GENC POLLO
Sa më lart është konkluzioni i gjyqtarit maltez Francesco Depasquale në vitin 2023, i cili dha verdiktin për aferën VGH në vijim të një padie civile të opozitës. Afera me pak fjalë: kryeministri laburist Joseph Muscat, ministri i linjës Konrad Mizzi dhe shefi i zyrës kryeministrore Keith Schembri arritën të realizojnë në vitin 2015 një kontratë koncesionare, e cila vinte në administrim të plotë të kompanisë VGH që të tre spitalet shtetërorë të Maltës, përfshirë miliona euro që gjendeshin në llogaritë bankare spitalore. Sipas kontratës, qeveria transferoi më pas edhe shumë miliona euro në po ato llogari. VGH nuk bëri asnjë nga investimet e parashikuara në kontratë dhe më vonë ia shiti statusin koncesionar një kompanie tjetër, e cila falimentoi fill më pas.
Gjyqtari Depasquale shënoi në verdikt se “ata (në qeveri) që duhej të mbronin interesin publik nuk e bënë këtë” edhe pse ishin njoftuar zyrtarisht për problemet e koncesionit dhe se “se mashtrimi financiar ishte kryer gjatë tri fazave të procesit: para fillimit të procedurës, gjatë negociatave dhe me nënshkrimin e kontratës”. Depasquale urdhëroi anulimin e kontratës dhe kthimin e tre spitaleve në pronësi shtetërore.
Hetimi penal në vijim të atij civil zbuloi se, përmes një vargu ndërmjetësish, rreth 10 milionë euro u ishin paguar zz Muscat, Mizzi e Schembri. Sipas aktakuzës, kjo shumë është vetëm maja e ajsbergut pasi qindra milionë janë shpërndarë në një pezhishkë globale llogarish bankare ‘off-shore’ dhe duhet shumë përpjekje që të gjendjen. Këtë vit, kundër kësaj tresheje e 25 të tjerëve, u ngritën akuza për korrupsion, fshehje pasurie e falsifikim.
TASHTI NË SHQIPËRINË TONË
Le të tentojmë ushtrimin e mëposhtëm duke zëvendësuar:
1. Maltën me Shqipërinë
2. Dhënien e tre spitaleve në koncesion (2015) me dhënien e tre inceneratorëve në koncesion (2014)
3. Zz Muscat, Mizzi e Schembri me zz Rama, Veliaj e Agaçi
4. VGH me ‘Integrated Energy BV’, ‘Albtek Energy’ Elbasan dhe ‘Integrated Technology Waste Treatment’ Fier.
5. Mbi 100 milionë euro taksapara malteze të paguara koncesionarëve të mësipërm për asgjë me mbi 100 milionë euro taksapará shqiptare të paguara koncesionarëve të mësipërm për asgjë.
Edhe për lexuesin jo shumë të vëmendshëm, ngjashmëria e skemave korruptive duket goditëse e pothuaj identike. Por me dy ndryshime themelore:
A- Në Maltë gjyqësori vendosi anulimin e kontratës koncesionare për të tre spitalet dhe kthimin e tyre në pronësi shtetërore. Në Shqipëri gjyqësori ka vendosur vetëm sekuestrimin e tre inceneratorëve dhe administrimin e tyre nga shteti. Por pronarët janë po ata që ishin që në vitin 2014 dhe sipas ligjit, çdo fundviti ata fusin në xhep dividendin.
B- Në Maltë gjyqësori nuk e copëtoi çështjen në tri dosje për secilin spital që do të çonte në fokusimin te vogëlsirat; hetimi civil e penal u fokusua fillimisht te përgjegjësit më të lartë të konceptimit e realizimit të aferës korruptive. Në Shqipëri, gjyqësori e ndau çështjen në tri copa: në rastin Fier e Elbasan u kufizua tek shkeljet procedurale nga funksionarë të mesëm e të ulët dhe në dy raste tek përfitimi i mekët i dy ofiqarëve përmes familjarëve të punësuar e të kontraktuar.
Sa më lart mund t’u shërbejë prokurorëve të posaçëm që ende po hetojnë inceneratorin e Tiranës. Po më shumë mund t’i shërbejë opinionit publik për të analizuar e kuptuar performancën e SPAK-ut e të GjKKO-së në këtë rast e në tërësi. Kontrasti është i qartë midis gjyqësorit që cilindo e konsideron të barabartë para ligjit dhe gjyqësorit, që për disa aplikon ligjin e Maliqit.
P. S. Malta shfaq edhe një tjetër aspekt shqetësues. Në këtë shtet tradita administrative britanike (Malta ishte koloni e Londrës deri në v1964) kombinohet me mentalitetin mesdhetar ku interesi personalo-familjar sfidon më fort atë publik. Nëse skandali VGH do të ndodhte në një shtet skandinav, qeveria do të dorëhiqej menjëherë dhe partia e kryeministrit do të kolapsonte në zgjedhjet e radhës. Në Maltë, megjithëse VGH ishte vetëm një ndër skandalet e shumtë të këtij lloji, KM Muscat i rezistoi sa mundi trysnisë së opozitës, shoqërisë civile dhe segmenteve ndërkombëtare (Parlamenti Europian, Asambleja KiE); vetëm kur hetimi mbi vrasjen e gazetares Caruana Galizia (i asistuar nga FBI dhe Europol) zbuloi implikimin e zyrtarëve, atëherë qeveria Muscat dha më në fund dorëheqjen në vitin 2020. Qeveria pasardhëse e Partisë Laburiste me KM Abela në mënyra të ndryshme i ka marrë në mbrojtje zyrtarët e dyshuar. Dhe çfarë është më e frikshme, që nga fitorja e parlamentareve në 2013, laburistët nuk kanë humbur asnjë palë zgjedhje. Në votimet e qershorit 2024 për Parlamentin Europian përsëri Partia Laburiste doli para Partisë Nazzjonalista opozitare (anëtare e Partisë Popullore Europiane), megjithëse me diferencë të ngushtuar shumë. Teoria e së drejtës ndërkombëtare njeh koncepte si “kapje e plotë e shtetit” (full state capture) dhe “korrupsion i lartë” (grand corruption); në këto situata korrigjimi i brendshëm përmes institucioneve bëhet pothuaj i pamundur. Si opsion mbetet presioni i rrugës me një shkallë të kontrolluar dhune i kombinuar ose jo me ndërhyrjen ndërkombëtare. Malta e Muscatit, Shqipëria e Ramës e disa shtete të tjerë janë jo vetëm raste studimore, por edhe probleme të pazgjidhura.
P. P. S. Në dhjetor 2019 media investigative malteze “Shift News” shkroi se KM Muscat tentoi të eksportonte tek qeveritë socialiste në Ballkan skemën VGH. Përveç marrëveshjeve në Shkup e Podgoricë, ai nënshkroi me KM Edi Rama një memorandum, i cili do i hapte udhën kontratës koncesionare. Por projekti i Tiranës duket se ngeci diku.
*Ish-ministër e deputet /Panorama/