Sfida e humbur e së djathtës në postmodernen bashkëkohore

    BRENTON KOTORRI

    Pas bjerrjes së autoritetit të së vërtetës së gjithëkohshme, si pasojë e rënies pak nga pak të regjimit të vjetër të përbërë prej mbretërve dhe klerikëve të kishës, në Europë lindi filozofia moderniste. Fillimisht me Dekartin (racionalizmi), vazhdoi me Hume, Berkley, Locke (empirizmi) dhe kulmoi para shpërthimit të revolucionit me iluministët francezë. Voltaire, Russeau, Bossuet, Paine e të tjerë synuan të përhapnin idenë se përmbysja e regjimit ishte e vetmja mundësi drejt lirisë, dhe se masat e gjera të popullit duhej të kishin pushtetin politik. Kjo rrymë shkaktoi revolucionin më të dhunshëm, atë francez, i cili solli vetëm se më shumë shtypje gjakderdhje dhe mjerim.

    Nga ana tjetër, mendimtarë si Edmund Burke, De Tocqueville apo De Maistre, shkruan me vendosmëri kundër marrinave dhe krimeve të revolucionarëve. Ky moment historik i epokës moderne mund të konsiderohet si lindja e ndarjes më të dallueshme midis së majtës dhe së djathtës, si dallim ideologjik në politikë. Ku njëra palë kërkonte progresin pa kushte dhe me çdo çmim, teksa pala tjetër bënte thirrje për maturi, qetësi, reflektim. Revolucionarët progresistë kërkonin përmbysjen e të gjitha pushteteve dhe institucioneve. Konservatorët kërkonin ruajtjen e vlerave të gjithëkohshme dhe reformim përmes reflektimit.

    Epoka moderne, me cytjen e Marksit, e pa kulmin ideologjik të së majtës me komunizmin, përmes dy luftërave botërore e deri në Luftën e Ftohtë. Europa u bë konservatore në konsolidimin e së majtës. Ndryshe nga Amerika që u bë progresiste në evoluimin e së djathtës.

    Me vitet 1960, në të dy kontinentet panë vërshimin e disa lëvizjeve popullore libertine-majtiste, antikonservatore. Këto lëvizje u fokusuan te çlirimi seksual i individit dhe emancipimi i femrës. Epoka postmoderniste ka si tipar themevijon nga faqja 1 lor idenë se nuk ka të vërteta as hyjnore e as tokësore, as providenciale e as objektive, por vetëm interpretime subjektive.

    Sot, e majta e ka kamufluar Marksizmin. Të paktën që prej viteve ‘90, pas rënies së komunizmit në Europë, e majta gjeti strehë te një segment i vogël brenda saj, sikurse është socialdemokracia. Përmes socialdemokracisë, e majta nuk u ngjir më për të kërkuar përmbysjen e borgjezisë por tashmë taksimin e saj. Nuk synoi më kooperativizmin, por subvencionet. Nuk ndërmori sekuestrim pasurie, por rishpërndarje. E djathta pa ngadalë rënien e kristiandemokracisë dhe u bë disi më centriste duke u zhveshur nga ngjyrimi moralist.

    Pas krizës ekonomike botërore që nisi në 2008 me efekte të gjata, masat e gjera qytetare që ndjenë paqëndrueshmëri, vërshuan në rrugë përmes lëvizjeve antikapitaliste të tipit “oçupy” apo “indignados”. Këto ngjarje sollën ndryshime në grupet klasike të elektoratit në SHBA dhe Europë. Duke sjellë gjithashtu lindjen e lëvizjeve të reja antiestabilishment, ku e majta u bë më anarkiste dhe e djathta më pragmatiste.

    Në këtë valë, politika kulmoi duke sjellë demagogë ekstremistë, populistë të majtë e të djathtë. Në Europë, neomarksistë si Beppe Grillo, Pablo Iglesias Turrión, Yanis Varoufakis, JeanLuc Mélenchon, apo Bernie Sanders në ShBA, e nacionalistë si Mateo Salvini, Nigel Farage, Victor Orban, Nikolaos Michaloliakos, Geert Wilders, Marine Le Pen apo Donald Trump në ShBA.

    Sot, e djathta nuk është më fertile si më parë për disa arsye, ky dy janë më kryesoret: – nuk ka ditur t’u kthejë përgjigje kritikave antikapitaliste të neomarksizmit; – është larguar nga thelbi i vet historik, besimi në vlerat njerëzore të shkrimeve të shenjta. Tashmë, e djathta në Perëndim (por jo vetëm) shfaqet ose përmes liberalizmit (ekonomik dhe moral), duke u afruar kështu me social demokracinë, ose me nacionalizmin supremacist (ekonomi e interesit kombëtar e diktuar nga qeveria dhe në vend të moralit me etikë laike) duke u afruar kështu me autoritarizmin komunist.

    Të djathtët postmodernë janë tani grupim në rritje. Sot e djathta europiane ose përfaqësohet nga “Konservativët” britanikë që ngjyrosin logon e tyre me flamurin gay, ose nga “Moderatët” suedezë që luftojnë për barazi gjinore, ose nga e djathta greke, spanjolle, britanike apo holandeze që në vend të një shteti të vogël me ekonomi laissez-faire, propagandon shtet që ndërhyn vazhdimisht në ekonomi dhe korrigjon marrëdhëniet mes njerëzve. Ekstremi tjetër brenda së djathtës ka përfaqësues që shkojnë kundër frymës fetare të pranimit e vëllazërisë mes njerëzve sikurse racistët ksenofobë: Netanyahu, Zemmour, Orban, Salvini, Trump, Abascal, Farage etj. Edhe në Shqipëri, ‘e djathta’ ka vuajtur mungesën e parimeve të djathta. Sigurisht për shkaqe të tjera nga e djathta europiane. E djathta shqiptare e tranzicionit ka qenë antikomuniste në ligjërim, dhe liberal-social-demokrate në politika qeverisëse. Konservatorizmi shqiptar nuk u përfaqësua dot në vlerat morale dhe parimet e lirisë së tregut.

    Sot, shpresa e vetme e së djathtës është rikthimi te rrënjët. I vetmi kombinim ideologjik koherent do të ishte moral i fortë bazuar në vlerat e shenjta dhe liberalizëm ekonomik përmes derregullimit dhe shtetit të tkurrur. Hapi i parë për të arritur te kjo alternativë solide është çkorruptimi moral dhe çkorruptimi politik. Por kjo nuk mund të ndodhë për aq kohë sa etja për pushtet e ka shuar burimin e mirëqeverisjses, prej burrash të mençur e të moralshëm. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Bullgaria ka besim se mund të zëvendësojë furnizimin me gaz rus

    Lajmi i rradhës

    Bezhovska: Në të ardhmen do të bëhet skanimi i politikës monetare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë