Doktoresha Ajla Xhemaili flet për përfitimet e agjërimit nga aspekti mjekësor (Intervistë)

    Zakonisht kur afrohet koha e Ramazanit flitet për aspektin shpirtëror të tij, si ta presim Ramazanin në mënyrën më të mirë këtë vit, si t’ia kushtojmë kohën tonë shpirtit që ta pasurojmë me lutje dhe adhurime. Kjo patjetër që është e rëndësishme për të gjithë muslimanët, mirëpo a mjafton vetëm kjo?! Padyshim që jo, sepse për të pasur një muaj po aq shpirtëror, na duhet energji fizike duke e ruajtur edhe aspektin fizik. Ajla Xhemaili Musliu doktoreshë e mjekësisë spjegon për Nistori përfitimet e agjërimit në aspektin mjekësor si dhe efektet mbrojtëse për organizmin e njeriut.

    Intervistoi | Sumeja Hamzi

    Nistori: A e dëmton agjërimi shëndetin fizik?

    Dr. Ajla Xhemaili Musliu: Ky muaj si një udhëtim shpirtëror paraqet një kapitull të ri për të gjithë ata që duan të largohen nga veset dhe që duan ta përmirësojnë karakterin e tyre, prandaj përkushtimi i muslimanëve në këtë aspekt jep rezultatet më të mira. Mënyra se si agjërojnë muslimanët në këtë muaj, duke u larguar nga ushqimet dhe pijet për një periudhë të caktuar ka bërë kureshtar shumë shkenctarë që të futen në thellësinë e hulumtimeve dhe të zbulojnë shumë perla përfitimesh të agjërimit në aspektin mjekësor. Studimet e ndryshme kanë treguar se agjërimi i Ramazanit ka efekte mbrojtëse për organizmin e njeriut.

    Pra, shumë studime janë fokusuar në efektin e agjërimit të Ramazanit në ndryshimet metabolike dhe rezultatet shëndetësore në grupe të ndryshme të popullsisë muslimane. Studimet raportuan se kolesteroli total, lipoproteinat me densitet të ulët (LDL), lipoproteinat me densitet të lartë (HDL) dhe glukoza në gjak janë përmirësuar dukshëm pas Ramazanit në krahasim para Ramazanit tek atletët. Poashtu kanë hasur ulje te LDL-së te të dy gjinitë, ndërsa rritje të HDL-së te gratë. Janë bërë studime të ndryshme në aspektin kardiovaskular të agjëruesit duke e vërtetuar se gjatë agjërimit zemra e agjëruesit për një muaj rreh 427 mijë herë më pak, që do të thotë se agjëruesi e kursen zemrën e tij për 10 vjet.

    Nistori: Çfarë ndikimi ka agjërimi në funksionin e veshkave të njeriut?

    Dr. Ajla Xhemaili Musliu: Agjërimi i Ramazanit nuk ka ndikim në funksionin e veshkave dhe komponentin e urinës tek njerëzit e shëndoshë por efekti i agjërimit në funksionin e veshkave duhet të vlerësohet tek individët jo të shëndetshëm. Një studim i kryer në 31 pacientë me sëmundje kronike të veshkave vlerësoi funksionin e veshkave në 3 periudha: 1 muaj para Ramazanit, gjatë Ramazanit dhe 1 muaj pas Ramazanit. Në krahasim me periudhën para Ramazanit, norma e vlerësuar e filtrimit glomerular (eGFR) tregon një përmirësim të dukshëm, si dhe proteinuria edhe natriumi urinar u ulën gjatë muajit të Ramazanit dhe 1 muaj pas tij.

    Konsumimi i ujit është e ndaluar gjatë agjërimit të Ramazanit dhe për pasojë mund të ndodhë dehidratim nëse në periudhën e lejueshme për të ngrënë dhe për të pirë nuk e shfrytëzojmë sa duhet për tu hidratuar ndërsa dehidratimi konsiderohet si një faktor rreziku për gurët në veshka. Një studim vlerësoi efektin e agjërimit të Ramazanit në formimin e gurëve në mesin e 57 burrave me gurë në veshka. Rezultatet treguan se në krahasim me periudhën para Ramazanit, u vu re një reduktim i vëllimit të kalciumit, fosfatit, magnezit dhe urinës, por u rrit përqendrimi i acidit urik, citratit, fosfatit, natriumit dhe kaliumit. Prandaj këto rezultate nuk e mbështesin hipotezën se agjërimi i Ramazanit është një faktor rreziku për formimin e gurëve.

    Nistori: Çfarë këshilloni që të konsumohet në iftar dhe syfyr për më shumë energji?

    Dr. Ajla Xhemaili Musliu: Në iftar është e preferuar si në aspektin mjekësor, poashtu edhe në aspektin fetar që të prishet agjërimi me lëngje, gjegjësisht ujë dhe hurma. Kjo është shumë e dobishme për organizmin tuaj, pasiqë pas një periudhe të gjatë të agjërimit, trupit i duhet ujë për hidratim dhe hurma që përmbajnë sheqer natyral për të fituar më shumë energji.

    Hurmat hahen tradicionalisht për të prishur agjërimin pasi ato sigurojnë sheqerna natyrore për energji, sigurojnë minerale si kalium, bakër dhe mangan, të cilët janë një burim i madh i fibrave. Mund të provoni edhe fruta të tjera të thata të tilla si kajsi, fiq, rrush të thatë ose kumbulla të thata të cilat gjithashtu sigurojnë fibra dhe lëndë ushqyese. Pas një agjërimi të gjatë është e natyrshme që kur uleni para sofrës së iftarit të dëshironi të hani shumë gjëra, por përpiquni ta përmbani veten dhe të merrni një sasi të vogël të ushqimeve me yndyrë dhe sheqer si dhe pijeve me sheqer.

    Nistori: Çka parapëlqehet në kohën e syfyrit?

    Ajla Xhemaili Musliu: Në syfyr pini shumë lëngje, zgjidhni ushqimet e pasura me lëngje për t’u siguruar që jeni të hidratuar mirë për ditën në vazhdim dhe konsumoni ushqime me energji duke zgjedhur ushqime me fibra dhe proteina pasi këto ju ndihmojnë të ndjeheni më të ngopur e ndihmojnë tretjen e ushqimit që ndihmon në parandalimin e kapsllëkut. Mund të provoni Tërshëra apo drithërat integrale duke i kombinuar me kos ose qumësht duke i shtuar fruta të thata si arra apo fara të ndryshme mundësojnë që të pajisemi me të gjitha vitaminat dhe mineralet e duhura për të vazhduar agjërimin tonë me plotë energji.

    Këshillë: Kushtoni shumë rëndësi mënyrës së të ushqyerit gjatë periudhës së Ramazanit, sepse adhurimet do t’i keni të mangëta nëse ju mungon energjia fizike dhe mendore, e që padyshim burimi i kësaj energjie vjen nga ushqimet e shëndetshme që na ka dhuruar vetëm Zoti.

    Lajmi Paraprak

    Në Shkup jetojnë 526 mijë banorë, por supozohet se jetojnë më shumë

    Lajmi i rradhës

    Në vitin 2021 përmbaruesit në RMV kanë arkëtuar 130 milionë euro

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë