Zgjidhje apo zvarritje pa fund

    LEONIDHA MËRTIRI

    Kur i kthehesh problemit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, pyetja që të lind me të drejtë është legjitime se sa kohë do të vazhdohet kështu, hiqe e mos e këput? Bëhet fjalë për negociata midis të dyj palëve, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare midis tyre, marrëveshje kjo e lakuar tashmë në të gjitha rasat dhe… përsëri ngrirje e marrëdhënieve. Madje, duket sikur kështu do të shtyhet pambarimisht. Padurimi bën gjithashtu t’i japë qytetarinë pyetjes: Perëndimi, pavarësisht vështirësive të njohura, do të ngulet seriozisht në zgjidhjen e këtij problemi, që në unison me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila e ka mbështetur Bashkimin Europian, të arrihet realisht zgjidhja e nevojshme? Nuk mund të mos merren në konsideratë përpjekjet e tyre për normalizimin e raporteve bilaterale mes Prishtinës dhe Beogradit, me qëllim arritjen e asaj marrëveshje për të shkuar në njohje të ndërsjellë. Herë-herë këto përpjekje marrin ngjyrimin edhe të presioneve. Megjithatë, dialogu ngec sërish, arritja e Marrëveshjes së përbashkët mbetet përsëri e largët.

    Ndërkohë, është i njohur fakti që e nesërmja e të dyja vendeve është në Bashkimin Europian. Dhe dihet kushti i vënë Serbisë për anëtarësimin e saj në BE: të njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Por ç’ndodh? Të marrim njërën anë. Atë çka lidhet me të dyja. Jo se kjo është e panjohur: Liderët e të dyja vendeve e kanë të vështirë të merren vesh me njëri-tjetrin.

    Toleranca, mirëkuptimi, mbeten larg përballë jotolerancës, mosbesimit ndaj njëritjetrit. Dhe kur? Teksa flasim për kompromis dhe deri ku duhet të shkojë ky. Për të qenë mendjehapur, por dhe në zgjidhje vetëm kushtetuese.

    Por, siç konstaton me të drejtë dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrel, është diçka tepër thelbësore: Përmirësimi i atmosferës në dialog, për të krijuar besim. Në këtë kuadër, pritet që me nismën e BE-së, deri në fund të muajit qershor, të mbahet një takim i ri i Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë. Ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Thomas Kolly, thotë gjithashtu se vendi i tij është duke kontribuar maksimalisht që dialogu midis Prishtinës dhe Serbisë të konkludojë me njohje nga të dyja palët, në marrëdhënie të ngushtë me qeverinë në Kosovë dhe atë në Serbi.

    Pra, përpjekje ka nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve, por të krijohet përshtypja se pavendosmëria ndaj tyre ka ushqyer nga praktika e derisotme qëllimin në vetvete, reflektuar në moszbatimin e marrëveshjeve, në dialog të copëzuar e rakitik. Për rrjedhojë, zvarritje që duken pa fund në progresin e qëllimit të këtij procesi. Po bëhen njëmbëdhjetë vjet nga fillimi i këtij të fundit, pas Rezolutës së njohur të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të 10 shtatorit 2010 dhe gatishmërisë së BE-së për këtë proces midis dy vendeve. Nismat nga BE-ja, sikurse kemi përmendur, nuk kanë munguar, sidomos inkurajimi i atyre që lidhen me interesat ekonomike të vendeve. Megjithatë, marrëdhëniet kanë mbetur të tensionuara, sidomos ato politike dhe pse u arritën më shumë në plan teorik disa marrëveshje, duke i lënë sërish të limituara zgjidhjet solide dhe afatgjata. Marrëveshja e synuar ka mbetur thjesht afishim objektive, me pak progres në bashkëpunimin midis tyre.

    Nacionalizmi serb vazhdon të ngërthehet në qëndrimin ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Koka të nxehta në Beograd vazhdojnë të mos ia harrojnë Perëndimit atë çka bëri ky me qëndrimin ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Një kurs i tillë qartësisht të largon nga Europa, në një kohë që është destinacioni ku duhet të arrihet, i vetmi orientim. Futja e duarve në veri të Kosovës, ku jeton komuniteti serb, përmes rrugësh të ndryshme, për ta bërë atë shëmbëllim të Krimesë, nuk mund të mënjanohet. Kjo nuk do të thotë, nga ana tjetër, që dhe ti, si qeveri e vendit, t’i zgjidhësh problemet në veri, duke vrapuar pas retorikave nacionaliste, por si qeveri e Kosovës t’i përballosh ato për zgjidhje, pa cenuar sovranitetin e vendit. Pa drojë dhe pa ngarkesa të tjera konfuzionale me Serbinë, por dhe pa fudullëkun e njohur primitiv a për të treguar muskujt. Që shteti të ketë dhe të ruajë dinjitetin që i takon.

    Në fund të fundit, siç pohoi këto ditë dhe zëdhënësi i BE–së për problemet e jashtme dhe sigurinë BE-ja i ka ndihmuar vazhdimisht delegacionet për të identifikuar zgjidhjet, por është përgjegjësia e palëve që të pajtohen për një zgjidhje. Hapësira për kompromis që sugjerohet do të shënonte kthesën e dëshiruar në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe do t’i tkurrte zvarritjet pa fund. Përkushtimi i SHBA-së dhe BE-së, pohon këto ditë Ndihmëssekretarja Amerikane e Shtetit, Karen Donfried, mbetet i fuqishëm për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Për ta, Kosova dhe Serbia kërkojnë riangazhim në dialog me njëritjetrin. Statusquoja e sotme vetëm bëhet pengesë e së ardhmes europiane të tyre. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë plotësuar kushtet për hapjen e negociatave”

    Lajmi i rradhës

    Kriminelët pendohen, shtetarët jo

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë