Superheronjtë e universitetit Sh. Kirili dhe Metodi

    Blend Hodai
    Student në Sh. Kiliri dhe Metodi, viti i 2-të

    Një gjë që më ka bërë përshtypje deri më tani në zgjedhjet për rektor në Universitetin Sh. Kiril dhe Metodi është standardi i ri i kulturës politike në debat në zgjedhjet për rektor e që ka munguar më parë, si dhe promovimi i platformave që është më i kapshëm si për studentët, ashtu edhe për opinionin e gjërë. Ky standard duhet të jetë një shembull i mirë për të diskutuar dhe për të hapur një diskurs rreth cilësisë së arsimit të lartë në të ardhmen. Megjithatë, fatkeqësisht, përgatitja intelektuale e shumicës së kandidatëve lë shumë për të dëshiruar. Në debatin e fundit në TV24, kandidatët shfaqën një mungesë tmerrsisht të dukshme të nevojave reale për zgjidhjen e problemeve që Universiteti po përballon. Kandidatët për rektor, të jepnin përshtypjen sikur ligjëronin në ndonjë universitet në planetin Mars, sepse është absurde që mos të jesh i informuar mbi institucionin që dëshiron të bëhesh rektor. Besa, disa prej tyre nuk dinin se sa njësi ka universiteti, 27 ose 33? Të jesh ose të mos jesh?

    Për këtë arsye, përveç standardit të mirë të kulturës politike në debat, është shumë e rëndësishme që në të ardhmen kandidatët të kenë një informim më të gjerë për nevojat reale dhe një vizion të qartë për të ardhmen e universitetit. Përgjigjet e paqarta dhe mosdija për situatën aktuale në universitet nuk janë vetëm shqetësuese, por edhe alarmante.

    Njëri nga kandidatët superhero propozonte që për të përmirësuar cilësinë në arsimin e lartë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të ndahet në dy ministri: Ministria e Arsimit dhe Ministria për Arsimin e Lartë dhe Shkencë. Megjithatë, kandidati nuk duket se ka kuptuar se MASh nuk është një institucion shkencor, se për sa i përket dallimeve midis një institucioni shkencor dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ato janë të mëdha. Një institucion shkencor kryesisht merret me studimin, kërkimin dhe zhvillimin e dijes, ndërsa Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i është ngarkuar përgatitja dhe implementimi i politikave arsimore në nivel kombëtar, përpilimi i buxhetit për arsim dhe koordinimi i aktiviteteve arsimore në të gjithë vendin. Në të njëjtën kohë, ligji për arsimin e lartë parashikon që universitetet janë institucione autonome dhe të pavarura në funksionim.

    Tjetra, të zotohesh dhe premtosh për autonomi financiare të universitetit kur ke qenë prorektor për financa dhe investime të huaja për shtatë vite, është e pakuptueshme sepse të vë në dukje dështimin e punës tënde që je paguar me paratë e studentëve. Kjo, veçmas hipokrizisë, tregon se, mungesa e aftësive menaxhuese dhe përkushtimi nuk janë në profilin e kandidatit.

    Sa për rikujtim për njërin nga kandidatët për rektor që tha se “UKIM është një dhe i vetmi“, hiq më larg se dje UKIM u rëndit në vendin e 1990, në listën e CWUR për 2000 universitetet më të mira në botë. Ky rezultat është regresiv dhe nuk është i mjaftueshëm për të konkurruar me universitetet më të mira në botë.

    Në fund mund të them se duhet të jemi të vetëdijshëm që për të bërë ndryshime të vërteta, nevojiten njerëz me aftësi të veçanta dhe vizion të qartë për të ardhmen e arsimit të lartë në vendin tonë. Kjo mund të jetë një sfidë e madhe, por është një sfidë që duhet të pranohet nëse ne duam të kemi një sistem arsimor të mirë dhe një të ardhme të ndritur për gjeneratat e ardhshme.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Kovaçevski: Zëvendësimi i 20%-it me gjuhën shqipe nuk është prioritet

    Lajmi i rradhës

    BECHTEL&ENKA | Aggeler: Opozita, pa pasur të gjitha faktet kritikon diçka për të cilën nuk kanë informacion

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë