Në kërkim të Presidentit të paracaktuar

    ARTUR LAZRI 

    Saga presidenciale në Shqipërinë postkomuniste vijon aktualisht me intensitet të lartë në mejhanet publike e lozhat private të politikës genuine makiaveliste shqiptare. Presidenti i Shqipërisë apo institucioni kushtetues i Presidentit të Republikës është i përcaktuar në Kushtetutë si kryetari i shtetit. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të cilat e zvogëluan peshën reale kushtetuese të institucionit, Presidenti tashmë mbahet kryesisht me pozicionin e tij honorifik mbi palët politike si dhe optimalisht me personalitetin e tij të spikatur publik, politik apo akademik.

    Presidenti aktual i Republikës së Shqipërisë, SHTZ Ilir Meta, i cili është Presidenti i tetë zyrtar në historinë moderne politike shqiptare, ka spikatur me lidershipin presidencial dhe karizmën natyrale të real-politikës që mbart, duke shfaqur publikisht për herë të parë brenda llojit dhe koalicionit natyral politik përplasjen e jashtëzakonshme me shumicën parlamentare qeverisëse, e cila e propozoi dhe e votoi unanimisht për marrjen e detyrës së lartë shtetërore, në fund mandatin e parë të koalicionit qeverisës në vitin 2017.

    Rasti unik studimor i përplasjes qeveri-presidencë dhe më pas i shkarkimit nga Parlamenti, veprim i kundërshtuar dhe hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, përtej asaj që është në dukje si përplasje parimore kushtetuese, por në realitet një garniturë kontrolli e bindje strategjike kryeministrore, e dërgon me qetësinë e duhur para stuhisë politike Metën, drejt përfundimit të mandatit 5-vjeçar presidencial. Intervista e ditëve të fundit e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, dhënë shtypit grek pas vizitës në Tiranë, hedh dritë mbi pazaret e Ramës me palën greke për çështjen e detit dhe pengesa që Presidenti Meta u paska bërë këtyre pazareve, saqë mezi presin ta zëvendësojnë.

    Ministri Dendias thotë: “Kemi rënë dakord të shkojmë në Hagë për çështjen e detit për të vendosur dhe zbatuar të drejtën ndërkombëtare. Por kjo nuk është bërë ende pasi Presidenti aktual nuk i jep autorizimin e nevojshëm Kryeministrit dhe Presidenti tjetër do të zgjidhet gjatë dy-tre muajve të ardhshëm, pra, të gjitha këto do të zbatohen”. Gjuetia për Presidentin e nëntë në xhunglën publike shqiptare, brenda e jashtë kufijve shtetërorë, në dukje apo sipërfaqe, e kamuflon mrekullisht Kryeministrin-gjuetar, për ata që nuk e njohin mjaftueshëm Ramën si format i pazakontë politik.

    Të rënë në kurthin kryeministror, ndoshta me dëshirën e mirë të protagonizmit publik, njëra pjesë e opozitës parlamentare pranoi të merrte pjesë dhe të dakordësohej me shumicën parlamentare për kandidatë vetëm opozitarë, në tri raundet e para të votimit për Presidentin e ri edhe pse deri tani në raundin e tretë nuk kemi asnjë kandidat zyrtar në Kuvend. Duhet theksuar sipas nenit me numër 87 të Kushtetutës, i paraparë për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendit i propozohet kandidati për President prej jo më pak se 20 deputetësh.

    Kuvendi zhvillon deri në pesë raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit, nga të cilat në tri raundet e para Presidenti zgjidhet me shumicë të cilësuar prej jo më pak se 84 deputetësh dhe vetëm dy raundet e fundit janë parashikuar me shumicë të thjeshtë prej jo më pak se 71 deputetësh. Xholi presidencial i hedhur para kohe me nxitim nga Kryeministri në mjegullnajën publike politike të inceneratorëve, çmimeve të larta dhe skandaleve të tjera të qeverisë, ka trazuar shpirtin e brishtë idealist të personave që e hëngrën menjëherë “karotën” presidenciale dhe nxituan të vetofrohen apo të pranojnë propozimet e ardhura së fundmi edhe nga rrjetet sociale, të shquara mjaftueshëm për pjesën selektive. Po kush do të zgjidhet President i ri? Nga do të dalë Shkëlqesia e Tij/Saj? Nga gjiri i partisë apo nga të besuarit personalë të Kryeministrit që i mban nën petkun e figurave publike?

    Varianti 1.

    Presidenti zgjidhet nga Partia Socialiste Rama i parapriu një votimi në Grupin Parlamentar të PS-së dhe duke rezultuar se votimi nxori në shumicë personalitete kandidatë brenda Grupit Parlamentar, ai e bëri të pavlefshëm votimin duke deklaruar se kandidati për President nuk do dalë nga gjiri i Grupit Parlamentar të PS-së. Mbetet i hapur dhe plotësisht i pranuar zyrtarisht kandidimi i figurave dhe personaliteteve që nuk janë pjesë e grupit më të madh parlamentar, por që janë kontributorë partiakë dhe gëzojnë besimin e vlerësimin personal të Kryeministrit. Në çdo rast, ky variant dërgon në detyrën e lartë shtetërore një partiak të bindur verbërisht dhe figura e Presidentit do ishte e paragjykuar në të gjitha vendimet e tij.

    Varianti 2.

    Presidenti zgjidhet nga Partia Demokratike Marrëveshja e një pjese të opozitës parlamentare të PD-së me Grupin Parlamentar të PS-së, e cila konsiston në kandidimin e personaliteteve që vijnë nga opozita, vetëm për tri raundet e para, mbi disa kritere të paravendosura, e bën të vështirë fillimisht unifikimin e deputetëve për një personalitet brenda radhëve të opozitës, si dhe akoma më të vështirë pranimin pastaj edhe nga ana e deputetëve të PS-së për ta votuar në Kuvend. Fakti që deri tani në raundin e tretë asnjë kandidat nuk ka marrë bekimin zyrtar fillestar të opozitës, tregon në realitet mosunifikimin e faktorëve opozitarë, si dhe mundësinë makiaveliste për të djegur tri raundet e para që duan shumicë të theksuar votimi në Kuvend dhe për t’u justifikuar në publik me problemet brenda opozitës. Varianti 3. Presidenti zgjidhet nga personalitetet publike “përtej së majtës e së djathtës”.

    “Asi nën mëngë” presidencial i Kryeministrit duket se fshihet te teoria e tij e kahershme “përtej së majtës e së djathtës”, një personalitet publik që i rri mirë në dukje kostumi jo politik, i cili pranon të “sakrifikohet” në detyrën e lartë shtetërore e që ditën e tij të punës e fillon dhe e ngrys me “këshillat” e vetë Ramës për gjeneratën e re të kombit. Një President i ardhur në këtë variant më të mundshëm, do siguronte edhe pëlqimin paraprak propagandistik popullor, por në realitet do ishte një shtojcë aprovuese kushtetuese me kostum presidencial i qeverisjes Rama. Pavarësisht dëshirave, ideve apo ëndrrave me President, i dashur nga publiku apo partitë politike, për ta thënë fare qartë dhe saktë, Presidenti i ri i Shqipërisë do të dalë vetëm nga “poturet” e Kryeministrit tonë makiavelist fuqiplotë, në raundin e katërt ose të pestë, aty ku siguria e zgjedhjes në Kuvend është maksimale me të paktën 71 deputetë, e pranueshme për një President thellësisht të bindur ndaj Kushtetutës së Shqipërisë dhe “kushtetutës” së Ramës. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    A do ta blejë Gerry Cardinale Milanin nga Elliot?!

    Lajmi i rradhës

    Autoriteti dhe dhuna brenda piramidës së Policisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë