuk na lejon xhepi të blejmë pemë, e mos të flasim për djathë e kaçkavall apo gjëra tjera. Nipërve nuk mundemi asnjë çokollatë t’ju blejmë! Kërkojmë të rritet pensioni më së paku 20 mijë deri në 25 mijë denarë. Kërkojmë që kjo sa më shpejtë të kryhet,” tha Vera Stojanovska, Pensioniste.

    Pas protestave në disa qytete të vendit, organizatorja Suzana Shkof tha se më 14 gusht do të organizohet protestë gjithëpërfshirëse e pensionistëve, e cila do të mbahet sërish në Shkup.

    “Dëgjojmë Ministren e Punës dhe Punës Sociale, dëgjojmë kryetaren e pensionistëve me argumentet e saj që nuk mbajnë, nuk ka çfarë të presim më shumë institucionalisht, ndaj u desh kohë, u desh ajo e kjo. Për ta sollën 78% rritje pagash, thonë rruga ishte e gjatë për ne dhe rruga ishte e shkurtër për ta. Them me tren japonez, pra u sollën kaq shpejt me iniciativën e dikujt ose nuk e di si, dhe për ne ishte një rrugë e gjatë. Nuk duroj dot më. Kupa thjesht është mbushur!” – tha Suzana Shkof, Protestuese.

    Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se pensionistët janë prioritet i Qeverisë. Sipas këtij dikasteri ekzekutivi miratoi një sërë masash në ndihmë dhe mbështetje të pensionistëve në kohën e krizës. Propozimet nga pensionistët janë në tryezë, po diskutohen dhe së shpejti do të vazhdojmë me promovimin e masave dhe paketave të reja që do të sigurojnë një jetë dinjitoze për pensionistët në të ardhmen, thuhet në kumtesën e Ministrisë. /alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kur e përkohshmja bëhet normë

    Lajmi i rradhës

    Serbia e sotme nuk do distancim, por arsyetim të politikës së Millosheviqit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë