Të fitosh titullin njeri!

    HALIL RAMA 

    Mesazhet që përcjellin shembullin e tij kanë emrin KRENARI. Krenaria ka nevojë për një truall, për një shtrat që rritet…E pikërisht në këtë shtrat ka ecur dhe ecën prof. dr. Sali Kurti, i përshtatur mirë me kohën, bujar, fisnik, humanist i pashoq, intelektual i mirëformuar dhe i zoti, që ka çarë në jetë me mençuri e sakrifica.

    Të fitosh titullin NJERI! Ky varg i këngës “Ti i fale jetë çdo ëndrre”, me tekst të Jorgo Papingjit, interpretuar mjeshtërisht nga artisti i mirënjohur Esat Ruka-Mjeshtër i Madh, ishte ndoshta më i gjeturi në takimin mbresëlënës “Një jetë në shërbim të njerëzve”, ku Federata Universale e Paqes nderoi me titullin “Ambasador për Paqen” prof. dr. Sali Kurtin.

    Mjeku stomatolog, të cilin pacientët e panumërt në Mat e Tiranë, për gati pesë dekada e kanë bërë të kuptojë se jeta është e bukur dhe se askush nuk duhet të dorëzohet, pavarësisht problemeve me të cilat përballet, ka provuar më parë emocionet e dekorimit me titujt “Qytetar Nderi i Burrelit” (dhënë nga Bashkia e këtij qyteti) dhe “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga ish-Presidenti i Republikës Bujar Nishani (Nr. Dekreti 10320, date 18.05.2017). Por gjithsesi, e shtuna e 29 korrikut 2023, kur në praninë e më shumë se 200 përfaqësuesve elitarë nga Tirana dhe Mati që kishin mbushur sallën “Unesco” të Muzeut Historik Kombëtar, për të do të mbetet dita më e lumtur e jetës së tij.

    Titullin “Ambasador për Paqen”, ai dhe bashkëpunëtorët e tij e vlerësuan si nderimin më të madh që i bëhet, në këto kohë kur shoqëria shqiptare ka nevojë më shumë se për çdo gjë, për paqe dhe harmoni mes njëri-tjetrit. Këtë domosdoshmëri e evidentuan më së miri, jo vetëm moderatori i takimit, ikona e gazetarisë sportive dhe e dokumentarit televiziv Dëfrim Methasani, por edhe sekretari i Përgjithshëm i FPU Gani Rroshi, prof. as. Jolanda Lila, Nikollë Bushi, kirurg stomatolog, koleg prej 40 vitesh me prof. dr. Sali Kurtin, Gledis Vrapi, kolege mjeke në klinikën “Mat Dental”, bashkëshortja Ikbale e vëllai Avdi Kurti, që kishte ardhur nga Amerika për të qenë i pranishëm në këtë event dhe disa personalitete tjera.

    JOLANDA LILA: “SALI KURTI, ‘AMBASADOR I BUZËQESHJES’”

    “Prof. dr. Sali Kurti është në fakt ‘ambasador i buzëqeshjes’, sepse prej gati gjysmë shekulli ka bërë të qeshin mijëra njerëz, jo vetëm në kuptimin e parë, që lidhet me profesionin e tij si mjek stomatolog, por sidomos me profilin e tij human që ka lënë gjurmë tek të gjithë. Ai ka mundur të jetë human në çdo kohë. Është sfidë më vete që të mos e humbasësh njerëzillëkun as sot, në këtë botë dinamike që jetojmë, ku mbase, më shumë se kurrë, përfitimi në kurriz të tjetrit prevalon ndaj drejtësisë; ku materializmi ia ka zënë frymën humanizmit; ku gjithçkaje i dihet çmimi por jo vlera”, tha ndër të tjera në fjalën e saj prof. as. dr. Jolanda Lila.

    Kjo sipas saj edhe për faktin se jemi mësuar të shohim që të vishen me tisin e heroizmit dhe të nderohen njerëz pa kurrfarë rëndësie dhe të lihen në harresë, ose të shpërfillen vlerat e mirëfillta. Prandaj akordimi i titullit “Ambasador për Paqen” për një figurë si doktor Sali Kurti, na jep shpresë se e mira shpërblehet.

    Titulli është plotësisht i motivuar për të, për një sërë arsyesh, por Jolanda Lila evidentoi tre prej tyre.

    Së pari, në rrafshin personal, ai zgjodhi rrugën e ndershme për ta ndërtuar jetën dhe karrierën e vet. Suksesi i tij nuk ka ardhur nga qielli, por është rezultat i shumë viteve të mbushura me përpjekje, sfida, vështirësi e pengesa, të cilat do të kishin trembur këdo duke e zmbrapsur, por jo doktor Saliun. Me forcën e vullnetit të vet, me qëndrueshmërinë, por edhe me shpresën e optimizmin që e karakterizon, ai e nisi gjithçka nga hiçi dhe nuk e humbi besimin te vetja dhe te Zoti se një ditë do të ishte mirë.

    Ai u bë mirë, por nuk e harroi rrugën që përshkroi, për këtë arsye mbeti përherë me këmbë në tokë dhe solidar me të varfrin e me njeriun në nevojë.

    Së dyti, në rrafshin profesional, ai arriti të ngjitet në shkallët më të larta të karrierës si mjek stomatolog dhe sot, është drejtuesi i poliklinikës më të madhe dentare në Shqipëri, “Mat Dental”. Me vizionin për të prekur gjithnjë shtigje të reja, ai ka ngritur një klinikë me reputacion të padiskutueshëm dhe me emër të ndritur. Ai është tepër korrekt dhe i përkushtuar në punën e tij dhe padyshim që suksesi i klinikës varet edhe nga fakti se ai nuk i sheh pacientët si klientë, por si njerëz hallexhinj, që kanë një problem për të zgjidhur dhe duhet bërë gjithçka për ta.

    Së treti, në rrafshin njerëzor, ai ka ndjeshmëri shumë të theksuar për këdo që takon. Përpiqet t’u gjendet pranë në çdolloj forme, jo thjesht për t’u zgjidhur problemet e tyre me dhëmbët, por edhe për problemet e tjera familjare, ekonomike apo probleme të çfarëdolloj natyre. Kush trokiti në derën e doktor Saliut dhe nuk gjeti zgjidhje për hallet e veta?!

    Për të gjithë këto, prof. dr. Sali Kurti nuk pret asgjë në këmbim nga njerëzit, madje as mirënjohje, sepse fundja, ai bën mirë, sepse vetëm kështu ndihet mirë dhe nuk ndikohet nga qëndrimet e të tjerëve. Ky njeri që nuk kërkon as bujën dhe as dukjen për veprat e veta humane, e meriton plotësisht titullin “Ambasador i Paqes”.

    LIBRI I JETËS

    “Një jetë në shërbim të njerëzve” është libri që Sali Kurti ua dedikon familjes, paraardhësve të tij dhe brezave që do vijnë. Libri i botuar para katër vitesh nga “Luis Print”, me redaktore prof. as. Jolanda Lila, është modeli i shkrimit të një monografie jetësore. Kjo për faktin se në 294 faqet e tij gjejmë detaje për vitet e vështira të fëmijërisë, pemën gjenealogjike, jetën konviktore dhe studentore në Politeknikumin Mjekësor e Universitetin e Mjekësisë të Tiranës, krijimin e strehëzës familjare, punën si drejtor i Shërbimit Stomatologjik të rrethit të Matit, pasionin për teatrin dhe të bukurën në përgjithësi, bekimin si “prind” dhe magjinë si “gjysh”, etj., prof. dr. Sali Kurti nuk nguron të shkruaj në këtë libër sesi nga një ish bari dhish kur sapo kishte mbaruar filloren dhe e kishte të pamundur të vazhdonte shtatëvjeçaren, do të ngjiste shkallët e dijes duke rendur nga fshati në fshat e deri në qytetin e Burrelit dhe se kur pikërisht, kur priste emërimin si ndihmësmjek për të ndihmuar familjen e shumëvuajtur, do t’i vinte fletëthirrja për ushtar.

    Por, asnjëherë nuk u dekurajua. Nga leximi i këtij libri, lexuesi krijon bindjen se arritjet në jetë, në çfarëdolloj fushe, janë kombinim i rrethanave të jashtme të mjegullta me dhunti njerëzore të mbinatyrshme. Më së miri këtë e dëshmon suksesi i tij që është shumatore e një kalvari të gjatë, e një rruge të vështirë e të mundimshme, të përcaktuar nga natyra dhe përkushtimi i tij…Është pikërisht ky përkushtim që bariu dhe më pas nxënësi i dikurshëm, që darkat e gjenin të lodhur fizikisht, por gjithnjë të përkulur mbi fletore nën dritën e zbehtë të kandilit, duke bërë detyrat e shkollës për të qenë gati për të nesërmen, ka arritur sot deri krijues dhe administrator mjaft i suksesshëm i klinikës “Mat Dental”, ndër më të preferuarat për pacientët e kryeqytetit.

    “Profesioni i stomatologut është një profesion delikat dhe kërkon kohën e vetë për t’u bërë i besuar. Ardhja në Tiranë, për mua ishte si të nisja ditën e parë të punës, pasi po vija në një mjedis ku nuk më njihte askush, së paku ashtu mendoja në atë kohë (15 maj 1998). Por shumë shpejt, me mirësjellje dhe me punë cilësore profesionale, pacientët u vendosën në radhë. Në radhët e tyre fillova të shoh shumë matjanë, të cilët i kisha njohur më parë.

    Shumica prej tyre vinin enkas nga Burreli në Tiranë për të marrë shërbimin stomatologjik. Unë mendova se i kisha braktisur me largimin tim në Tiranë, por në fakt jeta më tregoi se ata nuk mund të më braktisnin mua, edhe pse klinikat stomatologjike nuk mungonin në Burrel…Shumica e tyre kur vinin më shprehnin mirënjohjen e thellë për cilësinë e shërbimit të kryer 30 apo 40 vjet më parë, për mbushje dhëmballe që i kishin rezistuar dekadave, e për shumë procese të tjera, të cilat i bënin ata që të udhëtonin e sakrifikonin për të marrë shërbimin përmes duarve të mia”, shkruan ndër të tjera prof. Sali Kurti në librin e tij “Një jetë në shërbim të njerëzve”(fq.239-240). Dhe vërtetë, nuk mund të ketë kënaqësi e sadisfaksion më të madh se ky, pasi besnikëria e këtyre pacientëve e ka bërë prof. dr. Sali Kurtin ta shohë qenien njerëzore gjithnjë si të dëlirë dhe pozitive.

    Ndaj dhe ish-Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani, në fjalën e tij me rastin e dekorimit me titullin “Mjeshtër i Madh”, ndër të tjera është shprehur se: “Doktor Sali Kurti ia ka kushtuar jetën profesionit të mjekut, një profesion ky i nderuar, por edhe i vështirë. Me një karrierë të gjatë, gati prej 5 dekadash, ai është kthyer në shembullin e njeriut të punës, duke dalluar për përkushtimin, mirësinë dhe humanizmin e tij”.

    Është pikërisht ky vlerësimi i Kreut të Shtetit Shqiptar, në mjediset e Presidencës, në prani të shumë personaliteteve shtetërore, politike e shoqërore, me rastin e akordimit të titullit të lartë “Mjeshtër i Madh”, prof. dr. Sali Kurtit, me motivacionin: “Për kontributin shumëvjeçar në fushën e stomatologjisë, dhënë me ndërgjegje, përkushtim e profesionalizëm të lartë në ndihmë të popullsisë së rrethit të Matit, si dhe në vlerësim të punës së tij në drejtim të përsosjes së shërbimit mjekësor dentar”.

    Pikërisht për këto merita dhe veçanërisht për shpirtin human, vlerat njerëzore dhe intelektuale që mishëron dhe përçon tek publiku i gjerë, AI e meriton plotësisht edhe titullin “Ambasador për Paqen”.

    DOMOSDOSHMËRIA PËR TË GJETUR RRUGËN E KOMUNIKIMIT, TË DASHURISË DHE TË PAQES NË ÇDO SITUATË

    I ngazëllyer, emocionuar dhe lumturuar pa masë nga vlerësimet që ju bënë, me rastin e marrjes së titullit “Ambasador për Paqen”, prof. dr. Sali Kurti tha në fjalën e tij përshëndetëse se ndjehej me fat përderisa rrethohet me miq, bashkëpunëtorë e njerëz që i kanë dhënë kuptim jetës së tij. Ai tha se e kishte pritur me shumë entuziazëm e kënaqësi propozimin për marrjen e titullit “Ambasador për Paqen”, sepse ky titull lidhet me thelbin e tij njerëzor. Ndaj dhe unë që në hyrje të këtij reportazhi veçova vargun e këngës “Të fitosh titullin Njeri”! Është pikërisht ky titull që e bën krenar prof. dr. Sali Kurtin, i cili në paqe me veten dhe të tjerët ka përjetuar dhe përjeton thellë kuptimin e vërtetë të jetës dhe lumturisë.

    Pasi shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për familjen tij, për gjithë mbështetjen që i ka dhënë ndër vite, për bashkëshorten Ikbalen e dy fëmijët Gretën e Eltin, për nipërit e mbesat dhe për gjithë pacientët e njerëzit që e motivojnë të punojë çdo ditë dhe të mos ndahet nga profesioni i tij si mjek stomatolog edhe sot, prof. dr. Sali Kurti, ndër të tjera tha se: “Qysh në moshë të vogël nuk i kam pëlqyer zënkat, konfliktet dhe keqkuptimet, sepse unë pata fatin të rritem në një mjedis të rrethuar nga dashuria dhe kujdesi. Këtë dashuri të madhe që mora nga prindërit e mi jam përpjekur t’ua transmetoj gjithë jetën time edhe të tjerëve, si familjes sime, po ashtu edhe kolegëve, pacientëve e kujtdo që jeta më ka takuar. Të qenurit në paqe me gjithçka rreth nesh, na bën njerëz më të matur e më të mirë. Prandaj unë shpresoj që shoqëria shqiptare të mund të gjejë rrugën e komunikimit, të dashurisë dhe të paqes në çdo situatë, sepse vetëm kështu do të jetojmë shëndetshëm për veten, por do të mund të lëmë edhe një gjurmë pozitive për të tjerët”.

    Më të larmishëm e bënë këtë event mbresëlënës interpretimi mjeshtëror i një kolazhi këngësh popullore nga Liri Rasha. Në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar dhe më pas për disa orë gjatë drekës në mjediset e barrestorant “Tajvani” qindra pjesëmarrësit u mahnitën me zërin brilant të artistes së mirënjohur Liri Rasha, dekoruar nga Presidenti i Republikës me titujt “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, e cila me mjeshtri të të rrallë artistike solli jehonën e këngës dibrane. Po ashtu edhe me interpretimin mjeshtëror të disa këngëve nga “Mjeshtri i Madh” Esat Ruka, si dhe nga grupi i valltarëve të Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”, “Nderi i Kombit”, që interpretoi valle me motive pothuajse nga e gjithë Shqipëria.

    E meritonte prof. dr. Sali Kurti, një organizim kaq të përsosur të ceremonisë së dekorimit me titullin “Ambasador për Paqen”. Mesazhet që përcjellin shembullin e tij kanë emrin KRENARI. Krenaria ka nevojë për një truall, për një shtrat që rritet…E pikërisht në këtë shtrat ka ecur dhe ecën prof. dr. Sali Kurti, i përshtatur mirë me kohën, bujar, fisnik, humanist i pashoq, intelektual i mirëformuar dhe i zoti, që ka çarë në jetë me mençuri e sakrifica. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Gjithnjë e më shumë euro të falsifikuara

    Lajmi i rradhës

    Ministrat e BDI-së dorëzuan dorëheqjet e kushtëzuara

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë