Tensionet zbrapsin dialogun

    LEONIDHA MËRTIRI

    Tensionet ngritën përsëri krye në Veri të Kosovës. Serbët e strukturave ilegale filluan të bllokojnë rrugët me barrikadat e ngritura në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bernjakut. Reagim i menjëhershëm i tyre, por jo edhe i papritur ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitetin për letërnjoftimin dhe targat, që lidhen me kalimin e kufirit të të dyja vendeve. Vendimi është i drejtë dhe i përgjigjet Marrëveshjes së Brukselit, rënë dakord nga të dyja palët.

    Deklaratat e udhëheqësve të Beogradit, sikurse edhe në këtë rast, ndezën zjarrin e tensioneve. Në takimin e tri ditëve më parë me përfaqësues të serbëve në Kosovë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se situatën e shihte më të ndërlikuar se herë tjetër, lidhur me të drejtat e tyre atje. Duket, autoritetet serbe janë të interesuara për përshkallëzimin e këtyre tensioneve. Gjuha e tyre anon më tepër nga ajo e luftës dhe jo e mirëkuptimit. Madje, Vuçiç, agresivitetin e serbëve në Veri të Kosovës, edhe në këtë rast e shikon ndryshe, si “përmbajtje dhe guxim të tyre”. Ndaj dhe i falënderon “për ruajtjen e emrit dhe mbiemrit serb në Kosovë”.

    Në sintoni të plotë me këto qëndrime, që nuk përbën habi, janë edhe deklaratat e Kremlinit dhe mediave ruse si tellalë të devotshëm të tij për “mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës”. Sipas zëdhënësit të Presidencës ruse, Dmitry Peskov, “Rusia edhe në këto momente qëndron pranë Serbisë në mosmarrëveshjen me Republikën e vetëshpallur të Kosovës”. Dhe më tej. Qëndrimin e tanishëm të Beogradit rusët e konsiderojnë “paqësor”, “konstruktiv” dhe thirrjet e Presidentit të Serbisë si “thirrje për paqe”. Ambasadori i Rusisë në Beograd, në intervistën e tij të djeshme, flet për “skenarë ushtarakë”, duke akuzuar Perëndimin për zhvillimet më të fundit në pjesën veriore të Kosovës. Ai paralajmëron, por edhe kërcënon, duke shkelur dhe kodin e diplomatit, se “…nëse ka gjakderdhje, Serbia do të mbrohet dhe do të fitojë”. Në këtë mënyrë, edhe për Rusinë, dialogu i zvarritur u përgjigjet interesave të njohura të saj.

    Ndërkohë, shtyrja e vendimit të qeverisë së Kosovës që lidhet me reciprocitetin e kalimit ndërkufitar, shihet me vend, pas konsultimit normal dhe me partnerët strategjikë, SHBA dhe BE, ndryshe provokimeve serbe do t’u hapeshin rrugët.

    Në këto kushte, a mund të dialogojnë të dyja palët, Kosova dhe Serbia? Ky proces i rëndësishëm, kështu, vështirë ta gjejë rrugën, teksa ai zmbrapset e zmbrapset.

    Interesi i Kosovës kërkon të kundërtën, që dialogu të vlerësohet më shumë si domosdoshmëri dhe jo të mbahet larg. Mesazhet e vizitës së këtyre ditëve në SHBA të Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës nuk mund të kalohen lehtë apo qoftë me eufori. Ato kërkojnë seriozitet, në radhë të parë nga udhëheqësit e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Pavarësisht krahut tjetër se, sikurse thamë, nuk mund të flasësh për vullnet nga pala serbe, përderisa Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe drejtues të tjerë të Beogradit inkurajojnë serbët e Kosovës në udhën e tensioneve, ndërkohë që shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borell, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiçin në Bruksel, për t’u takuar mbi vazhdimin e dialogut, për të shmangur tensione si këto.

    Takimet e mëparshme të tyre, siç është e njohur, nuk kanë sjellë asgjë të re. Thjesht takime për takime. U mbush një vit nga takimi i tyre i fundit në Bruksel. Atëherë, si do të dilet nga ky qerthull?

    Edhe pas një muaji, duket se situata vështirë të ndryshojë. Serbia do të vazhdojë të mos e pranojë vendimin e qeverisë së Kosovës. E kundërta, sipas saj, kjo do t’i përgjigjej sovranitetit të Kosovës, kur Kosova ka mbi katërmbëdhjetë vjet shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Nga ana tjetër, “të drejtat e serbëve në Veri të Kosovës” janë për Serbinë dhe krerët e vet, një nga “motivet” për të mbajtur larg dialogun, por dhe për të justifikuar nxitjen e konflikteve, agresivitetin e njohur të saj. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Gjermania e shqetësuar për gjendjen në rajon | Situata e tensionuar në veri të Kosovës trajtohet në Bundestag

    Lajmi i rradhës

    Të shpëtojmë familjen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë