Urim Hasipi
Vendbanimet rurale në rajonin e Pollogut vazhdojnë të kenë probleme me ujin e pijshëm. Pothuajse 70 përqind e fshatrave në këtë rajon dekada me radhë nuk kanë ujë të pijshëm. Edhe ato pak fshatra që kanë ujë, shpeshherë është i ndaluar për konsum dhe përdoret vetëm si ujë teknik.
Përderisa këto fshatra kanë këtë problem jetik edhe në këtë shekull të ri, as komunat as qeveria nuk kanë vullnet të mirë që të zgjidhin këtë problematikë për rreth 100 mijë banorë. Bëhet fjalë për fshatrat në komunat rrëzë Malit Sharr ku ka me mijëra burime të ujit, megjithatë banorët vuajnë për ujin e pijshëm.
Duket e pakuptimtë, por është realitet që askush deri më tani nuk është kujdesur që këta banorë mos e kenë problem ujin e pijshëm. Që ironia të jetë akoma më e madhe, ende asnjë komunë dhe pushtet qendror nuk e ka prioritet këtë problem elementar për këta njerëz që janë taksapagues të rregullt të këtij shteti.
Edhe pse shohim shumë kryetarë të komunave që kanë filluar të krenohen me projektet infrastrukturore, megjithatë zgjidhja e këtij problemi mbetet larg agjendës të pushtetarëve. Për habinë e mendjes së shëndoshë, gjithçka tjetër si “problem” në shtet trajtohet deri me detaje, por uji nuk është prioritet.
Fatkeqësisht, shumë banorë të këtyre fshatrave ujin e sigurojnë nga fshatrat fqinje duke patur shumë burime afër, por ujë të pastër nuk kanë. Sikurse çdo vit nga një fshat të ishte në agjendë deri më tani do të ishte zgjidhur ky problem në krejt vendbanimet, por kur nuk të intereson fati i tyre atëherë gjjthmonë gjenden ‘prioritete’ tjera.
Duke e parë gjendjen momentale financiare të komunave ndërtimi i ujësjellsëve mbetet një problem që në një afat të gjatë nuk do të zgjidhet, shto këtu edhe mos interesimin e pushtetit qendror, këta 100 mijë banorë do të vazhdojnë të kenë problem serioz me ujin. Por, tragjedia nuk përfundon këtu, pasi që duke konsumuar ujë jo të shëndetshëm, shumë qytetarë kanë probleme me sëmundjen e veshkave, një sëmundje që dita-ditës po merr hov të madh në këto hapësira.
Ky problem duhet të trajtohet me shumë seriozitet nga ana e atyre që menaxhojnë me taksat tona, përndryshe këta banorë nesër do të jenë të detyruar ose të protestojnë ose të largohen nga vendi i tyre i lindjes. Ndërkohë më mirë gjendja me ujin nuk është as edhe në qytete ku shumë shpesh ka mungesë të ujit shkaku i defekteve në sistemin e ujësjellësve.
Prandaj, duhet që shteti të hartojë plan urgjent që ta zgjidhë këtë problem përndryshe është fajtorë për shëndetin e rënduar të qytetarëve të cilët janë tatim pagues të rregullt, por shërbime nuk marrin aspak.
*Urim Hasipi është kolumnist i rregullt i Nistori.com. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistorin. Të drejtat e botimit i kanë Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.