SPAK, një institucion normal në mjedis anormal

    PËLLUMB NAKO

    Prodhim i reformës, SPAK, në parim mbahet dhe mbetet si organi që shënon një nga sukseset e saj. Nëse do të shpreheshim me terminologjinë e sociologëve, si çdo organ tjetër i drejtësisë, ky organ është institucion formal i kontrollit social mbi devijancat sociale, që do të thotë organ i drejtësisë që merret me shkeljet ligjore të disa kategorive sociale specifike. Nga njëra anë klasa oligarkopolitike, e cila siç dihet karakterizohet nga fuqi e madhe ekonomike e politike, fuqi propagandistike me aftësi të ndërtojë opinionin publik sipas interesave të saj dhe nga ana tjetër organizatat apo grupet e strukturuara kriminale me aktivitet krimin e organizuar të cilët siç dihet nën dhe, kanë fijet e duhura për të lëvizur në favorin e tyre si oligarkët dhe klasën politike. Natyrshëm, këtu edhe vështirësia.

    Ndërkohë, SPAK siç dihet gjerësisht, duke qenë institucion i pavarur, e ka në tagrin e tij përcaktimin se cilat do të jenë përparësitë e aksionit penal, cilën strategji i ka vënë vetes para, apo cilin objektiv ka fiksuar me vullnetin e tij të lirë për të arritur realizimin e misionit. Pavarësisht se institucioni i ka paraqitur në websitin e tij, arritjet dhe objektivat, duket se pakkush i ka lexuar dhe ndërkohë një zhurmë shurdhuese mbyt çdo zë të pavarur që mundohet të arsyetojë. Askush nuk është në gjendje të krahasojë e të kuptojë realizimet e SPAK, në raport me objektivat që i ka vënë vetes, sepse ka një prurje të pamasë komente mediatike ku secili e gjykon institucionin sipas pritshmërive të tij, për të mos thënë sipas oreksit të tij. Zhurma e pafre ka arritur në ato përmasa sa që njerëzit e thjeshtë e kanë të vështirë të perceptojnë se cila është detyra e SPAK e në vazhdim të ndjekin realizimet e tij. Keqkuptimet kanë arritur deri në atë pikë saqë një qytetar në televizion i kërkon llogari SPAK-ut se përse nuk hap hetime për prishjen e kooperativave.

    Ndaj dhe ajo që po ndodh rëndom, që po e shohim përditë të shfaqet kudo në mediat e të gjitha llojeve, është një lloj agresioni për të paracaktuar axhendën e veprimeve operacionale të institucionit sipas orekseve. Dhe nëse këto orekse do të analizoheshin me kujdes, do të rezultonte se këtë institucion herë e duan që të luajë rolin e opozitës, ta zëvendësojë atë dhe të rrëzojë qeverinë duke i futur të gjithë në burg, herë e duan që të kthehet në rolin e pozitës sepse boll goditi majtas dhe të ndëshkojë krimet e qeverive të shkuara të së djathtës. Janë të shumtë edhe ata që pritshmërinë ndaj SPAK-ut e barazojnë me një revolucion të tipit jakobin që do të fusë në burg gjithë klasën politike. Ngado kërkohet ndëshkim, jo për drejtësi. Zor se në një institucion serioz të drejtësisë të ketë plan pune ku të parashikohet se kur do të goditet korrupsioni i majtë dhe kur i djathti. Kjo logjikë masivizohet dhe besueshmëria e institucionit përvëlohet nga zjarri militant.

    Është fakt se SPAK nuk është institucion që gjeneron revolucione duke rrëzuar qeveri me natyrë politike dhe t’i zëvendësojë me pushtetin e togave të zeza. Ky institucion nuk ka marrë përsipër të rregullojë gjithë paudhësitë e mbarë klasës politike apo edhe të shoqërisë shqiptare. Thjesht nuk mundet. Kjo, sepse siç u tha pak më lart, me gjuhën e sociologëve ky institucion ushtron kontroll social mbi devijancat sociale. Kjo do të thotë që shoqëria shqiptare duhet të ketë një klasë politike të denjë për fatet e vendit, larg fenomeneve korruptive, të jetë një shoqëri, e cila nuk i jep konsensus kaq të gjerë korrupsionit e as krimit të organizuar, një shoqëri që ka filtra të shumtë për të penguar antiligjin dhe ata pak politikanë apo kriminelë që devijojnë, të bien në rrjetën e SPAK-ut. Kurse në vendin tonë për fat të keq jemi thuajse në krah të kundërt. Në shumë çështje, SPAK-ut i kërkohet të zhbëjë shumë vepra të dyshimta ligjore të mbarë klasës politike, jo të disa individëve të saj deviantë, përfshi këtu dhe nivelin parlamentar. Parlamenti duhet t’i krijojë atmosferë inkurajuese, pozitive në kryerjen e detyrës dhe jo të miratojë projekte për të cilat më vonë kërkohen hetime.

    SPAK-ut i kërkohet me forcë të hetojë prishjen e teatrit. Kush e kërkon këtë, shpreh dhe pakënaqësi ndaj institucionit ndërkohë që përballë kemi një parlament eunuk i cili tashmë ka miratuar një ligj special pikërisht për të mundësuar prishjen e tij. Kemi një kryetar bashkie që ndërsen Policinë e Shtetit jashtë çdo rregulli demokratik, ende pa zbardhur, për të larguar manifestuesit me dhunë. Madje, Policia shkul edhe shenjat identifikimit. Kemi një opozitë dhe shoqëri civile që nuk ishte në gjendje ta parandalonte prishjen e tij dhe tani i kërkohet ta bëjë SPAK. SPAK-ut pra i kërkohet zëvendësojë dështimin e mbarë shoqërisë shqiptare në raport me një çështje e cila mban erë korrupsion. Paradokse të tilla as që mund të imagjinohen në vende me demokraci minimale. Në rastin konkret, në vend që Parlamenti të ishte shtrati ku të bazohej puna e SPAK , ndodh e kundërta.

    SPAK-ut i thonë të hetojë inceneratorët kurse maxhoranca nuk e miratoi raportin e opozitës për inceneratorët. Madje, edhe vetë opozita u nda në dy pjesë me këtë rast. Pra, politika nuk mundi jo vetëm të bëjë detyrën e saj, por as nuk arriti të krijojë një atmosferë solidariteti me institucionin. E njëjta gjë edhe për inceneratorin e Tiranës. Kur banorët e zonës u ngritën kundër tij, as opozita, as media, as shoqëria civile nuk u tregua kompakte për të rritur presionin ndaj qeverisë, sepse krimbi i korrupsionit ishte futur kudo. Tani të gjithë përgojojnë SPAK-un.

    Akoma më keq qeveria. Ministri i Drejtësisë i tund SPAK-ut një listë me ish magjistratësh të larguar nga vetingu që duhen hetuar duke i imponuar në këtë mënyrë axhendën institucionit, pasi i ka shpëtuar vetë hetimit të tij. Ndërkohë, megjithëse flet kundër korrupsionit, axhenda e tij është politike dhe SPAK nuk e ka të tillë. Pastaj kur SPAK merr në hetim një gjyqtar, një personazh i quajtur aktiviste, shkruan se i vjen ndot nga institucioni sepse e dënoi magjistratin në fjalë. Hip se të vrava, zbrit se të vrava.

    Në të njëjtën linjë dhe Kryeministri kur u ankua për SPAK-un lidhur me një ish-zëvendësministre të dënuar për një arkë me peshk dhe ndërkohë që Shefi i qeverisë nuk u kujtua të denoncojë e të ndihet i shqetësuar nga fakti se gjithë transkriptimet e përgjimit të zëvendësministres në fjalë u publikuan në medie duke shënuar një shkelje spektakolare e të drejtave të saj njerëzore si nga ana që nxorën sekretin e hetimit dhe nga ata që e botuan në medie.

    Dhe në fund, për të mbrojtur një institucion shqiptar, të ndërtuar nga shqiptarët, për shqiptarët, del një e huaj. Kjo është anomali. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Si ndikon përdorimi i Photoshop-it në shëndetin mendor?

    Lajmi i rradhës

    Zylbeari: Një pjesë e dezinformatave vijnë nga Serbia

    Lajme tjera

    Sytë e lagur

    EDISON YPI M’u lagën sytë. O Zot ç’më gjet’. Pse ndodhi? Nga më erdhi? Çfarë të bëj? Nga…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë