Shembulli i një muslimani të madh, Khalid Nabhan

    Sead Zimeri / Fotografia: Nistori

    Sead Zimeri

    Shejh Nabhani sot është emër i njohur botërisht, por fillimisht u bë i njohur kur Izraeli, në nëntor 2023, vrau mbesën e tij Rim dhe nipin Tarik. Ishte dita më e rëndë, më e dhimbshme dhe më tragjike e jetës së tij. Pikëllimi ishte më i madh se ai mund ta kishte menduar të mundshëm ndonjëherë.

    Në atë ditë të kobshme, trupin e pajetë të mbesës së tij, Rim, e mbante fort, e perqafonte, e puthte, duke mos dashur ta linte te ikte. Një butësi dhe dashuri e tillë na bëri të gjithëve të pikëllohemi me të dhe të dashurohemi në të. Në atë moment dhimbjeje, ai shqiptoi ato fjalë ikonike për të cilat u bë menjëherë i njohur: shpirti i shpirtit tim, ndoshta përshkrimi më i mirë i dashurisë së vërtetë.

    Më vonë, mësuam se ai kishte një marrëdhënie vërtet të veçantë me mbesën e tij, Rim. Ishte një lidhje e veçantë dhe e papërsëritshme.

    Më 16 dhjetor të këtij viti, shejh Nabhani u vra nga forcat izraelite, ndoshta në një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar imazhin e tij të ikonës. Ai u bë më shumë se një gjysh për Rim dhe Tarik. Ai u bë gjyshi i të gjithë neve. Padrejtësia me të cilën ishte përballur personalisht, traumat që i përjetoi dhe pikëllimi dhe vuajtja që mbarti në shpirt nuk e helmuan zemrën e tij. Ai mbeti aq i pastër sa mund të jetë vetëm një qenie njerëzore e shembullore. Nuk lejoi që vuajtja e tij, dhimbja e tij t’i helmonte zemrën dhe shpirtin.

    Shejh Nabhani u bë një ikonë e asaj që një qenie njerëzore duhet të jetë. Por dua të them se në të kemi një shembëlltyrë se si duhet të jetë një musliman. Ne jetojmë në një botë ku të jesh musliman nuk është më një kompliment, por pothuajse diçka për të cilën duhet të kesh turp. Veçanërisht që nga vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, ne kemi dëgjuar vazhdimisht tregime për muslimanin e keq, muslimanin terrorist, myslimanin e lig dhe muslimanin islamist. Asnjë musliman i mirë nuk mund të gjendej askund në botë. Kudo që dikush kërkonte një musliman të mirë, shihte vetëm imazhe të muslimanëve që do të donte t’i shmangte me çdo kusht. Islami prezantohej si një fe që përhapte frikë dhe terrorizëm. Gjithçka që mund të shihnim ishin muslimanët me çallma dhe bomba, madje edhe vetë profeti portretizohej si terrorist.

    Pikërisht në këtë klimë të dyshimit total për muslimanët, veçanërisht për burrat myslimanë, shembulli i shejh Nabhanit shfaqet dhe shkëlqen si një yll i ndritshëm në qiell të errësirës së plotë. Shembulli i tij u përhap si rrufe në të gjithë botën, i një muslimani që është shembull për t’u ndjekur nga të gjithë njerëzit pa dallim besimi. Shejh Nabhani na e tregoi këtë si musliman, se kështu është si musliman dhe jo vetëm si njeri. Me shembullin e tij, ai na tregoi se kështu duhet të jenë muslimanët, por siç e kuptuam nga dashuria që ai përhapi nëpër botë, kështu duhet të jetë çdo qenie njerëzore.

    Në kontekstin e islamofobisë, shejh Nabhani tregoi se muslimanët nuk janë si imazhet që shohim kudo, të cilat përdoren për qëllime politike dhe ideologjike për të justifikuar dominimin dhe privimin e tyre nga liria.

    Pasi iu vra brutalisht mbesa e tij, ai nuk bëri thirrje për hakmarrje, për urrejtje ndaj Izraelit, por vazhdoi të bënte gjithçka që mundi për të lehtësuar vuajtjet e popullit të tij. Ne kemi nevojë për këtë qëndrim në jetën tonë, sepse urrejtja është helm, dhe helmi vret çdo gjë të bukur në ne. Shejh Nabhani tregoi se është e mundur të jesh një njeri i mirë, edhe në kushte të privimit total. Kjo më kujton përshkrimin e famshëm të Kantit për vullnetin e mirë si një xhevahir që shkëlqen te qeniet njerëzore. Dhe shejh Nabhani ishte xhevahiri mes nesh. Ai është larguar, por shembulli i tij mbetet me ne, ndaj i vetmi nder i vërtetë i këtij njeriu të bukur është të përpiqemi të bëhemi të mirë si ai. Muslimanët veçanërisht kanë një detyrim fetar për të treguar anët më të mira të fesë së tyre duke e ilustruar në sjelljen e tyre me të tjerët, duke filluar nga familjet e tyre dhe deri te armiqtë e tyre. Nuk duhet të ketë urrejtje për qeniet njerëzore në zemrën muslimane dhe një musliman nuk duhet ta nënshtrojë apo dhunojë një qenie tjetër njerëzore, pavarësisht vuajtjeve të tyre. Ky është mesazhi i shejh Nabhanit, i muslimanit dhe njeriut shembullor.

    Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    PËRFITUAN MBI 13 MILIONË EURO / Pesë të akuzuar për teatrin e ri të Tetovës dhe bibliotekës

    Lajmi i rradhës

    Masa disiplinore ndaj policit që lejoi Artan Grubin të largohet nga shteti

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë