Sociologët, politikanët dhe “shëndeti i shoqërisë”

    GËZIM TUSHI 

    Edhe pse akoma i ndjeshëm qëndrimi rutinor, mungesa e vlerësimit të duhur për rolin e sociologjisë dhe profesionin e sociologut në jetën e sotme të shoqërisë shqiptare, zhvillimet dinamike e problemet kruciale në rritje, jo të lehta për t’u diagnostikuar saktë dhe sidomos për të ofruar terapitë e duhura, është nevojë urgjente për transformim dhe ridimensionim të vlerës teorike, sociale, kulturore nëpërmjet një “operacioni të dyfishtë”. E para, përmes në rivlerësimi të figurës dhe rolit shoqëror të sociologut në jetën e sotme intelektuale e profesionale, nëpërmjet rritjes së autoritetit shkencor dhe empirik të kësaj shkence, e cila duhet të shërbejë si bazë për nevojën imperative të dinamizimit të studimeve sociologjike në shumë fusha të jetës, në të cilat është e domosdoshme kompetenca, përgjigjet koherente të saj. Në këto kushte, janë disa probleme e shqetësime, për të cilat ka ardhur koha të ngrihet zëri, të bëhen ndryshime dhe transformime konceptuale, shkencore, strukturore. Si parakusht për të kuptuar seriozisht, jo në mënyrë sempliste, vlerën dhe kontributin sui generis të sociologut dhe shkencës së sociologjisë. Duke filluar nga ndryshimi i mentalitetit për të kuptuar drejt raportin midis vlerës së sociologut, nevojave të shoqërisë dhe përgatitjes së tyre me përkushtim profesional.

    Nuk mund të mos vlerësojmë faktin, që analiza dhe studimet sociologjike, duhet me çdo kusht të mbajnë parasysh, faktin e specifikës së rrugës tonë të kalimit të menjëhershëm, pothuaj pa pasur mundësinë e respektimit të zhvillimeve normale e graduale, nga shoqëria totalitare me dimension social të determinuar, në atë postmoderne, me dimension individual. Kalimi nga shoqëria totale dhe hierarkike në shoqërinë moderne, liberale, të lirë, pa dimensione deterministe, individualiste, pa strukturime klasore, doemos duke qenë disi kaotike, nuk është e thjeshtë ta analizosh si fenomenologji apo ta përkufizosh si tipologji. Ka shumë vështirësi, të cilat ndihen në fushën e mendimit sociologjik aktual.

    Sepse, nëse dukjet në shoqëri janë evidente, pas saj fshihet ajo që është thelbësore, e cila nuk është gjithnjë e dukshme për sytë e njeriut të zakonshëm. Aftësia për të lexuar trendet themelore të zhvillimit të shoqërisë, ndryshimet “sizmike” në organizimin e jetës shoqërore, janë detyrë prioritare, normative e sociologut dhe përgjegjësi deri diku ekskluzive e sociologjisë. Kjo do të thotë që kur analizojmë dukuritë sociale, sidomos kur ato i trajtojmë teorikisht, duhet të mbajmë parasysh jo vetëm “tekstin teorik”, por dhe kontekstin e zhvillimit historik. Kjo do të thotë që duhen diagnostikuar me kujdes problemet që ka sjellë shoqëria e sotme shqiptare, postmoderne, turbokapitaliste, fetishizimi i shpejtësisë së ndryshimit të gjërave, dinamika e shfaqjes së papritur të shumë fenomeneve të reja, të panjohura sociale.

    Duhet të jemi objektivë, të sinqertë në analizat dhe studimin e problemeve të shëndetit të shoqërisë shqiptare. Filozofi i shquar Jurgen Habermas, ka plotësisht të drejtë në këshillën e tij, sipas së cilës jemi në kohën kur “patologjitë sociale nuk duhet të mistifikohen”. Kjo do të thotë, që duhet të largojmë paradigmat, paragjykimet, dëshirat subjektive apo elegancat teorike hipokrite të pavërteta, e të flasim hapur me shoqërinë dhe njerëzit tanë. Sepse “…është e kotë të fshehim që sot gjendemi në një periudhë të një shpërbërjeje pak a shumë të theksuar të strukturave sociale, struktura që ndër të tjera, që prej kohësh kanë paraqitur një karakter jo dhe aq tradicional në kuptimin më të rreptë të fjalës”…Midis proceseve që kanë çuar ose po çojnë në këtë shpërbërje, disa duhen çmuar të pakthyeshëm”. (Julius Evola, “Metafizika e seksit”, f. 557)

    Duhet pranuar, gjithashtu, që momentalisht jemi në kushtet, kur liberalizimi i jetës, dominimi i natyrës së personalizuar të lidhjeve, marrëdhënieve sociale dhe shfaqjes së njeriut “hiper individualist”, është shoqëruar me shfaqje të bujshme të fenomenit të degradimit moral individual e social. Një proces që sociologjikisht favorizohet nga tendenca e zgjeruar e instrumentalizimit të gjithçkaje në shoqëri. Me sa duket, shoqëria jonë është në moment kruacial, kur ecin paralel shumë imperativa sociale, bashkë me nevojën për të ripërkufizuar sistemin e vlerave morale dhe parimeve sociale. Prandaj duke qenë në një situatë të tillë, kur janë shtuar sjelljet anormale dhe ndjenjat destruktive, është e nevojshme dhe vërtet na duhen më shumë studime sociologjike, analiza sintetike social politike me natyrë inkorporuese dhe sintetizuese. Kjo do të thotë, se duhet kuptuar në radhë të parë situata, ndryshimet eruptive që po ndodhin në të njëjtën kohë: në jetën e shoqërisë dhe natyrën e njeriut. Këto janë parakushte të domosdoshme si “lënda objektive” e analizave dhe studimeve sociale.

    Kohët e fundit autori i këtyre radhëve, por dhe shumë të tjerë, kanë ngritur shqetësimin dhe kanë bërë vlerësimin e problemeve të shumta, me natyrë të ndërlikuar që ka shoqëria, të cilat kërkojnë të analizohen në thellësi, me përgjegjësi deontologjike e skrupulencë profesionale, të sintetizuara në imperativin për të bërë një “revolucion”, në ridimensionimin e konceptit për nevojat e ngutshme që kemi për sa më shumë studime sociologjike. Sepse shoqëria ka shumë probleme, që duhen analizuar e vlerësuar përtej asaj që duket (të dukshmes), bravurave të politikës empirike, modës sunduese ideologjike të ditës. Koha moderne ka krijuar situata të reja sociale, që jo vetëm duhen analizuar drejt, por mbi të gjitha konkluzionet duhen bërë me përgjegjësi profesionale dhe ekspertizë të saktë sociologjike.

    Me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur, edhe pse zhvillimi i shkencës sociologjike është dukuri e vonë, e periudhës demokratike, sepse më parë ajo ishte e “papranueshme”, ngaqë konsiderohej e “paaftë” të konkurronte me “ligjet e përgjithshme” të materializmit historik dogmatik, përsëri herë pas here në analizat dhe gjykimet sociologjike të fenomeneve të shoqërisë aktuale shqiptare, ndihen ndikimet konservatore, në jo pak raste edhe shfaqje të recidivave të përdorimit të “lenteve” dhe “optikave” të vjetra. Me të drejtë sociologu Daniel Bell thotë: “Gabimi më i rëndë në shkencat sociale është leximi i karakterit të një shoqërie nëpërmjet një koncepti të vetëm mbizotërues, ose “ supozimi se ekzistojnë “ligje zhvillimi shoqëror” sipas të cilave një sistem shoqëror zëvendëson një tjetër për shkak të ndonjë domosdoshmërie të patundur”. “Ardhja e shoqërisë postindustriale”, f. 89

    Shoqëria shqiptare, zhvillimet social ekonomike e psiko-kulturore edhe pse është në valët e ngjashme të modernitetit universal, prap se prap ajo ka trendet e veta specifike, që duan analiza koherente, të qëndrueshme sociologjike. Kjo është arsyeja pse duhet të dalim nga “pelenat” e sociologjisë së fjetur, skematike e libresko-shkollareske, duke e kthyer atë në arenë të diskutimeve energjike, për të zhvilluar atë teori sociale që i përgjigjet më mirë, më shpejt, në mënyrë sa më adekuate analizës, shpjegimit të situatave sociale që zhvillohen në vendin tonë.

    Padyshim, zhvillimet e kohës së sotme, revolucioni kulturor e moral, zhvillimet teknologjike dhe sidomos digjitalizimi i jetës e ka ndërlikuar jashtëzakonisht shumë menaxhimin e problemeve sociale. Kjo është një nga vështirësitë aktuale, si mbështetje, por edhe si pengesë për të realizuar studime të thelluara, me vlera konsistente e të qëndrueshme sociologjike. Por është e nevojshme të bindim veten, të pranojmë të vërtetën, por të bindim edhe të “tjerët”, qoftë politikanët e këtij vendi apo skeptikët dhe nihilistët e vlerës së padiskutueshme të sociologjisë në kohën e sotme. Sepse në mënyrë absolute, është evidente nevoja e “ulëritëse” e diagnostikimeve precize, njëkohësisht e bërjes së parashikimeve të zhvillimeve sociale, për sot dhe të ardhmen, të situatës aktuale por dhe të perspektivës së zhvillimeve sociale aktuale e strategjike, Është naivitet, keqdashje apo injorancë subjektive të mos kuptosh dhe pranosh, se është detyrë e kohës, pritmëri evidente që ka shoqëria shqiptare si pretendim ndaj ekzigjencës dhe performancës së mendimit sociologjik.

    Sepse shoqëria jonë ka ndryshuar dhe është fare primitive ta vlerësosh dhe observosh atë, me konceptet e vjetra, arkaike e dogmatike të shoqërisë unike apo strukturalisht homogjene. Në këto kushte duket urgjente, nevoja e vlerësimit të mendimit sociologjik, sidomos nga politika dhe lidershipet e saj. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse ata kuptojnë, se sociologjia dhe sociologët kanë në duar armën specifike profesionale, për të zbuluar dhe identifikuar nevojat sociale, që lidhen fjala vjen me familjen, shkollën, varfërinë kaosin urban dhe sëmundjet e tjera sociale. Në këto kushte, analiza e situatës, zhvillimeve kontradiktore dhe paradoksale të fenomenologjisë së dukurive komplekse të jetës shoqërore dhe sjelljeve individuale, është e domosdoshme të bëhet, jo thjesht për ta parë atë nga optika e të sotmes, me “pelerinën e ngushtë” të shqetësimeve aktuale, por me bindjen se shoqëria jonë, që akoma është në kapërcyell të plotësimit të standardeve të modernitetit, ka nevojë për “terapi” sociale për të pasur shëndetin e duhur europian.

    Kjo do të thotë që, sociologjia dhe sociologët duhet të mendojnë, të sensibilizojnë politikën dhe shoqërinë, se në mënyrë të sigurt është duke ardhur një e “ardhme ndryshe” nga kjo që jetojmë dhe për të cilën duhet të përgatitemi të gjithë, individualisht, por edhe si shoqëri.

    Në këto kushte nuk mund të ketë “paketa” politikash të sakta, ide e strategji për të parandaluar apo shëruar këto “sëmundje endemike” të shoqërisë shqiptare, pa një bashkëpunim të ngushtë të mendimit politik me atë sociologjik, pa një koordinim të sinqertë, pa vlerësim me respekt reciprok, midis politikanëve dhe sociologëve, për të definuar objektivat kombëtare, përcaktimin e saktë të mënyrave dhe rrugëve të zhvillimit të reformave afatgjata. Kjo do të thotë se na duhen ide e bindje të reja koherente e adekuate, që i përgjigjen të vërtetave të jetës, jo dëshirave subjektive apo hamendjeve të hallkatura empirike. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Si ta mbani djersën nën kontroll gjatë ditëve të nxehta të verës

    Lajmi i rradhës

    Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, thirret seancë për në orën 22:00

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë