Vetëqeverisja vendore, themeli i demokracisë

    PROF. DR ARBEN MALAJ

    Në konceptin bazë të demokracisë, fuqia reale e të zgjedhurve varet nga afërsia e votës me votuesit e tyre. E kundërta, kur kjo distancë me votuesit është e madhe, ky fenomen konsiderohet “deficit demokratik”. Më konkretisht në zgjedhjet vendore, Kryetari i Bashkisë zgjidhet drejtpërdrejtë nga votuesit, ndërsa anëtarët e këshillit bashkiak zgjidhen sipas një liste paraprake, që hartohet kryesisht nga kandidatët për kryetar bashkie dhe jo nga një përzgjedhje demokratike, nga qytetarët sipas rajoneve/njësive administrative të bashkive. Shumë më i madh është deficiti demokratik kur krahasohemi me modelet inspiruese, ku anëtarët e këshillit bashkiak zgjidhen drejtpërdrejtë nga votuesit e tyre. Kjo krijon një sinergji pozitive midis votuesve dhe përfaqësuesve të tyre. E dyta dhe më e rëndësishme për demokracinë lokale mund të jetë zgjedhja e drejtpërdrejtë e anëtarëve të këshillit bashkiak nga votuesit. Kjo i bën ata më të pavarur ndaj kryetarëve, të cilët në shumë raste i konsiderojnë më shumë si numra statistikore, se sa si kolonë e rëndësishme e mirëqeverisjes vendore.

    Naomi Klein do të theksonte se: “Demokracia nuk është vetëm e drejta për të votuar, është e drejta për të jetuar me dinjitet”. Duke pasur parasysh proceset decentralizuese, transferimin e shumë funksioneve dhe shërbimeve publike drejt pushtetit vendor është bërë imediate nevoja e përmirësimit të qeverisjes vendore.

    Në vitin 2008, Këshilli i Europës miratoi Strategjinë për Inovacion dhe Qeverisje të Mirë në Nivel Lokal1 , duke përfshirë edhe 12 Parimet e Qeverisjes së Mirë Demokratike, të cilat përmbledhin vlerat themelore që përcaktojnë një vizion të përbashkët të qeverisjes demokratike në Evropë. Përdorimi i 12 Parimeve si pikë referimi mund të ndihmojë autoritetet publike në çdo nivel të masë dhe të përmirësojë cilësinë e qeverisjes së tyre dhe të përmirësojë ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

    Këto 12 parime të Qeverisjes së Mirë përfshijnë: (i) Pjesëmarrjen, Përfaqësimin, Zhvillimin e Drejtë të Zgjedhjeve; (ii) Përgjegjshmërinë; (iii) Efikasitetin dhe efektivitetin; (iv) Hapjen dhe transparencën; (v) Shtetin ligjor; (vi) Sjelljen etike; (vii) Kompetencën dhe Kapacitetin; (viii) Inovacionin dhe hapjen ndaj ndryshimit; (ix) Qëndrueshmërinë dhe Orientimin Afatgjatë; (x) Menaxhimin e shëndoshë financiar; (xi) Të drejtat e njeriut, diversitetin kulturor e kohezionin social dhe (xii) Llogaridhënien.

    Ndjekja në dinamikë e arritjes së përmirësimit të qeverisjes vendore kërkon që këto objektiva sipas 12 indikatorëve të saj të kthehen në tregues të matshëm, pasi kjo lehtëson analizat, ndihmon pjesëmarrjen kontribuuese të qytetarëve dhe rrit përgjegjshmërinë e llogaridhënies të bashkive. Është shumë e rëndësishme të kemi tregues të matshëm pasi sic thekson Ainshtajni: “Një gjë që nuk matet nuk ekziston”. Treguesit matës të mirëqeverisjes, qartësimi i objektivave konkrete, krijimi i një kalendari transparent dhe të monitorueshëm për arritjen e objektivave janë hapa cilësorë të mirë qeverisjes. Sondazhet periodike të opinionit publik mbi qeverisjen mund të ndihmojnë për të njohur pikat e dobëta dhe për të detyruar hartimin e planeve specifike se si ato përmirësohen.

    Shumë i rëndësishëm është auditimi i njësive vendore nga strukturat e Këshillit Evropian të cilët akordojnë “Etiketën Evropiane të Përsosmërisë së Qeverisjes” (ELoGE).

    Ky certifikim ka një vlerë të madhe sepse rrit kredibilitetin publik të qeverisjes vendore si parakusht i rëndësishëm i mirëqeverisjes. Ky certifikim mund të shërbejë si garanci për bonuse në mbështetjen me fonde nga qeveria dhe donatorët. Krijimi i modeleve të suksesshme në bashki të veçanta krijon sinergji pozitive për të gjitha bashkitë.

    Qeverisja vendore mund të përmirësohet nëpërmjet një pjesëmarrje/angazhimi aktiv e pozitiv të qytetarëve. Angazhimi qytetar mbështetet në katër kolona kryesore: (i) veprimi qytetarë – pjesëmarrje aktive në projekte vullnetare apo projekte të tjera ne fushën e edukimit e mbrojtjes sociale për të ndihmuar në një komunitet sa më të mirë; (ii) angazhim qytetar – ndërgjegjësim dhe angazhim për kontribute pozitive në shoqëri; (iii) aftësim i qytetarëve – aftësimin e tyre për tu përfshirë në shoqërinë civile, në politikë dhe në sfidat e demokracisë dhe (iv) krijimin dhe forcimin e solidaritet social duke rritur besimin dhe duke zgjeruar e rritur network-un me faktorët e tjerë ndikues në përmirësimin e qeverisjes vendore.

    Pjesëmarrja aktive e qytetarëve do të ndikojë te politikat dhe planet që harton e zhvillon një bashki, që të pasqyrojë prioritetet dhe nevojat e qytetarëve dhe komuniteteve.

    Rëndësi të veçantë në zhvillimin e qëndrueshëm të bashkive ka rritja e lirisë ekonomike edhe në nivel vendor. Kjo, pasi lehtëson rritjen e biznesit dhe thithjen e investimeve vendase dhe të huaja. Shpesh bashkitë konkurrojnë mes tyre për thithjen e investimeve. Liria ekonomike është një tregues i rëndësishëm përzgjedhje për biznesin dhe investitorët e mundshëm.

    Një moment i veçantë në qeverisjen e mirë në nivelin vendor është dhe parimi i X-të i mirëqeverisjes vendore, që nënkupton një menaxhim të shëndetshëm të financave. Në rastin e vendit tonë, ky parim merr një peshë të rëndësishme pasi shume bashki trashëgojnë borxhe për detyrime të pashlyera dhe detyrohen të paguajnë kamat vonesa/penalitete të rënda për mos pagimin e tyre. Fatkeqësisht edhe aktualisht kemi shqetësime në rritje për përkeqësimin e menaxhimit të shëndetshëm të financave në disa bashki të vendit.

    Buxhetimi i mirë, si pikënisje dhe garanci për menaxhimin e shëndetshëm të financave të bashkive, mbështetet në disa nga shtyllat e rëndësishme të qeverisjes së mirë si: (i) transparenca; (ii) integriteti; (iii) pjesëmarrja dhe (iv) dhe llogaridhënia.

    Pjesëmarrja qytetare ndihmon dialogun e hapur për çështje kritike, duke rezultuar në vendime më të mira dhe për rrjedhojë përmirësim të qeverisjes vendore. Grupet e veprimit qytetar në komunitete kanë rol kyc për të ndikuar pozitivisht në politikëbërjen dhe lehtësimin e debateve publike në momentet e hartimit, zbatimit dhe auditimit të buxheteve vendore.

    Në sfidën për përmirësimin e qeverisjes vendore në vendin tonë janë investuar disa miliona dollarë/euro – por investimi i bërë është cenuar shpesh nga rrotacionet politike. Për projektin, me theks të veçantë edhe në Shqipëri, rritjen e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve, i takon një mirënjohje e veçantë Ministrisë së Jashtme të Holandës për fokusin dhe mbështetjen edhe nëpërmjet programit MATRA. /Panorama/

    * President i Institutit per Politikat Publike dhe Mireqeverisje (www.ippm.al)

    Lajmi Paraprak

     Kylian Mbappe premton të ardhmen e tij te PSG

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski: Absolutisht nuk më pengon heqja e 20%, do ta mbështes një gjë të tillë

    Lajme tjera

    Jo progrom biznesit!

    Fatos Çoçoli E dimë të gjithë si qytetarë si kanë funksionuar deri tani sipërmarrjet shqiptare dhe sa defiçitar…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë