Vaksinat funksionojnë, askush nuk thotë se janë 100% efikase

    Edhe të pavaksinuarit edhe të vaksinuarit mund të infektohen dhe ta transmetojnë virusin, por pasqyra e sëmundjes mund të jetë shumë e ndryshme për të dy grupet. Sidoqoftë, rreziku më i madh i transmetimit është në mesin e të pavaksinuarve, të cilët kanë më shumë gjasa të infektohen dhe ta transmetojnë virusin. Asnjë vaksinë e miratuar kundër Kovid-19 nuk është 100% efikase dhe deri më tani askush nuk ka pretenduar një gjë të tillë. Lloji Delta ka zvogëluar efikasitetin e vaksinave, por ato ende në të shumtën e rasteve parandalojnë format e rënda klinike, hospitalizimin dhe vdekjen, shkruan Vërtetmatës.

    Postim në Facebook  përhap dezinformata se vaksinat nuk janë funksionale dhe manipulon se personat e pavaksinuar nuk paraqesin rrezik për të vaksinuarit.

    Pas tre vaksinave të pranuara të besosh se nuk je i mbrojtur vetëm sepse ka njerëz që nuk janë vaksinuar, është një idiotizëm ekstrem. Vaksinat thjesht nuk janë funksionale, a nëse janë të dëmshme…do e shohim së shpejti.

    Rrjedhën e pandemisë me koronavirusin (të cilës me vaksinat do duhej që gradualisht t’i vinte fundi) e çrregulloi paraqitja e llojit të ri të virusit që u quajt Delta.

    Në 31 korrik, Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve në SHBA, theksoi se lloji Delta është po aq ngjitës sa edhe lija, dhe se infeksioni tek personat e vaksinuar mund të përhapet po aq sa edhe tek të pavaksinuarit.

    Me paraqitjen e këtij lloji të ri, shumë më ngjitës, u pa që edhe të pavaksinuarit edhe të vaksinuarit mund të infektohen dhe ta transmetojnë virusin, por pasqyra e sëmundjes mund të jetë shumë e ndryshme për të dy grupet. Sidoqoftë, rreziku më i madh i transmetimit është në mesin e të pavaksinuarve, të cilët kanë më shumë gjasa të infektohen dhe ta transmetojnë virusin.

    Аgjencia, gjithashtu thekson se vaksinat janë mjaft efikase në parandalimin e infeksioneve, pasqyrës së rëndë të sëmundjes dhe vdekjes. Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve në SHBA thekson edhe se edhe pse personat e vaksinuar janë më pak të rrezikuar nga sëmundja, ata përsëri mund ta përcjellin koronavirusin tek të tjerët, njësoj si të pavaksinuarit.

    Asnjë vaksinë e miratuar kundër Kovid-19 nuk është 100% efikase dhe deri më tani askush nuk ka pretenduar një gjë të tillë. Lloji Delta ka zvogëluar efikasitetin e vaksinave, por ato ende në të shumtën e rasteve parandalojnë format e rënda klinike, hospitalizimin dhe vdekjen.

    Në 17 shtator CDC publikoi një аnalizë të disa studimeve të realizuara në SHBA dhe disa shtete të tjera në lidhje me efikasitetin e vaksinave kundër llojit
    Delta. Në analizë thuhet se që nga shfaqja e llojit Delta efikasiteti i vaksinës sa i përket parandalimit të hospitalizimit sillet nga 75 deri më 95%, ndërsa efikasiteti i vaksinës sa i përket parandalimit të infeksionit nga 39 deri më 84 % – varësisht nga rajoni. Para llojit Delta, kjo përqindje sillej nga 84 deri më 97%  efikasitet kundër hospitalizimit dhe nga 72 deri më 97 % kundër infeksionit.

    Kjo ndikon më shumë tek personat me imunitet të kompromentuar, të cilët kanë një system imunologjik mesatarisht ose shumë të dobësuar dhe janë posaçërisht të ndjeshëm ndaj Kovid-19 dhe që kanë gjasa të mos mund të krijojnë nivel të njëjtë të imunitetit nga vaksinat krahasuar me personat e tjerë. Kontakti i tyre me persona të pavaksinuar që janë të prekur nga virusi mund të paraqesë një rrezik mjaft të madh.

    Kjo do të thotë se personi i pavaksinuar që është infektuar me Kovid-19, paraqet një rrezik më të madh për personat që gjithashtu nuk janë të vaksinuar, por edhe për personat e vaksinuar, sepse vaksinat nuk janë 100% efikase. Kështu, ekziston mundësia që një person i pavaksinuar të infektojë një person të vaksinuar – sidomos nëse ai person bën pjesë në grupet vullnerable, si të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar.

    Që vaksinat janë efikase dhe nuk janë të dëmshme e konfirmoi edhe prof.dr. Aleksandar Petliçkovski nga Instituti i imunobiologjisë dhe gjenetikës humane, në një tribunë me temë: „Vaksinimi dhe sfidat me Kovid-19“.

    Një trajtim 100% të sigurt ende nuk kemi, por kemi disa qëndrime të qarta për atë se vaksinimi është qasja më e mirë në përballjen me pandeminë. Lajmet dhe historitë për efektet e padëshiruara nga llojet e ndryshme të vaksinave po qarkullojnë në mënyrë ciklike. Cilado vaksinë që aplikohej për momentin, menjëherë shoqërohej me tregime të tmerrshme, pjesa më e madhe e të cilave ishin tërësisht të pabazuara.  Histori të tilla ka pasur dhe do të ketë, por kur i krahasojmë këto me miliona, madje edhe miliarda persona të vaksinuar, e shohim se bëhet fjalë për raste jashtëzakonisht të rralla – tha Petliçkovski.

    Еmanuel Goldman nga Departamenti i mikrobiologjisë, biokimisë dhe gjenetikës molekulare në Fakultetin e mjekësisë të Universitetit Shtetëror në New Jersey, sheh rrezik real në një lloj të ardhshëm të virusit, i cili do të shkaktohet nga njerëz që nuk vaksinohen dhe kështu sigurojnë një bazë që virusi të vazhdojë të gjenerojë lloje të reja. Në një letër të hapur ai paralajmëron se kjo mund të çojë në shfaqjen e një lloji që do ishte rezistent ndaj vaksinave aktuale, duke i bërë personat tashmë të vaksinuar më të ndjeshëm ndaj infeksioneve serioze.

    Përparimi që e kemi bërë në tejkalimin e pandemisë do të humbet. Do duhet të krijohen vaksina të reja dhe të rifillojë zbatimi i karantinave dhe mbylljeve. Do të duhet të krijohen vaksina të reja. Shumë prej atyre që për momentin janë të mbrojtur, sidomos ata që bëjnë pjesë në grupet vullnerable, do vdesin, paralajmëron Goldman

    Postimi në mënyrë suptile manipulon edhe për dozën e tretë të vaksinës. Në vendin tonë, dhe kudo në botë ku është futur doza e tretë e vaksinës, vetëm rekomandohet, pra pranimi i saj nuk është i detyrueshëm. Përveç kësaj, doza e tretë e vaksinës rekomandohet vetëm për një kategori të caktuar të njerëzve dhe jo për popullatën e gjerë.

    Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

    Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari.

    Lajmi Paraprak

    Nuk është e vërtetë që çdo 100 vjet ka nga një pandemi si një plan për depopullimin e botës

    Lajmi i rradhës

    Heshtja e Perëndimit, po e vë në rrezik Bosnjën dhe Ballkanin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë