“Tregimet e burgut”

    Enis Sulstarova
    E botuar në revista “Shenja”, shkurt 2022

    1. Jetë burgu
      Aleksandër Solzhenicini, autori i “Arkipelagut Gulag”, shkruan se Varlam Shalamovit i kishte rënë fati të prekte thellësitë e fundme të kafshërisë dhe të dëshpërimit që provuan jo pak njerëz të mbyllur në kampet e Bashkimit Sovjetik. Në librin “Tregimet e Kolimas” i Shalamovit janë një tufë portretesh njerëzore dhe situatash që autori ka njohur e përjetuar gjatë dënimit në Siberinë e Veriut. Vëzhgimet e tij janë të ftohta, detajet therëse, të shkruara me një gjuhë të përpiktë. Tregimet e Shalamovit duken si shënimet e një psikologu që përshkruan subjektet e tij, të ekspozuar ndaj egërsisë së natyrës (“natyra është bashkë-komplotuese me ata që na sollën këtu”), stërmundimit në punë dhe marrëdhënieve të tjetësuara njerëzore, të karakterizuara nga dhuna, mosbesimi, vetmia, ankthi dhe hidhërimi (“emocioni i fundmë njerëzor, ngjitur me kockën”). Kampi i ngjan një laboratori dhe ndonjëherë të bëhet të harrosh që autori është vetë subjekt i “eksperimentit”.

      Ndryshe prej “Arqipelagut Gulag”, te “Tregimet e Kolimas” të Shalamovit mungon mësimi moral apo ideja e shëlbimit. Nuk ka fizik aq të fuqishëm, zgjuarsi aq të mprehtë, profesione aq të nevojshme, apo besim aq të lartë sa të sigurojnë që do të dalësh i gjallë nga kampet e Siberisë. Ndër qindra e mijëra shpirtra që zhduken për çdo ditë, pa lënë gjurmë, disa mbijetojnë për kapriçio të fatit (p.sh. dikush që di të rrëfejë histori merret nën mbrojtjen e një krimineli të burgosur, i cili i jep edhe ushqime në këmbim të rrëfenjave të treguara për çdo ditë, siç i tregonte Sheherazadja përralla sulltanit te “Njëmijë e një net”). Ata që arrijnë të dalin nuk munden lehtë të thonë se e mundën të keqen, sepse e keqja ka bërë fole ndër shpirtrat e tyre dhe i ndjek nga pas edhe në jetën e lirë.

      Mua më duket se Fatos Lubonja te libri “Jetë burgu” (Tiranë, 2021) ka ndjekur një metodë të ngjashme rrëfimi me atë të Shalamovit. E përbashkëta e pjesës më të madhe të biografive që Lubonja i ka zgjedhur për të na i rrëfyer është se janë të shenjuara nga burgu. Sigurisht që periudha e burgimit, sado e shkurtër qoftë, është një episod që lë mbresa të thella në jetët e atyre që e kanë provuar, por Lubonja e ka fjalën për një gjurmë më të thellë që burgu i gjatë lë në shpirtin e atyre njerëzve që duket sikur të gjithë botën e tyre e kanë brenda mureve apo rrethimit me tela me gjemba. Ai shkruan për ata shpirtra që, pasi humbasin thuajse të gjitha lidhjet me jashtë, krijojnë një “botë të jetës” brenda regjimit të burgut.

      Ndryshe nga “Ridënimi”, ku rrëfimi është autobiografik, roli i autorit te shumica e tregimeve të “Jetëve të burgut” është ai i i një vëzhguesi të kujdesshëm e të distancuar. Ndonjëherë duket sikur ai është në rolin e psikologut të burgut, i cili po studion shprehitë e që subjektet e tij formojnë me kalimin e viteve në një mjedis të mbyllur. Qasja psikologjike lajmërohet qysh në prologun e titulluar “Neuroza e ujkut” ku Lubonja përshkruan ecejaket me nervozizëm të të burgosurve në sheshin e ngushtë të kampit të Spaçit. Disa personazhe janë me të vërtetë të sëmurë, ngaqë mbyllja e përditshme apo ngjarje traumatike u kanë gjymtuar psikozën dhe u ka ndryshuar personalitetin. Eqeremi vuan nga kriza epilepsie dhe seksualiteti i ndrydhur që e çon në akte perverse; Feriti nga uria që nuk i ndahet kthehet në një kleptoman, me gjithë ndëshkimet që merr nga të burgosurit; Kujtimin, po ta kishte jetuar rininë “jashtë”, pasioni i dashurisë do ta kishte shtyrë drejt poezisë, por jeta “brenda” (u burgos për herë të parë në moshën 15-vjeçare) e bëri një vrasës serial gjakftohtë; Ahlemi bie në depresion pas një thirrjeje në hetuesi, tenton të vetëvritet duke u hedhur nga tarraca dhe, pas kësaj traume, shfaq një dashuri të madhe për pushtetin komunist (sindroma e Stokholmit!), nga e cila disa herë vihet në siklet edhe komanda e kampit.

      Personazhe të tjerë, për të mashtruar komandën e kampit ose për t’u kapur pas një fiksioni që i largon nga zymtësia aty “brenda”, krijojnë vete imagjinare dhe nuk e bëjnë më dallimin me realitetin. Të gjithë në Spaç besojnë se Xhoni “autraliani” është çalaman, por ata që e takojnë në kampin e Ballshit e shohin se ecën për bukuri dhe fillojnë të kuptojnë se ai për vite me radhë ka simuluar me një disiplinë të hekurt, që të mos punonte në minierë. Ndryshe nga fiksioni i këmbës së çalë, fiksionin se kishte nënën australiane dhe dëshirën për t’u ekstraduar në Australi nuk i braktisi kurrë. Doni, ndërsa priste dënimin me vdekje iu shkrep në kokë se ishte gjeni dhe kthimin e dënimit kapital me burgim të gjatë e pa si shenjën e mirë se do të bënte shpikje të mëdha kur të dilte “jashtë”. Ai përpiqet të parashikojë amnistinë e ardhshme. Dalldia e amnistisë kapi edhe të burgosurit e tjerë dhe u kthye në njëfarë kulti, me Donin si shamanin që e shquante ardhjen e “lajmit të mirë” të amnistisë te ndryshimet e vogla në sjelljen e rojeve të kampit. Josifi besonte se kishte gjetur ilaçin kundër kancerit dhe u shkruante për këtë ministrit të shëndetësisë dhe kryeministrit. Ndërsa, Çavoja dhe Nuriu dashurinë që nuk mund t’ua jepnin grave apo familjeve që nuk i patën dot, e kishin zhvendosur te macet që mbanin në kamp.
      Në kujtimet e shkruara nga ish të burgosur të tjerë të regjimit komunist, si në ato të Zef Pllumit, Uran Kalakulës, Todi Lubonjës, Maks Velos etj., si edhe te libri “Ridënimi” i Fatos Lubonjës, zënë vend qendror përshkrimet e kushteve të vështira të burgut apo kampit, e vuajtjeve të të dënuarve nën tortura, e qëndresës së atyre të dënuarve me vullnet të hekurt që u qëndruan besnikë idealeve të veta, e reflektimeve politike, e bisedave intelektuale, apo e ndihmës së ndërsjellë midis të burgosurve. Ato janë kujtime të shkruara në liri, pas rënies së komunizmit, dhe pashmangshëm përmbajnë edhe mesazhe etike, se si jeta e dinjitetshme është e mundur edhe në burg, se dëshirën për liri nuk burgoset dot, se dëshmia për të vërtetën e diktaturës u duhet përcjellë brezave, se duhet kujtuar mundimi dhe flijimi i atyre që guxuan ta sfidojnë diktaturën etj. Libri “Jetë burgu” dallon nga kjo traditë e shkrimeve të kujtesës, sepse disa herë në këtë vëllim vëmendja përqendrohet te disa persona, jo për shkak të disidencës që kishin treguar “jashtë”, as për shkak të intelektualizmit, as për shkakun se ishin shokë të autorit, por për shkak të shndërrimit të personalitetit të diktuar nga koha e gjatë që kanë qëndruar në burg. Duket sikur autori kërkon të hetojë nëse pas disa shprehive të fituara apo përforcuara nga regjimi i burgut, që ata i kryejnë pa menduar dhe pa ndonjë reflektim etik, ka mbetur te këta të dënuar diçka nga dinjiteti i njeriut. Kur duket sikur ata kanë prekur fundin dhe janë dorëzuar para fatit, ndonjëri papritur rebelohet kundër padrejtësive, siç bën Eqeremi që refuzon të heqë kapelën para oficerëve të rojeve duke bërtitur: “Jam njeriiiiii!”.

      Por në vëllim ka edhe tregime për të dënuar që kanë ruajtur vetëdijen dhe dinjitetin që kanë pasur “jashtë”, kryesisht sepse janë kapur fort pas diçkaje që ua ka ruajtur ekuilibrin mendor dhe vullnetin për të qëndruar: ideali politik në rastin e Zef Malës; feja në rastin e katolikut Frano dhe protestantit Josif; dashuria në rastin e Nuriut. Nuk mungon në libër as ndikimi i letërsisë për të gjetur prehje me vetveten, si në rastin e Kujtimit, që në fund të dënimit e shihte veten si personazhet e tragjedive të Sofokliut, të cilat ai i kishte përkthyer në burgun e Burrelit.
      Gjatë rrëfimeve, Lubonja shkruan dhe mbi aspekte të tjera të botës së jetës në burg apo kamp, si p.sh. për privimin e të dënuarve nga pasqyrat, për fjalë të zhargonit të burgut, për miqësitë dhe komunikimet midis burgosurve në burgje e kampe të ndryshme, apo për përshkallëzimin e lirisë. Ky i fundit mësohej pikërisht në burg: disa që ishin dënuar për tentativë arratisjeje nga shteti-burg që ishte Shqipëria në atë kohë, kur vinin në Spaç mësonin se gjithsesi ishin më të lirë se të dënuarit e Burrelit, se ishe më mirë në Burrel se sa po të të çonin sërish në zyrat e hetuesisë, por edhe se në kampin e punës në Ballsh kushtet ishin më të mira se sa në Spaç. Gjithashtu, mësonin se kishte edhe një burg brenda kampit: biruca, apo “foleja” siç e quante njëri nga policët. Disa të dënuar nuk ëndërronin një liri më të madhe se sa jetesa “jashtë” me familjet e tyre, ndërsa të tjerë me të dalë nga burgu sërish e provonin të arratiseshin dhe kjo rezultonte me ridënimin e tyre.

      Në epilogun e librit autori rimerr shkurtimisht vijimin e jetëve në liri të disa prej personazheve, pas rënies së regjimit komunist. Për ta ka nuk shpengim nga djajtë e burgut. Edhe pse Nuriu, tashmë i plakur, ia del të shkojë në Pragë për të jetuar pranë Vllasës, ish të fejuarës prej së cilës e ndanë në vitin 1961, fati nuk ia kursen fundin tragjik. Kujtimin, i cili “brenda” kishte memorizuar mbi 100 poezi, “jashtë” e lë kujtesa dhe e ka të pamundur t’i shkruajë shumë prej tyre.
    2. Për kë kujtojmë?
      “Pranvera atje sillte turizëm
      në resorte si Spaç Burrel Goli Otok”
      Shqiptar Oseku “Enverland”
      Lubonja shkruan në fund të librit se ka rrëfyer këto jetë, mes atyre mijërave që ka takuar gjatë dënimit, sepse ato i ndjen si pjesë të jetës së vet, si pjesë kuptimit që ai ka kërkuar dhe kërkon për jetën e tij. Tani libri i tij i ka kthyer këto kujtime në pronë të lexuesve, ngremë pyetjen: për kë kujtojmë? Me fjalë të tjera, kujt i detyrohet rrëfimi i jetëve të kaluara në burgje e internime, cila apo cilat bashkësi supozohet të mësojnë nga këto kujtime? Sigurisht që përgjigja e parë është se i detyrohet secilit qytetarë të Shqipërisë që dëshiron të njihet me jetët e tyre që vuajtën më shumë nga regjimi komunist, më pas i detyrohet shoqërisë dhe institucioneve për t’i kthyer kujtimet e shkruara në pjesë të kujtesës kolektive, me qëllimin për të dënuar krimet e komunizmit dhe për të nderuar e kompensuar në njëfarë mënyre viktimat.
      Botimi i letërsisë me kujtime nga burgu, si libri më i fundit i Lubonjës është i nevojshëm edhe për faktin se ende nuk është dhënë drejtësi nga shteti për viktimat e komunizmit. Nuk ka asnjë të dënuar për krimet e diktaturës që rrëfehen në këtë libra dhe kjo i ka hapur shtegun relativizimit të krimeve. Mbrojtësit e diktaturës nuk ngurojnë t’u kanosen atyre që kërkojnë dënimin e kriminelëve. Është ironike dhe ikonike që Agron Tufa, drejtori i mëparshëm i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, institucion i mbështetur nga fonde publike, u detyrua të kërkonte azil politik, sepse ndjehej i pambrojtur përballë kërcënimeve që i vinin për shkak të ushtrimit të detyrës së tij.
      Patjetër që librat e kujtesës së burgjeve dhe kampeve të komunizmit shqiptar duhen konsideruar edhe pjesë e arkivës së njerëzimit, në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për të mos lejuar përsëritjen e këtyre krimeve në asnjë rajon të botës. Gjithsesi, këtu dua të prek aspektin e rëndësishëm të lidhjes së kujtesës së të dënuarve politikë të komunizmit në Shqipëri me një bashkësi që gjendet midis njerëzimit dhe shoqërisë në Shqipëri, kombin shqiptar. Kombi shqiptar identifikohet si e tillë prej gjuhës shqipe. Libra të kujtesës së burgimit, siç janë ata të shkruar nga Lubonja, u flasin lexuesve të mbarë kombit, edhe pse kanë të bëjnë me përvoja jete në Shqipërinë komuniste. Libra të kujtesës së burgimit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, siç është “Qark i (pa)mbyllur burgjesh” i Enver Dugollit (Prishtinë, 2019), gjithashtu, u flasin lexuesve të mbarë kombit, edhe pse kanë të bëjnë me situata të ndryshme nga ato që kanë përjetuar qytetarët e Shqipërisë. Mirëpo, kam përshtypjen se kujtimet e ish të burgosurve politikë në dy anët e kufirit kanë mbetur ende të veçuara dhe nuk ka përpjekje për t’i lexuar e studiuar të ndërlidhura, si kujtesën e një kombi nën komunizëm.
      Sigurisht që lidhja e traumës kolektive të kombit shqiptar nën komunizëm vështirësohet prej trajektoreve të ndryshme që patën dy regjimet komuniste që nga viti 1948, si edhe prej natyrës së persekutimit politik. Në ish-Jugosllavi shumë nga shqiptarët u burgosën sepse ishin “enveristë” dhe në burgje qëndruan si “enveristë” përballë “titizmit”, ndërsa në Shqipëri ishin Enver Hoxha dhe shërbëtorët e tij në krye të shtetit ata që akuzoheshin dhe akuzohen edhe sot si fajtorë për dënimet politike të komunizmit dhe të arratisurit prej Burrelit e Spaçit kërkonin të kapërcenin kufirin për në Jugosllavi. Si rrjedhim, ka pasur raste të moskuptimeve të dhimbjeve dhe vuajtjeve të pësuara pikësëpari nga të persekutuarit politikë shqiptare në dy anët e kufirit. Një pjese të shqiptarëve në Kosovë (ndoshta edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Luginë të Preshevës) mund t’u duket sikur shqiptarët e Shqipërisë duke ekzagjeruar persekutimin nga regjimi komunist po tregohen egoistë dhe nuk shohin dhunën sistematike deri në gjenocid, që kanë pësuar shqiptarët në ish-Jugosllavi; një pjese të shqiptarëve në Shqipëri u duket sikur shqiptarët e Kosovës janë mosbesues e disi të distancuar kur vjen puna për të dënuar krimet e diktatorit Enver Hoxha, ngaqë dikur e adhuronin si udhëheqësin e shtetit shqiptar.
      Nëse kombi është, me fjalët e filozofit Avishai Margalit, “bashkësia paradigmatike e kujtesës në erën moderne” (“The Ethics of Memory”, Cambridge [MA], 2002, f. 76), një arsye pse ne jemi një komb i ndarë është edhe sepse ndarja politike në shek. XX ka bërë që të kemi edhe ndarje të kujtesës kolektive. Në shek. XXI nëse do të duam të mbyllim ndarjen politike, nuk mund ta bëjmë pa njësimin shpirtëror dhe pjesë e njësimit shpirtëror të kombit është edhe “qepja” e kujtesave të veçuara. Ky është një proces që përfshin, ose ka përfshirë tashmë, edhe leximin e kryqëzuar të rrëfimeve nga burgjet e kampet në Jugosllavi e Shqipëri. Krahas kësaj duhen përfytyruar e realizuar forma të kujtimit të përbashkët institucional e artistik të persekutimit politik të shqiptarëve në të dy shtetet. Diçka po lëviz edhe në këtë drejtim, p.sh. Shqiptar Oseku, e ka ndjerë nevojën për të ndërkallur toponimin Goli Otok krahas toponimeve Spaç e Burrel në poezinë e tij sarkastike mbi propagandën dhe realitetin e Shqipërisë komuniste.
    Lajmi Paraprak

    Disa mënyra për ta përdorur vajin e kokosit

    Lajmi i rradhës

    Revolucioni përtej komunizmit të shekullit XX

    Lajme tjera

    Kotësia e festave të tilla

    FITIM ZEKTHI Pavarësisht gjendjes ekonomike, varfërisë dhe pamundësive për të shpenzuar, thuajse të gjithë rendin të festojnë, të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë