“Shqipëria bëhet” me Edi Ramën  

    Sefer Tahiri, profesor universitar / Fotografia: Nistori

    Shkroi: Sefer Tahiri

    Edi Rama përdëftoi për të katërtën herë se është i pamposhtur në zgjedhje në Shqipëri, duke marrë “timonin” e katërt qeverisës. Ndonëse fitimtar i pakontestueshëm, sikur duket se fitorja nuk e përmbush plotësisht. “Betejat” e tij politike i ngjajnë kalorësit të vetëm, i cili është fitues ktheje nga ta kthesh! Rama nuk kishte kundërshtar real politik, pasi Sali Berisha, jo për shkak të moshës, por për shkak të stazhit të gjatë si lider politik, që nga viti 1991 nuk shihej si alternativë politike. Kundërshtari tjetër politik, Ilir Meta është në burg. “Të rinjtë” e zgjedhjeve shqiptare nuk arritën të bashkohen dhe me këtë të fitojnë më shumë mandate deputetësh, ndërsa në disa raste dëshmonin se nuk dallojnë nga të “vjetrit”.

    Rama në qeverisje arriti të imponojë ritëm të shpejtë të punës, të cilin ata që e ndjekin duhet të jenë të përgatitur jo vetëm profesionalisht, politikisht dhe institucionalisht, por edhe fizikisht. Ai është kërkues, por edhe inovator, ofron ide kreative politike dhe shtetndërtuese. I ndryshon emrat, emrave ua ndryshon pozitat, shpesh ndryshon strategjitë e veprimit, i përfshin ekspertët, shpesh duke i tejkaluar vijat partiake, por cakun që synon ta arrijë gjithmonë e ka konstant. Një qasje e këtillë sistematike politkbërëse, që vë në lëvizje administratën në tërësi, jo vetëm institucione apo drejtues të caktuar mungon tek pala shqiptare në Maqedoninë e Veriut.  Mbase mund të jetë motiv dhe frymëzim për gjeneratën e re të politikanëve në vend, pavarësisht janë në pushtet ose opozitë. Politikbërja dhe shtetmenaxhimi kërkojnë dinamizëm institucional, plane me detyrime të përcaktuara dhe me afate të caktuara kohore, me zyrtarë përgjegjës dhe adresim të qartë deri tek publiku. Vendet, si Maqedonia e Veriut, poashtu edhe Shqipëria janë të vonuara në zhvillimin e demokracisë, drejtësisë, ekonomisë e fushave tjera dhe nuk kanë kohë për të humbur. Nuk kanë kohë për institucione inerte, zyrtarë të lodhur e të pamotivuar, drejtues jokompetent, punonjës joprofesional në stilin “Njeriut gjeja pozitën, e jo pozitën njeriut”! Shqipëria, jo që nuk ka probleme edhe të kësaj natyre, por ritmi ediramist ka arritur që të diktojë frymë proaktive institucionale. Shqipëria sot ka hapur negociatat me Bashkimin Evropian, ndërsa administrata e përgatitur është vënë në dispozicion të këtij procesi.

    Rama ka qenë i qartë në raport me drejtësinë. Nuk ka amnistuar askënd, ndërsa ka përsëritur vazhdimisht se “Kush e ka shkelur ligjin, do të përgjigjet”. Qëndrim ky që nuk i “amniston” as socialistët, tingëllon parimor dhe si i tillë duket i miratuar edhe nga pjesa më e madhe e shqiptarëve. Mbështetja parezervë e SPAK-ut i dha liderit socialist përparësi evidente elektorale, ndërsa Berisha dhe PD-ja duke e refuzuar dhe duke e quajtur SKAP manifestonin frikë nga ky institucion. Në vendin tonë, Prokuroria Speciale u “minua” si nga pushteti, poashtu edhe nga opozita dhe drejtësia ngeli një ideal i paarritshëm.

    Rama është socialist, por edhe demokrat, kur duhet bëhet edhe socialdemokrat. Ishte i angazhuar për “Ballkanin e Hapur” me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, por bashkëpunues me Kosovën. Për shkak të “Ballkanit të Hapur” bashkëpunimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ka qenë i ftohtë. Afërsia e madhe e liderëve të VLENIT me Kurtin ka ndikuar që edhe raportet me koalicionin shqiptar në pushtet në Maqedoninë e Veriut, Rama t’i ketë të akullta, ndërsa të afërta me Ahmetin, të cilit i thuri elozhe para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, kur Tirana përkatësisht bashkia e shpalli qytetar nderi! Raportet e ftohta të Ramës me pushtetin në Maqedoninë e Veriut u dëshmuan gjatë Samitit të Komunitetit Politik të BE-së në Tiranë, pasi kryeministri shqiptar më ftohtë e priti kryeministrin e Shkupit, Hristijan Mickoski.   

    Duke qenë artist, Rama e ka sofistikuar artin e komunikimit publik. Komunikimi i tij verbal me qytetarët dhe sidomos ai joverbal lë përshtypjen e njeriut të lirë, që vë lehtësisht kontakte me kategori të ndryshme të njerëzve. Bëhet fjalë për veçori që u mungojnë politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, një pjesë e të cilëve mund të jenë të mirë në komunikimin joverbal, por jo edhe atë verbal, pasi shpesh përdorin fraza të njëjta, frazeologji politike e odave të burrave, e cila është larg komunikimit bashkëkohor politik. Rama në fushatën zgjedhore ofroi formë origjinale dhe autentike të PR-it, siç ishte Memorandumi i Kuçit, që nënkupton shpalljen e rezultatit të projektuar zgjedhor në një fshat të Libohovës.

    E vetmja pikë, e cila nuk i bën nder Ramës, edhe pse është pjesë e strategjisë së tij komunikuese politike, është marrëdhënia me gazetarët dhe analistët në studiot televizive. Shpesh ka intonacion nënçmues dhe mohues ndaj ekspertizës së tyre. Por, kjo është taktikë e kalkuluar mirë, pasi me anë të saj ai e nxjerr veten superior, ndërsa njerëzit e medias i portretizon në sytë e publikut si të paditur, të painformuar, hiena, pjesë e “kënetës mediatike”, “kazanit” dhe “katundit mediatik”! Por, Rama spikat edhe për faktin që ka gatishmëri të ballafaqohet edhe me gazetarë kundërshtarë, gjë që nuk i shkon për dore as kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e as liderëve politik shqiptarë të vendit, të cilët përballjen në intervista dhe debate kritike nuk e përballojnë dot, duke i preferuar ato “miqësore”.

    Rama fiton brenda në Shqipëri, sepse në politikën e jashtme po luan në stilin “Me të gjithë”. Kryeministri shqiptar bën diplomaci me Perëndimin, por edhe me Lindjen, ndërsa në asnjë takim apo ngjarje nuk shpreh inferioritet ndaj zyrtarëve të lartë evropianë apo të shteteve të ndryshme, respektin e të cilëve e fiton duke bërë batuta interesante.

    Një pjesë e politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut thonë se “Dielli lind në Perëndim”, ndërsa kur takohen me ndërkombëtarët e Perëndimit, si për shembull me ndonjë ambasador apo zyrtar të huaj servilosen e përulen deri në maksimum, sa më s’ka!

    Kryeministri shqiptar, që me bekraund familjar fetar është katolik, ka respekt të madh për pjesëtarët e fesë islame e ortodokse, por edhe për bektashinjtë, të cilëve u premtoi ndërtimin e “Shtetin bektashian”! Një pjesë e politikanëve shqiptarë këtu tek ne janë të orientuar drejt të “vetëve fetarë”, ndërsa kanë drojë nga hapja apo manifestimi i respektit ndaj tjetrit në kuptimin religjioz. Krejt kjo ndodh, duke bërë kalkulime se mos shkaktohet ndonjë reagim negativ tek opinioni publik, i cili është “introvert” në kuptimin e njohjes dhe respektimit të tjetrit. Ali Ahmeti së fundmi përsëriti qëndrimin e Pashko Vasës se “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, ndërsa në rrjetet sociale ishte jo pak i anatemuar.

    Ka jetuar në Paris, ku ka punuar si piktor, prej nga në Tiranë ka ardhur së pari si ministër i Kulturës në qeverinë e Fatos Nanos, më pas kryetar i Bashkisë së Tiranës, që sot të jetë në vendin e ish kryeministrit Nano, për të cilin ka thënë se “e ka vrarë politikisht”, gjë që nuk i shkoi për shtati Lulëzim Berisha, i cili nuk u shkoqit nga aura e Sali Berishës. Një pjesë e liderëve shqiptarë në vendin tonë nuk mund të heqin nga koka e tyre “magjepsjen” që kanë për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe prandaj herët a vonë përfundojnë në “përqafimin” e tij politik. Në dimensionin e lidershipit disa prej tyre mbeten vetëm hija e tij! Edi Rama për ta duhet të jetë model i liderit që politikën e ka shndërruar në art dhe mjeshtëri, ndërsa integrimin evropian e bën realitet.

    *Artikulli është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i ka vetëm Nistori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Vdekshmëria e foshnjave rome më e larta në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë