Tirania moderne e intimitetit publik

    Redi Shehu

    Sot, si kurrë më parë, duket se nuk ka rrugë tjetër për të shkuar tek intimja përveçse përmes publikes. Aq shumë është transformuar privatja, intimja e qenies njerëzore, sa turpi si ndjejë e fajit ndaj parimeve absolute, duket se tashmë është asgjësuar nga publikja. Sot duhet të të vijë turp nga intimja, e cila nuk është e ekspozuar diku dhe duhet të ndjehesh krenar që thellësitë më të mëdha të privacisë, janë bërë sot fytyra e dukshme e shoqërisë sonë, e cila i shpalli luftë meditimit, asgjësoi fajin dhe shkatërroi ndjenjën e turpit. Ky udhëtim i njeriut të sotëm brenda një gjeografie të çuditshme, nga cepi më ekstrem i intimes drejt majave më të dukshme të publikes, u bë me mjetin më të shpejtë dhe më të sofistikuar të mundshëm, atë të industrisë mediatike. Kjo e fundit i garantoi çdo gjëje personale dhe të përveçme, mundësinë e pushtimit pa mëshirë dhe pa filtër të diskursit publik, e cila i bën të gjithë ta gjejnë veten brenda një presioni kulturor që kthehet në kulturë hegjemoniste, uniforme e që përjashton çdo formë tjetër të shfaqjes publike.

    Gjendja e dualitetit, që një njeri natyrshëm ka, mes sferës private dhe asaj publike, shkrihet në një gjendje të njësuar ku dominon publikja, e cila i jep ngjyrë dhe të vetmin kuptim ekzistencës. Tashmë nuk ka intimitete të individualizuara, por ka një publike të madhe intime, të cilën Samuel Mateus e quante “shoqëria intime moderne”. Jo vetëm kaq, por kjo shoqëri ka tashmë një dhe vetëm një model të saj të intimitetit, “intimitetin publik”, të cilin e dikton me forcë me të gjitha mekanizmat politikë dhe mediatikë drejt instalimit me sukses të tiranisë moderne të intimitetit. Një tirani, e cila në thelb ka vetëpëlqimin dhe narcizmin, intimitetin narcizist si arsye dominante e jetës publike.

    Publikja sot po u imponohet njerëzve në atë shkallë, përmes mekanizmave të rrjeteve dhe qindra formave të tjera të ndërlidhjes, sa i detyron ata të tregojnë edhe ndjenjat me të fshehta edhe, mendimet më të thella, edhe sjelljet më private. Kjo e zhbën kuptimin mbi vetë intimen dhe sekretin si thelb i saj, jo vetëm kaq, por edhe forcërisht u imponohet individëve me një kuptim të ri të intimes larg konceptit tradicional dhe shekullor. Njeriu tashmë duhet të shpërfaqet me të gjithë aureolën private të tij, pa sekrete, pa intimitete, me lakuriqësi, pa sentimente të fshehta. Në fund të fundit, ai duhet të objektifikohet si një send, ai duhet të gëzojë veti të ekspozueshme, bash tamam si sendet, të cilat nuk kanë asgjë për të fshehur. Ai duhet të divorcohet nga qenia e tij si një njësi shpirtërore dhe emocionale drejt shndërrimit në një konsumues të hapësirës, që Mateus e quante “Pubtimitet”, ku publikja dhe intimja shkrihen në një njësi, pa kufij, pa ndjenja dhe pa turp.

    Ky njeri-objekt e ka të pamundur të ketë një intimitet të tijin tashmë, që në momentin që ka ndalur së ekzistuari si qenie me intimitet dhe ka humbur ndjeshmërinë e privacisë. Duke u transformuar në një intimitet publik, pra, në “pubtimitet”, ai e ka bërë të pashmangshëm mediatizimin e tij, ngase intimiteti është i tillë vetëm kur ai bashkëjeton me sekreten e tij, ndërsa kthehet në të kundërt vetëm kur fiton veti ekspozuese dhe mediatike. Në më të shumtën e rasteve, shfaqjet argëtuese televizive si dhe reality-show kanë në thelb pikërisht këtë proces, manifestimin publik të përvojave, ndjenjave, anktheve, dashurive, urrejtjeve si dhe qindra mikroproceseve ndijore të intimes së individit, por tashmë të kthyera në çështje diskutimi për të gjithë shoqërinë.

    Edhe pse në dukje në intimitetin tonë publik u ngjajmë më shumë sendeve dhe objekteve, përsëri njerëzorja e cila na dallon me çdo qenie apo ekzistencë tjetër, duam apo nuk duam ne, ka në bazë intelektin dhe aftësinë tonë për të bërë përzgjedhje morale. Pikërisht, sepse janë ligjet morale, ato absolute, të cilat mund të maksimalizojnë lumturinë te njerëzit. Çdo qasje relative mbi moralin, mund të jetë e rehatshme për egon tonë, por nuk garanton stabilitet. Mundet që neve të na gënjeje mendja se ndjenjat tona janë standarde, nga të cilat ne mund të arsyetojmë mbi moralin, por ama, në të vërtetë, gjatë gjithë historisë njerëzore e deri me sot, ka qenë morali universal ai që ka arsyetuar dhe gjykuar mbi ndjenjat. Ne, sado që të kemi rrëshqitur, përsëri kemi një konsensus universal mbi të keqen, krimin, fajin, gabimin, të mirën, virtytin dhe të gjitha nëndegët e saj. Edhe pse sulmet relativiste morale, janë përpjekur për t’i shembur këto kuptime globalisht të përbashkëta mbi të mirën dhe të keqen, përsëri ato janë dhe do të jenë si dëshmi e ekzistencës së moralit universal, i cili gjallon brenda nesh si një software i lindur bashkë me ne.

    Shoqërisë së sotme të tiranisë së intimitetit publik, nuk ka se çfarë i duhet morali universal, sepse ai të çon te turpi dhe faji. Nëse ka një armë me të cilën intimiteti i qenies njerëzore mbijeton, është ndjenja e fajit për veprime të turpshme. Atëherë ta sulmojmë me çdo mjet, me çdo media, sepse nuk ka se çfarë na duhet individi, i cili nuk pranon të kthehet në skllav të kapriçiove të tij. Atij i duhet tjetërsuar kuptimi që ka mbi të moralshmen, mbi kufijtë, mbi atë se nuk duhet të ketë vetëm një të vërtetë të vetme etike dhe estetike për shoqërinë ku jeton, ai duhet mbajtur i ngecur brenda një rrjete plurale të vërtetash të pafundme, të cilat lejojnë që intimiteti i tij personal të triumfojë ndaj çdo gjëje tjetër. Ky tjetërsim kthehet në manifestin, me të cilin tirania moderne e intimitetit kërkon ta legjitimojë veten.

    Mekanizmi më intensiv i intimitetit publik, si dhe shndërrimit të tij në tirani, janë reality-show që shfaqen në pothuaj të gjithë ekranet e globit. Një globalizim i humbjes së ndjenjës së turpit, i tjetërsimit dhe pastaj shndërrimit të këtij tjetërsimi në një proces adhurimi nga miliona “skllevër” të pandemisë triumfuese të kapriçiove individuale. Reality-show dhe showbize të tjerë, vijnë si mekanizma që rrafshojnë të vërtetën universale të shoqërisë dhe ndërtojnë të vërtetat e individëve të caktuar, të cilët thjesht sakrifikojnë kohën dhe energjinë e shikuesve në funksion të egove personale të tyre. Jo vetëm kaq, por ato në thelb janë edhe produkte të pandershme, sepse pretendojnë të transmetojnë realitetin, kur në fakt çdo gjë aty, që nga personazhet e deri te skenarët më periferikë, gjithçka është e parafabrikuar në funksion të mirëmbajtjes së tiranisë së intimitetit publik.

    Ka një lidhje krejt të ngushtë sot mes intimitetit dhe spektaklit. Të dy janë faktorë kryesorë, të cilët mbajnë në këmbë tiraninë moderne të intimitetit publik. Ata janë të ndërvarur me njëritjetrin, intimitetit i duhet spektakli për t’u ekspozuar në formën e argëtimit dhe spektaklit i duhet intimiteti për të joshur vëmendje. E gjitha, në një kohë sot, kur ekonomia nuk është asgjë para ekonomisë së vëmendjes globale. Prandaj, duhet diktatura e spektaklit sepse ajo të furnizon me mekanizma të paimagjinueshëm në thithjen e vëmendjeve të hallakatura të audiencave.

    Ndërsa intimiteti publik e tjetërson moralin, spektakli me të gjithë aureolën e tij mashtruese, vezulluese, qëllim të vetin ka ta kthejë këtë tjetërsim në një procesion adhurues “debord-ian”, për t’u ndjekur nga miliona “skllevër”, në mënyrë që këta të fundit me ndërgjegje të tjetërsuar të mund të kthehen në përhapësit më të mëdhenj të këtij transformimi. Problemi i tjetërsimit moral, si shkallë e parë, është shqetësues në vetvete, por nuk është asgjë në raport me kthimin e këtij tjetërsimi në qëllim që duhet ndjekur me çdo kusht. Për çfarë? Për t’u tjetërsuar në një gjendje të pashpjegueshme, e cila në fund të fundit mund të prodhojë famë dhe para, por që nuk i shpëton boshllëkut dhe pakuptimësisë së saj.

    Si çdo tirani, e cila mbyt lirinë e të kuptuarit të përbashkët dhe forcërisht orienton drejt një mënyre të vetme të të bërit të gjerave, edhe tirania e intimitetit publik, forcërisht e orienton individin drejt transformimit të tij nga qenie me ndjenja dhe turp, në objekt pa privaci dhe intimitet. Si çdo tirani, e cila ka nevojë për rezistencë, edhe tirania e intimitetit publik ka nevojë për rezistencën e moralit tonë të përbashkët, të atij universalit, i cili na dallon nga qeniet e tjera inferiore dhe e rehaton njeriun drejt natyrshmërisë së vet. Vrasja e kësaj natyrshmërie nga kjo tirani na ka zhvendosur të gjithëve nga normaliteti, na ka destabilizuar së brendshmi dhe na ka sforcuar drejt të panatyrshmes sonë. Rezistenca jonë nuk është dhe nuk duhet të jetë thjesht një akt abstenimi. Ajo duhet të jetë një qasje aktive ndaj kthimit tonë në të natyrshmen, e cila përmblidhet në restaurimin e vlerave dhe moraleve të përbashkëta.

    Lajmi Paraprak

    Tri arsye të mundshme përse ndihemi jashtëzakonisht të uritur gjatë natës

    Lajmi i rradhës

    Mërgimtarët presin me orë të tëra në Tabanoc për t’u kthyer në Europë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë