Të bësh sërf në kënetë!

    ARIAN GALDINI 

    Media shqiptare në përgjithësi është bërë si këto restorantet e luksit që po shtohen me shpejtësi, ku ata që kanë bërë shumë pasuri duke plaçkitur shqiptarët nëpërmjet detyrave e funksioneve publike, sajdisen drekave e darkave me njëri-tjetrin, për t’u ndjerë të veçuar, elitarë dhe ushtrues të jetës së mirë, teksa pinë verëra të shtrenjta, hanë ushqime të zgjedhura, vishen me porosi, e udhëtojnë me makina të hatashme.

    Në këtë shoqëri kaq të varfër, ku mbi 90% e shqiptarëve të thjeshtë jetojnë me apo pranë minimumit jetik, ku papunësia te rinia është në nivele dramatike mbi 32%, ku 80% e azilkërkuesve tanë nëpër Europë është nën 35 vjeç, ku mbi 600 mijë shqiptarë e kanë braktisur vendin vetëm vitet e fundit e 54% e atyre që kanë mbetur këtu duan të ikin një orë e më shpejt, ku mbi 34 mijë të rinj e të reja punojnë në “Call Center”, ku lindshmëria për gjashtëmujorin e parë të këtij viti është 10 mijë bebe të ardhura përballë 23 mijë daljeve në pension, ku rastet e prekjes nga kanceri kanë shkuar në mbi 8000 në vit, ku mbi 200 mijë shqiptarë thyejnë sërish rekordin e aplikimeve për lotarinë amerikane, ku kanabisi ose punët e paligjshme janë bërë zgjidhja e vetme dhe ekonomia e vetme robëruese por që ushqen, ku çmimet e lira dhe “të dalë ku të dalë” janë alternativa e vetme e zhvillimit të turizmit nga qeveria jonë, ku mafia dhe oligarkët po marrin nën kontroll sektorë e segmente të tëra të ekonomisë, financave dhe politikës sonë, e ku çdo gjë flet për dekadencë e mjerim ngado e për pjesën dërrmuese të shqiptarëve, këta që janë master shefat e sistemit tonë politik rendin me galop për të dëftuar veçimin e tyre në pasuri e fuqi.

    E kanë pothuajse strategjike. Duan të na e bëjnë të qartë neve shqiptarëve se kështu është jeta, kështu janë ndarë gjërat, këta që janë pasuruar duke na plaçkitur nëpërmjet funksioneve publike janë zotërit dhe të fuqishmit, ndërsa ne të tjerët që jetojmë a zgjedhim të jetojmë ndershmërisht jemi të mjerët e Hygosë, që na duhet ta pranojmë e ndërgjegjësohemi për pandryshueshmërinë e këtij realiteti. Prandaj mediat i kanë kthyer në restorante luksi me klientelë të përzgjedhur.

    Prandaj gazetarët dhe studiot televizive funksionojnë vetëm me listëporosi nga master shefat e politikës. Prandaj lajm në Shqipëri bëjnë ata që paguajnë e jo ata që veprojnë. Kjo është arsyeja pse kemi mbërritur në këtë pikë kur ti përfillesh dhe ekziston në mediat e restorantet e luksit vetëm nëse je pjesë e klientelës apo e listëporosisë. Kjo kënetë luksi ku këndojnë vetëm zhabat e pushteteve të politikës e parasë, ka qelbur shpirtërisht, mendërisht, kulturalisht dhe moralisht të gjithë shoqërinë shqiptare.

    Kuakuaket e kënetës janë kaq mirë të koordinuara, sa secila ia di radhën, lojën, orarin, kërcimin, kutërbimin dhe tingullin tjetrës. Asgjë që ndodh sot nuk e prish rendin që këta kanë vendosur së bashku. Në kënete ka edhe vrasje, edhe orgji, edhe tradhti, edhe joshje, edhe batërdi, kështu që pse një send ndodh papritmas për ne, një skandal shpërthen apo një protestë lind diku, nuk është se ndryshon gjë. Këta i kanë marrë masat të marrin nën kontroll gjithçka që ndodh, qoftë edhe ngjarjet e zhvillimet spontane.

    RRITET DRAMACITETI NË TEATRIN E KËNETËS SONË

    Vetëm kaq. Ndahen korret e kuakuakeve pro dhe kundër skandalit, çështjes, apo ngacmimit të radhës, e në fund mbërrijmë në paradoksin kur e majta proteston kundër së majtës, ndërsa e djathta konvencionale bën festë për të majtën e gjithfarësoj tollovie me apo pa ngjyrë, me apo pa parime a përkatësi. Mjafton t’u hedhësh një sy portaleve dhe mediave të së djathtës konvencionale a atyre sadopak pranë saj e opozitës, e do shohësh vetëm ditirambe për aktorë e faktorë të majtë, pa ngjyrë, turlilloj kaqoli, por vetëm veprimtarë e idealistë të së djathtës me integritet nuk gjen.

    Mediat e majta vazhdojnë traditën e fletërrufeve kundër kujtdo që e njohin si armik, por nuk harrojnë të promovojnë vetëm ata faktorë që opozita do të promovojë. Çmimi i heroit të mediave tona është sa dy a tre kryetarë që bien dakord për listat e atyre që duan dhe atyre që nuk duan. Akte, vepra, aksione, gjeste e organizime mendimtarësh dhe veprimtarësh me vlera e mend në kokë, ndër vite dhe me vetëmohim, nuk gjejnë asnjë germë e asnjë hapësirë në mediat tona të majta e të djathta. Paradoksi nuk qëndron tek mediat e majta, sepse pothuajse të gjithë e kanë pranuar tashmë se ato janë thellësisht e rreptësisht të komanduara nga Shtabi i Agjipropit të Rilindjes. Paradoksi qëndron tek ata që kritikojnë e denoncojnë mediat e majta për censurë e kontroll, pra tek mediat e djathta apo ato pranë të djathtës, prej të cilave ngase janë në Opozitë pritet e ndryshmja, e drejta, modeli i së mbarës…

    Është kaq flagrante sa vetëm me një sy të lehtë mund ta dallosh kthjelltazi se edhe mediat e djathta kanë hapësirë vetëm për listëporosinë e partisë, e 2 a 3 apo 4 udhëheqësit kryesorë në vend dhe për të gjithë të majtët që shajnë me ç’të munden e si të munden Rilindjen, mjaft që të jenë të diskredituar vetë aq sa askush të mos besojë dot tek ata. Po të jesh komunist që shan Rilindjen, je hero në mediat e djathta. Po të jesh socialist që shan Rilindjen, je hero në mediat e djathta. Po të jesh rilindjeist i penduar, i pakënaqur a zhgënjyer, je hero në mediat e djathta.

    Po të jesh politikan a aktivist që di mirë të paguash faturat aty ku duhet, aq sa duhet, ashtu si duhet, je hero në mediat e djathta. Po të jesh aktivist civil që punon për të majtën e që je porositur nga e majta të protestosh kundër së majtës, je hero në mediat e djathta. Që mediat e djathta të bëjnë lajm dikë, një mendim, veprim, akt a organizim jashtë listëporosisë, klientelës me pagesë apo jashtë listës së rilindjesharësve të majtë, duhet të ndodhë që hëna të bëhet vezë e fërguar dhe dielli të bëhet domate zemërkau. Mediat e majta janë edhe më keq akoma. Ato nuk janë të hapura fare për askënd jashtë porosive e pagesës. Mediat e majta atyre që radhiten si “sharës të së djathtës” i projektojnë e ua shkruajnë vetë skenarin dhe fjalët. Në këtë kënete nuk ka më asnjë çudi. Skandalet ndodhin brenda lejes.

    Protestat gjithashtu përfundojnë të administruara dhe tradhtuara. Dallgë nuk ka. Çfarëdo që të ndodhë, sado i madh a i vogël qoftë skandali, master shefat e politikës e dinë që as valëzime nuk do ketë. Edhe nëse këneta ndahet në mes, edhe nëse këneta ndryshon balancën e koreve të kuakuakeve, edhe nëse bie njëra aleancë e ngrihet një tjetër, këneta vijon të kutërbojë sepse nuk ka më as burim, as shi, e as dallgë t’ia trazojnë ujërat. Parashikimi im përsa ndodh e varet nga fuqitë dhe energjitë e brendshme në vendin tonë është i trishtë. Dua të shoh, por nuk po mund të shoh dot dritë në fund të tunelit, që lind veç nga ne e brenda nesh.

    Kushdo që vendos të bëjë beteja të ndershme, të dëlira, të paporositura, të papaguara, të papërlyera, në këtë vend, si qytetar a si aktivist, si vetmitar a si i organizuar, bën mirë të jetë me vetëdijesimin e plotë se gjithçka do të bëjë, nuk do të ekzistojë për kënetën. Këneta nuk na do, nuk na përfill, nuk na sheh, nuk na dëgjon e as ia ndjen fare për neve qytetarët e veprimtarët e lirë. Këneta i urren burimet. Këneta e urren shiun dhe lëvizjen. Ne nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër përveçse të ikim fare nga ky vend e kjo kënetë, ose të vazhdojmë betejën të palodhur nga shpërfillja e kutërbimi i kënetës. Ikja jonë do ta bëjë kënetën edhe më të thellë këtu.

    Lufta jonë kërkon që ne të mos mendojmë se përleshjen me kënetën do të mund ta bëjmë jashtë kënetës. Nuk mund të ndodhë. Lufta jonë kërkon që të jemi aq të duruar, aq kreativë e aq virtuozë sa të hyjmë pa ngurrim e të bëjmë sërf në kënetë. Kjo është e vetmja zgjidhje. Sërf në kënetë. Tjetër zgjidhje nuk ka. Përndryshe Reforma në Drejtësi do ta bëjë të veten dhe mrekullia do të ndodhë. Sundimtarët dhe plaçkitësit tanë në këto 33 vite do të përfundojnë me kapuça e pranga në duar. Perëndimi do ta realizojë deri në fund atë çka ka nisur. Gjithçka duhet të bëjmë ne është t’i besojmë Perëndimit dhe të mbetemi të pastër në këtë kënetë. Kaq! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Shqiptarët nuk janë më të varfrit në Europë, Eurostat: Në vend të parë, grekët

    Lajmi i rradhës

    Shpopullimi, vetëm politikanët gojëlidhur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë