Tiparet e liderëve politikë shqiptarë: Kokëfortë dhe servilë

    Artur Ajazi

    Ajo që ka ndodhur me politikën në Shqipërinë e postkomunizmit, mund të përbëjë një subjekt të mrekullueshëm për një film serial, për t’i treguar shqiptarëve si janë e si hiqen në realitet politikanët e tranzicionit demokratik.

    Duke mos marrë asgjë nga demokracitë perëndimore, prej të cilave thonë se “mësuan gjithçka prej tyre”, ata me shpejtësi u konvertuan nga ish-komunistë dhe shërbëtorë të enverizmit, në “profesorë” dhe demagogë të pluripartizmit.

    Politikan i mirë për ne është ai që shet pasurinë tonë, ai që shet ndërmarrjet, duke na kthyer ne në argatë në vende të tjera, por dhe në vendin tonë.

    Politikan i mirë për ne është ai që di të vjedhë, të gënjejë, të premtojë dhe mos realizojë. Kurrë ne nuk kërkojmë që politikani ynë të jetë i ndershëm, pasi u mësuam me një realitet të tillë. Ata janë, në fakt, jo si i kërkojmë ne, dredharakë, finokë, mashtrues, abuzues. Fakti është se ne nuk kemi një koncept të drejt si duhet të jetë politikani ynë, ndaj ka 30 vjet që na prezantohen njerëz pa vlera dhe bëhen edhe më të këqij se kaq kur ulen në karrigen e pushtetit.

    Politika jonë ka 30 vjet që është kthyer në sahan për njerëz të korruptuar, kokëfortë dhe servilë. Duke mbivlerësuar “kryetarin apo liderin historik”, krijuam politikanë servilë dhe të korruptuar. Ata që i rrethojnë janë po aq servilë vetëm para “liderit”, kurse me ne janë kapadainj, propotentë dhe tallës. Të lidhur me korrupsionin bëhen qysh ditët e para të pushtetit, por ne nuk na bëjnë përshtypje, madje nuk na bëjnë përshtypje shumë gjëra që na kanë dëmtuar deri sot.

    Por, pse ndodh kjo? Cili është interesi që kemi nga kjo gjë kur shohim se na është krijuar një shtresë shumë e pasur?

    Me veprime të paligjshme, ata u pasuruan. Nuk lëvizën nga politika dhe kërkojnë të rrinë në politikë mundësisht 50 vjet.

    Vrapimi pas pasurisë dhe interesit personal i ka bërë “liderët” politikisht të paaftë, kokëfortë dhe servilë. Interesi personal, familjar dhe klanor i ka tjetërsuar, madje i ka bërë të mos e duan as vendin e tyre.

    Ne duhet ta kuptojmë që këta “liderë” duhen larguar apo ndërruar, sepse janë bërë pengesë e zhvillimit. Duhet ta kuptojmë se duke qenë tifozë të “liderit dhe partisë” kemi humbur interesin për shtetin ligjor.  Duhet ta kuptojmë se të rizgjedhësh atë që ka vjedhur dhe keqpërdorur pushtetin dhe votën, do të thotë ta dëmtosh të ardhmen. Atij që ka abuzuar dhe keqpërdorur pushtetin për përfitime personale, i duhet dhënë përgjigja e merituar njëherë e përgjithmonë, qoftë ky dhe “lideri historik”.

    Shoqëria shqiptare duhet të reformohet, të sjellë emancipimin e klasës politike. Të kërkosh mbajtjen e “liderit historik” përjetësisht në politikë, të biesh në kurthin e demagogjisë tij, ke dëmtuar veten, shtetin, të ardhmen, integrimin, demokracinë, dhe ke favorizuar korrupsionin “plagën” më të madhe të periudhës 30 vjeçare të tranzicionit në Shqipëri.

    Lajmi Paraprak

    Sa orë në ditë kaluam para telefonit të mençur gjatë vitit 2021?

    Lajmi i rradhës

    Rreth filozofisë politike të Shote Galicës, “plumbi del me plumb”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë