Serbia njeh vetëm një gjuhë, atë që ajo e përdor vetë

    Foto: A2 CNN

    REDI SHEHU

    Më datën 18 mars në Ohër, ndoshta për herë të parë, kemi një ngjarje të paprecedent, një marrëveshje për të cilën nuk merren vesh se çfarë marrëveshje është. Palët negociuese, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk firmosën një marrëveshje, për të cilën thuhet se ishin marrë vesh. Pra, të gjithë bashkë janë marrë vesh për të mos firmosur një dokument, të cilin e trumbetuan si zgjidhjen e një gjendjeje armiqësie mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ndoshta, për herë të parë, dështimi evropian për të arritur në një marrëveshje mes dy vendeve, shitet si sukses, i cili do implementohet përmes një aneksi, domethënë, për të hyrë në shtëpi nga dera kryesore e kyçur, na duhet të përdorim spiralen e banjos. E gjithë kjo histori ka si dixhiturë në sfond portretin e të dërguarit të SHBA-ve Eskobar, i cili rri në rolin e vëzhguesit. Imagjinoni pas kaq vitesh së Kosovës shtet me investimin direkt të amerikanëve, këta të fundit më 18 mars, në datën që duhej të ishte historike, kishin vetëm statusin e vëzhguesit. Kjo është përtej tragjikes.

    Është e vërtetë se Kosova nën lidershipin e Albin Kuritit dhe Vetëvendosjes, ka fuqizuar sensin e drejtësisë dhe reciprocitetit në një marrëveshje të mundshme me serbët, por ama në të njëjtën kohë ata shënuan një ndryshim kursi në marrëdhëniet me ndërkombëtarët, duke ia hequr SHBA–ve ekskluzivitetin e ndërmjetësimit të marrëveshjeve politike dhe duke ia kaluar atë Berlinit. Me pak fjalë u prish ekuilibri, i cili përputhte interesat tona me gjeopolitikën drejt një momentumi të spikatur historik. Sigurisht që edhe evropianët në deklaratat e tyre kanë të njëjtin prononcim politik si amerikanët për Kosovën, por ndryshimi me këta të fundit janë veprat, jo vetëm fjalët. Dhjetë vite negociata nën drejtimin e evropianëve mes palës kosovare dhe asaj serbe, Kosova ka qenë në një disavantzh të vazhdueshëm deri në humbjen e njohjeve.

    Ka pasur shumë kritika nga kampi opozitar për Kurtin duke ekzagjeruar deri në akuza për tradhti kombëtare. Nga ana tjetër, në kampin e maxhorancën ka tejkalime të shpalljes së Albinit si hero, i cili nuk firmosi marrëveshjen. Zakonisht, polarizimi sjell një situatë ku vetëm e bardha dhe e zeza janë të vetmet ngjyra, minus të gjitha ngjyrat e universit. Nëse ka një kritikë për Albinin, është ajo se ai pikërisht i dha aleatit kryesor SH.B.A-ve si mbrojtësit më të sprovuar të Kosovës, statusin e vëzhguesit dhe jo hartuesit të marrëveshjes.

    Nuk ka dyshim se të gjithë ndërkombëtarët e dinë dhe janë për bisedimet Kosovë -Serbi, por ama konceptet që ata kanë për këtë dialog dhe produktit që duhet të dalë prej tij, ndryshojnë. Vërtet u ra dakord pa firmë që “zajednica” të modifikohet literalisht në “vetëmenaxhim”, çështja është se sa thelbi i saj do të modifikohet realisht. Vërtet u ra dakord pa firmë që të fillojë puna për identifikimin e të zhdukurve, por sa realisht kjo gjë do të ndodhë. Vërtet nuk u vendos asnjë firmë lidhur me ndonjë siluetë për njohjen e Kosovës nga Serbia, por sa është e përgatitur kjo e fundit ta bëjë një gjë të tillë. Takimi i datës 18 mars në Ohër përveç se përfaqëson një stacion në historinë e marrëdhënieve të rajonit, ka edhe simbolin e një qyteti, në të cilin marrëveshjet e bëra në të nuk janë zbatuar tërësisht, dhe për këtë mjafton të pyesim shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

    Presidenti Vuçiç me kokëfortësi deklaroi se nuk firmoste se kishte dhimbje në dorën e djathtë, dhe se do të kishte të njëjtat dhimbje për 4 vitet e ardhshme. Një deklaratë e tillë është një bonus për Albin Kurtin duke treguar se këmbëngulja e tij e detyroi Vuçiçin të luajë në mbrojtje. Pyetja është përse Borrel dhe Lajçak nuk folën hapur për një refuzim afatgjatë të Serbisë? Përse ata nuk theksuan se një veprim i tillë bllokonte rrugën evropiane të Serbisë? Një ndër problemet e mëdha që shkaktoi lufta në Ukrainë, është edhe paniku me të cilin politika evropiane e komplekson vetveten. Një venerim i Serbisë që ajo të mos përfundojë në kthetrat e Rusisë, si dhe një simpati tinëzare e fshehur nën kollaret e përfaqësuesve të BE-së ndaj palës serbe, e prishin ekuilibrin dhe statusin e ndërmjetësuesit ndaj një Serbie që tashmë po luan me kthetrat e Rusisë. Nuk mjaftuan një dekadë për evropianët për të kuptuar që politika e karotës ndaj Serbisë vetëm se përkeqëson punët dhe vetëm se forcon pozitën e saj në Ballkan duke dëmtuar rëndë Kosovën.

    Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 2010-ën në favor të pavarësisë së Kosovës e ka mbyllur diskutimin rreth pavarësisë së saj dhe legjitimitetit të kësaj pavarësie në raport me vendet e tjera. Në tryezë, ky diskutim mbi njohjen as që duhet të futet si pikë për sa kohë Gjykata ka dhënë vendimin e saj. Ajo, pavarësia, duhet trajtuar si çështje e mbyllur në raport me serbët, duke i vënë ata përballë një muri, me të cilin ata vetëm se do të thyejnë kokën nëse kundërshtojnë. Mbajtja me shpresa të kota se serbët do të mund të krijojnë një Serbska në territorin e Kosovës, jo vetëm që është padrejtësi, pasi pakoja Ahtisari dhe Kushtetuta e Kosovës më vonë u ka garantuar atyre të drejtat që duan, por është edhe një dredhi, e cila e mban gjendjen e destabilitetit si një statusquo për shqiptarët e Kosovës.

    Prandaj kritika ndaj Albin Kurtit nuk qëndron te “tradhtia”, por te mania për të ikur nga një aleat si SHBA tek aleatët e tjerë evropianë, të cilët kanë dhënë prova se interesat e shqiptarëve në rajon nuk janë prioritare për ta. Edhe pse Albin Kurti negocioi lidhur me kushtet diskriminuese te draftit evropian për asocacionin, statusin e kishës serbe si dhe shmangien e njohjes ligjore nga Serbia, përsëri dhimbja arrogante e dorës së djathtë të Vuçiçit nuk i bëri përfaqësuesit evropianë të ndërronin karotën me shkopin. Serbia njeh vetëm një gjuhë diplomatikisht. Gjuhën që përdor vetë. Atë të presonit, arrogancës dhe këmbënguljes për t’u shkuar deri në fund interesave të veta. Këtë duket se nuk duan apo nuk e kuptojnë evropianët. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Vetmia e tiranit | Si e humbin diktatorët kontaktin me realitetin

    Lajmi i rradhës

    Muaji i Ramazanit, qytetarët ankohen për çmimet

    Lajme tjera

    Një beratas i mirë

    PËLLUMB NAKO Në ndërgjegjen tonë kolektive, emërtimi “njeri i mirë” mbetet më i bukuri. Konsiderohet lëvdata më e…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë