GËZIM TUSHI
Mund të duket si sintagmë metaforike e ekzagjeruar dimensionalisht, por në të vërtetë nëse me objektivitet, pa parti-pris sociale dhe ndroje sociologjike do vlerësojmë objektivisht situatat që zhvillohen intensivisht në jetën tonë të përditshme, me siguri do të kuptojmë dhe ndjejmë ndikimin e fortë të një procesi retrograd, që po sjell një dukuri regresive në jetën e përditëshme, shoqëruar paradoksalisht me “trashjen e llumit” të irracionalitetit social, shtimin e pranisë numerike të njeriut irracional, me format asocial dhe personalitet eksentrik. Ka kohë që jeta shoqërore në vendin tonë, është e inonduar me veprime arriviste e agresive, banale e të pakulkturuara, me krime, vrasje e vetëvrasje, dhunë të theksuar në familje dhe marrëdhëniet bashkëshortore, me zgjerimin e krimit minor dhe formave ekstremisht të rrezikshme të bullizmit elektronik virtual, verbal, fizik e psikologjik.
Në rrugë e ambiente publike ka filluar të bëhet evident njeriu shoqërisht bezdisësh, i pasjellshëm, i pakulturuar e asocial, që kryen veprime antiqytetare, pa patur frikë as nga ndërgjegjia e tij e paformuar me difekte, por as nga autoriteti i shoqërisë, moralit apo forcës së ligjit. Shoqëria shqiptare ka kohë që është nën sulmin e këtij individi irracional, i cili vepron me instikte jo njerëzore, animaleske dhe që po bëhet faktor për tronditjen dhe dobësimin e “stofit” social edukativ dhe ekuilibreve morale të qëndrueshme në shoqëri. Të gjitha këto fakte dhe shumë të tjera, enumeracioni i të cilave është i madh, nëse duam të dalim nga situata e mungesës së përgjegjësisë sociale dhe justifikimet me “moral struci”, tregojnë zhvillimin e një tendence patologjike e prirje fare të pashëndetshme, që po zhvillohet gjërësisht, madje duke qënë në zhvillim të pakontrolluar, tregojnë se irracionaliteti jo vetëm është endemik, i përhapur në forma të larmishme, por ai po bëhet faktorë me peshë sociale, që kërcënon seiozisht shëndetin e shoqërisë, duke e bërë atë turbulent, të paqëndrueshëm, problematik.
Tani është fare e qartë se si shoqëri na duhet të organizohemi, të vëmë në lëvizje të gjithë potencialin edukativ, tërë kapacitetet e institucioneve të edukimit dhe sigurisë morale, nëse sinqerisht duam të ndalojmë këtë të keqe sociale, që po i shërben jo përmirësimit të standarteve të qytetërimit dhe parametrave konstante të jetës moderne të shoqërisë shqiptare, por përkundrazi zhvillimet janë kaotike dhe që dëshmojnë se jemi duke u përballur me shtimin e “fashës” së pranisë së këtij njeriu, i cili kërkon më çdo kusht ta bëjë sjelljen asociale, normë kulturalisht të pranuar dhe të nxitë shoqërinë të ecë me indiferencë, pa koshiencë dhe ndërgjegje humane reaguese, duke shkuar drejt humnerës së irracionalitetit social.
Është e vërtetë sociologjikisht dhe globalisht e vërtetuar se liria, liberalizimi i jetës, zgjerimi i kufijve të unit, tendencave dominante të individualizmit, përtej çdo kufiri social, ka shërbyer paradoksalisht si faktor nxitës në të dy kahjet: edhe në përmirësimin në sintezë të parimeve të qytetërimit modern, por edhe në zgjerimin e kufijve të së keqes shoqërore dhe irracionalizimit social. Nganjëherë me të drejtë njerëzit duke qënë të shqetëuar për këtë valë të zgjeruar të irracionalitetit në jetën e përditshme, të krimit individual dhe brutalitetit social, shtrojnë pyetjen: liria erdhi për të forcuar qytetërimin dhe staturën e qytetarin human, apo për të zgjeruar kufijtë e një shoqërie që favorizon sjelljet e njeriut irracional. Duke parë zhvillimet të duket sikur kjo shoqëri është adekuate për njeriun që ka koncept dhe di të administrojë veten, apo është e përshtatshme për njeriun irracional dhe pa status të qendrueshëm?
Në këto kushte duke qënë të integruar në një shoqëri moderne, likuide, pa norma fikse dhe pa ndikimin determinant të narrative të mëdha filozofrike, morale, sociale apo ideologjike nuk është gjithnjë e lehtë për njeriun irracional, egoist, arrivist të kuptojë kufijtë e lirisë dhe racionalitetit të sjelljes në dallim nga asocialiteti dhe irracionaliteti. Kjo duket e shfaqur në mënyrë evidente në shumë aspekte, drejtime e fusha të jetës tonë. Qoftë në zhvillimin strategjik e afatgjatë si “qenie njerëzore”, por edhe në koordinatat inkrementaliste të jetës së përditshme.
Irracionaliteti social dhe njeriu irracional, nuk janë dukuri pa shkaqe. Në fund të fundit ato janë të lidhura me formatin e jetës postmoderne, ku në mënyrë evidente jemi përballë zgjerimit të një realiteti, që vazhdimisht zgjeron akoma më shumë, madje në mënyrë agresive kufirin e përfshirjes së njeriut nga pasioni i fortë, tejet i njëanshëm për të siguruar në jetë më shumë para, status, pushtet, konsum, dominancë sociale, dukje, afirmim. Kur këto prirje individuale po bëhen instiktive e të kufizuara në kufijtë e ngushtë të nënvetëdijes së njeriut irracional, që janë tregues të sigurt se tek shumë njerëz është sunduese zhvillimi kaotik i personalitetit dhe zgjerimoit të pushtetit të mekanizmave irracionalë, që tentojnë ta orientojnë njeriun drejt zhvillimit të njëanshëm.
Madje është bërë e frikshme fakti që konceptet e perceptimit dhe veprimit irracional kanë efekte të pallogaritshme transformuese, degraduese deri në pikën kritike të reduktimit të njeriut në send të thjeshtë, me ndërgjegjë të cunguar dhe vetëdije të deformuar. Ka autorë që mendojnë se patologjia në zgjerim e irracionalitetit social, mund të bëhet faktor thelbësisht ontologjik, forcë për ta shndërruar kohën e sotme në epokë të dhunës, dobësimit të arsyes humane, shtimit të pa drejtësive, zgjerimit të formave të pasigurisë. Sociologët e jetës postmoderne dhe studiuesit e shkaqeve dhe formave të shfaqjeve të irracionalitetit social dhe njeriut irracional, janë të tronditur nga disa fakte e faktorë zhvillimi, të cilat japin sinjale të sigura se në mënyrë evidente në shoqërinë e sotme, ekziston rreziku që irracionaliteti nëse nuk frenohet, mund ta bëjë jetën jo vetëm të pasigurt, por edhe shoqërinë pesimiste, për të sotmen dhe të ardhmen.
Kur flasim për irracionalitetin social dhe shfaqjet e njeriut irracional, shpesh herë ndeshemi me arsyetime të gabuara për ontologjinë, fenomenologjinë, shkaqet dhe rrugët e frenimit të kësaj të keqeje sociale. Herë pas here në media por dhe në mënyrë informale qarkullojnë ide pesimiste për natyrën e njeriut të kohës sonë, për strukturën jo humane të personalitetit të tij, per ndikimet që po sjell e “keqja e banalizuar” në jetën e përditshme, marrëdhëniet, lidhjet humane dhe komunikimin social. Ky pesimizëm social dhe fatalizëm ontologjik, nuk mund të pranohet sepse nuk është i vërtetë.
Sepse nëse irracionalitetin do e bëjmë “gjëndje sociale” fatale e të pamundur të përballohet me mjetet dhe instrumentet formuese, edukuese, sociale e institucionale, atëhere duhet të ngremë “duart lart” dhe të themi se irracionaliteti social, limfa e tij agresive e degraduese do bëhet sunduese në shoqëri. Për pasojë në vend të njeriut si qenie humane, do të duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me njeriun i cili nën ndikimin e instikteve anarkike, shoqërisht të pakontrolluara dhe irracionalite, mund të bëhet një “përbindësh” që do “nënështrojë” jetën sociale dhe shoqërinë, e cila nën imperializmin e irracionalitetit, nuk do të arrijë kurrë të kthehet në një shoqëri demokratike, tolerante, paqësore, e larmishme dhe e bashkuar në struktura sociale kompakte e funksionuese.
Po është e vërtetë që në këto devijanca të irracionalitetit sociall, të shfaqjes publike të njeriut asocial, eksentrik kanë ndikimin e tyre disa faktorë materialë që lidhen me paranë, konsumin, mirëqenien, dukjen sociale, pushtetin publik dominant, luksin, ndikimet kontradiktore e kontroversale të tregut, etj? Sociologët ngulin këmbë se”…njerëzimi nuk është i dënuar të vetshkatërrohet as nga tregu, as nga shkenca, as nga lufta, e mbi të gjitha, as nga budallallëku dhe ligësia”. Askush nuk mund të mendojë, se këto faktorë materialë nxitës të mirëqenies nga njëra anë, por dhe të irracionalitetit në anën tjetër, janë faktorë të mjaftueshëm për të justifikuar apo argumentuar, se njeriu i epokës postmoderne, është i determinuar të dalë nga kuadri i qenies sociale humane, nga relacionet dialektike të ndërtuara në mënyrë racionale me shoqërinë. Kjo do të thotë se çfardo që të bëjë njeriu në kornizat e lira të postmodernitetit, të shfaqjeve të mënyrave të jetës personale dhe formave të ndërtimit të sjelljeve individualiste, në fund të fundit ai nuk mund t’u ikë apo braktisë kornizat sociale racionale të momentit, kohës, vulës strukturore të shoqërisë, parimeve që ka jeta dhe sistemi vlerave të përvashkëta.
Është shumë sfidues mendimi anarkik dhe eksentrik, që qarkullon si “bateri” që ushqen sjelljen arriviste të njeriut irracional, të mbështetur në idenë absurde, alogjike e irracionale, se koha postmoderne është vetëm epokë e “çlirimit strukturor” të individit, e shoqëruar me tendencën regresive të braktisjes së rolit të strukturave sociale. Ky gjykim i njënashmëm, i hipertrofizuar në dimensionin e vet, jo vetëm nuk është i saktë, por është tërësisht i gabuar dhe një nga burimet themelore të shfaqjeve të irracionalitetit social dhe njeriut irracional. Jeta liberale, mënyra postmoderne e të jetuarit, stili ndërtimit të saj, vërtetë është më e lirë, e personaliziuar, por nuk është braktisje e determinimit strukturor të jetës sociale. Konceptimi i kundërt, krejt subjektivist është burimi i ideve individualiste ekstreme, shpesh irracionale, që po lulëzojnë në shoqërinë tonë, madje deri në nivelin anarkik, si mohim i nevojës së ekzistecës së çdo lloj strukture sociale, në të cilën kuadratohet jeta e njeriut të arsyeshëm, racional, modern. Kjo do të thotë se natyra e njeriut postmodern, duhet vlerësuar jo vetëm si subjekt empirik, i lirë nga ana psikologjike e substanciale, por edhe me mundësitë që në jetën personale të krijojë kushtet e një sinteze humane, jo irracionale e cila mund ta bëjë njeriun “zotërues të vetvetes”.
Sepse edhe në këtë kohë liberale, individualiste, e ndërtuar më së shumti me parametra të personalizuar të stilit dhe mënyrës së jetës, në esencë qytetari është njeri, produkt i humanizmit social, qendra e kuptimit dhe ndërtimit të humanizmit njerëzor, shoqërisë racionale. Jetojmë në kohë të reja, pa korniza të ngushta, pa determinimet e diktuese të meta narrativave të mëdha ideologjike e morale. Në këto kushte “qytetaria”, njeriu me sjellje racionale dhe shoqërisht i arsyeshëm, human nuk është titull që trashëgohet, por entitet që lidh jetën, vlerat e qytetarit të veçantë me ato të qytetërimit tonë, të djeshëm dhe të sotëm. Të jesh qënie racionale, do të thotë të jesh njeri që trashëgon vlerat humane të qytetërimit tonë dhe të “stofit” kulturor, etik dhe edukativ të familjes biologjike. Sepse shumë vlera dhe cilësi të qytetarit, mund të përsosen apo prishen e deformohen në forma të irracionalitetit, në vartësi të vullnetit të njeriut por dhe rrethanave sociale të jetës në të cilën ai jeton.
Sidoqoftë është koha kur analiza e situatës së shfaqjeve të irracionalitetit social, e zhvillimeve kontrdiktore dhe paradoksale është e domosdoshme të bëhet, jo thjesht për të parë atë nga e sotmja, me optikën e shqetësimeve aktuale, por sidomos për faktin, që në mënyrë të sigurt në shoqërinë shqiptare është duke ardhur një e “ardhme ndryshe” nga kjo që jetojmë, për të cilën duhet të përgatitemi të gjithë. Individualisht dhe si shoqëri… /Panorama/