BASHKIM ZENELI
Nuk e kam fjalën për Evropën, as atë gjeografike e as atë politike. E kam fjalën për Angela Merkel. Është shumë e vlerësuar. E kanë quajtur “politikania ndërkombëtare e klasit të parë”; “vajza e Kohl-it”, “gruaja më e fuqishme në botë”, “modelja e politikanes”, “lindorja e famshme”, “Kancelarja e krizave (zgjidhjes), “politikania që do t’i mungojë Gjermanisë”, etj. Por, përcaktimin më të bukur, më të fuqishëm, më të dashur e ka ‘Frau Europa’ – ‘Zonja Evropë’! Një tingëllim madhështor!
Angela Merkel, vetëm pak kohë më parë, ka shkruar një libër, të vetmin që ka, ‘Freiheit’- ‘Liria’, të përkthyer menjëherë në 35 gjuhë (aty premton se do të shkruajë edhe libra të tjerë).
Qytetarja e dikurshme e Lindjes, ministre e Kohl-it që në vitin 1990, kryetare e CDU për 18 vite, nga 2000 deri ne vitin 2018, Kancelare e Gjermanisë për 16 vite, nga 2005 deri në vitin 2021. 35 vite në Lindjen gjermane, në diktaturë dhe 35 vite në RFGj, në demokraci, në liri.
Një grua e jashtëzakonshme në qendër të pushtetit. Kam shkruar shumë për të, në librin tim që e kam gati për botim.
Sot do të shkruaj për atë vëmendje të jashtëzakonshme të Angela Merkel për Ballkanin Perëndimor.
Me 30 janar 2014, ajo thërret në zyrën e saj disa nga ministrat më të rëndësishëm të kabinetit të saj të koalicionit më socialdemokratët. Dhe i thërret për të diskutuar se çfarë do të bëjmë me Ballkanin Perëndimor, si duhet ta mbështesim më shumë për rrugën drejt anëtarësimit në BE. Dhe për Kancelaren e fuqishme, viti 2014, kishte një domethënie të rëndësishme: ishte 25-vjetori i rënies së Murit të Berlinit, 75 vjetori i krijimit të RFGj, 75-vjetori i fillimit të luftës së dytë botërore, por edhe 100-vjetori i luftës së parë botërore, të dyja të nisura nga Gjermania. Dhe ishte një kujtesë e madhe…
Nga ana tjetër, dhe që është më e rëndësishmja, Bashkimi Evropian, përveç ritualit të mërzitshëm se “rajoni i përket BE-së”, se “e ardhmja juaj është në BE”, se “ju mirëpresim në BE”, etj., kishte një angazhim të ngadaltë, të lodhur, si të bezdisshëm ndaj rajonit tonë. Kancelarja Merkel, që kur mori këtë detyrë, kishte kërkuar në vazhdimësi pajtimin në rajon. Nuk mungonin (e nuk mungojnë) në Ballkanin Perëndimor edhe sherre të vjetra e inate të reja, konflikte e mungesë besimi tek njeri-tjetri.
Dhe më vonë se në 2014-ën, udhëheqës të BE-së apo edhe të Francës do të paralajmëronin rajonin tonë se “nuk do të ketë pranime të reja derisa të rregullojmë problemet tona e të reformojmë BE-në”…
Dhe zonja Merkel, në atë takim të 30 janarit 2014, mendon se duhet vepruar ndryshe. Vendet e rajonit nuk duhet të lihen vetëm ; atyre nuk duhet t’u bjerë entuziazmi për në BE. Asnjë euroskepticizëm nuk duhej të shfaqej në këto vende…
Gjermani i kishte dhënë “provat” që në vitin 1998, kur ndryshoi kushtetutën në Bundestag për të lejuar përfshirjen e trupave të saj ushtarake, në kuadër të NATO-s, në aksionet luftarake, për Kosovën, në luftë kundër krimeve të Milosheviçit ndaj popullit shqiptar të Kosovës. 6000 ushtarë gjermanë do të stacionoheshin në Kosovë, në kuadër të 50 mijë trupave nga 40 vende.
Dhe zonja Merkel, në atë diskutim në zyrën e saj, pyet ministrat e thirrur: Çdo të bëjmë?
A nuk duhet t’i bëjmë një ftesë udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor për t’u takuar në Berlin e për t’i ndihmuar e mbajtur sa më afër në rrugën drejt BE-së, që të forcojmë bashkëpunimin me vendet e rajonit, me programe konkrete politike, ekonomike, infrastrukturore, me projekte në fushat nga më të rëndësishmet? Dhe a duhet t’i nxisim këto vende për pajtim, për bashkëpunim me njëri-tjetrin, për afrim?
Ajo merr përsipër të bisedojë me Komisionin Evropian, por edhe me udhëheqësit e të 27 vendeve të BE. BE nuk mund e nuk duhej të mbetej jashtë kësaj nisme. Dhe me 28 qershor 2014, në Berlin, do të takoheshin liderët e Ballkanit Perëndimor, në atë konferencë që do të quhej e quhet edhe sot “Procesi i Berlinit”. Një proces i suksesshëm, falë zonjës Merkel dhe falë angazhimit të saj për të mbajtur “të karikuar” BE-në në këtë proces.
Dhe kanë kaluar tani 11 vite. Shqipëria, sot është më afër se kurrë drejt anëtarësimit në BE, në përmbushjen e të gjitha “detyrave të shtëpisë”. Edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në këtë rrugë. Dhe nuk ka tjetër rrugë: Evropa është shtëpia jonë, e ardhmja jonë. Zonja Merkel sot shprehet: “Unë kam qenë dhe jam e bindur se vetëm pranimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të sigurojë një bashkëpunim paqësor në rajon. Edhe nëse është një rrugë jo e lehtë, duhet ecur përpara”.
Pak a shumë, këtë tha në Tiranë edhe Presidenti i Francës Macron, madje duke bërë edhe autokritikë “ se kur kishte folur për ndalim të zgjerimit, kishte qenë i ri në detyrë”.
Dhe në Shqipëri flitet edhe se “jemi entuziastë se do të pranohemi” por edhe se “nuk e meritojmë se nuk kemi përmbushur detyrat”! Gjithkush ka të drejtë të flasë si të dojë, se “mendje, mendje, është kjo punë”. Por më ka bërë përshtypje në një media një “analist”, një “dhaskal i llastuar”, që për të thënë se Shqipëria nuk e meritonte BE-në, shprehej se paska një marrëveshje mes Macron dhe Merz për të mos pranuar tani vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe kënaqej me vete se kishte zbuluar diçka që në botën e sotme, kurrkush nuk e dinte. Pra, Gjermania dhe Franca na paska mbyllur dyert, tashmë jo me Merkelin, as me Scholz, por me Kancelarin e ri, vërtetë burrë shteti, Friedrich Merz! Dhe janë dy vendet më të fuqishme në Evropë që na paskan mbyllë dyert e Evropës, tamam tani që jemi në prag të saj. Unë nuk di asgjë për një marrëveshje të tillë. Di vetëm që ka dy traktate gjermano-franceze, i pari i vitit 1953, i nënshkruar nga Adenauer dhe De Gaull, në Paris, e që quhet Traktati i Elysse dhe, i dyti, i vitit 2019, i nënshkruar nga Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, në Aachen të Gjermanisë, pas 56 vitesh! Në të parin, sigurisht, nuk flitet për Ballkanin Perëndimor. Në të dytin flitet qartë për forcimin dhe zgjerimin me anëtarë të rinj të BE-së.
Asgjë tjetër nuk ka, asnjë marrëveshje! Franca e Gjermania na mbështesin e padyshim janë kërkues të rreptë që ne të bëjmë sa më mirë detyrat tona. Dhe ne duhet t’u jemi atyre e vendeve të tjera mirënjohës. Kemi shumë për të bërë!
Fola në fillim për inicimin e Procesit të Berlinit nga zonja Merkel, për të treguar vendosmërinë dhe vazhdueshmërinë e të gjitha qeverive gjermane, të djathta e të majta, për të na mbështetur. Këtë nuk e di vetëm ai “analisti” që fola më lart! /Panorama/