Shpopullimi, vetëm politikanët gojëlidhur

    NDUE DEDAJ 

    Shkruan, po kujt t’ia thuash? Qeveria merret me paradën e fitoreve rilindase, në një vend ku përditë njerëzit ngrenë valixhet, shumica për të mos u kthyer më. Nuk ke nevojë të shkosh në zyra demografike për ta kuptuar ikjen, mjafton të hedhësh sytë rreth e rrotull pallatit tënd, sot iku në Itali një çift me një fëmijë, dje iku në Greqi një tjetër çift me tre fëmijë, pardje shkuan në Kanada burrë e grua me dy fëmijë, për habi, të gjithë të punësuar në shtet dhe privat.

    Duket sikur Shqipëria është kthyer një vend tranzit për vetë shqiptarët, të cilët qëndrojnë në pritje sa t’iu dalë “lotaria” për diku tjetër në Perëndim. Ata që vijnë janë refugjatët afrikanë, që do ta kenë strehimoren e tyre të përkohshme në Shëngjin e Gjadër. Në vitin 1990 në Shqipëri ishim katër milionë banorë. Po sot? Le të presim censin të na e thotë fiks shifrën, por e sigurt është që nuk jemi më shumë se dy milionë e gjysmë dhe e ardhmja nuk pritet të jetë më e mirë, përkundrazi, parashikohet rënie e mëtejshme e popullsisë, ku sipas përllogaritjeve, nuk do të jetë i largët moti kur vendi ynë do të mbetet me një milion banorë.

    Kjo do të thotë të shkosh në kufijtë e ekzistencës pa ndonjë luftë! Të kesh histori, por jo të nesërme. Një popull i pakësuar në vendin e tij, i shpërndarë nëpër botë, nuk mund t’i mbijetojë shoqërisë globale, që nuk flet “shqip”. Nëse shpopullimi i tridhjetë vjetëve do të kishte ndodhur në një ditë, kjo do të kishte qenë ngjarja më tronditëse shqiptare në pesëqind vjet, pas dyndjeve të arbëreshëve në shekullin XV. Por hemorragjia ka ndodhur ditë pas dite e natë pas nate mbi gomone, pa e vënë re politika e kacafytur për pushtet. Politikanëve u mjafton vetvetja, me popull, pa popull, ata janë në krye të vendit.

    Përfytyroni një çast sikur në të gjitha pikat e kalimit kufitar të republikës, të venin një herë të vetme e të “inspektonin” sportelet e ikjes, Presidenti, Kryeministri, kreu i Kuvendit, ministrat? Por kjo nuk ndodh, se po u ngjite atje lart, mendon ndryshe nga njerëzit e thjeshtë, ku sipas qeveritarëve të ikësh për një jetë më të mirë, ku me e gjet! Fatkeqësi që këtë “filozofi” nuk e kuptojnë nënat dhe etërit e të rinjve që ikin, bizneset që kërkojnë përditë punëtorë, mediat që i mëshojnë fort mosikjes dhe shpopullimit, institucionet fetare, shoqëria civile, donatorët e huaj që investojnë në Shqipëri.

    Kot e kanë të gjithë këta! E kush këto punë i di më mirë se qeveria? Kurse po të pyesësh të qeverisurit, ata të thonë se nuk ikin nga qejfi, nga e mira, por nga halli, ngaqë nuk kanë rrugë për të qenë, pasuritë publike iu grabitën ditën për diell e ata nuk përfitojnë asgjë, as nga ujërat, as nga mineralet etj..

    Ikjet masive janë një dukuri që kanë prekur krejt trojet shqiptare, në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni, që sipas nesh kanë të bëjnë jo me ndonjë prirje të shqiptarëve për të emigruar, por me politikat aspak të favorshme që janë ndjekur me vite. Pa i hyrë analizës së rrethanave, që nuk kanë qenë të njëjta për shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë të 1913- ës, realiteti i shpopullimit mbarëshqiptar sot është tejet shqetësues ngado që ta marrësh.

    Emigracioni ka lënë zbrazët territoret shqiptare, jo vetëm në zonat malore, me shtëpi që nuk nxjerrin më tym e rrënohen dita-ditës, me shkolla që mbyllën se nuk ka më nxënës, me qendra shëndetësore që iu vihet dryni dhe shtëpi lindjeje që nuk presin më foshnja, me një popullsi që plaket e nuk rinohet, duke u zvogëluar frikshëm. Nuk është rastësi që sot kemi “lagje” të lezhjanëve apo mirditorëve në Milano, të hasianëve apo shishtavecarëve në Londër etj..

    Pasi të ketë përfunduar stuhia, do të na mbetën vetëm titujt alarmues të shkrimeve të gazetave, kronikave televizive, portaleve etj., që nuk ua vuri veshin askush në kohën e duhur. Mjafton të shkruash fjalën “shpopullimi” në “Google” dhe të presësh vërshimin e lajmeve tronditëse, nga viti në vit: “A po shpopullohet Shqipëria?”, “Është larguar një e treta e popullsisë së Shqipërisë”, “Shqipëri, ikja e të rinjve, më e lartë se kudo tjetër në Europë”, “Shpopullimi, problem kombëtar”, “Drama e emigrimit – nga e mungesa e sigurisë e shërbimeve”, “Shqiptarët ikin për një jetë normale, jo për luks”, “30 për qind e popullsisë së Kosovës është larguar në dhjetëvjeçarin e parë pas Pavarësisë”, “Shpopullimi dhe diskriminimi i shqiptarëve të Medvegjës”, “Shpopullimi, 30 për qind e romëve janë larguar nga Shqipëria” etj..

    Një dinamikë ikjesh e “kalkuluar” aq mirë, çka zor se do të kishte qenë kaq masive dhe sikur do të kishte pasur ndonjë strategji shpopulluese. E vërteta është se braktisja ka ndodhur pikërisht se nuk ka pasur një strategji për të frenuar ikjen, përmes investimesh, ku qytetari ta krijonte jetesën në standarde europiane në vendin e tij. Askush nuk mund t’i mohojë ndërtimet urbane dhe rindërtimet e tërmetit, që ua kanë ndryshuar pamjen qyteteve etj., por kush mund të thotë sa ka pasur dhe investime që sjellin punësim të përhershëm? Nëse do të ishin bërë njëqind fshatrat e trumbetuar nga qeveria, në çdo bashki do të kishim nga një apo dy qendra të zhvilluara rurale, çka do të nxiste për të tjera si ato.

    Një qeveri që nuk krijon besim te njerëzit që e kanë votuar, që nuk jep shpresë për të gjithë, që nuk ka në vëmendje çdo shqiptar, zor se bën prokopi, le pastaj histori. Si ta kuptojmë deklarimin e kryeministrit për t’ia dhënë llixhat e Peshkopisë një kompanie të huaj, pa ua afruar këtë mundësi në radhë të parë atyre shqiptare? Apo para të “zotit të shtëpisë” askush nga “robtë” nuk bën gëk – mëk? Ekspertë të ndryshëm shprehën se duhet ndryshuar kuadri ligjor, që rregullon marrëdhëniet mes pushtetit vendor dhe atij qendror, që bashkive t’u jepen më shumë kompetenca në administrimin e pasurive natyrore dhe të trashëgimisë në territorin që mbulojnë. Përndryshe ato do të mbetën gjithmonë me sytë “lart” dhe dorën shtrirë, se mos qeveria do t’iu japë ndonjë investim.

    Qytetari i ka punët dhe interesat të lidhura drejtpërdrejt me pushtetin vendor dhe kur sheh se ky nuk ofron mundësi dhe lehtësi ekonomike për të, ai i revoltuar ia mbath familjarisht përtej kufijve. Mjaft ka pritur, tridhjetë vjet. Ndryshe do të ishte nëse pushteti vendor do të lejohej me ligj të krijonte të ardhura nga menaxhimi i brendshëm i burimeve ekonomike, turistike etj.. Çfarë mund të presësh kur pjesën e “luanit” nga rentat minerale, shfrytëzimi i burimeve hidrike etj., e merr qeveria? Ankthi i përditshëm dhe i përjetshëm i bashkive është të gjejnë të njohur atje lart, që t’i marrin këmbën e dorën ministrit X për të realizuar këtë apo atë projekt a investim.

    Dihet që qeveria ka rolin e saj në projektet madhore në shkallë vendi, problemi është te monopolizimi i të ardhurave, që e bën decentralizimin e pushtetit fiktiv. E keni parë sesi për çdo palë zgjedhje numri i votuesve bie? Njerëzit më shumë dalin për të votuar ngaqë iu bien në qafë miqtë e shokët, se sa për besimin që kanë se gjërat do të ndryshojnë. Ka shkaqe shpopullimi, nuk është nga dëshira. Provoni t’i bëni gjërat ndryshe, zotërinj të politikës, pa Shqipëria do të ishte tjetër nga kjo që po na rrëshqet përditë nga duart! Jepini pushtet qytetarit! Gjejeni ju mënyrën. Mund të ketë më pak bashki republika e më shumë zhvillim! Si mund të jetë e varfër Shkodra me liqenin, detin dhe alpet? Puka me pyjet që ka? Bulqiza me kromin që nxjerr?

    Mirdita me bakrin dhe arin e Munellës? Lura me liqenet e turizmit. Për të përmendur vetëm disa zona për të cilat kemi më shumë njohje. Ka tridhjetë vjet që përflitet hidrocentrali i Skavicës e nuk bëhet. Ka njerëz të asaj ane të largët të Drinit që shohin ëndrra me vepra të tilla hidroenergjetike, që sjellin zhvillim dhe kur ato nuk ndërtohen për një kohë kaq të gjatë, atëherë ata e kërkojnë jashtë vendit punësimin dhe mirëqenien e tyre, atje ku punët e mëdha nuk zgjasin me vite e dekada pa u bërë. Ja, këto janë projekte qeveritare, që i tejkalojnë fuqitë e pushtetit vendor.

    Ekonomistët dhe vizionarët e progresit i dinë më mirë këto punë, por ata nuk dëgjohen. Nuk janë pjesë e kabinetit qeveritar, agjencive të zhvillimit etj. E nëse zyrat nuk flasin, qytetarët nuk rrinë gojëkyçur, aq më tepër kur shohin që vendi po braktiset e shpopullohet. Nuk je mirë as ti, kur komshinjtë e tu, njëri pas tjetrit të lënë shëndetin, duke ikur jashtë vendit “për një jetë më të mirë”. Shpopullimi bëhet një realitet dhe më i trishtë kur të ikurit nuk kanë mundësi t’i kontribuojnë atdheut qoftë dhe me votën e tyre si emigrantë, duke votuar atje ku janë, pasi jo të gjithë i kanë kushtet të marrin avionin e të vijnë në Shqipëri sa herë ka votime. Flitet e nuk bëhet.

    Kaq e vështirë të jetë? Apo është droja e politikës se emigrantët, si qytetarë europianë nuk mund të komandohen nga partitë, të cilat as që iu interesojnë? Atyre iu intereson vetëm Shqipëria dhe i kanë “llogaritë” vetëm me të. Gjithsesi, ende nuk është vonë për ta dashur këtë vend të gjithë ata që kanë mundësi ta ndryshojnë. Vetëm pak kohë më parë, Papa Françesku u është drejtuar “onlinë” të rinjve shqiptarë, duke i uruar dhe bekuar: “Për ju të rinj shqiptarë, një urim të përzemërt. Ju uroj më të mirën, punoni për atdheun, që atdheu të ecë përpara! Atdheu ka nevojë për ju. Zoti ju bekoftë, Maria ju ruajt! Lutuni për mua”, – thuhet në videomesazhin e Papës. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Të bësh sërf në kënetë!

    Lajmi i rradhës

    Besim Ismaili punon në Higjienën Komunale pa vendim pune, ka përfunduar studimet me notën 9

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë