Shqipërisë nuk i mungojnë njerëzit e ndershëm dhe punëtorë

    AV. TEODOR MOSKO

    Studiues të marrëdhënieve shoqërore kanë vënë në pah se në Shqipëri, etapa e tranzicionit për kalimin nga diktatura 45-vjeçare në demokraci ka qenë e zgjatur dhe do të vazhdojë, ndonëse kanë kaluar mbi 30 vite.

    Ky vlerësim lidhet me gamën e gjerë të problemeve dhe çështjeve ligjore që duhet të bëheshin, ato që lidhen me rolin dhe funksionimin e organeve shtetërore, ato që i referohen sferës së ekonomisë së tregut të regjimit juridik, të së drejtës së tokës, trajtimit të pronave të ish-pronarëve, si dhe të një varg çështjeve sociale si: punësimi, sigurimet shoqërore, realizimit të të ardhurave nga puna dhe përmbushjes së detyrimeve fiskale.

    Në të njëjtën kohë duhet thënë se çështjet e renditura më sipër kanë lidhje me vet shtetasit si: sjellja dhe etika e tyre në shoqëri, arsimimi, kultura, ndërgjegjësimi për ndjenjën e respektimit të zbatimit të ligjit, të cilat përbëjnë thelbin e funksionimit të demokracisë dhe të shtetit ligjor.

    Është e vërtetë se jeta në një shoqëri demokratike të jep shanse dhe mundësi të mira personit në tërësinë e personalitetit të tij në fusha të tilla si: edukimi arsimor dhe kulturor, pjesëmarrja në punë dhe argëtim, pse jo edhe në një sjellje të ndërsjellë midis tyre, si dhe qëndrimi që duhet të mbahet ndaj autoriteteve lokale dhe qendrore të pushtetit si dhe institucioneve të tij. Duhet të theksohet se këto dukuri duhen parë të lidhura me vetë marrëdhëniet e njerëzve midis tyre si dhe marrëdhënia në publik. Kjo mënyrë sjellje dhe qëndrimi kërkon veprime të rregullta në fushën e zbatimit të përpiktë dhe të një lloj të ligjeve.

    Në këtë mënyrë do të mënjanohen dhe shmangen dukuritë që përbëjnë faje siç janë vepra penale, sjelljet e padenja në shoqëri, shfaqjet e akteve korruptive, shmangiet nga detyrimet fiskale (sistemi i taksave dhe tatimeve) dhe deri në ato më të shpeshta siç janë kundërvajtje administrative në sfera të tilla si: qarkullimi rrugor, mbrojtjes nga zjarri, ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit nga ndotjet, mbrojtjen e pyjeve dhe drurëve frutorë si dhe në ato të florës, faunës dhe ujërave të detit e lumenjve nga aktet e peshkimit të paligjshëm.

    Në kundërshtim me sa më sipër, jeta e përditshme në shoqërinë shqiptare të prezanton me një situatë shpresëdhënëse e të shëndetshme. Kjo, për arsye se pjesa më e madhe e njerëzve janë në respekt të rregullave të jetesës në Shqipëri, si dhe respektimit të ligjeve të shtetit. Ata janë njerëz të thjeshtë dhe punëtorë që jetojnë me mundin e punës së tyre. Këtë situatë optimiste unë e vërejta gjatë një round trip (udhëtimi) në Shqipëri. Jeta prej disa vitesh në emigracion nuk më ka shkëputur nga Mëmëdheu, falë internetit dhe bisedat periodike me miqtë, shokët dhe kolegët e mi, që punojnë në fushën e jurisprudencës.

    Gjatë udhëtimit dhe qëndrimit të fundit në Shqipëri, nga kontakti im me disa njerëz që punojnë në fushën e biznesit tregojnë hapësirat që krijon ekonomia e tregut për ta, të cilët njëherazi janë taksapagues të rregullt që nuk e njohin evazionin fiskal, si dhe shmangien ose mospagim i taksave.

    – Andi Prifti, nga Divjaka e Lushnjës, pinjoll i një familje me tradita Myzeqare. Ai është i njohur në Divjakë si një biznesmen i suksesshëm në përpunimin e ullirit për nxjerrjen e vajit. Sipas ligjit për shoqëri tregtare, është i regjistruar Person Fizik, ortak i vetëm dhe administrator i saj, duke pasur në pronësi një fabrikë vaji “Alfa Laval”, produkt italian nga i cila nxirrej vaji Extra Virgine Olive Oil si dhe tharjen e bërsive të ullirit që përdoreshin në kaldajat për ngrohje. E kam parë në vend aktivitetin e këtij biznesmeni, i cili ndodhej pak kilometër në anën e djathtë të qytetit të Divjakës. Në fabrikë përpunoheshin ullinjtë e tij si edhe të fermerëve nga Divjaka, Lushnja, Golemi, Gradishta etj. Kapaciteti përpunues ishte 16 kuintalë ullinj në një orë. Duke kaluar fazat e procesit të linjës nga larja e ullirit, te dekanteri që bën përpunimin e tyre deri në procesin e nxjerrjes së vajit. Të punësuar në këtë fabrikë ishin një numër i kufizuar punëtorësh, sepse peshën kryesore e kryente vetë pronari-administrator, i cili mbante veshur rroba pune të tipit kominoshe dhe doreza meshini. Gjendej kudo në kryerjen e punëve dhe vënies në proces të pajisjeve të teknologjisë së linjës së makinerive, të cilat ishin tërësisht automatike.

    Mësova që ky biznesmen është një taksapagues i rregullt. Pas nxjerrjes së bilancit kontabël, shlyerjes së pagesave të punëtorëve, pagimit të tatimeve dhe detyrimeve të sigurimeve shoqërore ai mbante fitimin e nxjerrë. Në anën e majtë të rrugës kryesore të qytetit pa vajtur te fabrika e vajit, Andi Prifti ka banesën, një shtëpi dykatëshe me oborr të rrethuar me mur, në brendësi të së cilës ka bimë lulesh, si: fikus elastica, monstiera grandosa, sanseveri, palma sukas, si dhe pemë frutore të llojeve të ndryshme.

    Ndodhi rastësisht që ditën që ne ishim të ftuar për drekë tek ai, kishte filluar dhe vazhdonte procesi i nxjerrjes së rakisë së rrushit. Lënda e parë ishte e fermentuar në fuçi plastike dhe vazhdonte djegia e lëngut. Nga llullaja pikonte lëngu i rakisë që filtrohej nëpërmjet kontaktit me pambuk. Bëmë një video të procesit, rreth procedurës së ndjekur për teknologjinë e nxjerrjes së rakisë. Me përgjigje të pyetjeve kureshtare ai na tha se pas fermentimit të rrushit kjo ishte dita e parë, e cila fillonte me nxjerrjen e lëngut që përftohej nga shtrydhja nëpërmjet një prese në një kade druri nëpërmjet llugve të së cilit dilte lëngu, i cili kondesohej nga serpentina e kazanit i bërë me metal bakri. Mësuam se në një kuintal rrush të varietesë “Merlot i kuq” nxirreshin mesatarisht 18-20 litra raki me nivel alkooli 20-22 gradë. Mikpritësi na tha se prodhimi që bënte ishte për përdorim vetjak dhe për miqtë.

    Në vitin 2021, me fitimet e nxjerra nga biznesit i fabrikës së vajti të ullirit i lartpërmenduri e shtoi aktivitetin e shoqërisë tregtare. Investoi dhe vuri në punë një linjë të re për prodhimin e rakisë, e cila në sezon mund të përpunoj rreth 5 kuintalë rrush në një orë për zierjen e rakisë. Në këtë pjesë të biznesit të ri ai kishte investuar në një vlerë prej 50 mijë euro.

    Në drekën e shtruar ai kishte një meny të pasur me disa lloje peshku të freskët të Lagunës së Karavastasë. Të shoqëruara nga verë të vjetëruar.

    Më bëri përshtypje tradita myzeqare, ku ai që shërbente mbante një peshqir të bardhë të palosur në gjatësi në supin e majtë. Ai iu paraqit të ftuarve me peshqirin e bardhë hedhur mbi sup gjatë gatimit. E veçanta tjetër ishte se pritja u shoqërua edhe me këngë myzeqare siç u këndua edhe kënga e Takijes. Vargjet e para ishin melankolike, por më pas ato rrodhën me nota optimiste. Edhe në drekën e Zeng të Divjakës, një i moshuar familjar i tij këndoi këngën e Takijes. Iu luta që ta përsëriste dhe nëpërmjet tij fiksova disa vargje të cilat janë: “Oh, oh, oo si mal dhe fushë qëndisur oh!/ O moj grua, e zeza grua,/ Që m’u gris takia mua/ Mjerë un i mjeri, si m’u gris takia mua…”. Vargjet e kësaj kënge shprehin bukur ndjenjë e myzeqarit për dashurinë.

    Nuk di nëse janë përbërëse e këngës të takijes vargjet: “Kur më ke takijen oh’/s’ke ç’e do festën oh!”. Ndoshta këto vargje janë shkëputur nga një tjetër këngë myzeqare se për ta takija është simbolika e veshjes tradicionale të kësaj treve.

    – Ali Murrizi po nga Myzeqeja. Taverna e tij ndodhet në brendësi të pyllit të pishave të Divjakës, në afërsi të zonës së plazhit dhe mjedisi i saj përbëhet nga bari, restoranti dhe një odë dimërore, ndërsa në stinën e verës tavolinat për klientët shtrihen në brendësi të pyllit me pisha, i cili të krijon mundësi të thithësh ajrin e freskët me aromë poleni pishe që aq mirë i bën funksionimit të mushkërive. Po cili është Aliu? Pronari i këtij biznesi të vogël familjar sipas ligjit në shoqëri tregtare funksionon si person fizik, me pronar dhe administrator vetë Ali Murrizi. U interesova për personin e tij dhe mësova se ka studiuar në shkencën e veterinarisë dhe ka punuar edhe si trajner i garave të kuajve. Vetë paraqiste një trup muskuloz, tepër atletik, gjë që e tregonte në servirjen e zgarës me peshk dhe fruta deti të pjekura në prush thëngjilli. Kur serviri ullinjtë e kripur, procesi i përpunimit ishte i veçantë, sepse nxjerrja e hidhërimit bëhej me finjë, një përbërës që përftohet nga përzierja e ujit të freskët e hirit të situr që nxirret nga djegia e drurit në oxhak. Në tavolinë pronari kamerier solli dy broke të vogla me vaj ulliri dhe limona të prera me feta dhe shtoi: “Vajti është i ri nga fabrika e Andi Priftit në Divjakë”. Edhe uji, ai i thoshte ‘ujti’, siç duket janë shprehje të veçanta të divjakasit.

    Te taverna e Ali Murrizit çudirat nuk kishin të mbaruar. Ja disa: nga traditat si trajner dhe sportist dhe garat me kuajt ai edhe shërbimin e klientit në stinën e verës në tavolinat e shtruar midis pishave servirjen e asortimenteve mbi tabaka e bënte hipur mbi një kalë. Kali ishte praktikuar që kur vinte pranë tavolinës ulej në mënyrë që servirësi të zbriste dhe të vendoste në tavolinën e klientëve porosinë. Kjo pamje, kur je rishtas, është mahnitëse. E dëgjuar është se për dasmë ka tradita që nusen dhe pajën e sjellin te dhëndri me kalë, por kurrë nuk kisha parë që administrator i tavernës “Pylli i Pishave Divjakë” të shërbejë me asortimente pije dhe meze me kalë. Duke qenë se kjo dukuri është unike, ardhësit e kanë pagëzuar me emrin “Ali Kali”. Madje, edhe password i WI–FI ishte “Alikali–99”.

    Tjetër dukuri që vërejta ishte se në përfundim të ngrënies, ky njeri fisnik nuk e quante veten “pronar” dhe tepër modest u servirte klientëve me një lloj kosi të veçantë të përzier me mjaltë me hoje të nxjerrë nga parku i bletëve të tij, të cilat thithin nektarin nga lulet e shumta që ka në pyllin e pishave, madje në përfundim ai i ftonte klientët të lanin duart duke i hedhur vetë ujë të vakët me limon. Fatura fiskale në përfundim të këtij shërbimi cilësor kulinar për një tavolinë me gjashtë persona ishte me një vlerë mjaft të arsyeshme po qe se mund të bësh krahasime me lokale e taverna në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.

    Pasioni për rritjen dhe trajnimin e kuajve Ali Murrizi e kishte bërë që të krijonte një “Mini pista di Cavalo”. Brenda rrethimit të së cilës kalëronin dy kuaj, një i llojit “pony” dhe kali tjetër që ishte në shërbim të klientëve. Mjedisin e këtij ansambli e plotësonte dhe një park i vogël me specie të ndryshme shpendësh si pula shqerake dhe deti, rosa, pata, dhe pula hindi. Madje, edhe fazan, ndërsa në mjedisin e pritjes kishte të varur dy kafaze me nga një çift kanarinash, të cilat ishin në garë midis tyre se kush këndonte më bukur. Për disa dëgjues, mashkulli i çiftit të kanarinave “malinmuah” kishte tingull melodioz.

    Nga vizita që bëra në mjedisin e Divjakës mësova shumë gjëra për Myzeqenë, Lushnjën dhe vetë Divjakën. Divjaka është një pikë e rëndësishme e agroturizmit në Shqipëri, që shtrihet në qendrën administrative të Lushnjës, e cila vetë mbart vlera të rëndësishme historike. Aty gjendet qyteza e hershme e Babujës” Arnisa”, e cila daton në shek. 6 p.e.s dhe jo shumë larg saj në kodër të lartë ngrihet manastiri mesjetar i Ardenicës, ndërtim i stilit bizantin ku siç është pranuar edhe nga murgjit aty ka vënë kurorë Gjergj Kastriot Skënderbeu.

    Treguan se nga një kullë e manastirit në kohë me qiell të kthjellët me instrumentet e asaj kohe shihet kalaja e Kaninës së Vlorës, ku Gjergj Arianiti, Princi i Kaninës, kurorëzoi lidhjen me Gjergj Kastriotin me vajzën e tij, Donika. Siç dihet, kjo ishte një lidhje që forcoi aleancën në kuadrin e besëlidhjes të principatave shqiptare kundër sundimit të Perandorisë Otomane. Në vetvete, Lushnja dhe Divjaka bëjnë pjesë në trevën e Myzeqesë, një nga fushat më të mëdha në pjesën perëndimore të Shqipërisë, emrin e së cilës e ka marrë nga familja fisnike e Muzakajve, që ka sunduar gjatë shek.. 13-16 e.s. Për Divjakën bukuritë e natyrës janë resurset e saj, pishat që shtrihet me një gjatësi prej 10 m bregdet, të cilat krijojnë vlera kurative të kombinimit pyll-rërë-det. Jo larg saj është laguna e Karavastasë, e veçantë në llojin e shumtë të specieve të shpendëve, mbi të cilat si qershia mbi kek, është për pelikanin kaçurrel, i vetëm si specie në të gjithë pellgun e Mesdheut. Kjo zonë ka mundësi reale për zhvillimin e turizmit nga vendasit dhe të huajt. Aty ndodhet edhe “Divjaka resort”, që së bashku me tavernë restorantin e Ali Murrizit janë shembuj pozitivë. Vargjet e një kënge: “Haj’t të dalim nga Myzeqeja” shprehin dëshirën e hershme të njerëzve për të vizituar këtë zonë.

    Karakteri dhe tiparet e këtyre njerëzve që përshkruam në këtë ese dhe natyra e tyre e thjeshtë flasin për pozitivitet të jetës në shoqërinë tonë demokratike, e cila po rritet dhe zhvillohet në nivele bashkëkohore të vendeve të tjera të BE-së, ku ne aspirojmë të futemi. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Donbasi po përballet me “sulmet më të ashpra” prej nisjes së luftës

    Lajmi i rradhës

    A është i sigurtë përdorimi i shisheve plastike pasi janë ekspozuar në diell dhe temperatura të larta?

    Lajme tjera

    Autoktonë

    Justinian TopulliNë përshëndetjen që kryetari KMSH-së i bëri projektit sinkretik fetar të Berlinit, ishte i vetmi nga drejtuesit…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë