Intervistë me gjinekologen Valbona Gjonbalaj | A mbetet tabu vizita e vajzave të reja për kontrollë gjinekologjike?

    Valbona Gjonbalaj është doktoreshë e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës. Fakultetin e mjekësisë e kreu në Universitetin e Tiranës në vitin 2000. Specializimin nga lëmia Gjinekologji me Obstetrikë e mbaroi në vitin 2008 në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Gjithashtu magjistroi në Shkencat Kirurgjikale pranë Universitetit të Prishtinës në vitin 2008. Doktoresha Valbona vendosi që t’i shërbejë vendit të saj si një profesioniste duke punuar pranë Spitalit Klinik të Tetovës. Gjonbalaj rrëfen për Nistori rreth fillimeve të saj në karierë, mbi përvojat në profesionin e saj të gjinekologjisë dhe porositë e saj për gratë, kujdesin gjatë shtatzënisë.

    Intervistoi | Sumeja Hamzi

    Nistori: Pse zgjodhët të jeni mjeke e Gjinekologjise dhe Obstetrikës?

    Valbona Gjonbalaj: Dëshira e madhe që tu vij në ndihmë femrave në pergjithësi pa dallim moshe.

    Nistori: A vazhdon të mbetet tabu vizita e vajzave të reja për kontrollë gjinekologjike?

    Valbona Gjonbalaj: Këto dy vitet e fundit mendoj që nuk është më tabu vizita e vajzave të reja tek mjeku Gjinekolog. Ato madje motivohen nga nënat e tyre dhe shpesh vijne se bashku me to në vizitë.

    Nistori: Cilat janë arsyet më të shpeshta që drejtohen pacientët për vizitë gjinekologjike?

    Valbona Gjonbalaj: Kjo varet nga grupmosha e pacienteve që kërkojnë ndihmë. Vajzat e vogla nën moshën 7 vjeç kanë ankesa për infeksione urinare të cilat përhapen edhe në rregjionet e jashtme të organeve gjenitale. Vjazat në periudhën e pubertetit dhe adoleshencës kanë ankesa për çrregullime hormonale, çrregullime të ciklit menstrual, dhimbje gjatë menstruacioneve, sindrom premenstrual, akne dhe qimëzim nëpër lëkurë. Femrat e moshës reproduktive janë më shumë paciente shtatzëna dhe nëse nuk janë ato kanë ankesa të infeksioneve gjenitale të ndryshme. Pacientet në periudhën e perimenopauzës dhe menopauzës ankohen më shumë për çrregullime të ciklit menstual dhe simptoma të menopauzës.

    Nistori: Çfarë luan rol të rëndësishëm për një shtatzëni pa ndërlikime?

    Valbona Gjonbalaj: Këshillimi prekoncepcional përfshin një mënyrë të koordinuar të kujdesit mjekësor dhe mbështetje psiko-sociale që fillon para mbetjes shtatzënë dhe shtrihet deri në periudhën para fillimit të aktivitetit të lindjes. Pra kujdesi para lindjes zbulon rastet që mund të përfitojnë nga trajtimi i hershëm sikurse janë ato me diabet mellitus, hipertension dhe sëmundje të trashëguara ose metabolike.

    Nistori: Cilët janë faktorët që e shkaktojnë abortin ne vendin tonë?

    Valbona Gjonbalaj: Shkaqet kryesore të aborteve janë: anomalitë kromozomale, infeksionet e ndryshme bakteriale dhe virusale, sëmundjet e gjëndrave endokrine të nënës dhe gjithsesi sëmundjet kronike të nënës.

    Nistori: A respektohet ftesa për PAP Test që u dërgoni pacienteve çdo gjashtë muaj?

    Valbona Gjonbalaj: Më vjen shumë keq, por jo. Ftesat që i kemi dërgu vitin e kaluar nuk janë respektuar nga ana e pacienteve për paraqitjen e tyre në ambientet e ordinacës sonë.

    Nistori: A duhet të vaksinohen gratë shtatzëne me vaksinë kundër Covid-19?

    Valbona Gjonbalaj: Po, patjetër. Vaksina kundër Covid-19 është plotësisht e sigurt tek gratë që planifikojnë shtatzëni, ato që janë shtatzëna, si dhe ato që janë gjidhënëse.

    Nistori: Përvoja juaj që nuk do ta harroni kurrë përgjatë rrugëtimit tuaj si gjinekologe?

    Valbona Gjonbalaj: Përvojat që i kam kalu gjatë punës sime në Spitalin Special për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Çair si Shefe e sallës së Lindjes kur duhej të hyja në sallën operative brenda 10 minutave dhe pas rastit ekstra urgjent që operoja, më priste kafeja e ngrohtë e bërë me shumë dashuri nga motrat e repartit të sallës së lindjes

    Nistori: Porosia juaj për gratë?

    Valbona Gjonbalaj: Femra të nderuara: Ju lutem vizitoni mjekun gjinekolog së paku një herë në vit, bëni rregullisht pap testin. Vaksinohuni kundër Covid-19 sidomos ju që jeni shtatzëna, përdorni prezervaitv gjatë marrëdhënieve seksuale nëse dyshoni që keni infeksione vaginale, siguroheni që të planifikoni shtatzëni. Duajeni veten, duke e dashur edhe mjekun gjinekolog. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kuvendi i RMV-së me nivelin më të ulët të debatit cilësor

    Lajmi i rradhës

    Prindërit vetushqyes: Nuk duam keqardhje, duam të drejta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë