Zufer Bajrami
Shkenca politike – Marrëdhënie ndërkombëtare
“Zoti Kryeministër, nuk mund të bësh omlet pa thyer disa vezë!”, kështu titullohet kolumna e fundit e gazetarit të njohur Branko Geroski, e publikuar në Plusinfo. Përmbajtja është disi “hajde Mickovski, godit!”, “edhe ti” të mos jetë “si deri tani”, njësoj si ajo e vjetra e Aliut. Pra, Geroski i thotë Mickoskit:
“Mos më fol për ndryshim serioz të sistemit gjyqësor, nëse nuk je i gatshëm për prerje serioze kadrovike, nëse në pozitat kyçe në prokurori dhe në gjykata nuk vijnë njerëz sagllam, që do të zbatojnë reforma ligjore, institucionale dhe të çdo natyre tjetër në të gjitha nivelet”.
Hajde të themi se gjithçka është në rregull me këtë, edhe pse nuk tingëllon tamam në rregull. Geroski ka fillon të duket si ndonjë guru politik, eminenca gri e VMRO-së së rilindur, njëfarë ngatërrimi i çuditshëm kuantik ose siç e quante Ajnshtajni: “spooky action at a distance”, ndodh mes tij dhe Mickoskit para syve tanë.
Kurse fjalori me të cilin i drejtohet njëri tjetrit i ngjan më shumë një ligjërate të një komisari politik nga partia komuniste e shekullit XX në kërkim për “kuadro të denjë”, sesa një gazetari serioz në një shtet demokratik të shekullit XXI.
Titulli, pikërisht titulli, më tërhoqi ta lexoj tekstin.
Përshtypja e parë: shiko, duket sikur Geroski po i këshillon Mickoskit të thyejë disa vezë si metaforë, e manifestuar si një akt sublim sakrifice në formë të heqjes dorë për shembull nga ndonjë e drejtë diskrecionale, shkarkim të drejtorëve me diploma gjuhësore të falsifikuara, e kështu me radhë. Por jo. Gerovski kërkon që kryeministri të thyejë disa vezë që në fakt nuk janë të tijat. Në aspekt ligjor, kryeministri dhe qeveria dhurojnë disa nga vezët për omletin e quajtur gjyqësor, por kjo nuk do të thotë që ai “si deri tani” duhet ta hajë të gjithë omletin. Kjo do të përputhej mirë me idiomën “You can’t have your cake and eat it too”.
Sërish te titulli, por tani vetëm për idiomën: “Nuk mund të bësh omlet pa thyer disa vezë.” Sipas Google, persona të njohur që e kanë përdorur këtë idiomë janë Stalini, Lenini, por “thyesi” më i përkshtuar është padyshim Robespierre, i cili për arritjen e “idealëve” të Revolucionit Francez nuk hezitonte të flijonte mijëra vezë nën spatën e rëndë të gijotinës.
Ndoshta këta persona kurrë nuk e kanë përdorur këtë idiomë. Ndoshta e gjitha është shpikje e imagjinatës së dikujt, por fakti që kjo idiomë iu ngjit pikërisht figurave të tilla që, nëse me të vërtetë janë udhëhequr nga filozofia e thyerjes së disa vezëve për të mirën e përgjithshme, historia na mëson se ajo filozofi çon drejt dështimit total, ndoshta edhe katastrofës.
E çfarë drejtimi do të kishte kolumna nëse do të titullohej: “Kryeministër, the truth is in the
pudding”?
Nuk jam i sigurt se mund ta përkthej saktë këtë idiomë gjithashtu shumë të njohur, por e përshtatur për kontekstin për të cilin shkruaj këtu, do të nënkuptonte diçka si: “e vërteta qëndron te omleti”, në kuptimin që nuk ka nevojë të më thuash sa e mirë është diçka, kur mund ta provoj edhe vetë.
Tani realisht, këto 9 muaj omleti që na servohet nuk është ndonjë kualitet ndryshe nga ai që na është servuar “si deri tani”. Si deri tani e shohim si kryeministri i mban fort disa, edhe pse është e dukshme që disa janë pjekur për t’u thyer, dhe ka rrezik të madh që t’i thyen në dorë dhe të ndyhet edhe vetë.
Kur jemi tek idiomat, Ajnshtajnit i atribuohet se ka thënë:
“Insanity is doing the same thing over and over again and expecting different results”. Që në përkthim do të thotë: “Çmenduri është ta bësh të njëjtën gjë vazhdimisht dhe të presësh rezultate të ndryshme”.
Kah fundi i kolumnës, Geroski pyet:
“Çfarë është fatale – terapia apo apatia?”
Pastaj vazhdon:
“A shkakton ajo ‘terapi’ kundërindikacione dhe efekte anësore? Po, por nuk janë fatale. Fatale është kjo apati nga e cila nuk po arrijmë të dalim.”
Kur lexoni “terapi”, mendohet dhe përfshin thyerje dhe prerje të thella në gjyqësor.
Unë do t’i përgjigjesha Geroskit që edhe apatia, por veçanërisht terapia që ai propozon, mund të jetë fatale. Dhe tashmë që po flasim me fjalor mjekësor: gjyqësori në Maqedoni që nga viti 2004 është vazhdimisht në ndonjë tryezë kirurgjikale apo në imagjinatën kirurgjikale të dikujt. Vazhdimi i logjikës mjekësore, duke pasur parasysh besimin minimal prej 2% për sukses të pacientit lexo gjyqësorit, nuk do të thotë që duhet të bëjmë vazhdimisht të njëjtën operacion dhe të presim rezultate të ndryshme, veçanërisht kur për këtë pacient dikush ka investuar mund dhe shumëçka tjetër për ta ndërtuar. Ose siç do të thoshin të vjetrit anglezë, ndoshta edhe para tyre të vjetrit gjermanë, e më pas edhe Marksi: të mos na ndodhë që ta hedhim edhe foshnjën bashkë me ujin e ndotur të vaskës “To throw the baby out with the bathwater”.
E di, gjyqësori ynë është katastrofë. Çdo raport nga cilado institucion relevante, të gjitha hulumtimet e tregojnë këtë. Por të njëjtat raporte tregojnë edhe diçka tjetër, e ajo është: duhet sundim i ligjit, ndarje e pushteteve, dhe më e rëndësishmja duhet të ndalojë ndikimi politik, veçanërisht ai nga pushteti ekzekutiv, i cili në shtetin tonë të brishtë është edhe ashtu shumë i fuqishëm.
Dikush mund të thotë që unë propozoj që pushteti të mos bëjë asgjë. Unë do të thosha: po edhe jo. Pushteti ekzekutiv ka mjaft fuqi për të hetuar, për tu lëshuar në sulm çdoherë kur ka indikacione apo prova se dikush në gjyqësor kryen vepra penale, por ka edhe shumë burime për të ndërtuar diskurs për standarde më të larta etike për të gjithë aktorët shtetërorë, përfshirë gjyqësorin, si dhe një sërë mekanizmash të tjerë bashkë me pushtetin legjislativ. Por, kurrsesi nuk guxon dhe nuk duhet pushteti ekzekutiv të ketë dorë në epilogjet që duhet ekskluzivisht të dalin nga pushteti gjyqësor.
Në mënyrë të ilustruar: që nga fillimi i reformës kur sistemi gjyqësor fitoi indentitetin e infrastrukturën e re institucionale, ende i ngjan një foshnjeje të mbyllur në një dhomë pa dritare. Në atë dhomë vazhdimisht hyjnë dhe dalin duhanpirës të rëndë, të cilët jo vetëm që pijnë duhan pandërprerë brenda, por edhe çuditen pse foshnja është gjithmonë e sëmurë. Në kuadër të “kujdesit” të tyre, të njëjtët përpiqen vazhdimisht ta shërojnë foshnjën me ilaçe dhe antibiotikë të ndryshëm, me qëllimin për t’a shëruar. Por, në një mënyrë të çuditshme, kur frustrimi bëhet i madh, gjëja e parë që u vjen ndër mend është ta vrasin foshnjën dhe të fillojnë nga e para, por asesi nuk u shkon në mendje të dalin pak nga dhoma e t’i lejojnë foshnjës të marrë frymë lirshëm.
*Shkrimi është përkthyer për publikim në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.