Vuçiç kërkon municion

    SANDER LLESHAJ  

    Kaloi pa vëmendje një deklaratë e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e bërë sot, në të cilën ai përshkallëzoi kërcënimet e tij lidhur me gjendjen në Kosovë, ku u shpreh se javën e ardhshme mund të vendosë për ndalimin e eksportit të municionit dhe të armatimit nga Serbia. Argumenti për këtë ishte se “gjithçka duhet të jetë gati për rastin e një agresioni kundër Republikës së Serbisë”. Me pak fjalë, ai ndihet aq i kërcënuar, sa mendon të ndalojë eksportet e municionit dhe të armatimit për të krijuar sasitë e nevojshme për planet e tij. Pra, ai duhet të mbushë depot dhe të bëhet gati për luftë. Dihet mirë se Serbia ka industrinë ushtarake më të madhe në Ballkan dhe është një ndër eksportuesit e rëndësishëm të armatimit dhe municionit në nivel botëror, duke zënë vendin e 25-të në listën e vendeve eksportuese. Dhe ndalimi i eksportit do të thoshte një sakrificë e mirëfilltë për ekonominë e këtij vendi.

    Po përse iu dashka kjo sakrificë Serbisë?

    Mesazhet e sotme të Vuçiç duket se synojnë disa objektiva.

    Së pari, përmes krijimit artificial të një psikoze kërcënimi terrorist dhe lufte, që ai e pret nga Kosova, ai tenton t’u flasë qytetarëve të Serbisë, të cilët duket se nuk janë më në mbështetje të politikave të tij autoritare dhe populiste.

    Së dyti, me krijimin e një kërcënimi imagjinar nga Kosova, ai kërkon të gjejë veshë të hapur në Perëndim, duke synuar që të vijojë përpjekjen, jo krejt të pasuksesshme deri tani, për ta paraqitur Kosovën si pjesë të rëndësishme të problemeve, që Serbia ka krijuar prej më se dy dekadash në veri të saj.

    Së treti, përmes kërcënimit të armatosjes dhe të „mbushjes së armëve”, (pasi vetëm për këtë mund të ndalet eksporti i municionit), ai kërkon të shantazhojë të gjithë ata që janë të predispozuar për të rënë prè e shantazhit, në Europë e në rajon.

    Mbetet për të parë se cili do të jetë vendimi i tij i paralajmëruar për javën e ardhshme. Nëse ndalimi i eksportit të municioneve dhe armatimit do të ndodhë vërtet, atëherë Kosova, vendet e rajonit, NATO dhe Perëndimi në përgjithësi do të duhet të rilexojnë me shpejtësi, të kuptojnë domethënien e aktit dhe të marrin masat e nevojshme.

    Retorika e Vuçiq për “rrezikun e terrorizmit” nga Kosova, për “kërcënimin e serbëve të Kosovës” dhe për “rrezikun e agresionit ndaj Republikës së Serbisë” duket sikur janë shkëputur fjalë për fjalë nga tekstet e propagandës serbe të viteve ‘80-të e ‘90-të të shekullit të kaluar, kur kjo propagandë parapërgatiti agresionin dhe genocidin ndaj popullit shqiptar të Kosovës, prej të cilit u trondit dhe u fut në luftë bota e qytetëruar.

    Por kjo retorikë duket sikur është shkëputur edhe nga tekstet e propagandës ruse, e cila i parapriu agresionit ndaj Ukrainës dhe krimeve monstruoze që vijojnë të ndodhin përditë kundër popullit të saj.

    Është me shumë rëndësi që kjo retorikë e rrezikshme, që synon përshkallëzim në mënyrë të sinkronizuar si në Kosovë, ashtu dhe në Bosnjë, të vlerësohet me seriozitet nga autoritetet përgjegjëse të vendeve të rajonit, ato të NATO-s dhe vendet e tjera të BE.

    Ndërkohë, Shqipëria si vend i kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga çdo destabilizim i rajonit, do të duhet që të ushtrojë përgjegjësitë e saj në NATO për të denoncuar këto tentativa aventuriere dhe të rrezikshme të Serbisë për të krijuar vatra të reja konflikti në rajon. Samiti i ardhshëm i NATO-s që mbahet në Vilnius javën e ardhshme është një moment shumë i rëndësishëm në të cilin Shqipëria mund dhe duhet të ndajë me aleatët vlerësimet e saj për gjendjen si dhe propozimet përkatëse për masat që Aleanca duhet të marrë për frenimin e përshkallëzimit të konfliktit në Ballkan që po nxitet keqas nga Serbia.

    Nga një zyrtar i lartë i BE-së dëgjova para disa ditësh një tezë të shpëlarë, sa naive aq dhe të rrezikshme, e cila është ngjizur prej vitesh në disa qarqe europiane. Sipas tij, një Rusi e dobët (apo edhe një Putin i dobët) janë më të rrezikshëm se Rusia apo Putini i fortë. Në vijim të këtij argumenti qesharak, prej kohësh është ushqyer edhe një qasje inferiore ndaj Rusisë dhe Putinit, prej së cilës ai është inkurajuar në disa agresione brutale që ka kryer gjatë sundimit të tij.

    E kundërta është e vërtetë: sa më shumë të dobësohen diktatorët, aq më shumë reduktohet edhe rreziku që ata paraqesin për botën demokratike.

    Mbetet vetëm për të shpresuar që politika perëndimore do t’i ruhet kurthit tinëzar që paraqet bestytnia absurde, se diktatorët e fortë janë më të parrezikshëm se sa të dobëtit.

    Kjo duhet të vlejë edhe për rastin e Vuçiç. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Establishmenti politik po planifikon rikthimin e Britanisë në Bashkimin Europian

    Lajmi i rradhës

    “Jemi të zhgënjyer” / Aggeler: ShBA investoi në gjyqësorin e RMV, por nuk po shohim përmirësime

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë