Safit Zeqiri
Arsimi i mesëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut përfaqëson një segment kyç në sistemin arsimor, por vitet e fundit po përballet me sfida të shumta. Pavarësisht reformave, procesi arsimor ende vuan nga programe mësimore të papërsosura, shpërndarje e pabarabartë e burimeve dhe mungesë e mësimdhënies praktike.
Problemet në sistemin arsimor reflektohen edhe në rezultatet e nxënësve. Nxënësit e shkollave të mesme tregojnë rezultate të dobëta në testimet ndërkombëtare, siç është PISA, duke nxjerrë në pah mangësitë në metodat e mësimdhënies dhe strukturën arsimore. Mungesa e mendimit kritik, niveli i ulët i shkrim-leximit funksional dhe motivimi i dobët për të mësuar janë disa nga problemet kryesore për të cilat ekspertët e kësaj fushe duhet të ngrenë zërin dhe të kërkojnë zgjidhje.
Një nga sfidat më serioze me të cilat përballet arsimi i mesëm është mungesa e shpeshtë e profesorëve, e cila ndikon negativisht në vazhdimësinë e mësimdhënies dhe cilësinë e njohurive të nxënësve. Prindërit gjithnjë e më shpesh shprehin pakënaqësi për orët e humbura, gjë që çon në humbje të përmbajtjes mësimore dhe përgatitje të pamjaftueshme për maturë apo për vazhdimin e arsimit. Për shkak të kritereve të dobëta, i njëjti nivel i mungesës së rregullsisë vërehet edhe te vetë nxënësit.
Arsyet e kësaj mungese të rregullsisë janë të shumta. Profesorët shpesh mungojnë për arsye shëndetësore, por edhe për shkak të pjesëmarrjes në seminare, trajnime dhe detyrime administrative. Kjo ndikon veçanërisht tek nxënësit kur shkollat nuk ofrojnë zëvendësim adekuat.
Për shkak të mungesës së stafit mësimor në disa lëndë, disa profesorë janë të detyruar të punojnë në disa shkolla, gjë që ndikon në disponueshmërinë dhe rregullsinë e tyre.
Kontrolli mbi praninë e profesorëve në shumë shkolla është i pamjaftueshëm, ndërsa mungesat shpesh mbeten të paregjistruara ose pa ndonjë sanksion të duhur. Inspektorati Shtetëror i Arsimit, megjithëse me një numër të vogël inspektorësh, duhet të kryejë më shpesh kontrolle dhe të marrë masa ndaj mungesës së rregullsisë dhe mënyrës së punës së stafit mësimor.
Mungesa e shpeshtë e mësuesve lë pasoja serioze në cilësinë e arsimit. Nxënësit hasin vështirësi në përvetësimin e përmbajtjes mësimore kur mësimi nuk zhvillohet rregullisht. Mungesa e orëve ndikon drejtpërdrejt në rezultatet e nxënësve, të cilët nuk janë mjaftueshëm të përgatitur për provimet përfundimtare.
Kur profesorët nuk vijnë rregullisht, nxënësit krijojnë përshtypjen se mësimi nuk është prioritet, çka ndikon negativisht në angazhimin, disiplinën dhe motivimin e tyre.
Për të përmirësuar situatën, nevojiten masa konkrete dhe angazhim nga institucionet përgjegjëse, me kontrolle më të shpeshta dhe llogaridhënie të stafit mësimor. Gjithashtu, shkollat duhet të kenë një sistem të zëvendësimeve të shpejta për të shmangur humbjen e orëve mësimore.
Arsimi është themeli i çdo shoqërie, dhe cilësia e tij varet drejtpërdrejt nga përkushtimi i stafit mësimor. Nëse nuk merren masa të menjëhershme për të zgjidhur problemin e mungesës së rregullsisë së profesorëve, nxënësit do të vazhdojnë të humbasin orë, dije dhe mundësi për një të ardhme më të mirë. Institucionet duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të bëjnë përpjekje për të krijuar një sistem arsimor të qëndrueshëm dhe efikas, i cili do t’u ofrojë të rinjve arsim cilësor dhe të vazhdueshëm.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.