Linçimi i Ëmblës

    Belkis Latifi

    Është fjala për personat me aftësi të veçanta të cilët sipas disa statistikave përbëjnë 15% të shoqërisë së çdo shteti. Sipas statistikës së vitit 2000, rezulton se rreth 610 milionë njerëz i takojnë kësaj kategorie në mbarë botën.

    Pa mëdyshje, ata meritojnë një trajtim të posaçëm, të cilin ne qartazi e kuptojmë nga Profeti Muhamed (Paqja e Zotit qoftë mbi të), kur atij i’u afrua një grua me aftësi të veçanta dhe i tha: “O i Dërguar i Zotit, unë kam nevojë të bisedoj me ty, të kërkoj diçka prej teje.” Profeti me urtësi i tha: ”Oj robëreshë e Zotit, vetëm trego se nga cila rrugë dëshiron të ecim në Medinë dhe unë kam për të ecur bashkë me ty, derisa të m’i rëfesh të gjitha brengat e tua.” Ajo eci bashkë me Profetin, rrugëve të Medinës derisa iu mbush mendja se ia ka rrëfyer të gjitha hallet e saj.

    Pra, i tillë ishte me këtë kategori njerëzish, shembëlltyra e njerëzimit, Profeti Muhamed. Iu ofronte atyre një pjesë bukur të madhe të kohës së tij shumë të çmueshme sepse ai ishte burrë shteti, komandant i ushtrisë, priste dhe përcillte delegacione të ndryshme, Profet i Zotit, për të cilin kishin nevojë i gjithë komuniteti, i gjithë qyteti. Krahas obligimeve që kishte, ai përsëri i ofroi një kohë të konsiderueshme gruas me aftësi të veçanta duke mos e përkufizuar atë (kohën)!

    Përcillet se në dy raste kur Profeti kishte munguar nga Medina, për udhëheqës administrativ dhe fetar e kishte përcaktuar njërin nga shokët e tij i cili ishte me aftësi të veçanta.

    Pra, ajo që vërejmë nga dy ngjarjet e lartëpërmendura, nga këto dy ndodhi nga jeta e Profetit Muhamed, është se ai, kategorinë e tillë e cilësonte si pjesë e pandashme nga rrjedhat shoqërore dhe jeta publike. Ai i ngushëllonte dhe solidarizohej me ta aq shumë, saqë e bënte çdonjërin prej tyre të ndihej shumë rehat dhe të bashkëjetonte e të bashkëvepronte në mënyrë shumë korrekte dhe konstruktive me aftësinë e veçantë me të cilën ishte sprovuar.

    Ai gjithnjë ua përkujtonte se mangësia dhe e meta me të cilën janë sprovuar në jetën e kësaj bote do të shndërrohet në kompensim dhe shpërblim në botën e përtejme, si p.sh., Amr ibnul Xhemuh ishte një njeri i çalë që jetoi në kohën e Profetit Muhamed (Paqja e Zotit qoftë mbi të) të cilit Ai i tha: “Po më duket o Amr se po të shoh në Xhenet duke ecur me këmbën tënde të çalë, e cila në atë botë do të jetë e shëndoshë!”

    Islami i mëson njerëzit që ndaj kategorisë së tillë të njerëzve të sillen në mënyrë skajshmërisht të butë dhe duke i trajtuar ata me dhembshuri dhe ngrohtësi dhe i’u ofron tri gjëra kryesore: përkujdesje maksimale shëndetësore, program të veçantë për aftësimin dhe trajnimin e këtyre njerëzve aq sa lejojnë mundësite e tyre të veçanta dhe angazhimi i të tjerëve që t’u asistojnë këtyre njerëzve në përmbushjen dhe kryerjen e nevojave të tyre, në mënyrë që jeta e tyre të bëhet sa më e lehtë dhe komode.                

    Së fundmi kishim rastin e Ëmblës, e cila u linçua dhe stigmatizua nga prindërit e shoqeve dhe shokëve të saj të cilët nënshkruan peticion, e që unë doja t’i nënvizoj tre gjëra:

    1. Si do të ishin ndjerë poqese rasti i tillë do t’iu ndodhte atyre? D.t.th., duhej të kishin vënë veten në pozitën e tjetrit! (Nuk është besimtarë ai cili nuk i’a dëshiron tjetrit, atë që e dëshiron për vete)!
    2. Lënduan dhe i shqetësuan prindërit dhe familjen e saj dhe po aq, edhe prindërit e tjerë me fëmijë të të njejtit sindrom!
    3. Fëmijëve të tyre i’u dhanë një model të keq se si ata në të ardhmen duhet të sillen me personat me nevoja të veçanta (pra, t’i linçojnë, largojnë, lënë vetëm) etj.

    Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori.

    Lajmi Paraprak

    Taravari takohet personalisht me prindërit e Ëmbla Ademit: Më vjen mirë që popullata po ndërgjegjësohet në këtë drejtim

    Lajmi i rradhës

    Parlamenti nuk e mbështet shkarkimin e Abazoviqit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë